Analize13 Jun 2020

Zvarritja e planit të Rindërtimit përndjek mijëra të pastrehët e tërmetit

Shtatë muaj pas tërmetit të 26 nëntorit, të dëmtuarit përballen me vonesat në vlerësimin e dëmeve dhe paqartësi për të ardhmen e tyre, ndërkohë që ekspertët i konsiderojnë afatet e qeverisë si “premtime me lugë bosh”.

Autor: Elisa Gjerani, Esmeralda Keta BIRN Thumanë dhe Durrës
Printo

Ymer Cenja duke u futur në shtëpinë e tij para se të shembej. Foto E Keta

Pas një dimri të kaluar në çadër, Ymer Cenja priti me padurim riparimin e pallatit të tij 2-katësh në qendër të Thumanës, i shenjuar me kryq dhe i klasifikuar DS3- me dëmtime mesatare nga tërmeti i 26 nëntorit.

Por 60-vjeçari mbeti i habitur mëngjesin e 10 prillit, kur pa që fadromat po e rrafshonin pallatin e tij së bashku me një numër godinash fqinje. Përballë pirgut të mbetur të inerteve, Cenja i tha BIRN se shpresat e tij për një strehim të shpejtë u zbehën edhe më tej.

“Na ishte premtuar se këtë dimër do të futeshim në shtëpitë tona, por u deshën 4 muaj për të prishur godinat, akoma nuk kanë pastruar inertet. Mesa duket, edhe këtë vit unë do të vazhdoj të fle në çadër, se shtëpitë janë një ëndërr e largët,” tha 60-vjeçari.

Ymer Cenja është vetëm një nga mijëra të pastrehët e rinj të Shqipërisë, që pasi humbën shtëpitë nga lëkundjet shkatërrimtare të tërmetit të 26 nëntorit 2019 dhe qëndruan për muaj të tërë në çadra, nuk e dinë ende se kur do të bëhen me shtëpi.

Qeveria e kryesuar nga Edi Rama premtoi ndërtimin e shtëpive të reja brenda dimrit 2020, por goditja e dytë e pandemisë së COVID-19 i ka revizionuar premtimet dhe i ka shtyrë planet për Rindërtim në një kohë të pacaktuar.

Procesi i Rindërtimit u ndërlikua edhe pas hapjes së procedurave të prokurimit. Një tender i shpallur më 10 mars nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit për rindërtimin e banesave individuale me fond prej 5.2 miliardë lekësh dështoi, pasi nuk pati interes nga kompanitë. Të njëjtin fat pati edhe tenderi për rindërtimin e objekteve arsimore në Bashkinë Tiranë, i cili u rihap për të dytën herë pas anulimit.

BIRN intervistoi dhjetra të dëmtuar nga tërmeti në fshatrat e Thumanës, Manzës si dhe në Bashkinë e Durrësit, të cilët jetojnë në paqartësi dhe në pasiguri për të ardhmen brenda çadrave apo kontenierëve ose përmes bonuseve të qirasë.

Për ekspertët e ekonomisë, e paqartë për planin e Rindërtimit është edhe vetë qeveria.

“Qeveria nuk është vetë e qartë për rindërtimin, ndaj nuk ka vend për optimizëm,” tha Zef Preçi, drejtues i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike për BIRN. “Qeveria është ende në stadin e propagandës me reklama 3D, ndaj dita kur banorët të marrin çelësat e shtëpisë në dorë do të jetë e largët,” shtoi ai.

Saga e vlerësimeve

Pallat i pabanueshëm në Kurbin. Foto: Esmeralda Keta.

Përballë një vendi të traumatizuar dhe me viktimat ende nën gërmadha, qeveria u mblodh në një seancë të jashtëzakonshme më 27 nëntor për të garantuar strehimin e të gjithë atyre që kishin humbur shtëpitë brenda vitit 2020.

Shqipëria humbi 51 persona nga tërmeti, ndërsa 913 të tjerë u plagosën. Bilanci i dëmeve të shkaktuara ishte po aq i rëndë.

Rreth 200 mijë shqiptarë nga 11 bashki të vendit u dëmtuan nga tërmeti i 26 nëntorit; ku 95 mijë banesa u deklaruan të dëmtuara; 11 mijë prej të cilave u shpallën më vonë të pabanueshme.

