Militantizmi islamik në Bosnje dhe Hercegovinë, që fshihej pas një sulmi vdekjeprurës në një stacion policie në Zvornik, u ushqye fillimisht nga luftëtarët e huaj Muxhahidë në konfliktin e viteve 1990, besojnë ekspertët.
Islami radikal është bërë një kauzë e shqetësimit në rritje në Bosnje dhe Hercegovinë në javët e fundit pasi një anëtar i lëvizjes konservative Vahabi, Nerdin Ibriç, vrau një oficer policie serb të Bosnjës në një sulm në Zvronik më 27 prill.
Policia në entitetin e dominuar prej serbëve të vendit Republika Srpska u përgjigj duke arrestuar disa boshnjakë përmes mësymjeve në 32 vende. Mes të arrestuarve pati të rikthyer boshnjakë të kohës së pasluftës në rajonin Srebrenicë, që nxiti zemëratë në liderët boshnjakë dhe myslimanët e vendit, shumica dërrmuese e të cilëve janë të moderuar.
Husein, një banorë 32-vjeçar i Sarajevës që praktikon atë që ai e quan një interpretim konservativ dhe ‘origjinal’ të Islamit, por mohon të jetë një Vahabi, tha se ai beson se të gjithë myslimanët e Bosnjës u shënjestruan për shkak të animeve radikale të disa fanatikëve.
“Nga të gjithë myslimanët, ne dëgjojmë nga ajo përqindje e vogël që është radikale, por rreth 90 për qind e tyre jetojnë qetësisht, privatisht dhe me respekt të besimit të tyre – siç duhet” tha ai.
Sulmi i Ibriç mbi stacionin e policisë Zvornik ishte shpërthimi i tretë i dhunës islamike në Bosnje dhe Hercegovinë. Ai pasoi një tjetër sulm në një stacion policie në Bugojno në 2010, në të cilin një polic u vra dhe një incident të shtënash në ndërtesën e ambasadës amerikane në Sarajevë një vit më vonë.
Në të tre sulmet, përgjegjësit ishin anëtarë të lëvizjes Vahabi.
Islamikët e vijës së ashpër erdhën fillimisht në vend në numra të konsiderueshëm gjatë luftës 1992-95, për të luftuar në anën boshnjake kundër forcave serbe dhe kroate.
Vlerësimet se sa shumë myslimanë vullnetarë erdhën për të luftuar variojnë nga disa qindra në disa mijëra, ç’ka është e sigurt është se Ushtria Boshnjake i pranoi në gjirin e saj në një veçim të quajtur El Muxhahid në gusht 1993.
Ata u bënë të njohur si ushtarë të ashpër, të patrembur edhe nga operacionet më të rrezikshme, por gjithashtu kryen disa krime serioze kundër popullsisë serbe dhe kroate.
Krimet e tyre në rajonin qendror të Bosnjës kanë qenë fokusi i dy gjyqeve në Tribunalin e Hagës, në të cilin tre oficerë të lartë të ushtrisë boshnjake u shpallën fajtor për krime lufte ngaqë nuk ia dolën të ndalojnë ose ndjekin penalisht vrasjet dhe torturat e kryera nga Muxhahedin.
Eksperti i sigurisë së Ballkanit, Aleksandër Mariç tha për BIRN se luftëtarët Muxhahidin gjithashtu sollën me vete një ‘pikëpamje të re, radikale të Islamit që gjeti vend për t’u zhvilluar në Bosnje gjatë luftës”.
“Vahabisët vazhduan të propagandojnë këtë mësim radikal islamik dhe janë shumë aktivë sot – që është arsyeja përse janë një kërcënim potencial i sigurisë së vendit dhe rajonit,” tha ai.
Eksperti boshnjak i sigurisë Vlado Azinoviç gjithashtu beson se rrënjët e militantizmit Islamik në vend dhe fakti se rreth 200 djem të rinj kanë shkuar të luftojnë për Shtetin Islamik në Irak dhe Siri janë rezultat i ideologjisë të sjellë nga luftëtarët Muxhahidë gjatë luftës 1992-95.
“Deri para luftës, ne nuk kishim lëvizje të tilla. Ata njerëz erdhën dhe qëndruan pas luftës. Disa shtetas tani po largohen të luftojnë në Siri dhe Irak dhe në fakt ne po e shohim si një formë të trashëgimisë ideologjike të lënë nga lufta, përmes veprimeve të formacionit ushtarak El Muxhahid dhe matriksit ideologjik me të cilin ai punoi,” tha Azinoviç për median vendase së fundmi.
Kush ishin Muxhahidët?
