Drejtoresha e FMN vlerëson shembullin e Kanadasë për stimujt e punësimit të grave në poste të larta drejtuese duke argumentuar përse kjo sjell dobi për familjet në veçanti dhe në zhvillimin e shtetit në përgjithësi.
Në ceremoninë e tij të betimit vitin e shkuar, kryeministri Justin Trudeau u pyet përse kishte caktuar një kabinet të balancuar për nga gjinia, për herë të parë në Kanada (dhe për shumicën e vendeve të botës). Ai u përgjigj “Sepse është viti 2015”.
Ai kishte të drejtë, sigurisht dhe përgjigjja e tij demonstroi zotimin e qartë të qeverisë së tij ndaj barazisë gjinore. Por ka një tjetër arsye të rëndësishme për promovimin e pjesëmarrjes më të madhe të femrave në forcën e punës: femrat në punë janë lajm i mirë për zhvillimin. Studimet e FMN kanë treguar përfitime të rëndësishme makroekonomike kur gratë mund të marrin pjesë më plotësisht në tregun e punës.
Që nga kriza financiare globale, vendet kudo në botë janë përpjekur të zhvillojnë ekonomitë e tyre më shpejt. Kanadaja nuk bën përjashtim. Çmimet e ulëta të naftës dhe kërkesa e dobët nga partnerët madhorë tregtarë kanë penguar eksportet dhe një popullatë në plakje po e tkurr forcën e saj punëtore. Politikat që duhen ndjekur nuk janë sekrete. Kanadaja duhet të përmirësojë produktivitetin e tregut të punës, që është rreth 20 për qind poshtë nivelit në SHBA dhe po rritet me më pak se 1 për qind në vit.
Gratë janë pjesë e zgjidhjes. Ndërhyrja në grupin e grave të arsimuara mirë në Kanada do të ndihmonte në kompensimin e forcës punëtore në tkurrje, do të nxiste potencialin e zhvillimit në terma afatmesëm dhe do të rriste standardet e jetesës për të gjithë kanadezët. Për më tepër, një studim që do të publikohet së shpejti nga FMN sugjeron se një për qind pikë rritje në pjesëmarrjen e grave me diploma në fusha të larta në tregun e punës do të shtonte produktivitetin e punës në Kanada në përgjithësi me 0.2 në 2.4 për qind në vit. Pra, nëse hendeku aktual prej 7 për qind mes pjesëmarrjes së burrave dhe grave në tregun e punës eliminohet, niveli real i PBB-së mund të ishte rreth 4½ për qind më i lartë sot.
Sigurisht, Kanadaja ka bërë tashmë hapa impresionues në nxitjen e pjesëmarrjes së grave në punë gjatë këtyre dekadave të shkuara. Në vitin 1980, vetëm 60 për qind e grave kanadeze të moshës 25-54 vjeçe ishin në tregun e punës, më poshtë se në Shtetet e Bashkuara dhe shumë më poshtë se vendet nordike, që kryesonin grupin. Katër dekada më vonë, norma e pjesëmarrjes së grave në tregun e punës në Kanada është nën 80 për qind, duke u krahasuar ndjeshëm me ekonomitë më të përparuara – përfshirë SHBA, ku norma ka rënë që prej mesit të viteve 1990 në rreth 74 për qind (shih grafikun 1).
Progresi i shpejtë i Kanadasë në pjesëmarrjen e grave në tregun e punës nuk ishte rastësi; ai reflekton masat politike të ndërmarra me kujdes. Dy iniciativa kanadeze për reformim kanë qenë veçanërisht produktive në nxitjen e pjesëmarrjes së grave në tregun e punës.
1.Reformat në taksa
Një reformë në taksimin federal në fund të viteve 1980 zëvendësoi disa zbritje (përfshirë të ardhurat e fituara nga familjarët sekondar në punë) me kredi tatimore, zgjeroi bazën e taksimit dhe uli normën margjinale të strukturës së taksimit. Kjo inkurajoi më tepër familjarët që fitonin më pak (zakonisht janë gratë – por kjo është histori më vete!) të merrnin pjesë në tregun e punës, pjesërisht sepse barra e tyre e taksimit nuk do të lidhej më me normat më të larta të taksimit si ata që fitonin më tepër në një familje.
