Sofie Palija dhe i shoqi, Nikolla, po e vrisnin shumë mendjen këtë verë se kush prej shkesëve që po i vizitonin do sillte variantin më të mirë për të fejuar vajzën e tyre 16-vjeçare. Paliajt kanë gjashtë fëmijë.
Dy djem punojnë në Itali dhe sjellin në shtëpi gati 500 euro çdo muaj, që i ndihmojnë të mos robtohen nga punët në fshatin e tyre të thellë malor. Tani jetojnë në një periferi të varfër në rrethinat e Shkodrës.
Edhe vajza e madhe është jashtë, e martuar në Attleboro të Shteteve të Bashkuara. E dyta është e fejuar me dikë në Bronks. “Kisha dashtë me e dhanë edhe këtë jashtë”, psherëtin Sofia, duke iu referuar gjashtëmbëdhjetëvjeçares. “Për një atë Zot, këtu e kemi pasë shumë të vështirë!”
Që pas trazirave dhe përmbysjeve të viteve ‘90, ekonomia e Shqipërisë po rritet me 6 a 7 për qind në vit, duke zhdukur një pjesë të mirë të varfërisë së skajshme, duke krijuar një klasë të mesme të brishtë dhe një grusht njerëzish shumë të pasur. Por kjo nuk i ka prekur ende Paliajt. Ata e shohin ende emigrimin si rrugën e vetme për t'i shpëtuar varfërisë.
Bashkimi Europian do t'i zbusë kufizimet e vizave për qytetarët e Shqipërisë, Bosnjë e Hercegovinës, Maqedonisë, Malit të Zi e Serbisë, duke thjeshtuar, lehtësuar e bërë më të lirë lëvizjen për në vendet anëtare në periudha të shkurtra për disa kategori njerëzish.
Por nga këto ndryshime nuk do të përfitojnë familje si ajo e Palijave, pa të ardhura të mjaftueshme, pa aftësi të mëdha profesionale, apo lidhje që t'i ndihmojnë.
Ato do të vazhdojnë të hasin po ato pengesa në përpjekjet për të shkuar në Perëndim dhe do të detyrohen të përdorin të njëjtat rrengje për t'i kapërcyer ato.
Kritikët e propozimeve të BE-së thonë se ndryshimet e fundit në regjimin e vizave mund të sjellin acarimin e ndasive të reja në shoqëritë ballkanike, duke rrënuar të dobëtit e duke ndihmuar ata që kanë më së pakti nevojë për ndihmë.
Klasat e mesme – jo edhe aq keq
Regjimi i ri i vizave i BE-së sigurisht që ka për të qenë një qershi mbi tortë për klasat e mesme dhe profesionistët.
Për sërën e tregtarëve, akademikëve apo gazetarëve, marrja e vizave afatshkurtra dhe me shumë kalime do të thjeshtohet. Ata s'do të kenë më nevojë të paraqesin llogari bankare, vërtetimeve pronash, rezervime paraprake hotelesh apo bileta avioni kur kërkojnë vizë.
Rregulla të reja plotësuese do ta bëjnë më të lehtë më vonë që profesionistët të marrin leje banimi a pune.
Për të gjithë, lehtësimi i dhënies së vizave nënkupton kufij të rinj kohorë në procedim, gjë që i kursen aplikantëve orë të tëra radhësh poshtëruese jashtë zyrave konsullore, dhe zbritje të komisioneve nga 60 në 35 euro. Studentët dhe pensionistët s'do të paguajnë komision.
Marrëveshja do të hyjë në veprim në janarin e vitit 2008 dhe nga ajo do të përfitojnë Shqipëria, Bosnja e Herzegovina, Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia.
Ajo pason hapat e marra nga të gjitha shtetet anëtare për të penguar emigrimin e paligjshëm të qytetarëve të këtyre vendeve në BE. Por atë që kërkojnë këto vende, heqjen e vizave, ajo nuk e bën.
