Skena e artit të rrugësnë Banjaluka është e vogël dhe nën presion, por artistët vendës po përpiqen t’I bëjnë grafitet dhe muralet më të pranueshme si për autoritetet ashtu edhe për bashkësinë.
Punët artistike të 24 vjeçarit Stefan Mihajlovic në Banjaluka janë një simbol i rrallë i kulturës urbane shumë pak të zhvilluar të qytetit.
Në Haniste, në largësi nga qendra e qytetit dhe me lejen e fqinjëve, ai ka punuar prej vitesh për të dekoruar muret me portrete të mëdha të ujeve ndërkombëtarë apo vendorë.
Gjithsesi, muralet e aktorit të famshëm jugosllav Bata Stojkovic, të ikonës së muzikës rege (reggae), Bob Marley apo personazhit të filmave vizatimor Goofy janë më së shumti përjashtim se sa rregull në kryeqytetin e Republikës Srpska, entiteti i banuar në shumicë nga serbët në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Rregullat kundër grafiteve ilegale janë goxha të rrepta. Por Stefani nuk e vret mendjen për këtë duke thënë se ndjen se ka nevojë të shprehet.
Mihaljovic thotë se policia i ka shkuar shumë herë ndërsa ai po punonte dhe në disa raste është detyruar të paguajë gjoba, por gjërat kanë ndryshuar pasi ai arriti të bindë fqinjët e vet.
“Në një rast, kur policia erdhi ndërsa unë po punoja, një gjyshe në ndërtesë bërtiti nga dritarja: ‘lëre djalin rehat, mos e prek!” rikujton ai.
“Unë nuk kam asnjë problem tani,” shton ai.
Gjërat nuk ecin kaq mirë për artistët e rrugëve që nuk e kanë fuqinë bindëse të Mihaljovic.
Është e vështirë të bindësh autoritetet e qytetit për meritat e muraleve që kanë shkarravitur qendrën e qytezës.
Pjesëmarrësit në një festival rajonal të artit të rrugës të quajtur Graffiti Jam, i cili është zhvilluar në Banjaluka që nga viti 2011, punuan mbi kanavaca për shumë vite deri sa morën leje vitin e kaluar për të pikturuar një mur në qendër të qytetit.
Për rrjedhojë, qendra e Banjalukës mori muralen e vet të parë të ligjshme – dhe shumë banorë të zonës e kanë pëlqyer këtë zbukurim të ri, krijim të artistëve Artez nga Beogradi dhe Lonac nga Zagrebi.
Muralja, e quajtur “Gjej rrugën tënde për të fluturuar larg”, u deklarua vepra më e mirë e këtij lloji nëntorin e kaluar në seleksionin ndërkombëtar të faqes së internetit Streetartnews.
Ky sukses sugjeron që kultura urbane tashmë po infiltron ngadalë por në vijimësi skenën e kulturës së Banjalukës.
Fillesat e muraleve, grafiteve dhe llojeve të tjera të artit të rrugës në Banjaluka gjenden te ndërtesa e papërfunduar e Hotelit Palace në qendër të qytetit. Ky është vendi ku Mihajlovic mësoi vite më parë lëvizjet e para me një spraj krahas të rinjve të tjerë kur ai ishte një adoleshent me flokë të gjatë.
Megjithëse hoteli është i papërfunduar edhe sot e kësaj dite, muret e tij tashmë tanë të mbuluar me grafitë të dukshme për kalimtarët.
Ndërsa shumë artistë rruge ikën për të eksploruar pasione të tjera, Mihajlovic i ka qëndruar besnik vokacionit të tij.
“Ndodhi brenda një nate kur unë fillova të pikturoj murale në Haniste. Muret qenë sakaq të mbuluara me grafitë kështu që, unë mendova, – “pse të mos i ridekoroj ato?” rikujton ai.
“Është më mirë të shohësh ndonjë punë të këndshme dhe konkrete me një temë të veçantë se sa shkarravitje të pakuptimta,” shpjegoi ai.
Fillimisht atij iu desh të përballej me armiqësinë e fqinjëve të vet, të cilët u ngrohën paksa më vonë kur panë motivet e zgjedhura prej tij.
“Unë pikturoj yje të muzikës ndërkombëtare si dhe të muzikës vendëse. Unë fitova mbështetjen e gjeneratës së të moshuarve me një grafit mbi Bata Stojkovic për shkak se megjithëse gratë e moshuara nuk kanë dëgjuar asgjë mbi Bob Marley, ata natyrisht që e dinë se kush është Bata Stojkovic,” shpjegoi ai.
Sot, Mihajlovic duket më serioz dhe një kokë e rruar ka zëvendësuar flokët e tij të gjatë.
