Në një kohë që qytetet tona rriten më shpejt, më shumë, më gjerë, e sigurisht me kulla më të larta, ne shqiptarët, rrëgjohemi gjithnjë e më shumë. Me rritjen “madhështore” të qyteteve tona, vallë a janë rritur edhe shanset zhvillimore të komunitetit? Ndërkohë që ngrehinat dhjetëra katëshe me beton e qelq po lulëzojnë, aq sa të bëjnë të mendosh se Tirana po ecën me ritmin e Londrës Lindore apo Guangzhout, me njerëzit ç’po ngjet vallë? Tkurrshëm ata po gdhihen gjithnjë e më tepër “shkurtabiqë”!
Ne të Institutit të Diplomacisë Publike dhe Komunikimit Strategjik jemi rrekur muajt e fundit që përmes shkrimeve analitike të nxisim një debat për nevojën urgjente që ka Shqipëria për të ndërtuar një imazh të qendrueshëm (këtej e tutje brand/branding). Duke pasur parasysh që rritja e qytetit është kusht i zhvillimit urban është e domosdoshme që në prag të zgjedhjeve të pushtetit vendor të ndalemi në zhvillimin e brand-it të qyteteve. Meqenëse nuk e ndalim dot rritjen/zgjerimin e qyteteve, jemi të “dënuar” të ideojmë sesi ta përshtasim dhe ta shndërrojmë këtë rritje që të jetë sa më frytdhënëse për komunitetin.
Thyerja e këtyre “xhunglave” arkitektonike dhe shndërrimi në diçka që mund të ndërlidhet me qytetarët nuk mund të realizohet me një të rënë të lapsit. Në Tiranë, por edhe qytete të tjera, ka një kërkesë në rritje për një përdorim më të skajshëm të territorit (quajeni një erë të re të tribalizmit nëse doni) dhe për të fituar këtë sfidë jetike për të ardhmen e qyteteve tona, administratorëve (kryebashkiakëve që do të zgjidhen) u takon që të punojnë fort për të krijuar rajone, territore, vende, lagje, blloqe pallatesh me karakteristika të ndryshme dhe më të dallueshme.
Rritja e qyteteve tona, deri sot lënë në dorë të të ashtuquajturit “progresion organik”, pra të vetë nevojës qytetare, është kaotike dhe nuk i përgigjet asfare realitetit. Është e nevojshme një qasje më e fortë në interes të komunitetit me brand-in e qytetit bash mu në zemër të kësaj nisme.
Përse duhet brand-i i qytetit?
Përgjigjia është e thjeshtë: qytete të lëna në harresë qyshse nga rënia e regjimit totalitar; të tjerë të shkrumbuar gjatë viteve të brishta të tranzicionit; qytete të mbytur nga “fryma zhvillimore” e industrisë së ndërtimit ku ka shesh bëj përshesh (lexo pallat) kanë nevojë të ndjekin udhën e zhvillimit për t’u përngjasuar së paku qyteteve në Ballkan. Imazhi është parakusht për të thithur investime dhe turistë, si dhe për të përftuar të ardhura që përkthehen në zhvillim për komunitetin. Qytete që kanë kaluar gjëma të mëdha dhe qytetarët skamnorë kanë nevojë për një komandë “reset” për të parë përpara për një të ardhme më të mirë.
Dekadat e fundit, city branding po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje, në një kohë që qytetet, qytezat dhe destinacionet garojnë ethshëm në tregjet rajonale dhe më gjerë. Është jetike mbështetja e bizneseve, familjeve, dhe turistëve si një forcë shtytëse për të mbajtur qytet të gjallë dhe të qëndrueshëm.
Për të ndërtuar brand-in, lipset që administratori i parë i qytetit të gërmojë dhe zbulojë histori qytetase, kulturën, folklorin dhe karakteristikat fizike të qytetit duke dëgjuar dhe përfshirë qytetarë dhe grupe interesi.
Një brand i plotë ndryshon perceptimet për qytetin duke zbuluar se çfarë ka atjepari që sytë e pluhurosur s’e shquajnë dot; nxjerr në pah më të mirën e një komuniteti dhe fuqizon qytetarët të bëjnë edhe më mirë.
“I huaj në qytetin tim”! Një thirrje për city branding
Shkalla e rritjes dhe zhvillimit në qytete, veçanërisht ato të mëdha, rrezikon tëhuajësimin e vendit të jetesës dhe punës. Bash për këtë arsye brand-i i vendit mund të ndihmojë qytetet dhe rrethinat e tyre për t’ i bërë më të jetueshëm duke u dhënë një identitet unik. Dhe, brand-i i qytetit nuk është thjesht një mjet marketingu, por një kërkesë njerëzore për të krijuar entitete të shkallëzuara për t’iu qasur si duhet problematikave ekonomike e sociale. Përndryshe do të na mjaftonin “google maps” dhe kanionet e Skraparit.
Humanizimi i qyteteve përmes brand-it të tyre mund të jetë sfidë kyçe për shoqërinë tonë.
Por pyetja që ngrihet është nëse janë gati administratorët të qyteteve tona për ta bërë këtë?