Franco Frattini, Komisioneri Europian për Drejtësi, i cili është marrë me përgatitjen e marrëveshjes, thotë se ky është vetëm hapi i parë drejt një marrëveshjeje tjetër që do t'i heqë krejt kërkesat për vizë.
Por Kosta Barjaba, një shkencëtar politik që punon për qeverinë shqiptare, thotë se përfituesit kryesorë do të jenë ata që kanë më së pakti nevojë.
“Klasa e mesme e ka pasur gjithmonë një farë mundësie të lëvizë,” thotë ai. “Të pakualifikuarit që s'kanë lidhje kanë më shumë nevojë për të dhe do ta kenë më të vështirë.”
Barjaba flet për njerëz si Arjan Stajka, tridhjeteshtatëvjeçar, programues kompjuterësh, që tani punon në Tiranë për biznesin e ndërtimit që ka familja.
Prodhim i klasës së mesme që po krijohet, ai udhëton jashtë vetëm për pushime ose rrugë të shkurta pune. Puna që ka në Shqipëri është mjaft e mirë.
Stajka nuk është i pazakontë në këto kohë. Të rinj të veshur mirë që sillen nëpër klube të modës ku gjëmon muzika perëndimore janë gjë e zakonshme sot në kryeqytet, në Tiranë.
Kërkesa për apartamente të reja nuk ka dhënë shenja uljeje që nga fundi i viteve 1990 dhe e ka kthyer qytetin në një kantier të madh ndërtimi.
Rritja e konsumit ka sjellë shpërthimin e një numri të madh kompleksesh ndërtimi. Gjithnjë e më shumë njerëz po blejnë shtëpi të dyta në bregun e Adriatikut. Si pasojë e bumit dhe rritjes së sferës së bankave private, ka lindur një grup i ri milionerësh, kryesisht sipërmarrës të suksesshëm.
Një tregues i ngritjes së shpejtë të të ardhurave në Shqipëri është numri gjithnjë e më i madh i familjeve që harxhojnë shuma të konsiderueshme në arsimimin e fëmijëve të tyre jashtë shtetit.
Më se 50,000 të rinj kanë studiuar në universitetet italiane në dhjetë vitet e fundit dhe shumica e shpenzimeve është mbuluar nga familjet e tyre.
Një shenjë tjetër e rritjes së të ardhurave është agresiviteti i fundit i bankave në Shqipëri në ofrimin e kredive në përgjigje të zgjerimit të tregut të strehimit.
Arjan Stajka i ka shijuar frutat e bumit në Shqipëri që kur e ka lënë Italinë pesë vjet më parë. Në vitet ‘90 ai iu bashkua eksodit për Itali ku u regjistrua si emigrant i paligjshëm në kohën kur qeveria italiane ofronte “rregullimin” e statusit të njerëzve si ai.
Ai shërbeu në një restorant në Italinë veriore dhe studioi programim kompjuteri në Milano, por u kthye në Shqipëri sapo jeta aty filloi të përmirësohej.
Stajka tashti i vajton përpjekjet që ka bërë për imitimin e bashkëmoshatarëve të vet italianë. “E fillon ditën duke menduar si t'i bësh gjërat si ata dhe të sillesh si italian, por kjo të lodh,” kujton ai.
“Mund ta flasësh gjuhën e tyre njësoj, por këtë e ke të fituar, ndërsa ata të lindur. Nuk ia del kurrë.” Duke shijuar jetën në Tiranë, ai u mor me ndërtimin e rrjeteve kompjuterike dhe menaxhim kinemash dhe baresh para se të fillonte punë si asistent i kunatit, drejtues i një firme ndërtimi, duke negociuar për terrene ndërtimi.
Udhëtimet në BE tashti janë të lehta e të shkurtra, thjesht për biznes dhe argëtim.
Pse gjithkush dëshiron të ikë sa më parë
Modelet e emigracionit nga Ballkani në Perëndim vitet e fundit dallojnë nga vendi në vend. Ai e ka prekur më pak Slloveninë, e cila është anëtare e Bashkimit Europian, apo Kroacinë relativisht të begatë. Por vende si Bosnja e Hercegovina, Shqipëria apo Kosova kanë eksportuar 20 e 30 për qind të popullsive të veta.
