Në një intervistë për BIRN Sociologu Fatos Tarifa shprehet se reforma e arsimit të lartë është një eksperiment makrosocial që kërkon dekada për të dhënë rezultate.
Profesor Tarifa, ju keni qenë ndër të parët që, veç vlerësimit për reformën e sistemit të arsimit të lartë, keni sugjeruar modelin tuaj (madje disa vite më parë) për reformimin e këtij sistemi. Përse këmbëngulni se zgjidhja e vetme për reformimin e arsimit të lartë shqiptar mbetet modeli amerikan?
Jo zgjidhja e vetme, por zgjidhja më e mirë. Sistemi i arsimit të lartë në Shqipëri kishte kohë që ishte atrofizuar në atë shkallë, sa vazhdimi më tej në atë gjendje do të kishte qenë katastrofik për fatet e vendit tonë. Dihet fare mirë se mendjet e njerëzve janë aseti më i madh i një shoqërie dhe universitetet që i kultivojnë këto mendje janë institucione shumë të rëndësishme për begatinë ekonomike dhe mirëqenien sociale të një vendi. Të gjitha përpjekjet për ta “reformuar” këtë sistem gjatë 20 e ca viteve të fundit kanë qenë, në fakt, përpjekje jo të mençura dhe të painformuara për të kryer ndryshimet cilësore që kërkon koha, me fjalë të tjera, për ta transformuar universitetin shqiptar që t’u përgjigjej nevojave dhe oportuniteteve të reja të shekullit të 21-të. Ato kanë qenë përpjekje sporadike (jo sistemamtike), të pjesëshme (jo tërësore), eklektike (jo të orientuara nga përvojat dhe modelet më të mira botërore të sotme).
Modeli i propozuar për reformimin e arsimit të lartë është, pakashumë, ai britanik. Në pamundësi për të adoptuar një model të ngjashëm me atë amerikan (kryesisht për shkak të sistemit të tij krejt të veçantë të financimit), modeli i propozuar është relativisht më i miri dhe më i përshtatshmi për kushtet tona, edhe për shkak se i afrohet më shumë se çdo model tjetër europian modelit më të mirë të universitetit—modelit amerikan.
Pse është ky i fundit më i miri dhe pse unë kam insistuar gjithnjë që arsimi ynë i lartë të reformohej sipas këtij modeli? Për një arsye të thjeshtë, por esenciale. Për shkak se modeli amerikan i universitetit është provuar si modeli më i sukseshëm deri më sot. Kur vjen puna për të ndjekur modelin më të mirë të universitetit, bota ka kohë që i ka kthyer sytë nga modeli amerikan dhe mëson prej tij. Shqipëria nuk mund të mbetet gjithmonë si ai “kau balash”, që dallon nga të tjerët dhe që ndjek një rrugë “të vetën” ikonoklastike. Kundërshtarët më vokalë të reformës së arsimit të lartë në Shqipëri, të cilët sot duken se janë mundur keq dhe kanë heshtur, ishin pikërisht ata që s’kanë as njohjen më të vogël të modelit universitar amerikan, ose atij britanik dhe, për këtë arsye, e ngatërronin sistemin e propozuar me atë “kilian”(!), ndërsa motivet e vetë reformës së arsimit të lartë tinëzisht i cilësonin si një politikë “koreanoveriore”(!).
A mendoni se Reforma e sotme e arsimit universitar, për kohën që u ishte lënë në dispozicion të zhvillimit fazave të saj, është e pamjaftueshme?
Reforma e propozuar, e cila, pas miratimit të ligjit të ri për arsimin e lartë shpresoj të fillojë të zbatohet pa humbur kohë, është objektivisht një proces i gjatë. Si një projekt i rëndësishëm inxhinierie sociale, kjo reformë është një eksperiment makrosocial, që kërkon kohën e vet. Arsimi i lartë nuk jep rezultate në tremujorin e ardhshëm, as në dy ose në pesë vjet; ai ka të bëjë me inovacione dhe zbulime që mund të kërkojnë dekada të tëra. Por kjo nuk do të thotë që sistemi të mos reformohet. Përkundrazi, kur kuptohet se sistemi është vjetruar dhe bëhet pengesë për zhvillim të mëtejshëm, ai duhet reformuar, madje sa më parë.
