Kur kriza e euros filloi një gjysmë dekade më parë, ekonomistët Keinezianë parashikuan se masa e kursimit që po imponohej mbi Greqinë dhe mbi vendet e tjera në krizë do të dështonte. Do të ndrydhte zhvillimin dhe do të rriste papunësinë – dhe madje nuk do ia dilte të ulte përqindjen borxh-PBB. Të tjerët – në Komisionin Europian, Bankën Qendrore Europiane dhe pak universitete – folën për shtrëngime ekspansioniste. Por edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar argumentoi se shtrëngimet, si uljet e shpenzimeve qeveritare, ishin po aq – shtrënguese.
Nuk na duhej shumë një test tjetër. Kursimet kishin dështuar vazhdimisht, që nga zbatimi i hershëm nën presidentin e SHBA-së Herbert Huver, që e ktheu rënien e tregut të bursës në Depresionin e Madh, në ‘programet’ e FMN-së të imponuara mbi Azinë Lindore dhe Amerikën Latine në dekadat e fundit. Por ende kur Greqia hyri në telashe, u provua sërish.
Greqia ia doli mirë të ndiqte diktatin e vendosur nga ‘trojka’ (Komisioni Europian, BQE dhe FMN): e konvertoi një deficit buxhetor primar në një bilanc pozitiv primar. Por shtrëngimet në shpenzimet qeveritare ishin siç u parashikuan shkatërrimtare: 25 për qind papunësi, një 22 për qind rënie në PBB që nga 2009 dhe një 35 për qind rritje në shkallën borxh-PBB. Dhe tani, me fitoren dërrmuese të partisë anti-kursim Syriza, votuesit grekë kanë deklaruar se ishin lodhur.
Pra, çfarë duhet bërë? Së pari, le të jemi të qartë: Greqia do të mund të fajësohej për telashet e saj nëse do të ishte vendi i vetëm ku ilaçi i trojkës dështoi keqani. Por Spanja pati një bilanc pozitiv dhe një përqindje të vogël borxhi përpara krizës, dhe ajo, gjithashtu, është në depresion. Çfarë nevojitet, nuk është një reformë strukturore brenda Greqisë dhe Spanjës, më shumë sesa reformë strukturore në projektimin e eurozonës dhe një rimendim fundamental i kornizave të politikës që ka rezultuar në performancën e keqe spektakolare të bashkimeve monetare.
Greqia edhe një herë na kujtoi se sa shumë i duhet botës një kornizë e ristrukturimit të borxhit. Borxhi i tepërt shkaktoi jo vetëm krizën e vitit 2008, por edhe krizën e Azisë Lindore në vitet 1990 dhe krizën e Amerikës Latine në vitet 1980. Vazhdon të shkaktojë vuajtje të pashprehur në SHBA, ku miliona pronarë shtëpie i humbën shtëpitë e tyre dhe tani po kërcënon miliona të tjerë në Poloni dhe kudo që janë marrë kredi në franga zvicerane.
Duke pasur parasysh stresin që sjell borxhi i tepërt, dikush mund të pyetsh pse individët dhe shtetet e kanë vënë veten vazhdimisht në këtë situatë. Mbi të gjitha, të tilla borxhe janë kontrata – që janë marrëveshje vullnetare – ndaj kreditorët janë po aq përgjegjës për to sa edhe debitorët. Në fakt, kreditorët ndoshta janë më përgjegjës: zakonisht, ata janë institucione financiare të sofistikuara, ndonëse huamarrësit janë zakonisht më pak të mësuar me peripecitë e tregut dhe me rreziqet e lidhura me marrëveshje të ndryshme kontraktore. Në të vërtetë, ne e dimë se bankat amerikane në fakt i kanë ngritur pritë huamarrësve të tyre, duke përfituar nga mungesa e sofistikimit financiar të tyre.
Çdo vend (i përparuar) e ka kuptuar se që të funksionojë kapitalizmi duhet t’i jepet individëve të caktuar një fillim i mbarë. Burgjet e debitorëve në shekullin e 19 ishin një dështim – çnjerëzorë dhe aspak ndihmues për të siguruar shlyerjen. Por ndihmoi për të ofruar stimuj më të mirë për huadhënie të dobishme, duke i bërë kreditorët më të përgjegjshëm për pasojat e vendimeve të tyre.