Në shkurt 2020, qeveria përllogariti se fatura e dëmeve nga tërmeti ishte rreth 985 milionë euro, ndërkohë që Rindërtimi do të kushtonte rreth 1.08 miliardë euro. Me këtë faturë në dorë, kryeministri Edi Rama iu drejtua konferencës së donatorëve dhe mori që andej premtime për 1.15 miliardë lekë në donacione dhe kredi bankare.

Entuziazmi nga konferenca e donatorëve u ballafaqua me një proces të ngadaltë dhe të vështirë të vlerësimit të dëmeve në terren.

Përmes kërkesave për të drejtë informimi, BIRN pyeti bashkitë e Durrësit, Tiranës, Lezhës dhe Kurbinit mbi situatën e aplikimeve të banorëve dhe procesit të vlerësimit të dëmeve në kuadër të planit për Rindërtim.

Bashkia e Durrësit u përgjigj se kishte marrë 12 500 aplikime në kuadër të programit të Rindërtimit, ndërsa shtoi se kishte përfunduar shqyrtimin e dosjeve të kategorive DS1, DS2 dhe DS3 –të cilat përfshijnë dëmet e lehta deri tek mesataret.

Megjithatë, procesi i vlerësimit të dëmeve është ende larg së përfunduari.

Lidhur me objektet që pritet të prishen të kategorisë DS4 dhe DS5, Bashkia e Durrësit tha se kishte dërguar për ekspertiza të thelluara në Institutin e Ndërtimit 1050 objekte, nga të cilat 260 janë pallate dhe 790 janë objekte individuale.

Instituti i Ndërtimit ka përfunduar ekspertimet e thelluara për vetëm 7.8% të tyre.

“Deri më datë 30.04.2020, Instituti i Ndërtimit ka depozituar pranë institucionit tonë 82 ekspertiza të thelluara, nga të cilat rezultojnë 23 objekte për t’u demoluar, ku 9 janë godina arsimore, 2 janë qendra shëndetësore dhe 12 objekte janë pronë private,” tha Bashkia e Durrësit, duke shtuar se po vazhdonte procesi i prishjes së tyre.

Në territorin e Bashkisë së Lezhës janë shqyrtuar dhe vlerësuar 1809 dosje në kuadër të programit të Rindërtimit. Sipas Bashkisë, 490 prej tyre janë vlerësuar si DS3/DS4 ndërsa pjesa tjetër me dëmtime të lehta ose mesatare; ku përfshihen edhe 3 shkolla, 9 pallate në qytet dhe 270 banesa individuale.

“Objektet me shkallën e dëmtimit nga DS1 deri në DS3 vlerësohen nga bashkia për kuotën e përfitimit dhe DS4/DS5 nga Vlerësimet e thelluara. Të gjitha trajtimet financiare apo objekte të reja do implementohen nga Ministria e Rindërtimit nëpërmjet FSHZHR,” tha Bashkia e Lezhës.

Aktualisht, Bashkia Lezhës trajton me bonus qiraje 378 familje, të cilat me vendim të Këshillit Bashkiak kanë përfituar të drejtën për t’u trajtuar për një vit. “Pas përfundimit të kësaj periudhe do operohet në të njëjtën mënyrë, që familjet në nevojë të trajtohen me bonusin e qirasë deri në ditën që do të hynë në shtëpinë e tyre të re ose të restauruar,” tha Bashkia e Lezhës.

Në Bashkinë e Kurbinit është krijuar Komisionin teknik për përcaktimin e vlerave monetare të secilit aplikues/përfitues nga programi i granteve për rikonstruksion, banesat e të cilëve janë dëmtuar nga tërmeti i datës 26 nëntorit.

Deri më tani, është miratuar prishja e 33 ndërtesave në territorin e bashkisë së Kurbinit. Ndërsa numri i atyre që presin ende një vendim nuk është i qartë, Bashkia tha se aktualisht po funksionon 3 komisione në funksion të procesit të rindërtimit.

“Pas vlerësimit dhe përzgjedhjes së përfituesve nga Komisioni i Posaçëm, ky i fundit do t’i propozojë Këshillit Bashkiak vlerën e dëmshpërblimit për familjen/individin, banesa e të cilit është dëmtuar nga tërmeti i datës 26 nëntor 2019,” përfundon Bashkia Kurbin.

