Stabiliteti financiar ka marrë pjesën dërrmuese të vëmendjes dhe përkushtimit të politikanëve, thotë Kemal Derviş. Tani është koha që edhe stabiliteti politik e shoqëror të marrë rëndësinë që meriton, pasi prej kësaj varet e ardhmja e Europës.
Përgjatë pesë viteve të fundit, Eurozona ka ndërmarrë, pa mbështetjen eksplicite të popullsisë, një politikë strikte të përqendruar te masat e kursimit fiskal dhe reformave strukturore – pavarësisht pasojave serioze shoqërore, jo vetëm në periferinë Mesdhetare dhe Irlandë, por edhe në vendet “thelbësore” të Bashkimit Europian si Franca. Për sa kohë udhëheqësit e eurozonës nuk rimendojnë politikat e tyre, suksesi i kohëve të fundit i partisë radikale Syriza në Greqi në zgjedhjet e përgjithshme mund të rezultojë vetëm një hap tjetër drejt të ardhmes së fragmentarizimit shoqëror dhe destabilitetit politik në Europë. Ose ajo mund të shënojë fillimin e një riorientimi realist dhe të mirë në strategjinë ekonomike të Europës.
Natyrisht, qëndrueshmëria fiskale është thelbësore për të parandaluar ndërprerjen e shërbimit të borxhit dhe për të frymëzuar besim mes investitorëve dhe konsmatorëve. Por nuk ka mohim se është shumë më e lehtë që të mbështetet politika e kursimeve fiskale kur dikush është mjaftueshëm i shëndetshëm për të mos u mbështetur te shërbimet publike apo kur ai nuk është i rrezikuar të mbetet i papunë afatgjatë. (Të pasurit mbeten gjithashtu gjerësisht nën kontrollin e medias, diskursit publik dhe flukseve ndërkufitare të kapitalit.)
Për milionat e punëtorëve – dhe veçanërisht të rinjve – pa perspektivë punësimi, qëndrueshmëria fiskale thjeshtë nuk mund të jetë prioriteti i vetëm. Kur përfitimet e papunësisë reduktohen, ata janë të vetmit që vuajnë. Dhe kur shkurtimet buxhetore zgjerohen te arsimi, janë fëmijët e tyre të cilët përballen me pamundësinë për të fituar aftësitë e nevojshme për të gjetur punësim.
Vuajtjet e shkaktuara nga masat e kursimeve janë jashtëzakonisht ekstreme në Greqi. Shkurtimet e ashpra të pensioneve po i ndalojnë të moshuarit të mbyllin jetën me dinjitet. Një barrë e rëndë është vendosur mbi ata që në të vërtetë i paguajnë taksat e tyre, ndërkohë që shumë – shpesh më të pasurit, të cilët kohë më parë i dërguan paratë jashtë vendit – vijojnë t’i shpëtojnë detyrimeve të tyre. Kujdesi shëndetësor është goditur, ku shumë pacientë me kancer kanë humbur aksesin te trajtimi i nevojshëm për t’i shpëtuar jetën. Vetëvrasjet janë në rritje.
Megjithatë kreditorët e Greqisë kanë vijuar të injorojnë këto zhvillime. Kjo është dukshëm e paqëndrueshme – një konkluzion që ish Drejtori i Fondit Monetar Ndërkombëtar për Departamentin e Europës Reza Moghadam e pranoi si të vërtetë kur së fundmi bëri thirrje për faljen e gjysmës së borxheve të Greqisë, në rast se arrihet një marrëveshje e besueshme për reforma strukturore që krijojnë rritje ekonomike.
Qëndrueshmëria shoqërore është thelbësore për suksesin ekonomik afatgjatë. Një vend nuk mund të lulëzojë nëse sistemi arsimor i tij nuk ka burimet dhe kapacitetet për të përgatitur fëmijët siç duhet për të arritur sukses në ekonominë dixhitale. Në mënyrë të ngjashme, një program reformash nuk mund të zbatohet në rast se pabarazia, varfëria dhe lodhja shoqërore fuqizon partitë politike ekstremiste, të tilla si partia me prirje fashiste Agimi i Artë në Greqi apo Fronti Nacional, partia franceze anti-Europiane dhe e ekstremit të djathtë, e cila tashmë ka 25 për qind të votave.
