Loja është e hapur, nuk e dimë se si do të përfundojë, por për diçka ama jemi të sigurtë. Populli, gjynahqari popull që ndjek me kërshëri këtë tragji-komedi parlamentare do ta ha si përherë lugën bosh. Megjithëse gjithçka që kryhet është në emër të tij!
Tom Doshi është një ndër ato politikanë, që shumica e shqiptarëve, nuk dëshirojnë ta shohin më në parlament. Do të mbahet mend për shumë skena, emri dhe qenia e tij në atë parlament, gjithsesi togfjalëshi i tij “do të trondisë thellë themelet e kësaj mazhorance” po funksionon pa më të voglin dyshim.
Simpatia që një pjesë e shqiptarëve po shfaqin ndaj Doshit është për të ardhur keq, logjika të shpie që duhet të ishim çuar për t’i rënë këtij personazhi që për të gjithë shqiptarët personifikon një biznesmen, i cili e ka përdorur pushtetin për t’u pasuruar edhe për të kërcënuar të tjerët. Dikush më tha që neve jemi empatik, që na vjen keq kur edhe horri ka frikë për jetën e tij e me sa duket i forti Tom ka frikë. Ai këto ditë ka folur e ka shkruar, që sipas gjuhës së gangove do të thotë që nuk ka më këllqe të veprojë, madje këtë e pohon edhe vetë kur shprehet se deputetët e PS thonin se “Toma s’flet, Toma vepron”.
Por unë gjykoj që një pjesë e jona e simpatizon Tomën, sepse duam të dimë se çfarë ka më thellë, e simpatizojmë këtë të fundit se po na nxjerr disa sekrete. Njësoj siç bëmë me Dritan Priftin. Për të thënë të vërtetën, mendoj se nuk duhet ta simpatizojmë, sepse Toma nuk është macja por një nga tigrat e këtij establishmenti horrash. Ndonëse sot, jeta e tij mund të rrezikohet, kjo nuk e zhbën atë që ai ka bërë.
Siç e përmenda në krye të herës, Toma e shkundi themelin e mazhorancës, ndonëse ish miku i ngushtë Rama e përjashtoi nga shoqëria e tij e ngushtë. Këtë gjë, duket se nuk e kishte menduar as Koço Kokëdhima, një mik me Tomën që me të e lidhin shumëçka. Ka shumë të paqarta kjo histori gangsterësh, të cilat me kalimin e kohës do të marrin përgjigje apo do të harrohen. Gjithsesi lëvizjet e kryetarëve të partive politike janë të qarta.
Duket qartë që Bashës, ambasadorët ia mbyllën derën për të qenë kryetar opozite, e për këtë nuk mund t’u vëmë faj. Duke qenë se Bashës ende i ngjiret zëri në mitingje, prandaj duhet të stërvitet. Ndërkohë që Berisha, me nuhatjen e një politikani të vjetër, ndërtoi një skemë filibastering, duke u përpjekur t’i tregonte popullit ato çka të fundit do të jenë më të predispozuar të besojnë. Receptorët e qytetarëve, që në kësi rastesh hapen më shumë, janë të gatshëm të thithin edhe të përtypin në tavolina por edhe në këmbë si junk food, gjithçka çfarë thuhet. Prandaj, Doktori i cili ka edhe letrën që ka folur për këtë tentativë vrasjeje që në krye të herës, është i gatshëm t’u falë shqiptarëve të vërtetën e tij.
Ilir Meta, i cili në popull njihet me nofkën “E Vërteta” (një transformim interesant për një burrë ky epitet), ishte më aktivi në këtë seancë parlamentare. I sigurt që të gjithë do ta votonin, ai përpiqej të bënte humor në një karrige të mbushur me kunja. Jo pa qëllim ai përmendi emrin e Shkëlzenit (pse jo të Argitës?!) si për të prekur Doktorin tek djali plëngprishës, që mirë s’u bë pasardhës por ia bëri mandatin Doktorit copë e çikë. E gjithë kjo zhurmë, me fakte për bllokun, se dha dorëheqjen “për Xenin” e deri tek “Spartak mos e nxirr videon”. Nuk qenë vetëm se një blof, që shumica e atyre që e njohin sado pak politikën e kuptuan. Me gjithë legjendat urbane që fliten në këtë vendin tonë jo-urban, është e qartë që Meta dhe Braho luajnë në intervale të përsëritshme skemën e blofit. E luajtën atë me çantën e zezë, vazhdojnë ta luajnë me video-surprizat.
I vetmi që heshti, nga sikleti, ishte Rama. Është e kuptueshme heshtja e tij, Gjergj Erebara në një shkrim të tijin thoshte se Ramës i ka ardhur një letër në dorë që nuk dihet si do e përdorë. Nuk është se e ka gabim në këtë shkrim, por unë mendoj që Ramës i ka ardhur letra që ai nuk e do në dorë. Unë jam ndër ato persona që nuk besoj se Rama e ka përjashtuar Tom Doshin nga PS-ja, aspak! Unë mendoj, që Rama e ka përjashtuar Doshin nga shoqëria e tij e ngushtë, sepse Doshi nuk është përjashtuar nga PS-ja duke qenë se ka prishur kontratën e tij me Ramën dhe jo me PS-në. Nëse ju kujtohet, Doshi u largua nga PS-ja kur ishte Nano, por erdhi prapë në PS kur në krye të saj erdhi Rama, a nuk mundet që ai të kthehet sërishmi tek kjo e fundit kur të vijë dikush tjetër?!
Gjithsesi, intervista që Rama dha pas seancës humoristike parlamentare, tregonte sikletin e një lideri të mazhorancës që ka bërë lanet shokun e tij. Një shok, i cili nesër mund të dalë dëshmitar për një çështje jo më pak të rëndësishme si ajo e 21 Janarit, dosja e së cilës është ende e hapur. E ku i dihet se çfarë di Toma për këtë datë të zezë?! Kur bëj këtë pyetje kam ndërmend atë çfarë Preç Zogaj (mik asokohe me Ramën) deklaroi në emisionin Opinion të Fevziut; pra për një sulm të organizuar të Doshit dhe njerëzve të tij ndaj Kryeministrisë. Prandaj, po t’i rikthehem edhe një herë letrës së dekriminalizimit, mendoj që Rama nuk e do këtë letër t’i vijë në dorë të paktën jo me Tomën. Mund ta donte me shumë të tjerë, por jo me Tomën!
Me sa duket, ky i fundit, po vendos disa bomba tymuese që po shkundin politikën për të nxjerrë këtë darkën e fundit që ka ngrënë!
Loja është e hapur, nuk e dimë se si do të përfundojë, por për diçka ama jemi të sigurtë. Populli, gjynahqari popull që ndjek me kërshëri këtë tragji-komedi parlamentare do ta ha si përherë lugën bosh. Megjithëse gjithçka që kryhet është në emër të tij!