Për shkak se nuk furnizohen me energji nga rrjeti kombëtar, disa shqiptarë kanë përdorur gjenialitetin e vet për të ndërtuar hidrocentrale të vegjël.
Fiqiri Luka shfaqet krenar kur tregon në detaje se si hidrocentrali i tij i vogël, i ndërtuar me mbeturina mbi një kanal vaditjeje në fshatin Buraj, i ka dhënë energji elektrike familjes së tij përgjatë tetë muajve të fundit.
“Kam bërë gjithçka me duart e mija,” thotë 76 vjeçari. “Dimrin e kaluar ne patën energji elektrike mjaftueshëm për ndriçim dhe për televizor,” shton ai.
Luka thotë se ai fillimisht krijoi një pritë në kanal për të furnizuar me ujë një turbinë të vogël, të cilën e kishte sajuar me pjesë të nxjerra nga një varrezë makinash.
Turbina i jep energji një gjeneratori të shpëtuar nga një motor i ndryshur fordi, i cili prodhon deri në tetë kilovat energji elektrike në orë.
“Bëra diçka të vogël për shkak se nuk ka ujë të mjaftueshëm për të instaluar një gjenerator më të madh,” thotë ai, duke treguar rrëkenë e vogël që rrjedh në fund të tokës së tij, ku djali dhe nusja e djalit të tij mbjellin groshë dhe zarzavate.
Buraj, një fshat pranë Fushë-Krujës, vetëm 25 kilometra nga Tirana, nuk ka parë furnizim në rregullt me energji në pjesën më të madhe të dy dekadave të fundit.
Kur ka drita, gjë që shpesh ndodh natën vonë, tensioni arrin zakonisht vetëm 30-40 volt. Kjo nuk është e mjaftueshme as për të ndezur një poç – ndërsa pajisjet elektroshtëpiake si lavatriçet apo frigoriferët nuk punojnë.
Rrjeti i shpërndarjes së energjisë elektrike me gjatësi 69 mijë kilometra, u menaxhua që nga viti 2009 nga kompania ceke CEZ por në zonat rurale, ndërprerjet janë të zakonshme.
Kompania akuzon paraardhësin shtetëror OSSH dhe KESH se nuk ka investuar mjaftueshëm në sigurinë e furnizimit. Vjedhjet e energjisë mbeten të gjithëpërgapura. Por CEZ ka premtuar përmirësime të mëtejshme pasi ka siguruar së fundmi një kredi me vlerë 1000 milionë euro të bashkëfinancuar nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvilli, EBRD dhe Korporata Financiare Ndërkombëtare, IFC.
Në raportin e vitit 2010, Enti Rregullator i Energjisë, e cila monitoron rrjetin e shpërndarjes, tha se humbjet qenë sa 30 për qind e energjisë së konsumuar në vend. Kjo i transferohet konsumatorëve në formën e çmimeve më të larta.
Gjithsesi, pavarësisht premtimit të CEZ për investime të reja, fshatarët e Buraj, të cilët janë mësuar me jetë pa lehtësi moderne – të cilat janë të pamundura në kushtet e mungesës së energjisë elektrike – mbeten skeptikë.
“Hera e fundit kur dikush nga elektriku erdhi në fshat qe viti 1996,” thotë Fatmir Luka, djali i Fiqiriut.
“Që nga ajo kohë, ne na është duhur të gjejmë zgjidhje vetë, nga riparimi i linjës te instalimi i stabilizatorëve të energjisë në mënyrë që të rrisim voltazhin,” shton ai.
Fatmiri thotë se aftësitë e babait të tij kanë ardhur shumë në ndihmë, megjithëse ndërtimi i një hidrocentrali të vogël me paratë e pakta që kishin nuk qe e lehtë.
Pavarësisht punës së rëndë që u kërkua për të devijuar kanalin e vaditjes, ai thotë se ka besim te projekti i babait të tij për shkak se “plaku” ka bërë të njëjtën gjë shumë vite më parë.
Luka ndërtoi hidrocentralin e parë në fshat në vitin 1958 kur zona nuk qe lidhur ende me rrjetin kombëtar.
“Unë përdora fuçi të vjetra për të krijuar turbinën,” rikujton Fiqiriu me nostalgji. “Unë e prisha atë të parin; nuk mendoja se do të mbetesha sërish pa elektricitet,” tha ai.
Ndërprerjet e dritave nuk janë problemi i vetëm për zonat rurale në Shqipëri si fshati Buraj. Për shkak se shumica e gjenerimit të energjisë elektrike varet nga hidrocentralet, të cilat preken nga luhatjet e motit, ndërprerjet janë të shpeshta edhe në qytete gjatë periudhave të thata.
Sistemi elektroenergjetik shqiptar nuk ka parë investime të mëdha që nga vitet 1980, kur qeveria e varfër ishkomuniste ndërpreu investimet në hidrocentrale të reja.
Pas rënies së komunizmit, kërkesa për energji u rrit me shpejtësi. Vlerësohet se sistemi ka nevojë për 1.6 miliardë dollarë investime për të eliminuar ndërprerjet e dritave.
Faturat e dritave në Shqipëri variojnë nga 35 në 70 euro në muaj. Megjithëse kjo kosto është sa gjysma e mesatares së Bashkimit Europian, është ende shumë e shtrenjtë për shumicën e shqiptarëve, pasi fuqia e tyre blerëse është sa 25 për qind e mesatares së BE-së.
Ndërkohë, Instituti i Statistikave të Shqipërisë vlerëson se në gjashtë muajt e parë të vitit 2010, humbjet qenë 27.9 për qind e energjisë së hedhur në rrjet.
Gati 90 për qind të këtyre humbjeve ndodhën në sistemin e shpërndarjes së energjisë elektrike, gjë që nënkupton se qenë si rezultat i vjedhjeve.
Për të ulur vjedhjet e energjisë dhe për të sigurur fonde për investimin në rrjetin e plakur, ekspertët thonë se qeveria dhe kompanitë duhet të mbulojnë kostot dhe të krijojnë politika mbrojtëse për konsumatorët më të varfër.
“Qeveria duhet të zbatojë politika të dedikuara për mbrojtjen e konsumatorëve që nuk janë në gjendje të paguajnë çmimin e energjisë elektrike,n në mënyrë që të reduktojë vjedhjet ndërsa ata që kanë makina të mira dhe vila luksoze duhet të paguajnë çmimin e plotë,” thotë Simon Uzunov, një ekspert i energjisë elektrike në Komunitetin e Energjisë me bazë në Vienë.
Uzunov nxit gjithashtu “ndarjen” e kostove në mënyrë që të ndihmohet identifikimi i burimeve dhe mekanizmave të humbjeve.
“Të dhënat mbi nivelin dhe burimin e humbjeve në rrjet duhet të jenë të disponueshme për të gjithë konsumatorët e interesuar,” shton ai. “Këto masa natyrisht që do të rrisin aftësinë për t’u përballur me këto lloj problemesh.”
Ndërsa politikbërësit, drejtuesit e korporatave dhe ekspertët debatojnë për një zgjidhje për problemin kombëtar të energjisë elektrike, Fiqiri Luka në fshatin Buraj, ka një këndvështrim më të thjeshtë për gjërat.
“Unë thjeshtë dua energji elektrike, më shumë se 100 volt të qëndrueshme,” thotë ai. “Dua shumë të shoh ardhjen e dritave para se të vdes,” shton ai.
Ky reportazh u publikua fillimisht në Balkaninsight.com më 6 korrik 2011.