Analize3 Jan 2019

Zhvillimet e pritshme 2019: Sytë nga SPAK

Dy institucionet kyçe të sistemit të ri të drejtësisë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor u krijuan për herë të parë në dhjetor dhe pritet të fillojnë të funksionojnë normalisht gjatë vitit 2019, duke i dhënë fund një periudhe tranzitore që zgjati afro dy vjet.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Komisionere, gjatë numërimit të fletëve të votimit, për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, në Komisionin e Zonës së Administrimit Zgjedhor, KZAZ 35, në njësinë nr. 5, në Tiranë | Foto nga : LSA

Në vendimet e pritshme kyçe janë zgjedhja e prokurorit të ri të përgjithshëm dhe emërimi i anëtarëve të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

SPAK do të ketë detyrën të luftojë kriminalitetin e nivelit të lartë dhe Shtetet e Bashkuara e Bashkimi Europian kanë ofruar sakaq ndihmë në trajnimin dhe përgatitjen e funksionarëve të kësaj strukture.

Gjyqtarët e gjykatës për Krime të rënda kanë mundësinë të jenë përkohësisht anëtarë të Gjykatës së Posaçme, me kushtin që ata dhe familjarët e tyre të japin pëlqimin për kontrollin periodik të llogarive të tyre bankare si dhe të telekomunikimeve vetjake.

Për të marrë emërimin e përhershëm në këtë institucion, gjyqtarët duhet të kalojnë me sukses edhe procesin e vetingut, si dhe të përmbushin kriteret e promovimit në detyrë.

Ligji “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve” parashikon gjithashtu edhe rastin kur gjyqtari i përkohshëm ngel në veting.

Nga ana tjetër, emërimi i një prokurori të ri të përgjitshëm pritet t’i hapë rrugën zbatimit në praktikë të parimit të pavarësisë në vendimmarrje të prokurorëve, një nga ndryshimet kyçe të reformës në drejtësi.

Procesi i vetingut, i cili gjatë vitit të kaluar kontrolloi pasuritë, aftësitë profesionale dhe pastërtinë e figurës së 9% të zyrtarëve të sistemit të drejtësisë gjatë vitit të kaluar, pritet të vijojë këtë vit me përfundimin e kontrollit të një numri zyrtarësh të lartë, përfshirë krerët e gjykatave dhe gjyqtarët e gjykatave të apelit.

BE do të vendosë

Krerët e shteteve të Bashkimit Europian do të vendosin në qershor nëse duan apo jo të hapin bisedimet për anëtarësim në BE për Shqipërinë dhe Maqedoninë. Në qershorin e kaluar, Këshilli i BE-së u shpreh në mënyrë ambigue, duke lënë një portë të hapur por njëkohësisht duke kërkuar zbatimin e reformave në Shqipëri. Reformat në këtë drejtim kanë ecur sa para aq edhe pas. Ndërsa reforma në drejtësi ka ecur përpara, reforma elektorale nuk është konkluduar. Nga ana tjetër, BE do të duhet të vlerësojë nëse Shqipëria ka bërë apo jo hapa të mjaftueshëm përpara në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Ndërsa disa operacione policore gjatë vitit të kaluar kanë arritur një shkallë suksesi kundër trafikut të drogës, Shqipëria ende nuk ka shënuar ndonjë rast zyrtari të lartë të dënuar për korrupsion.

Zgjedhje

Shqiptarët do të votojnë më 30 qershor për kryetarë bashkish dhe anëtarë të këshillave bashkiake. Partia Socialiste pritet të përballet me dy forca opozitare, PD dhe LSI në këto zgjedhje, të cilat konsiderohen njëkohësisht si test i popullaritetit por edhe test i fuqisë së makinerisë elektorale për zgjedhjet parlamentare të planifikuara për vitin 2021.

Partia Socialiste fitoi zgjedhjet e vitit 2015 duke kapur 30 poste kryebashkiakësh më vete plus katër të tjerë përmes aleatëve të ngushtë, PDIU, MEGA dhe Aleanca Maqedonase. PD fitoi në 15 bashki ndërsa LSI, në atë kohë në aleancë me PS-në, fitoi 10 bashki.

Sa i përket këshillave bashkiake, koalicioni i majtë i vitit 2015 fitoi shumicën dërrmuese të tyre, por PS më vete teknikisht humbi shumicën pas ndarjes nga LSI në vitin 2017. Që nga ajo kohë, shumë këshilltarë të LSI-së kanë demonstruar gadishmërinë për të mbështetur Partinë Socialiste në disa bashki të rëndësishme të vendit, përfshirë Tiranën, Durrësin e Korçën.

Në historinë e re të Shqipërisë, partitë në pushtet kanë avantazhe të mëdha në zgjedhjet për pushtet vendor, kryesisht për shkak të shkallës së lartë të përqendrimit të pushtetit në duart e kryeministrit. Në zgjedhjet për pushtet vendor në vitit 2000 e 2003, qeveria socialiste e kohës arriti të fitonte shumicën dërrmuese të komunave e bashkive ndërsa në zgjedhjet e viteve 2007 e 2011, qeveria demokrate arriti gjithashtu të fitojë në shumicë dërrmuese garat për kryebashkiak e kryekomunar, por në ato zgjedhje socialistët ia dolën të fitonin disa bashki të mëdha si Durrësi, Elbasani e Fieri.

Panorama politike e këtij viti duket se ka ndryshuar shumë nga ajo e vitit 2015, jo vetëm si pasojë e daljes së LSI në opozitë, por edhe si pasojë se në zgjedhjet e vitit 2017 nuk pati koalicione paraelektorale. Në zgjedhjet e vitit 2015 koalicioni i majtë Aleanca për Shqipërinë Europiane përmbante 37 parti aleate ndërsa koalicioni i djathtë, Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet kishte 15 parti anëtare. Gjithsej 63 parti morën pjesë në garën e vitit 2015, ndërsa më 2017 vetëm 18 parti arritën të plotësojnë kushtet për të prezantuar kandidatë. Është e paqartë nëse në zgjedhjet e këtij viti dy partitë e mëdha do të zgjedhin të bëjnë koalicione me çfarëdolloj partish apo do të vijojnë praktikën e vitit 2017.