Një vend që na rrëfen më së miri sesi një brand mund të funksionojë i fokusuar së brendshmi, duke i dhënë një distrikti të margjinalizuar një identitet të ri që inkurajon krenarinë lokale është lagjia El Raval në Barcelonë. Rasti në fjalë na mëson se brand-i i vendit nuk sillet thjesht rreth perceptimeve (e aq më pak rreth guidave turistike siç kemi dëgjuar dikë së fundmi). Është shumë më tepër sesa kaq. Brand-i i qytetit prek ndjenjat, emocionet e njerëzve dhe të njohurit e tyre. A ka përpjekje më të fisme se kjo? Po sa El Ravalë ka Tirana e qytetet e tjera të Shqipërisë? Apo mos duhet të pyesim sa El Ravalë nuk ka?!
Me rritjen e qyteteve tona, rreziku, që duket se i intereson pak kujt, është se do të rritet një brezni e tëhuajizuar me qytetin si pasojë e mjediseve të tyre të jetesës apo punës. Dëm më të madh nuk mund t’i bëhet këtij vendi. Ndaj lind nevoja që duke hedhur pas krahëve atë që nuk është bërë fare, apo është bërë keq, të nxisim brand-in e qyteteve, për të krijuar hapësira ku qytetarët të mos ndjehen të huaj, porse ta ndiejnë fort përkatësinë e tyre, ta pasurojnë atë dhe të marrin në dorë frenat për zhvillimin e komunitetit.
Ndaj një administrator i qytetit, siç synojnë të jenë të zgjedhurit e 21 qershorit, duhet të dëgjojë së paku po aq mirë sa ç’flet. Dhe mbi të gjitha duhet të jëtë i aftë të shndërrojë reagimin qytetar në aksion.
Segmentizim i menaxhueshëm
Kryebashkiakët tanë nuk kanë pasur dhe as kanë nevojë të rishpikin rrotën. Brand-i i vendit nuk është diçka e re. Down Town-i, West End-i, High Street-i, Soho, NoMa janë shembuj sesi shoqëria e shkallëzon qytetin duke e bërë atë më të menaxhueshëm e më mirë të jetueshëm për komunitetin e tij.
Kryeqendra e Skandinavisë, Stokholmi (~900 mijë banorë), është shembull i përkryer përshtatjes së strategjisë së duhur për të krijuar identitete, fituar qindra mijëra turistë dhe ngjallur krenarinë vendore. Jo rastësisht, kryeqyteti i Suedisë është ndër vendet më të pëlqyera në botë për të jetuar.
Nga ana tjetër, Barcelona (1.6 milionë), një pjesë të forcës së imazhit të saj e ka bazuar mbi distriktet e larmishme me identitete qartësisht të dallueshme: nga hijeshia e vjetër e El Gotico-s te flladi bohemian i Gracia-s.
Ky shkallëzim, i bërë në mënyrën e duhur dhe i shoqëruar më një përpjekje për të ndërtuar brand-in, duke filluar me stolat e veçantë, llampadarët ndryshe dhe sinjalistikën e plotë, i jep qytetit hir e zhvillim.
Në lagjen më famëkeqe të Stokholmit, Rinkeby (~20 mijë banorë), po bëhen përpjekje maksimale (deri tani të suksesshme) për të krijuar një identitet që të nxisë krenarinë lokale për emigrantët që popullojnë këtë zonë. Pa dashur të përsëritemi, e njëjta gjë mund të thuhet për El Raval-in (50 mijë banorë), lagjen nam-keqe të Barcelonës. Në lagjen ku deri dje nuk shkelte dot këmbë turisti Këshilli i Qytetit nxiti një fushatë për të sfiduar perceptimet negative, kriminalitetin e lartë apo margjinalizmin social. Fushata përfshinte futjen në fjalor të fjalës spanjolle Ravalejar që përcakton më së miri joshjen e thukët të zonës. Ashtu si El Raval, edhe në anët tona, nuk është nevoja të rishpikim karakteristika të qyteteve apo zonave, porse të pasurojmë ato ekzistuese.
Mungues në “garën e imazhit”
Muaj më parë, gjatë intervistave për dizertacionin e doktoraturës, pata rastin të bisedoj me të ngarkuarin me punë të një vendi mik në Tiranë. Kur e pyeta se cili ishte qyteti ose qytetet që ata i konsideronin rivalë, ai m’u gjegj: “asnjë në veçanti, të gjithë janë rivalët tanë”.
Duam apo s’duam ne, qytetet garojnë me njëri-tjetrin për nga ana zhvillimore, tërheqja e turistëve, infrastruktura etj, etj,. Kjo garë nuk është thjesht se kë rival do të lesh pas, përkundrazi, është sfidë për thithjen e investimeve, shtimin e të ardhurave dhe rritjen e mirëqenies së komunitetit.
Asnjë administrator qyteti nuk mund t’ia lejojë vetes të mos marrë pjesë në këtë garë me justifikimin se “janë të zënë me projekte për të zhvilluar qytetin”. Një qytet që nuk merr pjesë në “garën e imazhit” krijon një identitet të cunguar dhe dalëngadalë zvenitet për t’u bërë i parëndësishëm.