Mohimi publik i krimeve kundër serbëve nga Ushtria Boshnjake në Sarajevën e rrethuar, tregon se interpretimet rivale të të kaluarës së luftës mbeten të vështirë për t’u pajtuar, thotë për BIRN historiani Nicolas Moll.
Historia e Musan Topalovic, i njohur ndryshe si Caco, një kriminel i cili u bë komandant brigade i Ushtrisë Boshnjake gjatë rrethimit të Sarajevës dhe më vonë u paraqit si një hero, pavarësisht krimeve të tij të dyshuara të luftës kundër serbëve, është objekt i studimi të ri të Nicolas Moll, “Sekreti publik më i njohur i Sarajevës”.
Brigada e Dhjetë e Malit e Topalovicit besohet të ketë vrarë mbi 20 civilë, kryesisht serbë, dhe pastaj i hodhën trupat e tyre në një gropë në fushën në Kazani të Sarajevës.
Ai u qëllua për vdekje nga policia, e cila e arrestoi atë gjatë një goditje të armatosur të bandave kriminale në qytet në tetor 1993 dhe u varros në një varr të fshehtë, por më vonë u zhvarros dhe iu organizua një funeral si hero.
Moll, një qytetar i Francës dhe Gjermanisë, i cili ka jetuar në Sarajevë që nga viti 2007, hedh një sy mbi qëndrimet e publikut ndaj Kazanit dhe krimeve të tjera kundër serbëve në kryeqytetin boshnjak gjatë luftës, si edhe rolin e politikanëve dhe medias në debatin në lidhje me nëse Topalovic ishte një hero apo një vrasës.
BIRN: A mendoni se mendimet e njerëzve për Cacon dhe krimet e tij janë një shembull i mirë “i yni kundrejt qëndrimit të tyre ndaj viktimave në Bosnjë dhe Hercegovinë sot?
Nicolas Moll: Shumë njerëz në Sarajevë nuk duan ose kanë vështirësi për të pranuar publikisht se krimet janë kryer kundër civilëve serbë nga Ushtria e Bosnjës dhe Hercegovinës, ose ata e pranojnë, por menjëherë vazhdojnë me një “por …”, për shembull: “por serbët kryen shumë më tepër krime”, ose “por Caco mbrojti qytetin tonë” ose “por ai nuk vrau vetëm serbët”, etj. Ky refuzim për të pranuar krimet “tona”, apo dëshira për t’i minimizuar ato tregon një tendencë të përgjithshme që mund ta gjejmë në të gjithë Bosnjën dhe Hercegovinën.
Në të njëjtën kohë, ka pasur një përpjekje të vazhdueshme, dhe kjo që prej vitit 1997, nga aktorë të ndryshëm në Sarajevë për të kritikuar këtë qëndrim dhe t’i njohin këto krime, dhe në këtë vazhdimësi dhe forcë këto përpjekje janë tepër të shquara, gjithashtu në krahasim me qytetet e tjera në Bosnja dhe Hercegovina. Një hap në këtë proces ishte se në janar 2013komuna e Sarajevës nënshkroi një marrëveshje për të ndërtuar një monument në Kazani. Kjo është hera e parë në Bosnjë dhe Hercegovinë, dhe më gjerë në rajon, pas luftërave të viteve 1990 që një qytet zyrtarisht deklaroi gatishmërinë e tij për të ndërtuar një monument në lidhje me krimet e kryera nga forcat e veta ushtarake.
Fatkeqësisht, ka dy vjet që s’është bërë asgjë për të vënë në zbatim këtë marrëveshje, gjë e cila mund të shihet si një shenjtë se rezistenca dhe frikat në lidhje me temën e Kazanit vazhdojnë të jenë të forta.
Sa e rëndësishme mendon se do të ishte pranimi krimeve kundër serbëve në Sarajevë?
Njohja e këtyre krimeve gjithashtu institucionalisht, për shembull nëpërmjet një monumenti, do të ishte e rëndësishme të paktën për tre arsye: si një shenjë respekti për viktimat, si një ilustrim i gatishmërisë që Sarajeva është e gatshme të merret me sinqeritet me të gjitha dimensionet e të kaluarës së saj, edhe ato famëkeqe, dhe gjithashtu si një sinjal për të tjerët se është e mundur dhe e nevojshme t’i drejtohesh të kaluarës me një mënyrë auto-kritike.
E kuptoj që pranimi i këtyre krimeve nuk është një hap i lehtë, kryesisht për shkak se kjo përplaset me tregimet dominuese në Sarajevë mbi mbrojtjen heroike të qytetit multietnik ku të gjithë autorët e krimit kanë qenë në anën tjetër. Disa mund të druhen se duke pranuar këto krime, thjesht do t’i jepnin merita atyre serbo-boshnjakëve që përpiqen t’i barazojnë të gjitha krimet. Por pranimi i krimeve kundër serbëve në Sarajevë nuk e bën të ligjshëm rrethimin e Sarajevës. Dhe mohimin apo minimizimin e tyre, do t’u japë gjithsesi argumente kundërshtarëve tuaj të cilët do të thonë se dëshironi të fshihni diçka.