Në nivel ndërkombëtar, ne nuk kemi krijuar ende një proces të rregull për ofrimin e një fillimi të ri shteteve. Që përpara krizës së vitit 2008, Kombet e Bashkuara, me mbështetjen e pothuajse të gjithë vendeve në zhvillim, është përpjekur të krijojë një kornizë të tillë. Por SHBA-ja i ka dalë kundër me ngulm; ndoshta do të të rinstitucionalizojë burgjet e debitorëve për zyrtarët e vendeve të zhytur në borxhe, (nëse po, mund të krijohet në Gjirin e Guantanamos).
Ideja e rikthimit të burgjeve të debitorëve mund të duket e sforcuar, por shkon me fjalët aktuale mbi përgjegjësinë morale dhe llogaridhënien. Ekziston frika se nëse Greqia lejohet të rikonstruktojë borxhin e saj, do ta fusë sërish veten në telashe, ashtu si të tjerët.
Ky është një absurditet. Mendon ndokush me arsyetim të rregullt se ndonjë vend do të donte ta fuste veten me vullnet në atë që ka kaluar Greqia, vetëm për të shpëtuar prej kreditorëve? Nëse ka një përgjegjësi morale, është nga ana e huadhënësve – veçanërisht në sektorin privat – që kanë shpëtuar vazhdimisht. Nëse Europa do t’i lejojë këto borxhe të kalojnë nga sektori privat në sektorin publik – një model i mirë-krijuar gjatë gjysmës së shekullit të dytë – është Europa, dhe jo Greqia, që duhet të përballet me pasojat. Në të vërtetë, gjendja aktuale e Greqisë, përfshirë rritjen masive të përqindjes së borxhit, është kryesisht faji i programeve të gabuara që i imponoi.
Pra nuk është ristrukturimi i borxhit, por mungesa e tij ç’ka është ‘imorale’. Nuk ka asgjë të veçantë rreth dilemave me të cilat përballet Greqia sot; shumë vende kanë qenë në të njëjtin pozicion. Çfarë e bën problemin e Greqisë më të vështirë për t’u zgjidhur është struktura e eurozonës” bashkimi monetar nënkupton se shtetet anëtare nuk mund ta zhvlerësojnë rrugën për të dalë nga telashet, por mungon solidariteti i pakët evropian që duhet të shoqërojë këtë humbje të elasticitetit të politikës.
Shtatëdhjetë vjet më parë, në fund të Luftës së Dytë Botërore, Aleatët pranuan se Gjermanisë duhej t’i jepej një fillim i ri. Ata kuptuan se ngritja e Hitlerit kishte të bënte shumë me papunësinë (jo inflacionin) që erdhi si pasojë e imponimit të më shumë borxhi mbi Gjermaninë në fund të Luftës së Parë Botërore. Aleatët nuk morën parasysh marrëzinë me të cilën ishin grumbulluar borxhet dhe nuk folën rreth kostove që Gjermania kishte imponuar mbi të tjerët. Në vend të kësaj, ata jo vetëm që falën borxhet; por madje ofruan ndihmë, dhe trupat Aleate u vendosën në Gjermani për të dhënë një stimul fiskal të mëtejshëm.
Kur kompanitë falimentojnë, një shkëmbim borxh-kapital është një zgjidhje e drejtë dhe e dobishme. Një qasje analoge për Greqinë është konvertimi aktual i obligacioneve në obligacione të lidhura me PBB. Nëse Greqia ia del mirë, kreditorët e saj do të marrin më shumë nga paratë e tyre; nëse jo, ata do të marrin më pak. Të dyja palët do të kishin atëherë një shtysë të fuqishme për të ndjekur politikat pro-rritjes.
Rrallë japin zgjedhjet demokratike një mesazh aq të qartë sa në Greqi. Nëse Europa i thotë jo kërkesës së votuesve grekë për të ndryshuar kursin, do të thotë se demokracia nuk ka rëndësi, të paktën kur bëhet fjalë për ekonomi. Përse të mos çaktivizojmë demokracinë, siç bëri Toka e Re kur hyri në likuidim përpara Luftës së Dytë Botërore?
Dikush shpreson se ata që e kuptojnë ekonominë e borxhit dhe kursimit, dhe që besojnë në demokraci dhe në vlerat njerëzore, do të prevalojnë. Kjo mbetet për t’u parë.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2015. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. A Greek Morality Tale.