Gjykata e Krimeve të Rënda konstatoi se një pjesë e pamjeve filmike në të cilat shihet përplasja mes tre të akuzuarve dhe oficerëve të policisë në hyrje të tregut në Elbasan ishin “zhdukur” dhe mungonin në dosje. Prokurori tha se nuk dinte asgjë për zhdukjen, ndërsa u njoftua rikuperimi i një pjese të pamjeve, por policia kërkoi “hard-disk” për t’ia përcjellë gjykatës.
Gjatë seancës së të enjtes në procesin ndaj të pandehurve Marjus (Suel) Lulaj (Çela), Enea Bekteshi dhe Kelmend Xhaferri, të akuzuar për “vrasje të punonjësve të policisë së shtetit, e kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë”, kryesuesi i trupës gjykuese të Krimeve të Rënda, gjyqtari Klodian Kurushi bëri me dije se ishte konstatuar mungesë e provave, përfshi ndër të tjera pamjet e filmike të ngjarjes.
“Gjykata i ishte drejtuar Institutit të Policisë Shkencore dhe Prokurorisë së Elbasanit për provat, pasi në dosjen e prokurorisë nuk ishin sjellë së bashku me fashikujt e tjerë, disa DVD me pajme të kamerave të sigurisë”, tha ndër të tjera gjyqtari Kurushi.
Pamjet, që u trasmetuan atëherë në televizion, tregonin makinën e të pandehurve të godiste me shpejtësi makinën e policisë dhe më pas të futej brenda hapësirës së tregut agro-ushqimorë që zotërohet familja Çela.
Gjyqtari Kurushi e pyeti prokurorin e çështjes Behar Dibra nëse kishte marrë masa apo ishte interesuar pse nuk ishin paraqitur të plota provat. “Se kuptoj, ashtu si janë administruar nga policia shkencore, i’ua kam bashkëngjitur fashikujve të gjykimit”, tha prokurori Dibra.
Ai sqaroi se lidhjen e fashikujve nuk e bënte prokurori dhe theksoi se aktet origjinale i kishin kaluar në gjykatë. Dibra e pranoi se nuk kishin gjetur dot disa DVD bashkëngjitur akt-ekspertimeve. “Kjo është situata. E kam pranuar dhe e pranoj. Ç’të bëj unë kur çështja është në gjykim?”, tha prokurori Dibra pas ripyetjes nga ana e kryesuesit të trupës gjykuese lidhur me 11 DVD-të dhe CD-në që mungonin.
Më pas, gjyqtari Klodian Kurushi e lexoi përgjigjen e kthyer nga ana e Institutit të Policisë Shkencore duke sqaruar se akt-ekspertimi i materialit të shtatorit 2017 kur ka ndodhur ngjarja ishte kryer nga eksperti Tahir Canaj i cili ishte larguar nga detyra me dorëheqje në vitin 2018. Instituti Policisë Shkencore ka sqaruar se ishte e parashikuar në rregullore që për pamjet të krijoheshin dy kopje, një që do t’i dërgohej prokurorisë dhe një tjetër që do të qëndronte aty. Kjo kopje nuk është realizuar, por janë rikuperuar sërish pamjet.
Më tej Policia Shkencore ka sqaruar se për shkak të mungesës së pajisjeve të specializuara, kopjimi ishte kryer në mënyrë manuale dhe se disa pamje mund të jenë fshirë, disa mund të mos jenë të qarta dhe se pamjet janë në mënyrë të çrregullt, duke mos u renditur sipas një rendi kohor.
Ndërkohë, që pamjet e gushtit 2017, rreth një muaj para ngjarjes, për të cilat është realizuar akt-ekspertim nga i njëjti ekspert, janë rikuperuar pa probleme dhe sipas rendit. Policia Shkencore i ka kërkuar gjykatës një hard disk me kapacitet të madh për t’i transferuar videot aty, pasi janë të shumta. Për të mundësuar shfaqejen e pamjeve, gjykata u shpreh se nevojitej një pajisje e emërtuar Blu Ray.
Pasi bëri me dije këto fakte, kryesuesi i treshes gjykuese, Klodian Kurushi i pyeti palët nëse do të ishte e nevojshme t’i shikonin pamjet në seancat e ardhshme.
Avokati Genc Gjokutaj e cilësoi një gjë të tillë humbje kohe. “Gjithçka diskutohet rreth 30 sekondave. Ne e kemi parë ngjarjen. Kjo nuk do të sillte gjë të re. Kërkojmë të vijojë më tej. Për ne si palë krijohet bindja se si ka ndodhur”, tha avokati Gjokutaj.
Ndërsa prokurori Behar Dibra tha se kishin rënë dakort për marrjen e provave në fjalë dhe për shkak që tashmë investimi i institucioneve ishte kryer, konsideronte se pamjet duhej të merreshin dhe se e linte këtë gjë në vlerësim të gjykatës.
Më pas, avokati i të pandehurit Enea Bekteshi, Eno Bushi i kërkoi gjykatës që të mundësohej thirrja e ekspertit toksikolog për të dhënë konkluzion nëse sasia e cannabis sativa-s që i është gjetur me vete kilentit të tij, mund të ishte për përdorim vetjak ose jo. Prokurori Dibra u shpreh dakort për thirrjen e ekspertit toksikolog dhe gjykata vendosi ta pranojë këtë kërkesë të avokatëve mbrojtës.
Kjo ishte seanca e tretë që shtyhej me shkakun për të saktësuar provat që pritet të shfaqen herën e ardhshme, më datë 19 shtator, ora 09:00.
Tre te pandehurit Suel Çela, Klemend Xhaferri dhe Enea Bekteshi kanë depozituar më parë deklaratë para gjykatës se nuk do të merrnin pjesë në seanca, por se do të përfaqësohen nga avokatët e tyre, Genci Gjokutaj, Sokol Hazizaj dhe Eno Bushi.
Ngjarja me objekt gjykimi ka ndodhur më 18 shtator të vitit 2017 në Elbasan, kur policia ishte duke ushtruar kontrolle në kuadër të masave për personat me rrezikshmëri të lartë. Pranë vendit të quajtur tregu Agro-Ushqimor në Elbasan, policia ndaloi dy persona, Enea Bekteshin dhe Klemend Xhaferrin të cilët kundërshtuan punonjësit e policisë gjatë kryerjes së detyrës. Në këto momente një autoveturë tip “Audi” ka ardhur me shpejtësi drejt mjeteve të policisë duke u përplasur me to. Duke qenë se policia ka qenë në aksion, dyshohet se drejtuesi i “Audit” t’i ketë përplasur me dashje.
Sipas prokurorisë, makina drejtohej nga Suel Çela, i cili akuzohet nga pokuroria se pasi kreu përplasjen u fut brenda tregut Agro-Ushqimor. Më pas dera e tregut u mbyll dhe kjo solli vonesa për futjen e efektivëve të policisë.
Prokuroria e Krimeve të Rënda i akuzon Suel Çelën, Klemend Xhaferrin dhe Enea Bekteshin për veprat penale “vrasje e punonjësve të policisë së shtetit”, e kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, “prodhim dhe shitje narkotikësh”, “prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake”.
Kjo dosje u transferua disa herë për kompetencë nga Prokuroria e Elbasanit tek Krimet e Rënda dhe anasjelltas, derisa Prokuroria e Përgjithshme vendosi që çështja të kalojë për gjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda.