
“E pyeta shokun shqiptar në mbledhje. ‘Ç’garanci ka që Shqipëria të jetë në gjendje të mbrojë socializmin kur shoku Enver Hoxha të mos jetë më? Ata u ftohën dhe më përjashtuan nga turi, madje nuk më morën në shtëpi as njerëzit që do më strehonin.”
Walter Cardew (Kardju), atëherë 17 vjeç, ishte pjesë e një festivali udhëtues në Kanada i organizuar nga Partia Komuniste (m-l) e Kanadasë dhe simotra e saj britanike. Ishte i biri i Cornelius Cardew-t, themelues i partisë britanike i shtypur në 1981-in nga një makinë që u zhduk, gjë që krijoi paranojë se vdekja e tij mund të ishte e qëllimshme.
Cornelius Cardew me pak fjalë
Histori e koklavitur. Nëpër të kishte kaluar gjithë muzika eksperimentale e shekullit të njëzetë. Kishte futur muzikën avangardë të Pierre Boulezit i pari në Akademinë Mbretërore të Muzikës. Kish ndihmuar Karlheinz Stockhauzen-in të kompozonte simfoninë Carré, (Katror) me katër orkestra përballë njëra tjetrës. Kur u mërzit nga diktati i Stockhauzen-it u hodh në muzikën amerikane të John Cage dhe Morton Feldmanit, të tre lehtësisht kompozitorët më të mëdhenj të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar.
Kur muzika filloi të çlirohej nga nota me anë të simboleve grafike, ai kompozoi grafikisht pjesën e parë madhore të tij, Traktatin. Krijoi Scratch Orchestra, një ansambël muzikantësh profesionistë dhe jo që bënin muzikë eksperimentale që pati ndikim të madh tek muzikantët dhe në artin performues. Nuk ka muzikant klasik britanik me emër të asaj kohe të mos ketë qenë i përfshirë. Michael Nymani që më vonë bëri muzikën e filmit Piano. Apo Gavin Bryar, mbase kompozitori më i madh anglez i kësaj gjysme shekulli dhe që ka bërë këngën tronditëse Jesus Blood Never Failed Me Yet.
Dhe në 1973 Cardew i vuri kapak gjërave dhe botoi përmbledhjen eseistike Stockhausen-i i shërben imperializmit, të cilit i shërbente jo vetëm Stockhausen-i, por dhe John Cage, mentorë e shokë të tjerë të tij, edhe vetë ai deri atëherë.
Shtatë vjet më pas, në debate mes grupesh marksist-leniniste në Gjermani se si duhet të ishte muzika e re, ai, si shokët shqiptarë, përkrahte motivet popullore dhe jo transgresionin e punk-ut. Në bibliotekën pranë vatrës mbante albumin me foto të Enver Hoxhës, Gju më gju me popullin, në shqip.
Tekste të Enverit hidheshin në këngë të përdorura në manifestime, Në njerën dorë kazmën… këndohej nga grupi i tij. Ai entuziazmohej për Na të birt e shekullit të ri dhe pikturën Këngë për jetën e re të Abdurrahim Buzës. Vepra e mëparshme e tij interpretonte Wittgensteinin dhe Taoizmin, tani ai shkruante këngë për të motivuar klasën punëtore.
Dekonstruksioni i muzikës
Në mes të shekullit të njëzetë kishte filluar të dekonstruktohej bërja e muzikës që prej cfarë konsiderohet tingull – sipas Cage-t edhe zhurma apo heshtja janë muzikë, deri se si prodhohej dhe perceptohej ajo. Mund të prodhohej me instrumenta të standartizuar apo ‘të përgatitur’, si piano a kitara ku vendoseshin dërrasa mes telave për të prodhuar tingull tjetër, mund të përdoreshin gurë a kuti apo tik-taku i orës.
Ata që e prodhonin, instrumentalistët, mund të ishin profesionistë të trainuar apo njerëz pa lidhje me të, mund të shkruhej me nota si shkronjat në tekste, apo me shenja grafike të cilat prodhonin melodi që varej nga interpretuesi. Interpretuesit mund ta luanin të saktë apo gabim, dhe gabimi në interpretim mund të ishte i qëllimshëm ose jo, por muzikë ishte dhe ai.
