
BE-ja është në një pozicion të vështirë, fuqia e saj për pazarllëqe është e kufizuar në Maqedoni dhe bashkëbiseduesi i saj, Nikola Gruevski ka shumë për të humbur: për të, humbja e kontrollit të qeverisë ka gjasa ta çojë në burg.
Sapo publikova një koment për ELN me Anastan Vangelin mbi krizën në Maqedoni në të cilën po argumentonim se qeveria Gruevski ka humbur legjitimitetin e saj dhe se çdo zgjidhje duhet të përfshijë dorëheqjen e Gruevskit. Ndërhyrja e BE në krizë mbart rrezikun e ushtrimit të më pak presioni mbi Gruevskin sesa opozita dhe shpërfillje të lëvizjeve protestuese për hir të rezultateve. Më poshtë është versioni i plotë i komenteve, jam i nderuar që kam shkruar me Anastasin, i cili nuk është vetëm një ish-student i imi në CEU dhe që shkroi rreth Shkupit 2014 kur pak e bënë, por ai është gjithashtu një aktivist me lëvizjet sociale që protestojnë në Maqedoni kundër qeverisë.
Maqedonia po kalon një krizë të qëndrueshme legjitimiteti që u thellua edhe më shumë nga zbulimet e një skandali përgjimi masiv dhe prej protestave anti-qeveritare. Ndërsa komuniteti i studiuesve ka dyshime rreth veprave dhe punës së kryeministrit Nikola Gruevski për disa vite tashmë, bollëku i provave audio (që janë konfirmuar si origjinale) na vë në një pozicion edhe më të vendosur për vlerësimin tonë. Kurrë në historinë bashkëkohore nuk kanë pasur kërkuesit kaq shumë material primar në dispozicion, që përmban disa biseda konfidenciale mes pak individëve në drejtim të një shtetit, në lidhje me disa nga çështjet më të ndjeshme politike.
Përmbajtja e përgjimeve zbulon një sistem të plotë, të thellë dhe të sofistikuar korrupsioni dhe sundimi autoritar, ndërsa bisedat janë të mbushura me blasfemi, fjalë urrejtjeje, përgojim dhe sharje etnike që janë të papranueshme për komunikimin e përditshëm.
Teksa negociatat rreth zgjidhjeve të mundshme të krizës po zhvillohen pas dyerve të mbyllura në Shkup, Straburg dhe Bruksel , është shumë e rëndësishme që ndërmjetësit e BE dhe komuniteti më i gjerë ndërkombëtar të kuptojë se qeveria aktuale maqedonase e ka humbur legjitimitetin në shtëpi, nuk është e besueshme dhe shfaq një kërcënim jo vetëm kombëtar por edhe për stabilitetin në rajon.
Teksa negociatat mes liderëve të katër partive të mëdha vazhdojnë, komuniteti ndërkombëtar dhe në veçanti ndërmjetësit e BE-së duhet të llogarisin katër pikat e mëposhtme:
1) Legjitimimi i Gruevskit do të thotë mbështetje e jo-demokracisë në një shtet kandidat për BE dhe kudo tjetër.
Pas zbulimit të përgjimeve VMRO-DPMNE të udhëhequr nga Gruevski i mungon legjitimiteti zgjedhor. Gruevski ka fituar tre cikle të njëpasnjëshme zgjedhjesh të parakohshme përmes abuzimit të burimeve shtetërore, kontrollit të medias, kërcënimit dhe intimidimit të kundërshtarëve politikë dhe me praktika të ndryshme të votës popullore si ‘importimi’ i votuesve pro-qeveritarë nga zonat e varfra në shtetet fqinje.
Akuza dhe vërejtje të tilla u bënë nga OSBE/ODIHR në raportin pas procesit elektoral në 2014, dhe që janë vërtetuar tanimë me prova materiale që ia kalojnë edhe fantazive tona më të errëta. Në një përgjim, ju mund të dëgjoni ish-ministrin e transportit Mile Janakieski, që urdhëron një drejtor jetimoreje të çojë disa jetimë të rritur të votojnë për VMRO-DPMNE. Në një tjetër përgjim, ish-ministrja e çështjeve të brendshme, Gordana Jankuloska dëgjohet teksa qesh kur mburret se ka transformuar selitë e policisë në seli partie nga e cila drejtohen të gjitha operacionet elektorale.
Duke lejuar Gruevskin të mbajë pushtetin, BE-ja jo vetëm që legjitimon një model politik jo-demokratik, por gjithashtu rrezikon të vendosë një precedent gjetkë. Sundimi i Gruevskit tanimë shërben si frymëzim për liderët e tjerë në rajon. Nëse qeveria e Gruevskit ia hedh paq me miratimin e BE-së, dyert do të hapen edhe për ata që do e imitojnë.