Sipas zbulimeve të Tribunalit të Hagës, Muxhahidët fillimisht mbërritën në verën e 1992 në zonat Travnik dhe Zenicë duke hyrë kryesisht përmes Kroacisë. Mbërritja e tyre kryesisht u mirëprit nga lidershipi i Ushtrisë Boshnjake, pasi ata sollën ndihma humanitare nga shtetet islamike.
Disa prej tyre megjithatë kishin synim tjetër.
Ali Hamad, një dëshmitar i gjyqit të Rasim Deliç, një ish komandant i Ushtrisë Boshnjake që u shpall fajtor për disa krime të kryera nga Muxhahidët, dëshmoi gjatë gjyqit të tij se ai erdhi nga Bahrain në 1992.
Hamad tha se Muxhahidët ishin gati të zhvillonin xhihadin ose luftën e shenjtë kundër serbëve dhe kroatëve.
“Disa prej luftëtarëve ishin anëtar të al-Kaedës dhe objektivat e tyre ishin të krijonin një bazë që do t’i lejonte ata të rrisnin terrenin e operacioneve,” tha ai për gjykatësit e Hagës.
Kryetari i një shoqate viktimash të quajtur “Familjet e të kapurve, luftëtarëve të vrarë dhe civilëve të humbur të Republika Srpska” Nedeljko Mitroviç, tha për BIRN se krimet që ata kryen kundër të burgosurve serbë në malin Ozren ishin të papërshkrueshme.
“Në fshatin Gostoviç ne kishim 51 luftëtarë dhe më shumë se dhjetë civilë të vrarë… Ndërsa në fshatin Stog ne zbuluam një varr masiv me 21 trupa dhe 17 prej tyre ishin me koka të prera. Vetëm në Ozren,” tha ai.
Luftëtarët Muxhahidë trembën edhe disa ushtarë boshnjakë, thonë dëshmitaët.
Një veteran 52-vjeçar i Ushtrisë Boshnjake, që kërkoi të mbetet anonim, i tha BIRN se gjatë luftës, pasi u lirua nga një kamp burgu serb në Prijedor, ai mbërriti në Travnik dhe iu bashkua ushtrisë.
“Më kujtohen Muxhahidët që ishin atje por ne mbaheshim larg prej tyre… Ishte e panatyrshme, ata luteshin përpara një sulmi që të vdisnin… Ata e donin vdekjen për Allahun. Ne ishim të trembur. Asnjëri prej nesh nuk e donte vdekjen dhe asnjë prej nesh nuk donte të kishte të bënte me ata fanatikë”, kujtoi ai.
Muxhahidët dhe Vahabit
Mitroviç tha se ai beson se militantizmi i kohës së luftës së Muxhahidëve jeton te Vahabit e sotëm dhe radikalët islamik.
“Muxhahidët u instaluan këtu. Nuk ishte një lëvizje e drejtë nga lidershipi boshnjak dhe ne shohim që ideologjia e tyre është gjallë sot. Këta terroristë dhe vahabi, po bëjnë të njëjtën gjë me këto sulme terroriste,” sugjeroi ai.
Pas luftës, njësia El Muxhahid u shpërbë, por shumë prej ish-luftëtarëve qëndruan pas, morën shtetësinë bazuar në certifikatat se ishin pjesë e Ushtrisë Boshnjake.
Sipas raportimeve të medias, më shumë se 741 persona të lidhur me Muxhahidët morën shtetësinë gjatë luftës. Ata formuan komunitete, zakonisht në zonat rurale, ku përhapën mësimet e Islamit.
Studiuesja amerikane Leslie Lebl, që kërkoi mbi islamizmin dhe sigurinë në Bosnje dhe Hercegovinë, beson se arsyeja e vetme për mbërritjen e Muxhahidëve gjatë luftës ishte përhapja e islamit vahabit në Europë.
“Sauditët donin të përhapnin vahabizmin dhe kjo është arsyeja pse financuan Muxhahidët dhe që vazhduan edhe pas luftës. Mund të shihni se papritur, xhamitë që po ndërtoheshin ishin të mëdha dhe nuk kishin lidhje për nga madhësia dhe stili me ato që shihen zakonisht në Bosnje; e gjitha kjo është e qëllimtë dhe e paramenduar,” tha Lebl.
Lebl beson se problemi është se disa liderë boshnjakë dhe klerikë kanë lidhje islamike dhe janë mbështetës të vahabitëve.
Por Komuniteti Islamik, organi që përfaqëson myslimanët e vendit, shpejt distancoi veten nga sulmi i fundit në Zvronik, që e përshkroi si kriminal në një deklaratë të shkruar për BIRN.
“Ky sulm brutal na detyron të punojmë për të gjetur arsyet e këtyre veprimeve, të shërojmë traumat e luftës, largojmë diskriminimin, papunësinë dhe marxhinalizimin e të rikthyerve në Republikën Srpska. Fakti që krimet e luftës u kryen në Zvornik kundër boshnjakëve dhe të rikthyerit u diskriminuan përsëri, nuk duhet të përdoret kurrë si justifikim për krime të reja,” tha Komuniteti Islamik.