Ndërtimi i një monumenti në Kazani nuk i zgjidh të gjitha problemet dhe mund të ketë gjithashtu për disa funksione alibie, për të thënë se ne kemi bërë diçka, por s’duam të flasim për këtë. Por ndërtimi i një monumenti në lidhje me krimet në Kazani do të nënkuptonte se këto krime do të pranohen zyrtarisht, institucionalisht. Përveç kësaj, do të ishte gjithashtu shumë e rëndësishme të krijohen më shumë mundësi për diskutim në lidhje me krimet e kryera, në mënyrë që të rinjtë në Sarajevë të dinë më shumë për to dhe të kenë mundësinë për të diskutuar rreth tyre. Ndërtimi i një monumenti nuk është fundi i një procesi, por një hap drejt një procesi më të gjerë.
Çfarë roli mendoni se luajti media në debatin mbi Cacon dhe vrasjet në Kazani?
Në lidhje me procesin e ballafaqimit me Cacon dhe Kazanin, roli i medias ka qenë vendimtar, dhe mes të gjithë aktorëve, deri më tani ata kanë qenë avokatët më të fortë kundër glorifikimit të Cacos dhe për pranimin e krimeve të tij. Kjo filloi shumë herët, pas luftës në vitin 1997, kur revista boshnjake “Dani” zbuloi dëshmitë për krimet në Kazani, dhe që atëherë media të ndryshme në Sarajevë e kanë përmendur rregullisht këtë temë dhe kanë kritikuar qëndrimet e mohimit.
Gjatë luftës, roli i medias së Sarajevës ka qenë shumë ambivalent. Ata i shmangnin diskutimet mbi krimet e kryera kundër civilëve serbë në Sarajevë, dhe pas vdekjes së Cacos në tetor 1993, ata filluan ta quanin Cacon një kriminel. Megjithatë ata vazhduan të shmangnin bisedat mbi krimet specifike kundër serbëve.
Përsa i takon rolit të medias në përgjithësi në lidhje me përballjen me të kaluarën, mendoj se çështja Kazani tregon sa i rëndësishëm mund të jetë roli i tyre. Por që përballja me të kaluarën të bëhet një proces gjithëpërfshirës dhe i detajuar, është gjithashtu e rëndësishme që edhe aktorë të ndryshëm të tjerë të kontribuojnë në të. Si për shembull, shoqatat e viktimave, aktorët e shoqërisë civile, historianë, organet gjyqësore dhe politikanët.
Në studimin tuaj ju thoni se gjykata ka punuar për 20 vjet me këtë çështje. Sa e rëndësishme është përfundimi i kësaj çështjeje nga ana e sistemit gjyqësor? Çfarë mendoni se mund të bëjë sistemi gjyqësor për t’u pajtuar – kjo nuk është shumë e suksesshme në ICTY dhe gjykatën shtetërore boshnjake?
Për krimet e kryera në Kazani, ka qenë gjyqi në gjykatën ushtarake në vitin 1994 kundër anëtarëve të Brigadës se Dhjetë të Malit të komanduar nga Caco, dhe pastaj pas luftës, disa gjyqe të tjera kundër anëtarëve individualë të brigadës para Gjykatës Kantonale të Sarajevës. Nuk jam i sigurt nëse duhet të ketë një fund gjyqësor në lidhje me vrasjen dhe krimet e luftës. Sigurisht që do të ishte e rëndësishme të gjendej një gjykim përfundimtar në lidhje me Samir Bejtic, gjyqi i të cilit tashmë ka më shumë se 10 vjet që vazhdon. Por nëse në vitet e ardhshme gjenden prova të reja në lidhje me përfshirjen e dikujt tjetër në krimet në Kazani, atëherë duhet të ketë një tjetër gjyq kundër këtij ose këtyre personave.
Në lidhje me pajtimin. Nuk mendoj se detyra kryesore e çdo gjykate duhet të jetë të arrijë pajtimin. Detyra kryesore e një gjykate është të përcaktojë përgjegjësinë penale. Unë mendoj se gjykatat janë një element shumë i rëndësishëm për proceset e ballafaqimit me të kaluarën. Jo vetëm për shkak se ato janë aty për të qartësuar përgjegjësitë penale, por edhe për shkak se, me punën e tyre, ato kontribuojnë në vërtetimin e fakteve mbi krimet dhe gjithashtu për debatet publike mbi të kaluarën. Dhe kjo është shumë. Të gjitha këto janë parakushte të rëndësishme për procesin e pajtimit. Por të mendojmë se gjykatat duhet të kontribuojnë direkt në pajtim, do të thotë t’i mbingarkosh ato me shumë pritshmëri të mëdha.
Si një i huaj që jetoni këtu në Bosnjë dhe Hercegovinë, a mendoni se kjo ngritje në piedestal i viktimave të dikujt dhe mohimi i të tjerëve është diçka e veçantë në këtë rajon apo e keni hasur edhe në vende të tjera?
Fokusi i një shoqërie apo grupi mbi heronjtë dhe viktimave të tij dhe lënia pasdore e autorëve të tij të krimit dhe viktimat e tjera, nuk është asgjë specifike në këtë rajon. Unë mendoj se në çdo shoqëri pas konfliktit, kjo është shpesh një tendencë e përgjithshme dhe tepër dominuese.
Për shembull, në Francë, pas Luftës së Dytë Botërore, tregimet dominuese përqendroheshin te luftëtarët dhe viktimat e lëvizjes së rezistencës, dhe lanë pasdore viktimat e Holokaustit dhe nga faktin se shteti francez kishte marrë pjesë në mënyrë aktive në dëbimin e hebrenjve në kampet e vdekjes . U deshën disa dekada, dhe kryesorja angazhimi i historianëve, regjisorëve, aktorëve të shoqërisë civile, gazetarëve, politikanëve për të vënë në dyshim këtë qëndrim dhe për të modifikuar tregimet dominuese.