Kur kohët janë të vështira, emigrantët dhe minoritetet e tjera bëhen objektiva të lehtë. Siç vërejti së fundmi edhe Joseph Stiglitz, Hitleri vështirë se do të merrte pushtetin në Gjermani nëse norma e papunësisë nuk do të qe 30 për qind në atë kohë. Nuk ndihmon shumë kur disa nga ata që janë zënë në kurthin e getove përreth qyteteve të mëdha – sido që mund të jenë minoritet – joshen nga dhuna apo bien pre e rekrutuesve të terrorizmit.
Pavarësisht asaj që fitimet e korporatave apo indekset e bursave mund të tregtojnë, një vend nuk mund të arrijë sukses gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm – në terma ekonomikë apo njerëzorë – nëse këto çështje themelore shoqërore nuk trajtohen siç duhet. Natyrisht, kujdesi fiskal nuk mund të braktiset; në fund të fundit, nëse qeveritë apo sektori privat do të shpenzonin para të marra hua apo të sapoprodhuara lirshëm, rezultati do të qe thjeshtë krijimi i më shumë krizave, të cilat dëmtojnë të varfërit më shumë.
Por qëndrueshmëria shoqërore duhet të jetë pjesë integrale e programit ekonomik të një vendi, jo një mendim i mëvonë.
Tencenca e vazhdueshme për të paguar një shërbim sa për të larë gojën ndaj qëndrueshmërisë shoqërore, ndërsa zbatohen programe ekonomike të përqendruara te masat e pafundme të kursimit, është një shkak kryesor i destabilitetit politik në Europë.
Megjithëse programet e reformave që synojnë të ndërtojnë kuadro të qëndrueshme makroekonomike mbeten thelbësore, ato duhet të përfshijnë komponentë të fuqishëm kundërciklikë për të balancuar “paradoksin e kursimit” (tendencën për të kursyer më shumë gjatë një recesioni, gjë që pengon rritjen ekonomike). Kur kërkesa agregate ështyë më e paktë se sa oferta agregate, qeveritë duhet të rrisin shpenzimet publike.
Për më tepër, qeveritë që tashmë përqendrohen ngushtësisht në çështje mikroekonomike kanë nevojë t’i kushtojnë të njëjtin nivel vëmendjeje edhe angazhimit për dizenjimin dhe zbatimin e politikave shoqërore që përqendrohen në mënyrë eksplicite të sigurimin e jetës, shëndetit, arsimin dhe strehimin për segmentet më të dobëta të popullsisë. Dhe, duke përdorur teknologjitë e reja për të analizuar sasi të mëdha të dhënash, ata duhet të rrisin eficencën e programeve shoqërore ndërsa nxisin pjesëmarrjen aktive të qytetarëve të shqetësuar.
Komisioni Europian dhe FMN kanë pranuar gabimet e tyre – jo vetëm parashikimet e gabuara makroekonomike mbi të cilat bazohej programi i Geqisë, por edhe vendimin për të mos marrë parasysh qëndrueshmërinë shoqërore – dhe kanë pranuar se programi nuk ka prodhuar rezultatet e pritshme. Megjithatë, për disa arsye, kreditorët e Greqisë refuzojnë të negociojnë me qeverinë e re (e cila gëzon mbështetje të fortë brenda vendit) për të zhvilluar një program të ri që përfshin faljet e borxheve, një surplus fiskal më të ulët dhe reforma strukturore që mbështesin rritjen e promovojnë harmoninë shoqërore. Kjo nuk duhet të vijojë.
Pesë vitet e fundit kanë nënvijëzuar sfidën e arritjes së qëndrueshmërisë financiare. Por stabiliteti politik dhe shoqëror ka rezultuar edhe më eluziv. Politikëbërësit duhet të vendosin po aq përpjekje dhe burime drejt realizimit të qëndrueshmërisë shoqërore sa edhe kanë bërë për zbatimin e reformave financiare Basel III. Mirëqënia e ardhëshme e Europës – dhe roli global i saj – varen nga kjo.
Botuar me autorizim nga Project Syndicate, 2015. Ripublikimi nuk mund të bëhet pa lejen e Project Syndicate. Fiscal Austerity Versus European Society