Dhuna e fundit në Maqedoni është një rikujtesë se rajoni i Ballkanit mbetet një miks i paqëndrueshëm nacionalizmi dhe zhgënjimi ekonomik, i ushqyer nga zhgënjimi mbi progresin drejt anëtarësimit për në BE. Por BE-ja vijon të jetë e vetmja alternativë për një të ardhme të keqe por jo aq të keqe sa e shkuara.
“Dikush duhet të Europianizojë Ballkanin, në mënyrë që të shmangë Ballkanizimin e Europës”. I shkrova këto fjalë me politologun francez Jacques Rupnik më 1991, kur lufta sapo po shpërthente mes shteteve trashëgimtare të Jugosllavisë. Luftimet vijuan deri në fund të dekadës, duke shkaktuar mijëra jetë njerëzore dhe kërkoi dy herë ndërhyrjen e NATO-s (në Bosnjë më 1995 dhe në Serbi më 1999).
Gati çerek shekulli më vonë, Ballkani vijon të përbëjë kërcënim për paqen në Europë, njësoj siç qe në prag të Luftës së Parë Botërore dhe në fund të Luftës së Ftohtë, kur shpërthimi i Jufosllavisë solli jo vetëm luftën e parë në Europë që nga viti 1945, por edhe rikthimin e vrasjeve deri në gjenocid.
Luftimet e fundit në Maqedoni, të cilat lanë të vrarë tetë oficerë policie dhe 14 militantë shqiptarë, rrit gjasat për rikthim te dhuna. Është e vështirë të dish nëse gjakderdhja përfaqëson qelbjen e një plage të vjetër të pashëruar apo është diçka e re, një reagim ndaj një qeverie me maxhorancë sllave që duhet se ka përqafuar shovinizmin etnik.
Ajo që është e qartë është që rajoni mbetet shpërthyes dhe një realitet konfuz, i aftë për të kërcënuar stabilitetin e Europës, i cili sakaq është shumë i rrezikuar nga aventurizmi rus në Ukrainë. Rajoni është një përzjerje e rrezikshme nacionalizmi në rritje, zhgënjimi të thellë ekonomik dhe lodhje me progresin drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Potenciali për kaos na detyron ne të vlerësojmë edhe një herë se si është mënyra më e mirë për të menaxhuar këtë fuçi baruti.
Kur unë isha në Beograd së fundmi, loja e luftës në Maqedoni qe tema e diskutimit në qytet. Disa nga bashkëbiseduesit e mi serbë u ankuan për verbërinë e Perëndimit. Në veçanti, ata kritikuan BE-në, NATO-n dhe Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, OSBE për shkak se këto organizma i përshkruan ngjarjet e dhunës si “incidente të izoluara.” Nga perspektiva e serbëve, sulmet nga nacionalistët shqiptarë qenë me gjasë më shumë nisja e një përpjekjeje për të zgjeruar territorin e tyre në dëm të fqinjëve të vet kristianë, duke filluar nga më i dobëti.
Janë pikërisht këto këndvështrime, të cilat, të shoqëruara me dhunë, rrezikojnë të përforcojnë mëdyshjet brenda BE-së mbi perspektivën e zgjerimit të mëtejshëm. Precedenti i Greqisë, i cili vështirë se mund të konsiderohet si shembull pozitiv i anëtarësimit në Europë, duket veçanërisht domethënës kur flitet për fqinjët veriorë të Greqisë, të cilët janë njësoj të infektuar me norma të larta korrupsioni dhe papunësie. Dhe disa nga BE janë të tërhequr nga afrimësia e dukshme mes besimtarëve të Kishës Orthodokse dhe simpatitë e tyre për Vladimir Putinin e Rusisë, apo nga popullsia e madhe muslimane e rajonit.
Këto përqasje Europiane reflektojnë pjesërisht dështimin e udhëheqësve të kontinentit për të kapitalizuar disa raste spektakolare suksesi të zgjerimit, si përshembull rasti i Polonisë. Në vend të këaj, ekzigjencat politike të brendshme kanë shtyrë shumë udhëheqës europianë të theksojnë vështirësitë dhe dështimet e zgjerimit.
Me erë të tillë të ftohtë që fryen nga Perëndimi, nuk ka pse të habitesh që Eurofilia ka filluar të humbasë terren në vende të tilla si Beogradi duke u zëvendësuar me nostalgji për periudhën e Jugosllavisë. “Në atë kohë ne ishim të respektuar,” më tha një diplomat serb në pension. “Ne ishim një nga vendet e mëdha të Lëvizjes së Asnjanjësisë.”
Ndjesi të tilla rastisen edhe në Bosnjë e madje edhe në Kroaci, vend që u anëtarësua në BE më 2013.
Gjatë epokës komuniste, Jugosllavia qe një kontrast i madh në krahasim me bllokun Sovjetik. Ekonomikisht dhe nga pikëpamja shoqërore, nënshtetasit e saj qenë shumë më mirë se sa ata të Europës Qendrore. Sot, mirëqënia është zhdukur. Polonia po lulëzon ndërsa shtetet trashëgimtare të Jugosllavisë (me përjashtim të Sllovenicë) po vuajnë, viktima të plagëve të pashëruar të të shkuarës së largët dhe të afërt – përfshië atavizmin cinik të presidentit të Jugosllavisë dhe Serbisë Slobodan Milošević në kapjen dhe ruajtjen e pushtetit.
Ky është kulmi në shumë vite, koha kur BE-ja dukej kaq e largët, kaq e ftohtë. Vendimi i Presidentit të Komisionit Europian Jean-Claude Juncker për të shkrirë postin e Komisionerit të Zgjerimit është parë si vendim shumë domethënës, duke lënë shumë njerëz në kërkim të një modeli alternativ. Ripushtimi i Krimesë nga Rusia përbën një pikë të gjallë diskutimi për serbët ultranacionalistë që ankohen se kanë humbur Kosovën e populluar në shumicë nga shqiptarët. Ndërkohë, zyra e Gasprom në qendër të Beogradit ofron një provë të qartë dhe të dukshme të pranisë energjetike të Rusisë në këtë vend.
E vërteta, natyrisht, është se nuk ekziston një “model rus” për Ballkanin përveç përdorimit të dhunës. Lidhjet gjithnjë e më të ngusta me Europën mbeten mënyra më e mirë për të ecur përpara për banorët e rajonit si dhe për vetë BE-në. Në një kohë krize ekonomike të rëndë, idealet europiane mbeten, pavarësisht të gjithave, antidota e vetme eficente ndaj gripit nacionalist. Për Ballkanin, ashtu si edhe për pjesën tjetër të Europës, BE-ja është e vetmja alternativë për një të ardhme ndoshta të keqe, por jo aq të keqe sa e shkuara.
Botuar me autorizim nga Project Syndicate, 2015. Ripublikimi nuk mund të bëhet pa lejen e Project Syndicate. The Return of the Balkan Question