Interviste3 Nov 2020

Zgjedhjet ekzistenciale të Amerikës – Komenti i Richard Haass

...Çdo krizë politike në SHBA e shkaktuar nga zgjedhje të debatueshme presidenciale më 2020 do të lërë vendin edhe më të ndarë dhe të çorientuar nga sa është aktualisht. Një zhvillim i tillë mund të vijë në një kohë kur politika e jashtme e SHBA-së ka ngritur pikëpyetje të mëdha mbi besueshmërinë e vendit si një aleat dhe gatishmërinë e tij për të përdorur forcën ushtarake.

Autor: Richard N. Haass Project Syndicate
Printo

Sot është ditë zgjedhjesh në Shtetet e Bashkuara. Ajo që do të ndodhë sot – dhe në ditët apo javët e ardhshme – do të ketë komplikime të shumta jo vetëm për amerikanët, por për njerëzit në mbarë botën. Project Syndicate bisedoi me kontribuuesit e vet dhe ekspertët mbi politikat e SHBA-së – Daron Acemoglu nga Instituti i Teknologjisë së Masaçusetsit (MIT), Richard Haass, President i Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë dhe drejtorja ekzekutive e New America, Anne-Marie Slaughter – për të shqyrtuar se çfarë është në lojë në këto zgjedhje.

Ilustrimi, kortezi nga pixabay.com

Intervistë me Richard Haass

Project Syndicate: Në gusht ju shkruat se shanset e një lufte të ftohtë sino-amerikane – e madje edhe të një lufte të nxehtë – ishin “shumë më të larta” nga sa kishin qenë në fillim të vitit, kryesisht për shkak përqafimit nga qeveria kineze e një “rruge më imponuese brenda dhe jashtë vendit.” Ju vërejtët se kjo mund të jetë pjesërisht përpjekje për të përfituar nga përqendrimi i Amerikës mbi krizën e COVID-19. Nëse rezultati i zgjedhjeve të sotme sfidohet, si mundet që Xi të përfitojë nga destabiliteti politik në SHBA? Çfarë rreziqesh të tjera në politikën e jashtme përbën një rezultat i tillë, si në terma afatshkurtra ashtu edhe në pozicionin afatgjatë global të Amerikës?

Richard Haass: Çdo krizë politike në SHBA e shkaktuar nga zgjedhje të debatueshme presidenciale më 2020 do të lërë vendin edhe më të ndarë dhe të çorientuar nga sa është aktualisht. Një zhvillim i tillë mund të vijë në një kohë kur politika e jashtme e SHBA-së ka ngritur pikëpyetje të mëdha mbi besueshmërinë e vendit si një aleat dhe gatishmërinë e tij për të përdorur forcën ushtarake.

Në rrethana të tilla, ka rrezik që Kina të joshet nga ideja e ndërmarrjes së veprimeve shtrënguese kundër Taivanit, të tilla që mund të ekspozojnë vulnerabilitetin e Taivanit dhe ta çojnë atë më shumë nën kontrollin e Kinës. Nuk është e paimagjinueshme edhe mundësia e rritjes së aktiviteteve ushtarake të Kinës përkundrejt Indisë dhe Japonisë si dhe në Detin e Kinës së Jugut.

Gjetkë nëpër botë, ka rrezik që iniciativatë reja destabilizuese nga Rusia, Turqia, Irani, Koreja e Veriut e të tjera, të shtyra nga shpresa se rreziku i reagimit amerikan – dhe në veçanti të reagimit ushtarak amerikan – do të jetë shumë më i vogël nga sa ka qenë që prej shumë dekadash. Gjithsesi, e vlefshme është edhe mundësia tjetër që këto vende mund të zgjedhin të jenë më të kujdesshme për shkak të potencialit që Biden ka për fitore dhe dëshirës për të mos armiqësuar presidentin e ri që para se ky të marrë postin.

PS: Një fitore e Biden nuk do të zgjidhë të gjitha problemet e politikës së jashtme amerikane. Cilat janë gabimet më të mundshme të pritshme nga administrata Biden dhe si mund të shmangen ato?

RH: Unë pres që administrata Biden të punojë për të riparuar aleancat e Amerikës dhe të ribashkohet me shumë marrëveshje dhe organizata të mira nga të cilat SHBA është tërhequr përgjatë tri viteve të fundit. Kjo do të jetë e mirëpritur.

Në të njëjtën kohë, aleancat nuk duhet vetëm të riparohen, por edhe të përforcohen, për t’u përballur me një gamë më të gjerë sfidash gjeopolitike dhe globale. Arritja e konsensusit do të jetë gjithçka përveçse e lehtë.

Në mënyrë të ngjashme, organizatat ekzistuese dhe traktatet – përfshirë ato që lidhen me ndryshimet klimaterike, shëndetin botëror, tregtinë dhe Iranin – janë të papërshtatshme në shumë drejtime. Sfida do të jetë të ndërtohet një konsensus i brendshëm dhe ndërkombëtar për reformë.

E gjithë kjo do të nevojitet të kryhet në një vend që po vuan nga pandemia e COVID-19, është i përçarë politikisht dhe përballet me sfida të shumta ekonomike. Këto rrethana do të komplikojnë punën e hartimit dhe zbatimit të politikës së jashtme.