Por ai sërish ka të njëjtën nxitje për të krijuar. Përveç disa gjobave të vogla që ai është detyruar të paguajë kur disa fqinj e raportuan atë, problemet me policinë janë zhdukur tashmë prej kohësh.
“Unë punoj në mënyrë fjalëpakë; unë nuk e shfaq veten në krahasim me të tjetër që merren me artin e grafiteve në Banjaluka,” tha ai.
“Edhe vetë oficerët e policisë më lavdërojnë punën,” shtoi ai.
Anëtarët e grupit të artit të quajtur Flaster thonë gjithashtu se ata nuk kanë pasur kurrë probleme me mesazhet që kanë shprehur punët e tyre.
Projekti i tyre artistik ka ushtruar ndikim të stërmadh në perceptimin e publikut ndaj artit të rrugës.
Muralja e tyre, “Gjej rrugën tënde për të fluturuar larg” tregon një mongolfierë sureale të rrethuar nga motive nga natyra – peshq dhe një gjel në majë. Dy duart zgjaten nga balona dhe kryqëzojnë gishtat përpara, duke simbolizuar një njeri duke menduar mbi diçka.
Muralja është ajo që artistët nga Flaster patën shpresuar ta krijonin prej kohësh.
Grupi, i krijuar më 2010 nga të diplomuar në arte, vendosi të themelojë një festival të artit të rrugës.
Për shkak se ata nuk morën kurrë leje nga qyteti për të lyer muret, artistët dekoruan kanavaca si dhe oborrin e brendshëm të kampusit studentor.
Ndërkohë, me mbështetjen e Muzeut të Artit Bashkëkohor në Banjaluka, autoritetet pranuan idenë që disa artistë të pikturonin një murale në qendër të qytetit e cila, përveç miratimit të qytetarëve, do të merrte edhe njohje ndërkombëtare.
“Ky bashkëpunim hapi një dimension të ri për atë për të cilën ne patëm luftuar, një ndryshim në të tërë konceptin e ‘artit të rrugës’ dhe për t’i dhënë grafitit etiketën e veprës së artit, gjë që ka ndodhur sakaq,” thotë Monika Ponjavic, anëtare e Flaster, duke shpjeguar se si Banjaluka fitoi muralen e parë të ligjshme publike.
Grafiti Jam, i cili u organizua për herë të parë më 2011, ndërkohë është bërë një platformë shkëmbimi mes artistëve të rrugës dhe për punime të përbashkëta mbi materjale të ndryshme – nga muret te kanavacat apo te stendat.
Ndryshim në klimën kulturore:
Anëtarët e Flaster e themeluan festivalin për të popullarizuar këtë zhanër të artit mes audiencës së gjerë, jo vetëm për shkak të rëndësisë së saj në Banjaluka por edhe për të prezantuar artistët nga qyteti dhe rajoni te një audiencë më ndërkombëtare.
“Proporcionalisht, qyteti kishte shumë pak artistë në krahasim me popullsinë e vet dhe numri i artistëve është në rënie,” thotë Ponjavic.
Ajo ndjen që Banjaluka ka rënë në një mërzi letargjike dhe melankoli dhe se artistët nuk po përpiqen të krijojnë ose thjeshtë janë zhdukur.
Gjithsesi, Ponjavic thotë se klima po ndryshon për më mirë me zhvillimet e fundit.
“Arti i rrugës në Banjaluka nuk ekziston ose nëse ekziston, është një art i reduktuar në nivel individual të cilit mund t’i dallosh gjurmët në qytet,” shpjegon ajo.
“Për fat të keq, Flaster është aktualisht i vetmi manifestim i dukshëm i këtij arti ndërkohë që të tjerat janë mbyllur, për të mos thënë se nuk kanë ekzistuar kurrë.
“Këtu ne po flasim ekskluzivisht për art grafitesh. Ne as nuk mund të flasim për lloje të tjera të artit të rrugës,” theksoi ajo.
Vendet ku u krijuan grafitet në kampusin e studentëve nga pjesëmarrësit në Graffiti Jam janë bërë vende ku çiftet e reja, valltarët, artistët dhe fotografët kalojnë kohën, thonë anëtarët e Flaster.
Mirko Komljenović Mirkan, anëtar i “Teatrit Anti-Kulturor Alija Sirotanovic”, thotë se qyteti ka nevojë për më shumë grafitë si ato në Borik dhe Haniste për shkak se ato e bëjnë qytetin të duket më i bukur dhe më i kompletuar. Por jo çdo lloj shkarravine në mur mund të quhet art, tha ai.
“Mua do të më pëlqente të shihja më shumë grafitë me mesazhe të fuqishme në Banjaluka por autoritetet e qytetit nuk e kuptojnë mirë këtë lloj arti,” ankohet ai.