2) Legjitimimi i Gruevskit do të thotë mbështetje e një shteti të kapur, një ekonomie politike jofunksionale dhe njohje e performancës ekonomike bazuar në të dhëna jo të besueshme.
Sipas shifrave zyrtare, Maqedonia regjistron një rritje të vogël ekonomike, por kjo rritje është më së shumti rezultat i statistikave të dyshimta, krijuar në zona ekonomike speciale ku investitorët janë subvencionuar nga qeveria dhe ku përfitimi mbetet në duart e një elite të vogël, ndërsa Maqedonia është mes shteteve më të varfra dhe më të pabarabarta në Europë.
Përgjimet zbulojnë shkelje të ligjit në hartimin e marrëveshjeve të biznesit, sajime arbitrare të prokurimeve publike, diskutim të planeve personale të punës dhe ambicieve, si dhe shembuj të qeveritarëve që organizojnë shkatërrim ose marrje të shtëpive që i përkasin kundërshtarëve politikë. Kjo pjesërisht shpjegon përse pabarazia e të ardhurave në Maqedoni është rritur veçanërisht pas 2006 kur Gruevski erdhi në pushtet, shoqëruar nga shfaqja e një elite të re super të pasur të lidhur me të, me familjen e tij dhe përmes kolonizimit të ekonomisë maqedonase me anë të kompanive të ngritura në parajsa fiskale.
Duke pasur parasysh qendërsinë e sundimit të ligjit dhe qeverisjen ekonomike në qasjen e BE-së drejt Ballkanit perëndimor, ajo duhet të ndalojë së trajtuari Gruevskin si reformues dhe ta trajtojë atë si shumë maqedonas të tjerë – një lider mashtrues dhe autoritar. Ndërsa Maqedonia nuk është një tjetër Greqi në përbërje dhe rënia ekonomike e saj nuk do të ketë një efekt të gjerë, është e rëndësishme të veprojmë në kohë për të shmangur një krizë të mundshme humanitare. Që Maqedonia nuk është larg nga ky skenar, këtë e tregojnë të dhënat rreth një vale emigracioni ekonomik, ndërsa numri i atyre që kërkojnë azil në BE po rritet çdo ditë. Nëse Gruevski qëndron në pushtet, këto numra do të dyfishohen pa dyshim.
3) Legjitimimi i Gruevskit do të thotë mbështetje e një burimi destabiliteti në rajon dhe më tej.
Gjatë sundimit të tij, Gruevski ka përfituar nga tensionet e mëparshme në vend dhe rajon, që ka ndikuar jo vetëm në stabilitetin kombëtar por edhe atë rajonal. Kalimi në sundimin autoritar nga Gruevski ka shërbyer si një justifikim prej presionit të Greqisë mbi çështjen e emrit, që ai vetë e rihapi dhe e përkeqësoi. Megjithëse në disa përgjime, Gruevski dhe bashkëpunëtorët e tij duken gati për të rënë në ujdi për emrin, në debatin e brendshëm ai është përpjekur ta portretizojë veten si një shpëtimtar të emrit dhe identitetit kombëtar.
Nacionalizmi kokëfortë i Gruevskit ka shtuar ndonjëherë tensionet me shtetet fqinje si Bullgaria. Elitat greke dhe bullgare te Gruevski kanë gjetur justifikimin perfekt për të vazhduar fushatat e tyre nacionaliste dhe populiste që kanë mundësinë për të shpërqendruar publikun nga problemet e veta. Ky proces si një i tërë, ka sjellë probleme mbi simbolet kombëtare, historinë dhe identitetin në ekuacionin e zgjerimit të BE-së dhe marrëdhënieve të jashtme.
Qeveria e Gruevskit ka qenë po aq e papërgjegjshme rreth çështjeve të politikës së brendshme. Duke pasur një partner koalicioni shqiptar thuajse pasiv – Bashkimi Demokratik për Integrim drejtuar nga Ali Ahmeti – Gruevski ka shpikur një politikë të nxitjes së tensioneve etnike që u përdor si justifikim për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme në 2011 dhe 2014 pas të cilave koalicioni ka dalë i forcuar.
Në krizën e fundit Gruevski u përpoq për dështoi në luajtjen e kartës greke ose shqiptare, ndaj ai iu kthye një narrative nacionaliste rreth konspiracionit global për shkatërrimin e shtetit maqedonas.
4) Legjitimimi i Gruevskit do të thotëe të zhgënjesh lëvizjen civile – si rrymat në kampin opozitar dhe jashtë tij – që janë të bashkuara në kërkimin e dorëheqjes së tij të menjëhershme.
