Aziatikët kanë qenë duke parë krizën greke të borxheve me një përzjerje zilie dhe kënaqësie dashakeqe. Kur ata përjetuan krizën e tyre financiare më 1997, atyre iu ofruan kushte më të ashpra për ta marrë atë dhe ndihmë shumë më të paktë, megjithëse rimëkëmbja e tyre qe shumë më e fuqishme.
Aziatikët kanë qenë duke parë krizën greke të borxheve me një përzjerje zilie dhe kënaqësie dashakeqe. Kur ata përjetuan krizën e tyre financiare më 1997, atyre iu ofruan kushte më të ashpra për ta marrë atë dhe ndihmë shumë më të paktë, megjithëse rimëkëmbja e tyre qe shumë më e fuqishme. Kjo sugjeron që paketat e shpëtimit gjithnjë e më të mëdha mund të mos jenë receta më e mirë për rimëkëmbje.
Që nga fillimi i krizës, Greqia ka marrë financime masive nga e ashtuquajtura “trojka”: Komisioni Europian, Banka Qendrore Europiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Ajo mori paketa shpëtimi më 2010 dhe 2012 për një total prej 240 miliardë eurosh, përfshirë 30 miliardë nga FMN, tri herë më shumë se sa limiti i huamarrjes së Greqisë te FMN. Propozimi i fundit premton 86 miliardë euro të tjera.
Ndryshe nga kjo, paketa e shpëtimit të Koresë së Jugut më 1997 – e cila qe më e madhe se sa paketat e shpëtimit që morën Indonezia, Tailanda apo Filipinet – qe vetëm 57 miliardë dollarë, nga të cilat, 21 miliardë erdhën nga FMN-ja. Në atë kohë, Prodhimi i Brendshëm Bruto i Koresë së Jugut qe 560 miliardë: Më 2014, PBB-ja e Greqisë qe më pak se 240 miliardë.
FMN-ja duket se i ka dhënë Greisë një shumë të tillë të madhe për arsye politike. E para, në fillim të krizës, Dominique Strauss-Kahn, në atë kohë, Drejtor Menaxhues i FMN-së, qe një kandidat i rëndësishëm për t’u bërë president i Francës. Më në përgjithësi, aksionerët e FMN-së, Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara kishin interesa votale në stabilizimin e Greqisë për të ruajtur bankat franceze dhe gjermane si dhe për të ruajtur unitetin e NATO-s. Desmon Lachman, një ish zëvendësdrejtor për departamentin e politikave të FMN-së, e quajti institucioni n një fond të rrjedhur (slush fund), të abuzuar nga padronët e vet politik gjatë krizës së Greqisë.
Që të jemi të qartë, telashi ekonomik i krijuar në Greqi – rezultat i keqpërdorimeve të qeverisë, korrupsionit zyrtar, evazionit të gjithëpërhapur fiskal – meritonte një sasi asistence ndërkombëtare. Dhe FMN-ja me të vërtetë imponoi kushte në kreditë e saj për Greqinë – përfshirë kursime fiskale, privatizime dhe reforma strukturore në pensione dhe në sistemin e taksave – shumica e të cilave qenë të nevojshme për të zgjidhur problemin e paaftësisë paguese të vendit. Kërkesat e marrëveshjes më të fundit të shpëtimit janë më të ashprat deri më sot – madje edhe më të ashpra se ato që votuesit e Greqisë refuzuan me shumicë dërrmuse në një referendum më herët këtë muaj.
Por përmasat e ndihmës janë të stërmëdha, veçanërisht në rast se shihet se sa pak progres ka bërë Greqia në zbatimin e reformave që ka premtuar në të shkuarën. Kjo është në kontrast të fortë me eksperiencën e Azisë më 1997.
Ndryshe nga Greqia, problemet e Azisë nuk qenë një krizë në aftësinë paguese por një krizë në likujditet, të shkaktuar nga një ndryshim i papritur në flukset kapitale. Në Korenë e Jugut, flukset neto të kapitaleve private qenë 4.8 për qind të PBB-së më 1996 dhe u përmbysën në minus 3.4 për qind të PBB-së më 1997. Megjithëse akumulimi i borxheve afatshkurtra në përmasa të mëdha në sistemin financiar dhe në sektorin e korporatave e amplifikoi tronditjen, faktorët kryesorë që ushqyen krizën qenë mungesa e likujditetit ndërkombëtar, sjelljes në panik nga investitorët dhe infektimi financiar.