Dhe në vitet 1990, qeveria federale prezantoi ulje taksash dhe përfitime për familjet me fëmijë, duke përmirësuar më tej stimujt për përfituesit e dytë.
2.Politikat e ndihmës sociale
Qeveritë federale dhe provinciale ndërmorën nisma për të mbështetur të bërit prind dhe zhvillimin e hershëm fëmijëror që filloi në fund të viteve 1990. Ata zgjatën lejen e lindjes dhe atë prindërore nga 37 në 52 javë në vitin 2001 dhe ngritën një sistem kombëtar arsimimi të hershëm dhe përkujdesi për fëmijën, i mbështetur nga rritja e shpenzimeve qeveritare për zhvillimin e fëmijërisë së hershme.
Këto masa funksionuan. Që prej vitit 1980, në Kanada, fuqia punëtore e grave(të moshave 25-54 vjeç) është rritur me 3.2 milion, në krahasim me një rritje prej 2.1 milion në fuqinë punëtore të burrave.
Pavarësisht këtyre sukseseve, në Kanada ka ende mangësi gjinore. Përqindja e pjesëmarrjes për gratë ishte 82 për qind në vitin 2015, shumë më ulët sesa niveli 92 për qind për burrat. Por fakti më zhgënjyes është se një rritje e rëndësishme e numrit të grave me një shkallë të avancuar akademike nuk ka çuar në një rritje proporcionale në pjesëmarrjen e tyre në fuqinë punëtore. Në vitin 2015, gratë morën më shumë diploma universitare sesa burrat, por përqindja e tyre e pjesëmarrjes në punë është 7 për qind më e ulët sesa ajo e burrave. Megjithatë, ka ende vend për të rritur fuqinë punëtore të grave për të arritur një rritje të madhe.
Një vend i mirë për ta nisur këtë mund të jetë ngushtimi i boshllëqeve të mbetura politike. Ndërsa leja e paguar e lindjes dhe ajo prindërore është e shtata më e gjata në ekonomitë e avancuara të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim ekonomik, shpenzimet e publikut për arsimimin e hershëm dhe përkujdesin ende mbeten pas në shumë ekonomi të avancuara dhe mund të ketë një mundësi tjetër për të përmirësuar nxitje për punë për përfituesit dytësorë(Shih grafikun 2).
Përveç kësaj, politikat e ndihmës sociale duhet të përqendrohen në shtimin e nismave për punë. Përkrahja Kanadeze për Fëmijët e përfshirë në buxhetin federal të vitit 2016 është një hap në drejtimin e duhur, duke i siguruar përkrahje familjeve me të ardhura të ulëta dhe të mesme (nëna beqare shpesh përfshihen në kategorinë e personave me të ardhura të ulëta). Por programi i përkrahjes dhe politikat e ndihmave sociale të familjeve në përgjithësi, mund të përqendrohen më mirë në rritjen e subvencioneve të përkujdesit të fëmijëve për prindërit që punojnë të cilëve u ka mbaruar leja prindërore.
Hendeku gjinor i pagesave në Kanada është shumë më lart mesatares së Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, dhe progresi në promovimin e përfaqësimit të grave në poste të larta drejtuese ka qenë gjithashtu i ngadaltë, ku femrat përbëjnë vetëm një në katër drejtues të lartë. Ky “tavan i padukshëm prej xhami” mund të dekurajojë brezat e femrave më të reja të ndjekin karriera profesionale. Nevojiten vendime të guximshme për të ndryshuar kulturat e korporatave dhe normat shoqërore. Për shembull, duke ofruar stimuj për përfaqësimin e grave në bordet e korporatave ose reformimin e sistemit aktual të lejes prindërore, në mënyrë që më shumë baballarë të jenë të gatshëm të marrin lejen.
Kryeministri Trudeau së fundmi postoi në Twitter “Varfëria është seksiste”. Kanadaja mund të rrisë ekonominë e saj dhe të përmirësojë perspektivat për të gjitha gratë kanadeze, sidomos për më të varfrat, duke rritur pjesëmarrjen e tyre në fuqinë punëtore. Nuk është vetëm gjëja më e duhur për të bërë, por gjithashtu më e mençura.