Një në pesë shqiptarë të Kosovës jeton dhe punon jashtë, për shembull. Figura të tilla janë të krahasueshme vetëm me Armeninë dhe Moldavinë nga vendet e ish-bllokut komunist.
Gjithashtu, Serbia e Mali i Zi janë ndër 20 vendet ku të ardhurat nga emigracioni zinin më shumë se një të dhjetën e ekonomisë kombëtare, sipas një studimi të vitit 2006 nga Banka Botërore. Por, Shqipëria ka dhënë shembullin më dramatik të emigrimit ekonomik.
Russell King, drejtor i Qendrës së Saseksit për Kërkime mbi Migrimin [Sussex Centre for Migration Research] në Britani, e krahason me emigrimin masiv të irlandezëve në Amerikë dhe Angli mbas zisë së urisë nga shkatërrimi i prodhimit të patates në vitet 1840.
Shumë pak shqiptarë kuturisën ta kapërcenin kufirin gjatë epokës komuniste. Jo vetëm që ishte tejet e rrezikshme, por kjo çonte në përndjekjen politike të familjeve të tyre.
Por kur komunizmi ra dhe ekonomia u shemb plotësisht përbrenda, pothuajse të gjithë donin të largoheshin. “Për shqiptarët, braktisja e vendit nuk ishte alternativë,” thotë James Korovilas, ekonomist në Universitetin e Perëndimit të Anglisë [University of the West of England] që studion të ardhurat nga emigrimi. “Ata s'kishin rrugëdalje tjetër. Nuk u kishte mbetur asgjë.”
Në atë kohë, Shqipëria ishte e mbyllur nga bota qysh prej 50 vitesh. Papritmas, vendi u përmbyt nga pamjet joshëse të bollëkut që shfaqeshin në televizorë. Sapo u lirua kufiri, shqiptarët gjetën rastin dhe ikën.
Disa u kacavarën nëpër shtigjeve malore për në Greqi ose u shtrydhën nëpër anije të vjetra që zbarkonin në brigjet e Italisë.
Shumë prej tyre arritën në Itali me gomone gjysmë të prishura, duke blerë pasaporta dhe karta identiteti false para se të niseshin dhe duke u paraqitur si refugjatë shqiptarë të Kosovës që largoheshin nga përndjekjet e serbëve.
Tani, nga katër milion banorë që duhet të kishte Shqipëria, një milion janë jashtë.
Përballë këtij emigrimi masiv, qeveria shqiptare s'mund të bënte shumë. Për rimbyllje të kufijve as që bëhej fjalë. Një skemë për të krijuar disa qindra vende pune sezonale në Gjermani në fillim të viteve ‘90 dështoi sepse ata pak veta që përfituan nga skema u zhdukën e s'u panë më.
Edhe planeve të tjera për të dhënë leje të përkohshme pune për në Argjentinë ose në vreshtat franceze nuk iu pa hajri.
Paulin Palija, djali i madh i Sofijes, emigroi në Perëndim në atë kohë. I hipi një gomoneje prej Shqipërisë në Itali më 1998, 17 vjeç, pasi kishte blerë një kartë identiteti si shqiptar i Kosovës në treg të zi në Shkodër.
Kur policia italiane e zuri grupin e tij në breg, ai u regjistrua me emrin tjetër dhe i tha policisë se donte të shkonte tek kushërinjtë në Gjermani.
Vetëm ai dhe disa gra ishin në atë grusht njerëzish që nuk u kthye mbrapsht atë ditë. Ndërroi disa vende pune në ndërtim dhe kur e takova këtë verë në Barberino, qytet i vogël jashtë Firences, priste dru për vatrat e shtëpive në Sardenjë.
Në vendet ku shkuan kryesisht, shqiptarët u përballën me tituj armiqësorë gazetash për dhunë bandash apo trafik droge.
