E emërtuar sipas një shpikësi pionier kroat, kompania TOZ Penkala që dikur krijonte lapsa dhe stilolapsa për të gjithë ish-Jugosllavinë po mbyllet për shkak të borxheve.
Tvornica olovaka Zagreb (TOZ) Penkala – një emër i njohur në kohën e periudhës së artë të ish-Jugosllavisë, lajmëroi javën e shkuar se do të mbyllte prodhimin pas 78 vjetësh për shkak se nuk mund të paguante 160,000 euro që kishte borxhe.
Kompania, krijuar nga Slavoljub Eduard Penkala (1871-1922), një shpikës që ishte përgjegjës për inovacionet e rëndësishme te lapsat dhe teknologjia e stilolapsave, prodhoi artikuj që u përdorën nga kushdo që prej nxënësve deri te politikanët pasi u bë pronë shtetërore e Jugosllavisë.
“Përdor vetëm fjalën ‘penkala’ për një stilolaps”, thotë Vedrana nga Zagrebi, duke lënë të kuptohet se sa thellë kanë depërtuar produktet e kompanisë në përditshmërinë shoqërore. Diçka e ngjashme ndodhi edhe me pastën e dhëmbëve Kalodont, që ende përdoret si një sinonim jozyrtar për pastën e dhëmbëve apo në rastin e makinës llogaritëse Digitron, që ende përdoret për çdo lloj makine llogaritëse.
Por si shumë kompani shtetërore në rajon, Penkala u përball me tranzicionin në tregun kapitalist pas rënies së Jugosllavisë dhe në vitet 1990 po vuante probleme të mëdha financiare.
Kompania ia doli të rimëkëmbej pas privatizimit në vitin 2000, duke rigjallëruar logon e vjetër nga shekulli 20 dhe duke i shtuar emrin “Penkala” pas marrjes së bekimit nga djali i themeluesit, Krunoslav.
Por brenda disa vites, problemet e kompanisë u rishfaqën dhe një shumëllojshmëri propozimesh u shtruan për të mbledhur para nga prona e kompanisë prej 60,000 metra katror në Zagrebin perëndimor. Fillimisht pati një plan për të ndërtuar apartamente me themelet në formën e një lapsi, propozime të tjera kishin pishina, kopshte, qendra sportive dhe konferencash.
Më i çuditshmi u prezantua në vitin 2014, kur kompania lajmëroi për planet e blerjes së një gjirafe që do të tërhiqte vizitorët, të cilët do të blinin bileta për të parë një kafshë që nuk është në kopshtin zoologjik të Zagrebit.
Kompania kaloi në një proces të rikonstruktimit të borxhit në 2013 në një përpjekje për të shmangur falimentin. Por uebsajti i lajmeve Index ngriti dyshime mbi vlefshmërinë e disa pretendimeve financiare të kompanisë, ndërsa të tjerë spekuluan se njerëzit që donin të fusnin duart në pronat tërheqëse të kompanisë po përpiqeshin të pengonin të gjithë procesin për të fituar vetë.
Përveç ndikimit shkatërrimtar për 100 familje të punëtorëve të kompanisë, zhdukja e TOZ Penkala do të ndihet edhe nga ata që i kanë përdorur këta lapsa dhe stilolapsa gjatë gjithë jetës.
Një pensionist në Sarajevë, Zorani, tha se ai e kujtonte shumë mirë “penkala”-n.
“Ato ishin një simbol. Ishin padyshim më të mirat. E kam ende një dhe e përdor herë pas here,” thotë ai. Një laps origjinal Penkala dikur ishte suveniri më i mirë nga Zagrebi.
Edhe të rinjtë ia dinë emrin ndonëse jo edhe aq rëndësinë sa brezi i vjetër.
Në Malin e Zi, ndonëse fjala “penkala” ose “penkalo” përdoret ende edhe sot, njerëzit nuk e dinë se lidhet me një kompani në Kroaci apo me Slavoljub Eduard Penkala.
Zorana, një shitëse 27-vjeçare nga Podgorica, thotë se i kujtohet të ketë shkruar me një “penkalo”, por nuk e di se nga ka ardhur emri.
“Ne përdornim këtë fjalë për stilolapsin dhe unë mendoja se ishte emri universal për një të tillë,” thotë ajo.
Analisti kroat i ekonomisë, Guste Santini tha se ai nuk donte të spekulonte mbi arsyet e mundshme të falimentit të kompanisë, por tha se ishte pjesë e një panorame të përgjithshme të shtetit dhe se kompanitë private në rajon nuk kanë strategjitë e duhura të zhvillimit.
Askush nuk pati një plan të saktë për të zhvilluar industritë që po krijonin produkte cilësore dhe markat e njohura në rajon, tha ai.
“Kur pyet rreth Penkalës, është tragjike, por është vetëm një nga tragjeditë që po ndodh në vendin tonë për shkak të strategjive të këqija politike dhe ekonomike,” përfundoi ai.
Tomislav Pletenac, një antropolog nga Universiteti i Zagrebit, tha se njerëzit priren t’i përdorin këto produkte si mënyra për të kujtuar kohën jugosllave dhe kohën kur besonin se jeta ishte më e mirë.
Sipas tij, kur Jugosllavia socialiste po modernizohej dhe industrializohej, produkte të tilla shiheshin si një simbol i suksesit të përbashkët dhe progresit. Një tjetër arsye përse disa njerëz që i kujtojnë ato kohë me ngrohtësi ndjejnë keqardhje për zhdukjen e Penkalës.
“Në fund, duhet të them se kjo është një tragjedi e madhe në sensin simbolik. Kjo përfaqëson ‘vdekjen’ e një prej simboleve të fundit të idesë së modernizmit në Zagreb,” përfundoi ai.