Mund të ishte muzikë e krijuar nga veglat ose nga incizimet, tani që kishin dalë riprodhuesit elektronikë të tingujve, apo zhurmat që bënte radioja. Sic më thoshte Alcides Lanza, një kompozitor argjentinas i njohur i Cardew-t dhe në të njejtën gjatësi vale me periudhën eksperimentale të tij: “Unë doja të dija se cfarë fshihej ndërmjet dy tasteve të njëpasnjëshme të pianos, dhe jo tingullin e këtyre tasteve.”
Kjo shihej si emancipim ndaj formave të ngrira deri atëherë, që shiheshin si zgjatim i formave të ngira të institucionet e shoqërisë më gjerë në perëndim: ndarja në shtresa, mekanizimi i punës, kontrolli nga autoriteti.
Lëvizje të ngjashme kishin nisur në pikturë me ekspresionizmin abstrakt dhe në arte të tjera figurative dhe në teatër e kinema.
Gjithë ai revolucion ishte fillesa që më vonë në kulturën popullore solli protestën e dhunshme bruto nga muzikantët në muzikën rock (loja e kitarës me dhëmbë nga Jimmy Hendrix apo shkatërrimi i kitarës në fund të koncertit nga The Who), artin performues që mund të luhej në rrugë e jo vetëm në sallë, por dhe cfarë ka dalë tani me lëvizjen e disk-jockey-ve.
Nga ana tjetër, ishte lëvizje që u bë mjet i perëndimit në Luftën e Ftohtë, pjesërisht i financuar nga qeveria amerikane për ti bërë ballë artit social të komunizmit, sic ka dalë nga një libër i bujshëm i një historianeje të re britanike. Pavarësisht se ajo nuk përmbante shtypjen brutale që bëhej në bllokun komunist ndaj artit ndryshe, edhe ajo ishte armë pjesë e një konflikti më të gjerë.
Intuitivisht ajo u kap nga disa kompozitorë dhe muzikantë avant-gardë perëndimorë të asaj kohe, për të cilët shtrohej pyetja: A është tingulli thjesht tingull? A është ai kënaqësi individuale estetike apo dhe një vegël për të ndryshuar shoqërinë.
Hop i pakuptueshëm?
“Asnjëherë nuk e kam marrë vesh politikën e atëhershme të Cardew-it,” më thotë Dean Rosenthal, një kompozitor amerikan 38-vjecar i cili u specializua në vitet 90 në muzikën e Cardew-t.
Cardew, koncerti i parë në Shqipëri me veprat e të cilit do bëhet në oborrin e Muzeut Kombëtar në 30 qershor, ishte themelues i Partinë Revolucionare Komuniste (m-l) të Britanisë, njëri prej rreth 30 grupimeve marksist-leniniste të krijuara atje që prej shkëputjes së Mao Ce Dunit dhe Enver Hoxhës nga blloku sovjetik në vitet gjashtëdhjetë, dhe pas shkëputjes së Hoxhës nga Mao në ato 70.
Ajo u krijua në 1979-ën, kur grupi hoxhist u shkëput nga maoistët pas sulmit që i bëri Kinës Hoxha tek Imperializmi dhe Revolucioni. Lideri ishte një student politike nga Universiteti i Brightonit, John Buckle. Cardew ishte përgjegjës për punën artistike, por karizma dhe fama në rrethet muzikore i kishin dhënë rëndësi më të madhe.
Por figura mbizotëruese ishte një biolog nga Gujarati i Indisë i cili kishte krijuar parti të tilla edhe në Irlandë dhe Kanada. Nëse do kishte klasikë të hoxhizmit siç ka marksizmi, me Zhoao Amazonasin e Brazilit profilin në basoreliev do e kishte Hardial Bains-i, veshur me kostume të çelëta, që nderohej si hy në grupin e partive që krijoi. “Corneliusi e çmonte Hardial Bains-in si mendimtar të thellë,” më thotë Sheila Kasabova, partnerja e Cardew-it.
Parimi i Shqipërisë në atë kohë ishte që të mbante marrëdhënie vetëm me një grup të tillë në çdo vend dhe në Angli kontaktet mbaheshin fillimisht me një grupim tjetër por në fillim të viteve 80, në sajë të Hardial Bains-it,
John Buckle vendosi lidhje zyrtare me Partinë e Enver Hoxhës në Kongresin e Tetë të PPSh-së, Kasabova iu bashkua një grupi aktivistësh që vizituan fabrika, fshatra, muzeume dhe galeri, shoku i ngushtë i Cardew-t, kompozitori Michael Chant, erdhi në Shqipëri nën emër të rremë.