Gazetat anembanë Evropës u mbushën me rrëfime të krimeve të egra që me gjasë i kryenin shqiptarët: banditë që digjnin mjekrën e një prifti ortodoks në Greqi dhe që shisnin kokainë e mbanin prostituta në Itali. Fjala “shqiptar” fitoi ngjyrë negative në italisht dhe greqisht.
Jo të gjithë menduan që përfshirja e një kombi të tërë në këtë stereotip ishte e drejtë apo e kujdesshme. Një gazetar i majtë italian, Gian Antonio Stella, e krahasoi këtë armiqësi me racizmin që kishin provuar vetë italianët në fillim të shekullit XX në librin e tij të vitit 2002, Hordhia: kur shqiptarët ishim ne.
“Është e habitshme se si vazhdoi vala [e emigrimit] kur mjedisi pritës ishte kaq armiqësor,” vëren Russell King.
Vendet e punës, e jo kontrolli, do ta pengojnë dallgën
Për të pasur një ujdi më të mirë me Brukselin për vizat, qeverive të Ballkanit Perëndimor u është dashur të tregojnë përkushtim në ndalimin e emigrimit të paligjshëm nga vendet e tyre, kryesisht duke përforcuar kontrollet kufitare dhe përmirësuar sigurinë e vizave.
Brukseli thotë që nëse qeveritë e rajonit bëjnë përpjekje të dukshme në frenimin e emigrimit të paligjshëm dhe përmirësimin e ekonomisë, do të jetë më e lehtë të zbutet regjimi i vizave për lëvizjen e njerëzve nga rajoni në vendet perëndimore.
Shqipëria, që e pati të vështirë të kontrollonte lëvizjen e gomoneve që trafikonin njerëz, e ndaloi krejtësisht përdorimin e tyre. Ishte vendi i parë evropian që u pajtua të merrte mbrapsht njerëz që kishin shkuar në Bashkimin Europian përmes territorit të tij.
Qeveria krijoi pika kufitare të kompjuterizuara dhe ka premtuar se do t'i pajisë me karta identiteti gjithë qytetarët pas një viti, gjë që nuk është bërë që prej vitit 1990.
Ka prapë shumë për t'u bërë para se të thuhet se kontrollet e saj kufitare janë në lartësinë e duhur. Në pikën kufitare të Muriqanit që gjendet midis kodrave në kufi të Shqipërisë me Malin e Zi, panele diellore japin elektricitet për dy barakat e policisë kufitare shqiptare. “Na i mbajnë kompjuterat në punë,” shpjegon një polic. Po natën? “Natën s'ka drita,” thotë.
Megjithëse ekonomia e Shqipërisë po rritet, ajo përballet me pengesa të mëdha, që do të thotë se vendi s'ka gjasa ta pengojnë plotësisht rrjedhjen e popullsisë në të një të ardhme të afërt.
Për shembull, mungesa e rrymës. Vendi s'mund ta përballojë kërkesën në rritje për përdorim vetjak të energjisë elektrike. Ekonomitë familjare tani bëjnë rreth 70 për qind të konsumimit të energjisë, që rritet përgjithësisht me rreth 10 për qind në vit.
Nëse ekonomia do të vazhdojë të rritet, kërkesa për energji të paktën do të dyfishohet, por vendi ka vetëm një kapacitet të caktuar importi për shkak të lidhjeve të dobëta me rrjetin rajonal, ndërsa mundësia për prodhuar energji në vend është e kufizuar dhe e kushtueshme.
Papunësia ka mbetur në 12 për qind për tre vitet e shkuara. Të paktën një gjysmë milioni shqiptarë nga një popullsi prej 3 milionësh janë të varfër, të përqendruar në zona fshatare ku pronësia mbi tokën është copëtuar në ngastra prej reformës paskomuniste dhe rendimenti është i ulët.
Mungesa domethënëse e investimeve të huaja dhe industrisë e ka kushtëzuar madhësinë e bizneseve të reja, shumë pak prej të cilave punësojnë më shumë se katër veta, sipas Lois Labrianidis të Universitetit të Selanikut.
