Ndërsa qeveria ka krijuar një grup pune që pritet të publikojë një raport të shumëpritur mbi foshnjat e humbura, mijëra prindër shpresojnë të zbulojnë se çfarë ndodhi me fëmijët e tyre.
“Unë humba vajzën time në vitin 1998: mjekët më thanë se ajo vdiq menjëherë pas lindjes,” thotë Goran Filipovic, i cili ka qenë duke luftuar për të zbuluar se çfarë ndodhi që nga ajo kohë.
Filipovic është një nga 6 mijë prindërit në Serbi që dyshojnë se foshnjat e tyre janë ende gjallë – dhe u trafikuan nga spitali për adoptim ilegal jashtë vendit.
“Ata nuk na lejuan ne të shohim dhe të identifikonim vajzën tonë; ata nuk na lejuan ta varrosim,” tha ai duke shtuar se dëshiron patjetër të zbulojë të vërtetën.
Më shumë se 12 vjet që kur rastet e para të tilla u bënë publike, Serbia po përgatitet të publikojë një raport mbi foshnjat e humbura në fund të shtatorit dhe të propozojë mënyra për zgjidhjen e këtyre rasteve, disa prej të cilave janë dekada të vjetra.
Prindërit që humbën fëmijët e tyre dhe që dyshojnë se foshnjat u vodhën, përshëndesin hapat e qeverisë. Bashkë me një organizatëë, ata thonë se pas shumë vitesh heshtjeje. Serbia duhet të miratojë një ligj të posaçëm për të zgjidhur secilin prej këtyre rasteve.
Dekada kërkim
Të dhënat e ASTRA, një organizatë me bazë në Beograd që lufton trafikun e njerëzve, thotë se rreth 6 mijë prindër në Serbi dyshojnë se foshnjat e tyre të sapolindura u vodhën.
Numri i prindërve në Serbi që raportojnë trafik foshnjash është rritur përgjatë pesë viteve të fundit dhe shifra prej 6 mijë mund të rritet, për shkak se jo të gjithë prindërit i kanë raportuar dyshimet e tyre te policia.
Rreth 62 për qind e thirrjeve u bënë te një linjë telefonike e ASTRA lidhen me foshnjat e humbura.
Misteri i foshnjave të humbura fillon që nga vitet 1970 kur u raportua se shumë foshnja qenë marrë nga maternitetet dhe dërguar për adoptim ilegal në Europën Perëndimore. Prindërve u thuhej se fëmijët e tyre patën lindur të pajetë apo patën vdekur menjëherë pas lindjes.
Katarina Ivanovic, nga ASTRA, tha se ajo që i bashkon të gjitha çështjet është dokumentacioni i paplotë apo me gabime që i është dhënë prindërve nga spitalet.
Çështja e Zorica Jovanovic
Jovanovic lindi një djalë të shëndetshëm në tetor 1983, por vetëm tri ditë më vonë, ndërsa ajo po përgatitej të linte maternitetin bashkë me djalin e saj, mjekët i thanë se foshnja pati vdekur për shkaqe të papërcaktuara.
Si shumë nëna të tjera, Jovanovic nuk e pa trupin e djalit të saj dhe as nuk i thanë se ku qe varrosur. Mjekët thanë se ajo mund të mësonte më shumë për vdekjen nga autopsia. Vetëm se Jovanovic nuk e mori kurrë raportin mjekoligjor.
Gati 20 vjet më vonë, Jovanovic pa lajme në media për ngjarje të ngjashme me të. Prindërit pretendonin se fëmijët e tyre qenë rrëmbyer dhe qenë shitur për adoptim. Ajo shkoi në maternitetin ku pati lindur, por materniteti tha se nuk kishte informacion tjetër për shkak se dokumentacioni i kohës qe përmbytur dhe shumë dokumente qenë shkatërruar.
Në nëntor 2002, Komuna e Kuprijës e informoi atë se lindja e djalit të saj qe regjistruar në regjistrin civil por vdekja nuk qe regjistruar.
Dy muaj më vonë, bashkëshorti i saj dorëzoi një kallëzim penal kundër spitalit duke e akuzuar për rrëmbim personi, por prokuroria nuk nisi hetime.
“Shumica e prindërve në fillim morën një foshnjë të shëndetshme por më vonë iu tha se foshnja pati vdekur papritur. Ata nuk u lejuan të shohin apo të varrosin fëmijën e sapolindur,” tha Ivanovic.
“Ata gjithashtu nuk morën kurrë dokumente zyrtare se ku qe varrosur foshnja e tyre. Ata u përpoqën të marrin dokumentet, por iu tha se dokumentet qenë humbur,” shtoi ajo.