Nga hieroglifet tek Mao
Megjithëse i majtë, Cardew nuk ishte i politizuar në vitet gjashtëdhjetë. Nga fundi i tyre ai u bashkua me një kuartet eksperimental muzike, AMM, bashkë me disa prej improvizuesve anglezë më të njohur në botën muzikore, përfshirë kitaristin dhe dizenjatorin Keith Rowe.
Në të njejtën kohë, Scratch Orchestra, e cila nisi si zgjatim i një lënde mbi muzikën eksperimentale që ai jepte në një kolegj profesional në Londër, përfshinte dhe diskutimet e hapura jo vetëm mbi pjesët, por dhe mbi rolin e muzikës.
Keith Rowe, i cili bënte pjesë dhe në Scratch Orchestra, ndikoi në kthesën politike të Cardew-t, në fillim edhe si magjepsje ndaj hieroglifeve kineze. Ata filluan të studionin hieroglifet – termi i tashëm perëndimor, ideograma, ose figura që shprehin ide është më i saktë – pasi megjithëse hieroglifi të tregon çfarë fjale përfaqësonte, nuk të tregon si shqiptohej ajo. Kjo lidhej me kërkimet që bënin muzikantë si Cardew atë periudhë, të cilët për të shpëtuar nga diktatura e notës që shënjonte një tingull specifik, përdornin shenjimin grafik, sipas të cilit, muzika interpretonte atë që donte të shprehte një dizenjo grafike, dhe jo të transkriptohej në nota siç shenjohej fonetikisht me shkronja çdo tekst në gjuhët evropiane.
Nga interesi për historinë e vjetër të Kinës, ata kaluan tek Kina e re e Maos, për të cilin muzika kishte gjithmonë rol ideologjik dhe social.
“Unë isha më bombastiku atë periudhë,” më thotë Rowe. “Corneliusi i futej më thellë gjërave dhe ngelte në to.” Për një muaj rresht, në 1971-in, në koncerte ku njoftonin muzikën e tyre, Rowe dhe Cardew merrnin një radio dhe e vinin emisionet kineze që përçoheshin në Evropë nga transmetuesit e Radio Tiranës.
Një pjesë e mirë e Scratch Orchestra, e ideologjizuar, u soll rreth Partisë Komuniste (m-l) të Anglisë, një grupimi maoist, ku ranë nën ndikimin e Bains-it dhe njohën grupin e John Buckle-it.
Partia Revolucionare që doli prej saj disa vite më vonë ishte rasti unik i bashkimit të një grupi kompozitorësh me një grup sindikalistësh në një parti.
Ç’mbetet nga Cardew?
Koncerti me muzikë tijën të djelën që vjen në oborrin e Muzeut Historik Kombëtar ka moton e Samuel Beckett-it, Kur dështon, dështo prapë, dështo më mirë. Në të, një kompozitor gjerman me banim në Zvicër do përpunojë disa nga këngët revolucionare të Cardew-t. Vaso Tole, kompozitori shqiptar, do shartojë këngën The Red Flag (Flamuri i Kuq), me himnin kombëtar, Flamuri Kuq e Zi.
Ndërsa Aleanca, një grup i krijuar aty për aty nga Vincent Van Gerven Oei, një filozof dhe muzikant holandez aktivist në komunitetin homoseksual në Tiranë, do të luajë pjesën e parë të veprës madhore të Cardew-t, The Great Learning (Mësimi i madh), një pjesë ku zhurma gurësh dhe fishkëllima shoqërojnë tonet e vazhdueshme të organos dhe recitimin e përkthimit në anglisht të Konfucit nga Ezra Pound.
“Veprimet kolektive dhe komunitare, të cilat u braktisën në Shqipëri pas rënies së komunizmit, tani po ndërmerren nga aktivistët e të drejtave të homoseksualëve,” thotë.
Në Montreal pjesë nga The Great Learning vuri për herë Dean Rosenthali, kompozitori amerikan, në 1996. “Cardew, si Cage, si Stockhauseni, është paraardhësi ynë,” thotë. “Eshtë pjesë e traditës nga vijmë ne të tjerët.”