“Duam zgjidhje, jo fjalë boshe”

Foto gjatë aksionit të prishjes së 18 pallateve në lagjen “Lugina”, Shijak. Foto: Elisa Gjerani

Shembja e pallateve më 10 prill në Thumanë pasoi një vizitë të kryeministrit Rama, ku ky i fundit i qëndroi premtimit të fundit të vitit 2020 vetëm për banesat individuale. Kryeministri tha se ndërtimi i godinave kolektive do të shtyhet.

Në fund të prillit, banorët e Thumanës po rrëmonin në pirgun e madh të inerteve për të nxjerrë hekur.

“Pallatet e fundit u shemben ditën kur erdhi kryeministri, ndërsa inertet s’janë mbledhur akoma. Ne po përpiqemi të nxjerrim atë pak hekur që ka aty,” tha njëri prej banorëve.

Banorët e Thumanës nuk janë të vetmit që ndjehen të harruar dhe të braktisur. Ndonëse në Durrës kanë filluar prishjet, një pjesë e banorëve i kanë humbur shpresat se do të kenë një zgjidhje.

Hatixhe Biba, nga Manza lutet që të ketë fatin e Thumanës. Pallatit ku ajo jetonte së bashku me tre pjesëtarët e tjerë të familjes, i është vënë kryqi i kuq dhe është shpallur i pabanueshëm, por ende askush nuk u ka thënë asgjë. Gruaja ngre supet kur e pyet se çdo të bëhet me të; nëse do të prishet apo rikonstruktohet.

“Ne duam të dimë se çfarë do të ndodhë? Vijnë e ikin ekspertë, por askush nuk na thotë asgjë…Nëse do të shembeshin siç ka ndodhur në Thumanë, do të ishim të lumtur se të paktën do të kishim një shpresë, por kështu? Na kanë lënë në rrugë të madhe,” thotë Biba, e cila jeton prej muajsh në një kontenier.

Edhe në zonën e Shkozetit kanë filluar prishjet e pallateve të shpallur të pabanueshëm. Në lagjen 14 ndodhet një tjetër pallat i ri i dëmtuar rëndë, por një market në katin e parë është hapur prej kohësh nga i zonja.

“S’na është thënë që do prishet…Mbase rikonstruktohet dhe gjithë familjet rikthehen, megjithëse pallati aktualisht është braktisur dhe të gjithë kanë marrë gjërat e tyre me vlerë dhe orenditë.. por përsëri thonë që do rikonstruktohet. Tani s’e di,” thotë një grua në mesomoshë.

“Unë që tregtoj këtu s’kam frikë, se pallati është në gjendje të mirë është thënë nga bashkia,” shtoi ajo.

Edhe në lagjen 5 të Durrësit, banorët e një pallati janë të paqartë. Ata i thanë BIRN se në fillim u kanë thënë që pallati është për shembje, ndërsa një ekspertizë e dytë e ka klasifikuar atë për të qëndruar në këmbë.

“Në pallat nuk ka asnjë familje, pasi me të ardhur vendimi i inspektorëve që e shpallën të pabanueshëm pallatin, të gjithë familjet ikën nga aty. Kisha pak kohë që e kisha blerë këtë apartament dhe më vjen keq që nuk pata mundësi ta gëzoj. Nga bashkia kemi marrë vetëm sorollatje, ende se dimë se çfarë do të bëhet,” thotë Lola, e cila shton se po trajtohet me bonus qiraje.

Në zonën e plazhit pranë urës së Dajlanit gjejmë të tjerë banorë të prekur nga tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit. Ata shprehen skeptikë për të gjithë mbarëvajtjen e procesit; nga dëmshpërblimi, riparimi apo edhe objektet që do të bëhen pjesë e programit të rindërtimit.

Arturi është administrator i një pallati të dëmtuar në zonën e plazhit. Pallati ka pësuar çarje të mureve, por sipas ekspertëve, nuk ka shfaqje problemesh në kolona, megjithatë sot “dergjet” si një gjysmë-gërmadhë e braktisur nga çdo njeri.