Një nga vërejtjet e mia për reformën e propozuar ka qenë ajo se faza përgatitore e saj (deri në 3 vjet), nuk duhet konsideruar si fazë e masave afatmesme dhe faza tjetër (6-7 vjet), si fazë e masave aftagjata. Për një reformë të këtyre përmasave dhe të kësaj rëndësie kombëtare, unë do ta konsideroja një periudhë 3-vjeçare periudhë afatshkurtër, një periudhë 10-vjeçare periudhë afatmesme, dhe kohën pas saj një periudhë afatgjatë. Unë e vlerësoj si një një gjykim kejt të pasaktë atë të një funksionari të lartë të Ministrisë së Arsimit se, brenda 7 viteve nga fillimi i zbatimit të reformës, arsimi i lartë në vendin tonë do të mund të krahasohet, për nga cilësia, me universitetet e mira europiane(!) Për të vlerësuar rezultatet e kësaj reforme kaq të rëndësishme, do të duhet të kalojnë së paku 20 vite, pra aq kohë sa i duhet një brezi të tërë për t’u arsimuar në të gjitha ciklet e sistemit arsimor. Sepse vetë reforma e arsimit nuk është e s’mund të jetë e pjesëshme; ajo duhet të jetë holistike dhe të përfshijë të gjitha nivelet e sistemit. Bindja ime më e thellë është se reformimi i sistemit të arsimit të lartë në Shqipëri nuk mund të ketë sukses, madje as nuk mund të ndodhë, nëse ai nuk paraprihet, ose nuk shoqërohet nga reformimi i tërë sistemit piramidal të arsimit. Prandaj, rezultatet e plota të kësaj reforme do të mund të shihen qartë vetëm pas formimit të një brezi të ri shqiptarësh, që e nisin shkollimin e tyre në klasë të parë këtë vit, ose vitin e ardhshëm, dhe i përfundojnë studimet universitare aty rreth vitit 2030.
Si e shikoni të ardhmen e financimit të arsimit të sotëm universitar, respektivisht për universitetin publik dhe atë privat, dhe parashikimet në këtë reformë?
Një ndër kritikat kryesore që i është bërë reformës së propozuar të arsimit të lartë është ajo se, si një vend i varfër, Shqipëria nuk është në gjendje të krijojë një sistem modern të arsimit të lartë. Unë e kundërshtoj një pikëpamje të tillë, pasi mendoj se Shqipëria nuk do të bëhet kurrë një vend i zhvilluar dhe i pasur pa ndërtuar një sistem shkollor dhe universitar modern. Ajo çfarë parashikon reforma për financimin e sistemit universitar është, për mendimin tim, vetëm fillimi i një procesi që do të duhet të shkojë më tej, nëse duam që universitet tona të shndërrohen në qendra të vërteta të arsimit të lartë e të kërkimit shkencor.
A nuk duket se Ministria e Arsimit ruan ende monopole në këtë reformë. A mundej që kjo reformë të ishte e plotë, më shumë strukturore?
Reforma e propozuar, sigurisht, nuk është e përsosur. Ajo, si çdo reformë, ka kufizimet e saj. Edhe më parë, në mjaft raste, jam shprehur publikisht për domosdoshmërinë që sistemi i arsimit të lartë në vendin tonë jo thjesht të reformohet, por të transformohet rrënjësisht, për të mundësuar, gradualisht, krijimin e universiteteve për nevojat e shekullit të 21-të. Jam shprehur dhe kam kërkuar që autonomia (jo vetëm ajo financiare) e universiteteve duhet mbrojtur e realizuar në praktikë, dhe se, madje, më e rëndësishme se kjo autonomi, është cilësia e programeve, e kurrikulave dhe e procesit të mësimdhënies në universitetet tona. Po kështu, kam vënë në dukje domosdoshmërinë që universitetet shqiptare të shndërrohen në qendra të vërteta të kërkimit shkencor. Edhe pse reforma e kufizon ndërhyrjen e shtetit në arsimin universitar, unë do të dëshiroja të shihja një pavarësi edhe më të madhe të universiteteve nga shteti. Sepse, sipas diagnozës që i bën revista The Economist krizës së sistemit universitar në Europë, rezulton se “problemet kryesore të universiteteve kudo në Europë janë të njëjtat: kontrolli shumë i madh i shtetit mbi to dhe fare pak liri për t’i menaxhuar vetë punët e tyre”.