Njerëzit jashtë politikës nuk e çmojnë muzikën e tij të periudhës së dytë, me ndonjë përjashtim. Dave Smith, që e njohu Cardewn në kohën e Scratch Orchestra-s, dhe që zhvilloi interesin e tij jo politik, por turistik dhe muzikor për Shqipërinë e viteve 80, thotë se Cardew s’ishte i vetmi që kishte ndërruar gjuhë si kompozitor, por që këtë gjuhë të re nuk e kishte zotëruar mirë. “Mund të thuash që këngët u bënë për ti shërbyer momentit kur u bënë, dhe jo për më vonë,” më thotë Keith Rowe, kitaristi. “Por tani mund të mos kenë vlerë.”
Rowe dhe Kasabova më thanë se gjatë fundit të jetës, Cor, siç quhej nga të afërmit, dukej sikur donte të afrohej me muzikën së tij të hershme, Traktatin dhe pjesët e tjera eksperimentale. Sipas Kasabovës, kjo mund të kish ndodhur pasi tani ai e kishte arritur distancën nga ajo kohë dhe mund t’i rikthehej më me kthjelltësi. Rowe, vetë i shkëputur me kohë nga e majta ekstreme për shkak të asaj që quan autoritarizëm të saj, ka dëshirë të shohë një largim ndaj intransigjencës ideologjike.
A ishte ndarja kaq e madhe?
“Jeta e tij ishte vazhdimësi,” thotë Michael Chant. Chanti më priti në në shtator në zyrat e partisë në lagjen Lambeth të Londrës. Në mure një bibliotekë me libra të Kim Ir Senit dhe nga Amerika Latine, një foto e madhe e një proteste ku dukej Cardew në ballë me një flamur për të ndalur ndërhyrjen e imperializmit në Iran. Chant sheh lidhje mes Scratch Orchestra-s si përpjekje kolektive për pasurimin kulturor të njerëzve, me politikën dhe jetën e mëpasme të Cardew-t në politikë, ku përpiqej të motivonte masat për përmirësimin e gjendjes së tyre nëpërmjet revolucionit.
Cardew organizoi shumë protesta kundër të djathtës ekstreme në një kohë kur tensionet në Angli ishin rritur. U arrestua disa herë, një herë u mbajt i izoluar. Sipas Keith Rowe mund t’i jetë venë bombë nga policia në makinë në vitet shtatëdhjetë dhe vdiq në dimër të 1981-it kur e goditi një makinë ndërsa doli nga shtëpia për në stacionin e trenit afër. Buckle vdiq në nëntor 1983-it kur një avion i nisur nga Franca për në Kolumbi u rrëzua pranë Madridit me 192 njerëzit në të, përfshi një grup shkrimtarësh dhe artistësh në rrugë për një kongres ndërkombëtar letërsie në Bogota.
“Ishin goditje të tmerrshme për të gjithë ne,” më thotë Michael Chant. “Partia e pati të vështirë të riorganizohej.”
Grupimi mendon se revolucioni komunist është i pashmangshëm megjithëse mund të sprapset. Shqipëria ishte rast i tillë, sipas Chant-it, një vend i vogël që nuk i bëri dot ballë sulmit të kapitalizmit, ndryshe nga Kuba dhe Koreja e Veriut.
Memorja e Shqipërisë zbehet. Sheila Kasabova më tregoi në telefon javën që shkoi se si muajin e kaluar i kishte ardhur një hidraulik shqiptar për t’i rregulluar tubacionet, i cili doli pianist dhe ai, dhe ajo vendosi ti falë një libër me partitura të këngëve shqiptare të viteve shtatëdhjetë që këndonin. “Ai qeshi dhe tha, këto këngë i kam lozur si fëmijë.”
Në maj vizitova zyrat e partisë mëmë kanadeze në Montreal. Më doli një burrë rreth të gjashtëdhjetave. “Kam harruar fjalët që dija në shqip,” më tha. Kishte qenë në Tiranë për kongresin e shtatë të PPSh-së.
“Mirëdita?” i them. “What is that?” Good day. “Faleminderit.” Ah, yes, Thank you!
Shoku. Ngre supet si me thënë, “këtë fjalë e di dhe mushka.”