Të dhënat tregojnë se njëzet vjet pas luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, pjesa më e madhe e të rinjve nuk duan të martohen apo shoqërohen me njerëz nga një grup i ndryshëm etnik apo fetar.
Vildana e zgjodhi partnertin e saj të jetës pa marrë në llogari se ai i përkiste një tjetër grupi etnik.
“Ai është njeri i mirë dhe i sjellshëm. Kjo është e vetmja gjë që më intereson. As prindërit e mi nuk e patën problem që unë po martohesha me Ognjenin dhe jo Osmanin,” thotë për BIRN 31 vjeçarja nga Sarajeva.
“Feja nuk është aspak e rëndësishme. Ne kemi këndvështrime të njëjta për jetën dhe vlera jetësore. Sinqerisht, jemi aq të lumtur me martesën tonë, saqë s’kemi kohë të mendojmë për këto vlera. I shënojmë të gjitha festat në mënyrë që të dalim dhe të hamë ushqim të mirë,” thotë ajo.
Por shumë të rinj në Sarajevë nuk janë dakord, sugjeon një studim i realizuar nga BIRN për këtë artikull.
Nga një total prej 100 studentësh të anketuar në katër fakultetete në Sarajevë, 45 thanë se nuk do të martoheshin apo kishin një marrëdhënie me një njeri që i përket një etnie apo feje tjetër. 42 thanë se ata do të kishin një marrëdhënie të tillë, dhjetë studente thanë ‘ndoshta’, ndërsa tre të tjerë nuk pranuan të përgjigjen.
Të pyetur se si do të reagonin prindërit e tyre nëse ata shoqërohen ose do të ishin gati të martoheshin me një njeri që i përket një feje tjetër, një nga studentët tha se mamaja dhe babai i tij do të përgjigjeshin: “Bir, ata na masakruan në luftë.”
Të tjerët thanë se prindërit e tyre do t’i mohonin ose do të thoshin gjëra si për shembull: “Çfarë na ke sjellë kështu në shtëpi?”, “Nuk do të martohesha me një njeri që i përket fesë tjetër, duke qenë se s’më pëlqejnë.”, “Secili ka vendin e tij”, ose thjesht “Ti je i çmendur!”.
Mirza Emirhafizovic, një pedagog në Fakultetin e Shkencave Politike në Sarajevë, tha se përqindja e martesave të përziera është ulur nga migrimet masive të kohës së luftës të cilat ribërë hartën etnike të vendit, duke nënkuptuar se etni të ndryshme nuk përzihen më aq shumë si më parë.
“Shpërndarja e popullsisë e shkaktuar nga lufta dhe përqindja e ulët e të rikthyerve (në zonat u larguan gjatë kohës së luftës, ku tani mbizotërojnë etni tjera) po kërcënon ta kthejë në të përhershme këtë situatë. Kjo po krijon një numër të ulët kontaktesh sociale midis grupesh të ndryshme dhe një numër të ulët martesash të përziera,” tha Emirhafizovic.
Ai tha se lufta dhe retorika nacionaliste kërcënonte seriozisht bashkëjetesën në Bosnjë dhe Hercegovinë. Martesat e përziera tani ndodhin vetëm në qytete të mëdha ku ka më shumë diversitet etnik, shtoi ai.
Dy Krishtlindje dhe dy Pashkë
Ndryshe nga gjysma e studentëve në anketën e fundit, të cilët thanë se besonin se fëmijët nga martesa të përziera kanë një jetë më të vështirë, sepse nuk pranohen në shoqërinë boshnjake, Dejan Djordjevic tha se në të vërtetë ai ka pasur një fëmijëri më të pasur për shkak të prejardhjes së tij të përzierë.
Mamaja e Djordjevicir është katolike dhe babai i tij është një serb ortodoks. “Në shtëpinë time ne festonim Krishtlindjen dhe Pashkët ortodokse ashtu edhe atë katolike, por duke qenë se mamaja ime është një kuzhiniere fantastike, çdo vit për Bajram bënim edhe bakllava,” tha ai.
Edhe gruaja e tij ka lindur nga një martesë e përzierë – një pjesë katolike dhe një pjesë myslimane – dhe ai thotë se ai ka ndërmend të ushqejë diversitetin në shtëpinë e tij edhe me vajzën e tij të sapolindur.
“Nëse një ditë ime bijë vendos të sjellë dikë nga një fe ose etni tjetër në shtëpinë tonë, ai do të jetë mëse i mirëpritue. Ne do ta respektojmë zgjedhjen e saj. Dua që ajo të ketë një jetë të gjatë dhe të lumtur dhe të gjejë një njeri të mirë,” tha ai.
Disa nga studentët në anketim thanë se ata mendonin se një martesë e përzierë ishte e papranueshme sepse fëmijët do të ishin konfuz në lidhje me cilën fe të ndjekin.
Por një banore e Sarajevës, e cila donte t’i referoheshim vetëm me inicialet e saj, J.L., tha se edhe pse ajo kishte lindur nga një nënë myslimane dhe një baba serb ortodoks, ajo s’e kishte pasur kurrë këtë problem.
“Nuk ka qenë aspak e vështirë të rritesh në një shtëpi me dy fe, sepse prindërit e mi nuk e prantikonin fenë, por unë e dija se çfarë feje kishte secili prej tyre. Festat dhe zakonet nga ana e mamasë time ishin më të përhapura,” tha ajo.
J.L. thotë se që në moshë të vogël ajo ndjeu tërheqjen drejt fesë myslimane dhe se është martuar me një mysliman.
“Babai im e pranoi këtë pa problem dhe nuk kam pasur kurrë ndonjë problem me praktikimin e besimit dhe zakoneve të mia. Madje, ai më ndihmon kur kam nevojë,” tha ajo, duke shtuar se fëmijët duhet të lejohen të bëjnë zgjedhjet e tyre.
Kujtimet formësojnë të ardhmen
Ekspertët mendojnë se anketa e realizuar me studentët theksoi se si morali i ngurtë dhe konservator, si edhe mosbesimi ndaj grupeve të tjera etnike ka fuqinë për të formësuar jetën e përditshme në Bosnje dhe Hercegovinë.
Profesori i Universitetit të Sarajevës Nerzuk Curak tha se anketa nuk ofronte shumë shpresë për rritjen e përqindjes së marrëdhënieve të përziera në vend.
“Mund të mbështeteni në argumente nga njerëz që kanë ende kujtime të forta nga lufta dhe kjo është arsyeja kryesore për mosbesimin kundrejt martesave të përziera,” tha Curak.
Ai tha se vetëm pajtimi mund të ndryshojë mënyrën se si të rinjtë në vend zgjedhin partnerët e tyre.
“Nëse mund të kapërcejmë besimin mitologjik se fajin për gjithçka e ka ana tjetër, atëherë ka shpresë se studentët në të ardhme do të japin përgjigje të tjera,” përfundoi ai.
Ekspertët shprehen se është e çuditshme që këta të rinj – pothuajse të rritur me të drejtat e tyre – marrin vendime të tilla në jetë të ndikuara nga paragjykimet e shoqërisë dhe prindërve të tyre. Kjo vërteton forcën dhe triumfin në ideologjinë e ashpër dhe konservatore në Bosnje.
Sociologët shpresojnë se duke kapërcyer besimin mitologjik se “ana tjetër” e ka fajin për të gjitha krimet dhe shkeljet, ka shpresë se grupet e studentëve në të ardhme mund të kenë përgjigje të ndryshme.