“Kam vajtur në bashki, jam interesuar disa herë, por s’kemi marrë ndonjë përgjigje që të na mbushë me shpresë. Ne nuk e dimë se si do të funksionojë, por jemi duke pritur dita-ditës me shpresën se dikush do të vijë të vërë dorë, se vajti goxha ky muhabet dhe banorët janë mërzitur dhe duan gjëra konkrete, jo fjalë boshe,” tha Arturi.

Muharrem Hoçja, pronar i një pallati të ri në Krujë është sorollatur dyerve të institucioneve për marrjen e një lejeje për rikonstruksionin e pallatit të tij, i cili është shpallur në kategorinë D3.

“Aplikova për leje. Aplikoj te Instituti i Ndërtimit, e mora lejen. Kontraktova firmën që të bënte atë kafazin e shkallëve dhe në momentin që fillon puna atje, vjen policia bashkiake dhe thotë mos fillo punë. Unë tashmë e kam lënë ashtu, se akoma nuk kam marrë përgjigje nga bashkia për fillimin e punimeve apo jo, megjithëse kanë kaluar kaq shumë muaj,” tha Hoçja për BIRN.

Pallati 9 katësh tashmë është i boshatisur dhe shumë nga familjet jetojnë në një hotel aty pranë, përmes parave të marra nga bonusi i qirasë.

Skepticizmi i ekspertëve

Pamja e brendshme e një apartamenti në Durrës. Foto: Esmeralda Keta

Programi i Rindërtimit konsiderohet një operacion i ndërlikuar nga ekspertët e ekonomisë dhe ata të ndërtimit në Shqipëri, që në skenarin optimist do të kërkojë vite për t’u përmbushur. Ekspertët theksojnë gjithashtu se projekti do të varet nga aftësia e qeverisë për të thithur fondet e premtuara në konferencën e donatorëve, po aq sa nga interesi i kompanive vendase për t’u angazhuar në projektet e rindërtimit.

Luljeta Bozo, inxhiniere ndërtimi dhe pjesë e Komitetit të Rindërtimit i tha BIRN se ritmet e ngadalta lidhen me lëvrimin e fondeve, po aq sa edhe me situatën e krijuar nga pandemia e COVID-19 në Shqipëri.

“Është edhe puna e Covidit, por edhe fondet.. Po s’pate lekë nuk mund të bësh gjë. Europa edhe i vonon, dmth thotë sot edhe i lëvron fondet pas 3 muajsh,” tha Bozo, një personazh me shumë popullaritet gjatë kohës së tërmetit.

Veterane në projektet e ndërtimit, Bozo vlerëson nisjen e procesit dhe shpreson që viti 2021 të gjejë në shtëpitë e reja shumicën e personave të dëmtuar. Ajo pranon megjithatë se situata e COVID-it e ka vështirësuar edhe më tej procesin.

“Përpara kishim plane, por tani me Covidin…, nuk e di. Unë vetë p.sh., u bënë javë që kam ndenjur në shtëpi. Megjithatë e rëndësishme është që ndërtimi ka punuar si sektor dhe s’e ka ndalur punën e asnjë ditë,” thotë Bozo.

Për ekspertin e ekonomisë, Zef Preçi, anulimi i tenderave të Rindërtimit është një sinjal i keq. Ai thekson se paqartësia nga ana e qeverisë ka sjellë zvarritje edhe për fondet e sigurta.

“Qeveria nuk diti të harmonizojë paratë e vëna në dispozicion. Këtë e tregoi edhe dështimi i tenderëve të rindërtimit, ku bizneset qartazi refuzuan të ndërtojnë me paratë e tyre,” tha Preçi për BIRN.

“Qeveria turke, ta zëmë premtoi ndërtimin e 500 apartamenteve, ku çdo procedurë do ta merrte vetë përsipër, por pikërisht sjellja e qeverisë shqiptare, ka sjellë një avashllëk edhe për këto fonde,”shtoi ai.

Preçi shprehet kundër variantit fillestar për të ndërtuar mini-qytete, të cilat ai preferon t’i quajë “geto”, ndërsa e konsideron një zgjidhje më të mirë planin për të ndërtuar ndryshe në fshat dhe ndryshe në qytet. Megjithatë, ai mendon se i gjithë programi është ende në fazë eksperimentale.