“E di që ekziston një diskutim nëse Banjaluka duhet të ndërtojë më në fund një mur për grafitet – por një mur i tillë nuk pritet të ndërtohet shpejt,” shtoi ai.
“Unë së fundmi mora pjesë në vizatimin e një grafiti provokativ në ndërtesën e partisë në pushtet. Policia nuk e kuptoi këtë si art dhe reagoi në kohë rekord ndërsa fasada u lye menjëherë,” Komljenovic.
Davorin Tomic, një gazetar i gazetës së përditshme Press RS, bie dakord që Banjaluka duhet të ketë më shumë grafitë në pjesët më të populluara të qytetit duke cituar shembuj nga qytete të tjera.
“Muralja në Borik është shumë e bukur dhe unë mendoj se duket të kemi më shumë të tilla në qytet,” tha ai.
“unë nuk e di nëse problemi është që ne nuk kemi mjaftueshëm aktivistë që dëshirojnë të shprehin veten në këtë mënyrë por ajo që di është që është e vështirë të marrësh leje për të pikturuar në mënyrë të ligjshme mbi një sipërfaqe publike,” shtoi ai.
“Kjo sjellje e autoriteteve vendore ndaj artit të rrugës i shtyn artistët e rinj të heqin dorë, ose të punojnë ilegalisht, gjë që e bën atë më shumë vandalizëm se sa art,” thotë Tomic.
Mihajlovic, nga Haniste, thotë se duke vizatuar grafitë ai plotëson nevojën për të shprehur veten dhe për t’u njohur në bashkësinë e tij.
“Njerëzit kanë filluar të më njohin mua për punën time dhe kjo është e kënaqshme. Unë kam pasur oferta për të bërë grafitë politike dhe gjeneralë të kohës së luftës, por nuk kam qenë i interesuar për këtë,” shtoi ai.
“Ajo nuk është art dhe ajo është nga ato lloj punësh që zakonisht rilyhen. Asnjë nga punët e mija nuk është lyer përsipër.”
Mihaljovic ka kaluar kohë duke jetuar në Greqi, Spanjë dhe Kanada, ku ai fitoi përshtypjen se arti i rrugës që shumë më i publikuar dhe mbështetur.
“Dëshira ime është që një lloj bashkësie të mund të krijohet këtu në Banjaluka që krijon dhe jeton këtë lloj jete dhe unë shpresoj se koha do të vijë kur ky zhanër arti do të fitojë vendin që meriton në shoqërinë tonë,” përfundoi Mihajlovic.
Art apo vandalizëm?:
Lana Pavlovic, kuratore e Muzeut të Aritt Bashkëkohor të Republikës Srpska i sheh grafitet si një formë shprehëse të vërtetë artistike dhe si pjesë e kulturës urbane të një qyteti.
Efektet e saj te shikuesit mund të jenë njësoj me ato të çfarëdolloj arti tjetër vizual për shkak se njerëzit reflektohen në mesazhet e tij, thotë ajo.
Gjithsesi, ajo thotë se sjelljet negative ndaj këtij arti kanë ekzistuar gjithmonë mes autoriteteve, “nga Beogradi në Nju Jork si dhe në Banjaluka”.
Arsyeja për këtë, thotë ajo, është që grafitet shpesh lidhen me shkarravinat e pavlera të cilat janë ose fyese, ose personale, të cilat ajo i sheh si vandalizëm.
“Ana pozitive e grafiteve është se ata mund të japin një jetë të re për gjëra të caktuara apo një perspektivë të re për sipërfaqet publike.
“Në lidhje me këtë, grafitet dhe muralet duhet të krijohen si mjete për dekorimin e fasadave… për kreativitet dhe për të rritur ndërgjegjësimin mes njerëzve mbi rrymat moderne,” shtoi Pavlovic.
Në luftën për muralet, e cila ka vijuar që nga vitet 1980, ndryshimi i vërtetë u bë nga grupi Flaster me festivalin e tyre, vërejti ajo.
“Artistët vendorë të rrugës janë më së shumti piktorë dhe dizenjatorë të cilët me të vërtetë e dashurojnë punën e tyre dhe që arti i të cilëve dërgon mesazhe… kjo është arsyeja se pse Muzeumi vendosi t’i mbështesë ata më 2013,” tha ajo.
Ekspozimi i kanavacave të pikturuara nga artistët e rrugës sipas Pavlovic, e bëri publikun të kuptojë se këto artistë nuk janë keqbërës por piktorë të aftë dhe dizenjatorë.
“Në Banjaluka, ashtu si edhe në çdo qytet tjetër, vendet e mira mund të gjenden për grafitë të cilësisë së lartë. Ato mund të duken shumë interesante në kuptimin që dekorojnë hapësirat dhe fasadat. Tashmë ne kemi shumë shembuj cilësorë,” përfundoi ajo.