Gjatë disa viteve, kultura politike e Maqedonisë ka përjetuar një ndryshim të thellë. Ndërsa besimin në partinë qeverisëse dhe në institucionet e sistemit ka rënë, partia opozitare nuk ia doli të fitojë mbështetje domethënëse. Fillimisht, kjo u shpreh përmes pasivitetit të gjerë dhe dorëheqjes. Megjithatë, në vitet e fundit, një numër në rritje shtetasish kanë filluar të përfshihen, duke marrë pjesë në protesta, iniciativa civile dhe lëvizje sociale. Piku i organizimit ndodhi në fund të 2014 dhe fillim të 2015 kur një lëvizje studentore frymëzoi të tjerët të eksozojnë Gruevskin. Një lëvizje më e gjerë civile ndodhi më 5 maj, kur mijëra shtetas u mblodhën përpara qeverisë duke kërkuar dorëheqjen e saj. Të përballur me përdorimin e forcës, ata filluan protestat e përditshme dhe marshimet që u përhapën kudo në vend dhe në diasporë.
Pjesë të organizatave dhe iniciativave të shoqërisë civile që kanë qenë në rrugë për muaj, kanë bashkuar forcat me SDSM në opozitë në koalicionin “Qytetarët për Maqedoninë” dhe kanë krijuar një kamp përpara selisë qeveritare. Lëvizje të tjera, fillimisht të përbëra nga aktivistë organizatash, majtistë dhe shtetas të vetë-organizuar, kanë mbetur jashtë kampit të opozitës, duke ndërmarrë veprime guerile, marshe protestash dhe duke mbetur një zë i fortë jo-partizan anti-Gruevsi, që e evidentojnë veten si #UnëProtestoj. Megjithtëse ka një dallim mes dy forcave, ato veprojnë si aktorë plotësues nën konsensusin se Gruevski duhet të largohet.
Këto lëvizje nuk janë një spektakël i parëndësishëm, por ato i japin energji shtetasve dhe kanë kryer rolin e opozitës. Lëvizjet civile gjithashtu mbeten aktorët kryesorë në debatin për të ardhmen e vendit dhe mbeten lidhja më e fortë mes njerëzve në sfera të ndryshme civile, aktorët politikë dhe komunitetin ndërkombëtar. Diplomatët deri më tani i kanë shpërfillur ato, por e vërteta është se procesi që ndodh në rrugët e Maqedonisë simbolizon politikën e re që është mbi ndasitë etnike, që mbështetet në metoda direkte demokratike dhe është pjesëmarrës dhe pluralist në natyrë.
Lëvizjet kanë ngadalësuar ritmin e tyre që nga hapja e negocimeve, ndonëse ato refuzojnë të mbeten në cep. Duke vepruar kështu, ato i kanë dhënë formë një zgjidhje nga lart poshtë të krizës, në të cilën, megjithatë rreziku i mbetet atyre. Nëse Gruevski mbetet në pushtet, qeveria do të vazhdojë politika represive ndaj lëvizjeve. Për më tepër, nëse Gruevski legjitimohet nga BE-ja, ka rrezik që shumica e inatit të atij që është një grup njerëzish mendjehapur të përfundojë në të zhgënjyer prej politikave evropiane. Kështu, ndërmjetësit e BE duhet të kuptojnë se këto lëvzije sociale janë aleatët e tyre, mbëshetësit e një vendi të hapur dhe tolerant që do t’i bashkohet BE dhe të bëhet më demokratik. Shpërfillja e tyre do të thotë të humbësh një shtyllë thelbësore për ndryshimin në vend.
Në përfundim, ne nënvijëzojmë se qeveria maqedonase nuk ka më legjitimitetin dhe duhet të dorëhiqet si hap i parë i rehabilitimit të institucioneve dhe sistemit ekonomik të shkatërruar të vendit. Regjistrimet kanë hequr çdo dyshim në lidhje me raportet për korrupsionin mbizotërues, megjithatë nuk janë marrë hapa për llogaridhënie.
BE-ja është në një pozicion të vështirë, fuqia e saj për pazarllëqe është e kufizuar në Maqedoni dhe bashkëbiseduesi i saj, Nikola Gruevski ka shumë për të humbur: për të, humbja e kontrollit të qeverisë ka gjasa ta çojë në burg. Megjithatë është më mirë që BE-ja të braktisë bisedimet aktuale sesa ta detyrojë opozitën në një marrëveshje të neveritshme thjesht për të deklaruar sukses. Suksesi i ndërmjetësimit do të errësohej nga rreziqet afatgjata të mbajtjes në pushtet të një lideri autoritar, si për Maqedoninë edhe për rajonet ku shumë që shohin nga afër do të dalin në përfundime që përputhen me rrethanat.
Ky blog u publikua edhe në blogun e Florian Bieber.