Ndërsa koalicioni i majtë fitoi gati 64 për qind të votës popullore në zgjedhjet e 21 qershorit 2015, kandidatët e saj fituan vetëm 53 për qind të votave, ose 11 për qind më pak se sa koalicioni.
Kandidatët e së majtës në rang kombëtar treguan dobësi të shumta përballë kandidatëve të së djathtës nga jugu në veri të vendit me përjashtime të vogla, duke sugjeruar se një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve vendosi të votojë kandidatët e njërës palë, pavarësisht se ia dha votën për këshilltarë palës tjetër.
Të dhënat e KQZ tregojnë se në total, koalicioni i majtë fitoi 840 mijë vota në garat për kryetarë dhe mbi 980 mijë vota për këshilltarë me një diferencë prej së paku 140 mijë votash. Të dhënat mbi votimin proporcional nuk janë përfundimtare
Situata duket se ka qenë pak e ndryshme nga zona në zonë.
Kandidatët e së majtës kanë fituar në dhjetë nga 12 qarqet e Shqipërisë ku rezultati më i thellë dallohet në Qarkun e Elbasanit ndërsa humbja më e thellë në qarqet Lezhë dhe Kukës, që të dyja, qarqe ku konkurruan dhe humbën për të majtën kandidatët e LSI. Gara për kandidatët qe e ngushtë në qarkun Dibër.
Sa i përket garës për proporcionalin, koalicioni i djathtë ka humbur me 31 pikë në rang kombëtar, ku Shkodra është i vetmi qark ku rezultati ka dalë barazim. Humbja më e thellë është shënuar në Elbasan, Berat dhe Gjirokastër.
Kandidatët e dobët të së majtës
Kandidatët e së majtës dolën shumë më dobët se sa koalicionet që përfaqësonin në të gjithë Shqipërinë me përjashtim të Qarkut Shkodër. Diferenca më e thellë mes kandidatëve të së majtës dhe votave për koalicionin e majtë u shënua në qarqet Gjirokastër, Fier dhe Lezhë. Në qarkun Gjirokastër, e majta fitoi 67 për qind të proporcionalit, por vetëm 44 për qind të votave për kryetarë. Me një diferencë prej 23 për qind, kandidatët e së majtës në Gjirokastër shënuan rezultatin më të keq në rang vendi, pavarësisht se arritën të fitonin pesë nga shtatë bashkitë e këtij qarku.
Në Fier, e majta fitoi në proporcional 69 për qind të votave ndërkohë që kandidatët e saj arritën të fitonin vetëm 54 për qind të votave. Në këtë qark të konsideruar si bastion të së majtës, e djathta fitoi bashkinë e re të Mallakastrës ndërsa e majta fitoi në të pestë bashkitë e tjera.
Në qarkun Tiranë, kandidatët e së majtës morën 10 për qind më pak vota se sa koalicionet e tyre ku diferenca më e thellë u shënua në bashkinë e re Tiranë, ku kandidati fitues Erion Veliaj arriti të marrë pikë 13 përqindjeje më pak vota se sa koalicioni i majtë. Në Tiranë konkurruan edhe katër kandidatë të pavarur apo jashtë koalicioneve të mëdha, të cilët morën së bashku 7.4 për qind, gjë që sugjeron që së paku 6 për qind të votuesve të bashkisë së re Tiranë kanë zgjedhur koalicionin e majtë dhe kandidatin e djathtë.
Në përgjithësi, për zgjedhjet për pushtetin vendor, koalicioni qeverisës ka qenë në gjendje historikisht të marrë shumicën e proporcionalit në Shqipëri, por diferenca në zgjedhjet e së dielës ka qenë shumë më e lartë se sa zakonisht.