Një çështje sigurie?
Eksperti i sigurisë Aleksandër Mariç pretendoi se raportet e sigurisë boshnjake sugjerojnë se ka disa kampe në vend të përdorura për trajnimin e burrave për të luftuar jashtë.
“Ka kampe në Bocinja, Mehurici pranë Travnik, Gluha Bukovica dhe në Pogorelica. Ne besojmë se ka të tjerë që janë më të vështirë të lokalizohen dhe se ata drejtohen nga qeliza të padukshme. Fakti se shumë luftëtarë nga Bosnja shkojnë jashtë për të luftuar, kërcënimet vahabi, sulmet terroriste, janë të gjithë tregues se një sistem terrorist i organizuar ekziston në Bosnje dhe Hercegovinë për shkak se operacionet e sigurisë nuk janë të koordinuara dhe të dhënat nuk ndahen brenda vendit dhe rajonit,” tha ai.
Ai tha se ishte alarmuese që lëvizja vahabi nuk kishte vëzhgimin e duhur nga shërbimet e sigurisë boshnjake.
“Ne nuk dimë as numrin e saktë të këtyre radikalëve, por në krye të lëvizjes vahabi ka individë, qeliza më të vogla terroriste që nuk janë ekspozuar dhe që rekrutojnë dhe trajnojnë vetëm operativë dhe shërbejnë si një lidhje për të çuar luftëtarë jashtë shtetit, por këto struktura mund të përdoren edhe për sulme të brendshme terroriste,” tha ai.
Ai tha se është koha që shërbime sigurie në pjesë të ndryshme të shtetit të ndarë politikisht dhe etnikisht të punojnë së bashku.
“Sistemi i sigurisë është i dobët dhe duhet të bëhet më shumë për të parandaluar dhe për tu përgjigjur shpejt. Agjencitë e sigurisë duhet të ndajnë të dhëna, të identifikojnë kriminelë të mundshëm nga grupet, të kontrollojnë seriozisht dhe veprojnë shpejt ndaj veprimeve të reja terroriste,” propozoi ai.
Sociologu boshnjak Ivan Sijakoviç nuk është dakord, duke këmbëngulur se lënia e shërbimeve të sigurisë dhe policisë për tu marrë me militantizmin islamik nuk do të funksionojë dhe se shoqëria duhet të kalojë në disa reforma domethënëse për të shmangur ngecien në ndarje fetare.
“Përgjegjësia bie mbi liderët fetarë, politikë dhe etnikë. Ata kërkojnë gjithnjë homogjenitet fetar. Njerëzit duhet të dinë se në shoqëritë ku identitetet fetare janë kaq dominante, ato janë shoqëri të me të meta sociale dhe ekonomike,” tha Sijakoviç.
Megjithatë ai tha se nuk kishte shpresa që kjo do të ndodhte në afat të shkurtër kohor.
“Nuk e shoh të ndodhë në dy dekadat e ardhshme. Ne jemi vonë, vonë, shumë vonë. Ne duhet të kishin filluar menjëherë pas luftës,” tha ai.
Eksperti i sigurisë Azinoviç tha se problemet e mëdha sociale dhe ekonomike në Bosnje-Hercegovinën bashkëkohore krijojnë vend për lindjen e militantizmit.
“Ne jemi shteti numër një në botë kur shohim të rinjtë pa punë, që është problem i madh. Të rinjtë largohen të luftojnë meqë ka pak mundësi të arrish diçka këtu,” tha ai.
Lebl tha se kërcënimi i islamit radikal po pengonte pajtimin dhe progresin në vend.
“E shoh që islami radikal e bën më të vështirë që serbët dhe kroatët të ecin drejt pajtimit. Kur sheh se çfarë po ndodh me ISIS dhe të krishterët, mendoj se është koha që të pajtohen. Mendoj se kjo është arsyeja përse në Bosnje zgjidhja është bisedimi rreth gjërave, thënia e së vërtetës rreth krimeve,” tha Lebl.
Besimtari i ri Husein nga Sarajeva tha ndërkohë se atij i vinte keq që islami lidhej me radikalizmin dhe dhunën në vend për shkak se shumica e myslimanëve boshnjakë janë të moderuar.
“Islami është një fe e paqes dhe kështu është çdo fe. Çdokush që e ka studiuar dhe ka përpjekur të mësojë më shumë se sa i thuhet në xhami të premten e di se është një fe e pastër – një fe që nuk njeh dhunë, poshtërim, fyerje, jo më vrasje pavarësisht çdo arsyeje,” tha ai.