Festivali i librit dhe i arteve është shumë i shpërndarë për t’i dhënë librit shkëlqimin që i takon, thonë shtëpitë botuese pjesëmarrëse në Tirana Open.
Fundjava ka gjallëruar jetën kryeqytetase, por hyrja për në dyert e hapura të Pallatit të Kongreseve është çuditërisht e lirë dhe e parrethuar prej shitësve ambulantë që mbijnë aty ku ka mizëri njerëzish. Copat e veshjeve të artizanatit dhe birraritë e improvizuara mungojnë në këtë festival origjinal libri dhe artesh për një arsye të thjeshtë: nuk ka fluks vizitorësh.
Stendat e shtëpive botuese kanë tek-tuk vizitorë të cilët i kalojnë librave përciptas, pa i peshuar mirë në dorë, si për nga cilësia ashtu edhe për nga çmimi, pavarësisht se mes librave qëndrojnë fletushka që lajmërojnë ulje me 10, 20 apo 30 për qind. Përurimet e librave të rinj, duket se janë ndër të paktat orë kur vizitorët vërshojnë njëherësh e po njëherësh largohen.
“Tirana Open” është një event kulturor i përbërë nga seksioni i artit pamor bashkëkohor, koncerte muzikore, premiera kinematografike dhe hapësirave arkitekturore të shpërndara në lokacione të ndryshme të kryeqytetit.
Për zonjën Atalanta Pasko, administratore e “Botimeve Kuteli”, emërtimi i festivalit dhe përhapja e tij e gjerë në evente të ndryshme artistike dhe letrare, mund të jetë një nga shkaqet për mospraninë e lexuesit sot.
“Atmosfera nuk i mungon këtij festivali, por që të krijohet një traditë nuk është e kollajtë. Vitin e shkuar organizimi e kishte emrin Pamur, ndërsa këtë vit e ka Tirana Open, këto nuk japin konceptin e vazhdimësisë, ndryshe nga panairi tradicional i librit”, tha Pasko për BIRN.
“Termi festival mund t’i çorientojë vizitorët, të cilët mendojnë të kalojnë një kohë të bukur duke soditur ekspozitat, duke shijuar koncertet apo organizimet e ndryshme, por librit në veçanti i intereson një vizitor i informuar që vjen posaçërisht për të bërë blerje,” shtoi ajo.
Aktivitetet e Tirana Open kanë një shpërndarje të gjerë në pika të ndryshme si Galeria Kombëtare e Artit, Piramida, Qendra Rinore e Tiranës, Universiteti i Arteve, Pallati i Kongreseve, Pallati i Brigadave dhe madje edhe në Durrës për forumin ndërkombëtar të ekonomisë kreative. Megjithatë informimi i publikut përmes rrjeteve sociale ka munguar dhe boshllëku i aksesit të shpejtë në program, ka bërë që publiku të marrë pjesë spontanisht në aktivitetet që ka zbuluar se po ndodhin aty për aty.
Pyetjes së BIRN për shkakun përse vizitorët nuk po e frekuentojnë aq të shumtë në numër “Tirana Open”, disa nga shtëpitë botuese iu përgjigjën ngjashmërisht.
“Publiku nuk është shumë i informuar se çfarë po ndodh në të vërtetë në këtë festival. Mungesa e reklamimit është e dukshme,” tha për BIRN Ataol Kaso nga shtëpia botuese “Pika pa Sipërfaqe”.
“Lexuesi mungon në këtë panair libri sepse ai nuk e ka kuptuar mirë këtë event dhe nuk mendoj se është prej apatisë ndaj librit, pasi panairi i nëntorit pati shumë kërkesa. Ndoshta publiku mjaftohet me një panair të vetëm,” tha një punonjëse pranë një shtëpie botuese tjetër.
“Mosprania e vizitorëve është një problem madhor i këtij festivali të librit dhe arteve dhe ka gjasa të vijë më së shumti prej mungesës së reklamës dhe përhapjes së fjalës,” tha një përfaqësues nga “Skanderbeg Books”.
“Shumë media kanë ardhur dhe kanë xhiruar organizimin, por publiku nuk është ende në përmasat e duhura,” shtoi ai.
Edhe shtëpi të tjera botuese konfirmuan për BIRN se janë të pakënaqura nga numrat e pjesëmarrësve dhe shitjeve. “Stina pranverore mund t’i tërheqë shqiptarët të bëjnë më shumë veprimtari jashtë shtëpisë sesa të lexojnë libra,” tha me të qeshur një vizitore.
Festivali i librit dhe arteve do të jetë i hapur deri më datë 13 maj.