Megjithatë FMN imponoi kushte edhe më të ashpra mbi Azinë se sa mbi Greqinë, përfshirë kursime fiskale, shtrëngim monetar dhe ristrukturim financiar. Disa nga këto kërkesa qenë dukshëm të panevojshme, siç u dëshmua në Malajzi, e cila u rimëkëmb shpejt nga kriza edhe pa ndihmën e FMN-së.
Gjithsesi, veprimet qenë të përkohëshme. Sapo besimi u rikthye dhe kushtet e tregut u stabilizuan, ekonomitë e Azisë Lindore ndryshuan politikat e tyre monetare dhe fiskale drejt ekspansionit dhe përqafuan politikën e zhvlerësimit të monedhave kombëtare në masë të gjerë – përpjekje që fuqizuan konkurrueshmërinë e tyre në eksport. Reformat strukturore, përfshirë edhe mbyllja e menjëhershme e institucioneve financiare dhe eliminimi i kredive të këqija, ndihmuan gjithashtu për rimëkëmbjen.
Në Korenë e Jugut, për shembull, rritja reale e PBB-së u përmbys nga minus 6.7 për qind më 1998 në 9.5 për qind rritje më 1999. Nga mesi i vitit 2003, 776 institucione financiare të vendit qenë mbyllur. Dhe angazhimi i fortë i autoriteteve për reformë riktheu besimin e investitorëve duke rigjallëruar flukset e kapitalit privat dhe duke riaktivizuar tregtinë e jashtme.
Përkundrazi, Greqia dështoi thellë për të inxhinjeruar një rimëkëmbje. Në vend që borxhi të ulej më 110 për qind siç qe planifikuar, raporti i borxhit publik me PBB-në u rrit në 170 për qind. Të ardhurat reale për frymë ranë me mesatarisht 4.8 për qind në vit përgjatë gjashtë viteve të fundit. Papunësia aktualisht është 26 për qind dhe mes të rinjve është mbi 50 për qind.
Në këtë rrethanë, nuk qe aspak tronditëse që Greqia nuk kishte mundësi të shlyente 1.5 miliardë euro kredi në fund të qershorit dhe u bë vendi i parë i zhvilluar që falimentoi në detyrimin ndaj FMN-së. Me vonesë, Fondi pranoi se politika e saj këshilluese dhe kredituese ka dështuar në Greqi.
Pas kësaj qeveria e Greqisë kërkoi më shumë mbështetje financiare me kushte më të lehta. Por, siç e kanë kuptuar tashmë kreditorët e saj, dhënia e më shumë parave nuk do të zgjidhë problemin e paaftësisë paguese të Greqisë. Kjo është arsyeja se pse marrëveshja e re kërkon që qeveria të shkurtojë menjëherë pensionet, të rrisë taksat (duke filluar me tatimin mbi vlerën e shtuar), të liberalizojë tregun e punës dhe të zbatojë kufizime të ashpra në shpenzime. Në të njëjtën kohë, anulimi i një pjese të borxheve, si “prerja e flokëve” e ngjashme me atë që iu dha kreditorëve privatë më 2012, do të jetë e nevojshme.
Shumë kanë vënë në dyshim nëse reformat që të marrin frymën janë tërësisht të nevojshme: nëse vendi rikthehet te dhrahmia, sugjerojnë ata, ai mund të zbatojë politikë të interesave të ulëta dhe të zhvlerësojë monedhën e re në kurs këmbimi, për rrjedhojë duke inxhinjeruar një rimëkëmbje të udhëhequr nga eksportet. Por duke parë sektorin e vogël të eksporteve të Greqisë, pa përmendur këtu edhe dobësitë e ekonomisë botërore, një rimëkëmbje e tillë mund të jetë e pamundur. Basti më i mirë për Greqinë është reforma.
Deri tani, Greqia e ka treguar veten të pavullnetshme për të zbatuar uljet e dhimbshme të pagave të brendshme dhe masat e reformave të imponuara nga të huajt. Ndoshta marrëveshja e fundit, e cila u arrit me Greqinë në buzë të humnerës, do të bëhet një pikë kthese, ku Greqia do të duhet të angazhohet me të vërtetë në reformën ekonomike dhe fiskale. Përndryshe, dalja e Greqisë nga eurozona – me të gjitha konfliktet shoqëruese ekonomike dhe shoqërore – duket thjeshtë e pashmangshme.
Aziatikët po shikojnë me simpati rënien nga hijeshia të vendit të lindjes së qytetërimit Perëndimor. Por ndoshta Greqia duhet të shohë nga Azia për provën që, duke marrë përgjegjësi për fatin e vet, një vend mund të dalë më i fortë edhe nga kriza më e vështirë.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2015. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. Asia’s View of the Greek Crisis