Rikthimi i Boiko Borisov solli një lloj stabiliteti politik në vend – por qeveria e re u minua nga një krizë bankare dhe tensioni në rritje mes Lindjes dhe Perëndimit.
Bullgaria pati një vit të trazuar, me një zgjedhje të parakohshme dhe me rikthimin e Boiko Borisov, ish-truproja populiste e diktatorit komunist të vendit që kreu një mandat si kryeministër nga 2009 në 2013.
Edhe pse është kthyer një stabilitet politik në dukje pas rreth dy viteve kaos, Bullgaria e gjeti veten të zënë ngushtë nga aspekti gjeopolitik mes debatit të Rusisë dhe Perëndimit për Ukrainën dhe u dobësua nga kriza bankare dhe financiare.
Borisov mori sërish pushtetin më 5 tetor posi fitoi zgjedhjet e përgjithshme me 32.5 për qind të votave me premtimin se do të kthente stabilitetin.
Megjithatë, disa javë pasi mori postin, më 12 dhjetor, agjencia e kategorizimit Standard # Poor’s e uli normën e kreditit të Bullgarisë në BB+.
“Sfidat e sistemit bankar të Bullgarisë dhe një përkeqësim i pozicionit fiskal kanë shtuar nga një deflacion i qëndrueshëm i çmimeve të konsumit që në tetor ishin 1.5 për qind më të ulëta se në tetor 2013,” shkroi agjencia.
“Kërkesa e brendshme ka qenë gjithashtu në rënie prej tërheqjet neto të financimit nga filialet e tyre bullgare dhe nga rritja e aseteve të jashtme të bankave,” shtoi.
Bankat në telashe
Kriza bankare filloi në qershor me problemet në disa prej huadhënësve më të mëdhenj. Banka e katërt për nga madhësia, Banka e Korporatës Tregtare, ÇB, u mor në kujdestari nga Banka Kombëtare Bullgare BNB dhe deklaroi më pas falimentin.
Shumë analist e panë sagën e falimentit të ÇB – pronarët e të cilës po kundërshtojnë ende vendimin e heqjes së licencës në gjykatë, si një larje hesapesh mes oligarkëve rivalë. Çështja tronditi shumë besimin e investitorëve të huaj në vend. Një audit i pavarur i bilancit të bankës zbuloi dështimet sistematike të mbikëqyrjes nga ana e BNB, duke ngritur pyetje për stabilitetin e bankave të tjera.
“Ne mund të ulim shkallën e kategorizimit nëse sistemi i brendshëm financiar kërkon mbështetje të mëtejshme nga qeveria,” paralajmëroi S&P në një deklaratë.
Më i bujshëm qe lajmi se fondi kombëtar i depozitave të sigurimit, që duhej të mbulojë depozitat e siguruara në bankë, kishte mangët 800 milionë euro dhe kishte nevojë për një borxh nga qeveria.
Më pas vetë qeverisë i mbaruan fondet dhe u detyrua në fillim të dhjetorit të marrë një kredi prej 1.5 miliardë euro nga katër banka ndërkombëtare në mënyrë që të mbështesë sistemin financiar.
Koalicion i brishtë
Ekspertët thonë se rënia e kategorizimit kërcënon aftësinë e qeverisë së re për të mbuluar vrimat e konsiderueshme në buxhetin e vet.
“Sapo kredia të shpenzohet plotësisht, gjë që mendoj se nuk do të zgjasë më shumë se në verën e ardhshme, qeveria do të jetë në telash të madh,” parashikoi një analist politik. “Nuk jam i sigurt nëse koalicioni në pushtet mund të zgjasë për shumë gjatë dhe nuk do të habitesha nëse kemi zgjedhje përsëri vitin e ardhshëm,” shtoi ai.
Ndonëse partia e Borisov, Qytetarët për Zhvillimin Europian të Bullgarisë, GERB, fitoi zgjedhjet e tetorit me rezultat të mirë, ku rivali kryesor ishte me 17 për qind të votave pas, gjendja e përçarë e parlamentit e pengoi të kishte një shumicë.
Borisov krijoi një koalicion me katër parti, por ky koalicion duket i brishtë dhe me shumë gjasa për t’u prishur.
Disa kriza të vogla kanë ndodhur tashmë. Njëra kur Fronti Patriotik propozoi si zëvendës ministër të mbrojtjes Ivo Antonov. Fotot e tij teksa kryente përshëndetjen naziste majë një tanku të vjetër gjerman ngjallën zemërim.
Sfidat e tjera që përvijohen përpara janë edhe më të mëdha. Këtu përfshihet kryerja e reformave të gjera sociale me një buxhet të vogël dhe lundrimi në një mjedis ndërkombëtarë gjithnjë e më të tensionuar dhe të ndërlikuar mes Rusisë dhe Perëndimit.
Tronditja e gazsjellësit
Ndërsa dy partnerët kryesorë të koalicionit qeverisës, GERB dhe blloku Reformist, janë pro-europianë në orientim, dy të tjerët, ndonëse nuk e pranojnë plotësisht, janë më pranë Kremlinit.
Presidenti rus Vladimir Putin luajti me këtë përçarje kur ai fajësoi Bullgarinë për debatin mbi gazsjellësin e planifikuar South Stream. Më 1 dhjetor, Puti lajmëroi se Rusia hiqte dorë nga planet për ndërtimin e gazsjellësit dhe se do të ndërtonte një gazsjellës tjetër nga Rusia në Turqi. Lajmërimi ishte një bombë për koalicionin e qeverisjes Borisov dhe për disa qeveri të tjera në rajon.
South Stream ishte projektuar të transportonte rreth 63 miliard metër kub të gazit rus për një vit në Europën Perëndimore përmjet Bullgarisë, Serbisë, Hungarisë, Austrisë dhe Italisë.
Putin pretendoi se projekti ishte bërë i pazbatueshëm pasi BE-ja e detyroi Bullgarinë të ndalonte punimet në anën e saj në qershor, gjoja sepse kontrata e nënshkruar me firmat ruse dhunonte rregullat anti-monopol të BE-së.
Shumë bullgarë shprehën pakënaqësi për presionin që vjen nga Europa dhe për faktin se janë gjendur mes betejës Perëndim-Moskë për të ardhmen e Ukrainës.
“BE-ja nuk ka para për të mbështetur Ukrainën në mosmarrëveshjen e gazit me Rusinë… Kështu, që të shantazhojë Moskën dhe ta detyrojë atë të vazhdojë të transportojë gaz nëpërmjet Ukrainës, Brukseli do të ndalojë projektin South Stream”, u ankua një analist bullgar, i cituar si burim anonim nga Deutsche Welle. “Bullgarët janë viktimat më të fundit,” shtoi ai.
Me situatën në shumë të paqëndrueshme në Ukrainë shumë analistë pretendojnë ndërprerje të furnizimit me gaz këtë dimër ashtu siç ndodhi në 2006 dhe 2009, ndërsa politikanët përpiqen të parandalojnë pasojat e deklaratës së Putin.
Në dy javët e fundit, Borisov ka shprehur dy ide të ndryshme: ftesën e firmave ndërkombëtare për të kërkuar gaz dhe naftë në Detin e Zi dhe ndërtimin e një fabrike gjigante për ruajtjen e gazit, e financuar nga BE-ja në territorin bullgar.
Asnjëra, nuk ka gjasa të zgjidhë problemet afatshkurtra të Bullgarisë. Borisov, që rrëzua nga pushteti me protesta popullore për çmimin e elektricitetit në 2013, është edhe një herë në garë kundër kohës.