Rrogat mesatare mbesin nga më të ulëtat në rajon. Sipas MIGA-s, njësi e Bankës Botërore, profesionisti mesatar shqiptar mori afërsisht 8,100 dollarë vitin e shkuar dhe një mjeshtër rreth 3,500 dollarë, krahasuar me rreth 14,000 dollarë, përkatësisht 5,700 dollarë, në Maqedoninë fqinje.
Ilir Gedeshi i Qendrës për Studime Ekonomike e Sociale në Tiranë, QSES, thotë se ende ka mosbesim në aftësinë e shtetit për t'i siguruar nevojat themelore të popullsisë. S'është për t'u habitur, shton ai, që kaq shumë duan të ikin për arsye ekonomike dhe jo për shkak të zgjedhjes të stilit të jetesës apo mundësive profesionale.
Kritikët e reformës së vizave që po ndërmerr Bashkimi Europian thonë se vetë koncepti i marrëveshjes është i gabuar dhe se oferta e saj vetëm sa do të rëndojë ndarjet shoqërore dhe problemet ekonomike duke “përzgjedhur” më të arsimuarit dhe me të talentuarit.
“Kjo ndodh me krejt vendet e pasura,” shprehet Corrado Bonifazi, demograf nga Qendra Kombëtare e Kërkimit në Romë. “Duan të marrin më të mirët e më të zgjuarit.”
Rreth 40 përqind e njerëzve që ka intervistuar QSES-ja kohët e fundit thanë se donin të emigronin, kryesisht sepse s'ka punë. Vetëm 19,000 nga 300,000 shqiptarët që kanë hyrë në fuqinë punëtore pesë vitet e fundit kanë zënë vende të ligjshme pune në vend, megjithëse shumë të tjerë mund të punojnë në ekonominë “e zezë”, të pataksuar.
Gati të gjithë ekonomistët pajtohen se trysnia emigruese në Shqipëri do të ulet vetëm kur ekonomia e saj të fillojë të krijojë vende pune me të ardhura të krahasueshme me ato në Perëndim, gjë që s'pritet të ndodhë për të paktën një dhjetëvjeçar.
Ambasadat e vendeve anëtare të BE-së në Tiranë marrin mbi 220,000 kërkesa për viza nga shqiptarët në vit, sipas Ditmir Bushatit të Institutit Axhenda, institut i Tiranës që ka studiuar politikën e vizave të BE-së. Ai thotë se gjysma e tyre refuzohen.
Shqiptarët e varfër si Palijat mbesin të kapur në çark. Si Nikolla, ashtu edhe Sofia, kërkuan vizë amerikane për të vizituar vajzën e madhe në Maseçusets majin e shkuar kur morën vesh se ajo po vuante nga depresioni post-natal.
I priti një zyrtar që buzëqeshte dhe fliste mirë shqip por që s'u dha vizë duke thënë se nuk ishte i bindur se ata nuk do të rrinin më gjatë në SHBA si të huaj të paligjshëm.
“Politika e re e vizave mund të mos i përmirësojë gjërat,” vëren Juli Vullnetari, kërkuese në Universitetin e Saseksit që e ka studiuar dukurinë e mërgimit nga Shqipëria.
Nuk duket se forcimi i kontrolleve kufitare do t'ia dalë të ndalojë emigrimin e paligjshëm. Kanale të reja happen vazhdimisht kur mbyllen të vjetrat. Korrikun e kaluar, policia shqiptare arrestoi një grup policësh që kishin krijuar një korridor për kalimin e emigrantëve të paligjshëm në Greqi.
Po atë muaj, një grup trafikantësh që çonin shqiptarë përmes Serbisë e Kroacisë në Itali u kapën në Serbi.
Panos Hatziprokopiou, që ka studiuar komunitetet emigrante në Selanik, beson se kush kërkon, gjen. “Ata që duan të ikin, do të ikin,” thotë ai.