Gati një mijë familje përgjatë viteve të pasuan kryen kallëzime për dyshimin mbi vdekjet e foshnjave të tyre, por prokurorët nuk kanë zgjidhur asnjë rast të vetëm.
Parlamenti krujoi një komision special për të diskutuar pretendimet e prindërve në vitin 2006. Komiteti bëri rekomandime te policia dhe drejtësia se si duhet të procesojë këto raste, por asnjë veprim nuk u ndërmorr.
Çështja u rikthye në vëmendjen e publikut pasi Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut vendosi vitin e kaluar se Serbia kishte dhunuar të drejtat e Zorica Jovanovic duke dështuar në mënyrë të përsëritur t’i jepte asaj “informacion të besueshëm për çfarë i ka ndodhur djalit të saj”.
Gjykata i dha Jovanoviç, djali i së cilëve raportohet se vdiq pak pas lindjes më 1983, me 10 mijë euro për dëm moral dhe urdhëroi Serbinë të hetojë çdo rast të ngjashëm brenda një viti. Gjykata gjithashtu urdhëroi Beogradin t’i japë familjeve të prekura një kompensim të përshtatshëm.
Gjithsesi, një vit pas vendimit, Serbia nuk ka krijuar asnjë mekanizëm të ri për t’u marrë me fatin e foshnjave të humbura.
“Afati i dhënë nga gjykata e Strasburgut për Serbinë për të zgjidhur këto çështje ka përfunduar, për fat të keq pa rezultate specifike, – por ne ende shpresojmë se vendimi do të zbatohet,” tha Ivanoviç për BIRN.
Ministria e Shëndetësisë pati një takim me shoqatën e prindërve më 16 shtator dhe njoftoi se shoqatat do të punojnë sëbashku me ekspertë nga Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Brendshme dhe Ministria e Drejtësisë.
“Asnjë grup pune nuk dëshironte të bashkëpunonte më herët me ne, kështu që është një progres i madh,” thotë Mirjana Novokmet, nga Grupi i Prindërve të Beogradit për BIRN.
Novokmet lindi me ndërhyrje cezariane një djalë në Beograd më 1978. Menjëherë pas kësaj, asai iu tha se foshnja kishte lindur e vdekur.
Por ajo kurrë nuk mori një shpjegim se çfarë i pati ndodhur dhe kërkesat e saj për të organizuar varrosjen e foshnjës u refuzuan. Ajo kërkoi për një raport autopsie por e mori atë vetëm 20 vjet më vonë, më 2002. “Ne nuk duam kompensim. Ne duam të vërtetën dhe hetime,” thotë Novokmet.
“Serbia duhet ta zgjidhë këtë problem,” shtoi ajo.
Lex specialis
Mënyra më e mirë për të zgjidhur fatin e foshnjave dhe për të sjellë drejtësi për familjet e tyre është duke miratuar një ligj të posaçëm, lex specialis, argumentojnë shoqatat e prindërve. Kjo është arsyeja se pse një projektligj është hartuar nga një çift juristësh në Beograd.
Ligji mund të jetë i pari i këtij lloji në Europë, tha një nga juristët, Danilo Curcic, për BIRN. “Thelbi i projektligjit është që të krijojë një komision të pavarur, anëtarët e së cilit duhet të zgjidhen nga parlamenti. Komisioni duhet të ndërmarrë vendime mbi të gjitha rastet e foshnjave të humbura,” shpjegoi Curcic.
Curcic thotë gjithashtu se këshilla duhet të krijohen dhe ato duhet të trajtojnë rastet që dalin jashtë rregullit të parashkrimit.
“Në këtë rast, do të duhet të ketë një dënim publik të fajit dhe publikim të vendimit. Gjithashtu, i gjithë informacioni duhet t’i dërgohet institucioneve relevante, për shembull, urdhrave të mjekëve,” thotë ai.
Projektligji përmbush sugjerimet e grupit të punës, i cili premtoi gjithashtu formimin e një komisioni të pavarur.
Berislav Vekic, një sekretar shteti në Ministrinë e Shëndetësisë, i tha Televizionit Publik të Serbisë RTS të martën se familjet e foshnjave të humbura do të marrin së shpejti zgjidhje konkrete. “Deri tani ne kemi dy sugjerime, një ligj dhe një sugjerim për krijimin e një organizmi kontrolli,” tha Vekiç.
Pas shumë vitesh përpjekjeje, prindërit mbesin me shpresa por të kujdesshëm, thotë Curcic.
“Megjithëse shteti [po vepron] me vonesë, mund të them se gjërat tashmë po ecin në drejtimin e duhur,” tha ajo për BIRN.