“Nuk ka ende asnjë banesë tip, ndaj unë mendoj se ende jemi në fazë eksperimentale,” shtoi Preçi.

Në një analizë më të gjerë, Pano Soko mendon se qeveria nuk do të jetë e aftë që të thithë të gjitha paratë e premtuara në konferencën e donatorëve, ndërsa situata është ndërlikuar edhe nga pandemia e COVID-19.

“Ne morëm premtimin, por jo paratë. Në këtë situatë të re të krijuar, mendoj se një pjesë e donatorëve do të lëvizin nga premtimet e dhëna. Besoj se do të reduktohen ndjeshëm fondet që do të na japë Italia p.sh, apo Franca që u gjendën në mes të një krize të madhe nga pandemia,” thotë ai, ndërsa shton se premtimet mund të zbresin në masën 50%.

Edhe në këtë skenar optimist, Pano shton se rreziku më i madh është se sa e aftë do të jetë qeveria shqiptare që të përthithë këto fonde të reduktuara.

“Grantet janë shuma të dhuruara përkundrejt një projekti. Eksperienca ka treguar se administrate shqiptare nuk ka i ka kapacitetet e duhura dhe nuk ka mundur të përfitojë asnjë fond për projekt konkret, përveçse për studime fizibiliteti… Ndaj unë mendoj se ngërçi më i madh është se si t’i bëjmë letrat e duhura për t’i përthithur këto para,” shtoi ai për BIRN.

Soko e lidh dështimin e tenderëve të deritanishëm me mungesën e likuiditetit të bizneseve që u kërkohet të futen në këtë proces, ndërkohë që kritikon qeverinë për premtime boshe ndaj të dëmtuarve.

“Qeverisë i duhet të ruajë stabilitetin social, të atyre që kanë humbur gjithçka, që të mos dalin nga kontrolli. Në këtë situate, qeveria nuk ka çfarë bën, përveçse t’u japë nga një ‘lugë bosh’ herë duke prishur disa pallate e herë duke prezantuar një projekt, por kjo është fasadë. Por nga pikëpamja ekonomike, kjo fasadë është bosh, nuk ka lekë,” thotë ai.

Avenir Kika, nënkryetar i Shoqatës së Ndërtuesve dhe sipërmarrës ndërtimi i tha BIRN se qeveria po ecën mirë me procesin, por shtoi se ndërtuesit e mëdhenj nuk e shohin me interes programin e Rindërtimit.

“Në ndërtim, afati më i mundshëm për të nisur një projekt të ri është të paktën 6 muaj, sikur të angazhohen firmat projektuese të të gjithë vendit. Por në këto raste mund të shkojë edhe deri në 9 muaj, pasi ka efekte shtesë për shkak të tërmetit,” tha Kika.

“Bizneset e mëdha të ndërtimit janë në punë me projektet e veta dhe nuk kanë shumë kohë të merren me projekte të vogla rindërtimi. Prandaj në tenderë ka pak oferta nga firmat ndërtuese,” shtoi ai për BIRN.

Kika sugjeron që qeveria duhet të kthejë sytë nga ndërtuesit e vegjël dhe të mesëm, si e vetmja alternativë për t’i dhënë vrull rindërtimit. Për ta realizuar këtë, ai sugjeron që këto biznese të ndihmohen dhe të nxiten për t’u përfshirë në procedurat tenderuese.

“Hapi optimal i qeverisë në këtë situatë është zbulimi i kapaciteteve ndërtuese në nivel ndërmarrjeje të vogël dhe të mesme në të gjithë vendin dhe mobilizimi i këtyre kapaciteteve në nivel maksimal, duke i ndihmuar ato edhe në aspektin burokratik të dokumentacionit e të plotësimit të plotë në një tender,” përfundoi Kika.

Streha ku jeton Ymer Cenja aktualisht në Thumanë. FotoL Esmeralda Keta

Pallat i dëmtuar në zonën e Plazhit Durrës. Foto: Elisa Gjerani

Foto nga zona e Shkozetit pas shembjes së një pallati nga IKMT. Foto: Elisa Gjerani

Në brendësi të shkallëve të një pallati të dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit. Foto: Elisa Gjerani