Ekspozita “Fshirje. Banimi në Art” përdor artin si formë proteste për të nënvizuar së strehimi i komuniteti rom është e drejtë universale.
Në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar u çel të martën ekspozita “Fshirje. Banimi në Art” ku artistë të ndryshëm nga fushat e pikturës, skulpturës, multimedias dhe instalacioneve shprehën mbështetjen e tyre për problematikën e strehimit të komunitetit rom dhe mbi këtë çështje si një e drejtë universale.
Pas një manifestimi paqësor përpara Kryeministrisë dhe një proteste përpara Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit gjatë muajit të fundit, artistët në mbështetje të komunitetit rom vendosën hapjen e një ekspozite.
E organizuar në formën e një pasqyrimi të realitetit, me performanca, intervista dhe mesazhe, ekspozita afroi më shumë pjesëmarrësit me problemet e përditshme të komunitetit rom. Artistët që morën pjesë në ekspozitën e mbështetur nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë ishin Sead Kazanxhiu, Edison Mustafaj, Ernard Dyli, Elton Baxhaku dhe Eriona Çami.
“Mesazhi i ekspozitës ‘Fshirja’ është i thjeshtë. Ne duam të vëmë në dijeni të tjerët që ne ekzistojmë këtu, kontribuojmë për Shqipërinë, paguajmë taksa dhe kërkojmë që shteti të jetë i përgjegjshëm ndaj njerëzve si ne,” u shpreh për BIRN, Sead Kazanxhiu, një artist dhe aktivist i njohur rom, i cili në ekspozitë u paraqit me një instalacion të shtëpizave të shkatërruara të familjeve të prekura.
Nuk është hera e parë që artisti Sead Kazanxhiu vendos të përdorë artin si formë proteste.
Në ditën Ndërkombëtare të Romëve, një vit më parë, Kazanxhiu krijoi një vepër arti të titulluar “Tetë Rrota për Tetë Prill” e vendosur përpara Parlamentit, ku ai tërhoqi vëmendjen e publikut dhe të qeveritarëve për mospërfaqësimin e komunitetit rom në administratë dhe për diskriminimin ndaj këtij komuniteti me të drejta të barabarta dhe universale.
Kazanxhiu tha se meqenëse ai jeton në Shqipëri dhe haset çdo ditë me problemet e shoqërisë, ai vendosi të thotë fjalën e tij për këtë çështje dhe fjala e tij më e vendosur është arti.
“Është krijuar ideja se romëve u pëlqen të jetojnë nëpër çadra, të bëjnë jetë nomade dhe të mos punojnë, por e vërteta është se romët kërkojnë të ketë një shtëpi të tyren dhe një jetë normale,” shtoi Kazanxhiu për BIRN.
Projekti i ndërtimi të Unazës së Madhe të Tiranës, preku strehimin e komunitetit rom që banon në zonën e Selitës për një kohë të gjatë. Banorët u lajmëruan se shtëpitë e tyre do të shemben për të krijuar hapësirën e nevojshme të planit të ri urbanistik. Disa prej tyre do të kompensohen, por të tjerë pretendojnë se janë në proces legalizimi, por legalizimi nuk do të bëhet pasi ligji Nr. 9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, i ndryshuar; nuk lejon legalizime brenda sipërfaqeve të parashikuara për plane urbane.
[fact title=”Letër babagjyshit”]Një fëmijë rom u prezantua në ekspozitë me një letër drejtuar Babagjyshit në prag të festave të fundvitit. Ai shkruante:
“I dashur Babagjysh,
Unë nuk kam marrë asnjëherë dhuratë prej teje, por dua që këtë vit të kem shtëpizën time, dua që familja ime dhe unë të jemi miq me xhaxhi policët që vijnë për të na përzënë, dua që të jem në po të njëjtën shkollë me të njëjtët shokë.
Të uroj punë të mbarë në përgatitjen e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri!”
[/fact]
Një tjetër pjesëmarrës në ekspozitën ishte edhe Edison Mustafaj, një piktor që e ngacmoi koncepti artistik i mbivendosjes së një realiteti të ri urban mbi atë fillestar.
“Kjo është një revoltë artistike ndaj një fenomeni që një komunitet po e përjeton thellë. Bëhet fjalë për njerëz që një bunker të krijuar në një kohë tjetër, për një qëllim tjetër, e kanë përdorur si shtëpi. Kjo është ideja sesi arti prek mënyrën sesi funksionojnë gjërat në kohë të ndryshme,” tha për BIRN, Edison Mustafaj.
“Kjo ekspozitë dhe arti vetë është një ndërmjetës midis protestuesve dhe atyre që kanë pushtetin, ne duam t’i japim problemit një aspekt kulturor dhe më të ndjeshëm,” shtoi ai.