Ju keni bërë një recensë konstruktive të kësaj Reforme. Ku këmbëngulni se janë pikat e dobëta të saj?
Jam i bindur se vizioni që ka orientuar projektin e propozuar të reformës së arsimit të lartë në Shqipëri është vizioni i duhur. Për mua është meritë e qeverisë aktuale që e kuptoi se sistemi arsimit të lartë duhej reformuar—dhe sa më parë—dhe që, brenda një kohe të shkurtër, mundi të hartonte një platformë të përgjithshme, mjaftueshmërisht të detajuar, për t’u hapur rrugë ndryshimeve ligjore dhe, përmes tyre, reformimit strukturor e përmbajtësor të krejt sistemit të arsimit të lartë e të kërkimit shkencor në Shqipëri. Më vjen mirë që qeveria e re nuk hezitoi ta shihte të vërtetën në sy dhe ta pranonte atë. E vërteta ishte dhe mbetet kjo: Nëse në shekullin e 21-të, Shqipëria do të vazhdojë të mbetet pas vendeve të tjera europiane ose do të zhvillohet si ato, kjo, në një masë të madhe, do të varet nga cilësia e arsimit që do u ofrojnë nxënësve dhe studentëve shqiptarë shkollat dhe universitetet tona.
Thashë edhe më sipër se reforma që është propozuar nuk është absolutisht më e mira. Ajo ka defektet e saj, jo në parimet e saj, të cilat janë të qarta e të drejta, por në një pjesë të atyre çfarë quhen nuts and bolts të sistemit, pra në disa prej pjesëve dhe elementëve organikisht të lidhur mes njëri-tjetrit dhe që e bëjnë sistemin të funksionojë. Reforma e propozuar dhe platforma e saj synojnë as më pak, as më shumë sesa ndryshimin e vetë kulturës institucionale të universiteteve tona, duke ndërhyrë në ato që mund quhen “gene institucionale” të universitetit dhe që shprehen në katalogët e kurseve, në standardet e pranimit të studentëve dhe në ato të promovimit të pedagogëve.
Sidoqoftë, mendoj se ajo çka i mungon në masën e duhur projektit të kësaj reforme është parashikimi i ndryshimeve përmbajtësore në sistemin universitar dhe rrugët për realizimin e tyre. Me fjalë të tjera, ndërsa financimi dhe ristrukturimi i sistemit të arsimit të lartë parashikohen mjaftueshmërish mirë dhe qartë, platforma e reformës ofron relativisht fare pak ide të reja mbi atë se si do të duhet përmirësohet përmbajtja e dijeve që studentët do të marrin në universitet.
Po kështu, edhe pse kjo reformë parashikon një strategji shumë më të mirë se ajo që është ndjekur deri më sot dhe një varg ndryshimesh të rëndësishme mbi kualifikimin shkencor të stafeve pedagogjike e të kërkuesve shkencorë, mendoj se ky aspekt shumë i rëndësishëm meriton një vëmendje shumë më të madhe. Nuk duhet të harrojmë se universitetet “prodhojnë” jo vetëm dije dhe njerëz të arsimuar, por edhe ata që nesër do të “prodhojnë” më shumë dije dhe të tjerë njerëz të arsimuar. Prandaj, mendoj se thelbi i reformës së arsimit të lartë dhe sekreti i suksesit të saj qëndron jo vetëm në mënyrën sesi prodhohen dija dhe njerëzit e arsimuar por, sidomos, në mënyrën sesi “prodhohen” prodhuesit e dijes dhe të njerëzve të arsimuar, pra profesorati shqiptar.
Ky artikull u prodhua si pjesë e iniciativës “Fuqizimi i Bashkëpunimit mes Shoqërisë Civile dhe Gazetarëve Investigativë,” me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë.