
Që prej dy vjetësh, volumi i kredisë së dhënë nga bankat për bizneset dhe konsumatorët shqiptarë është në stanjacion. Kjo do të thotë se nuk ka pësuar ndonjë rënie të ndjeshme e nuk ka pësuar ndonjë rritje të ndjeshme. Në një situatë normale, kjo quhet krizë. Por jo të gjithë e pranojnë si të tillë.
Qeveria ka një shpjegim për ecurinë ekonomike të vendit përgjatë kohëve të fundit. Në një relacion dërguar Kuvendit të Shqipërisë në lidhje me aktin normativ për ndryshimin e buxhetit të shtetit, shkruhet: “Edhe treguesit financiar suportojnë një vlerësimin për një ecuri disi më dinamike të ekonomisë gjatë periudhës janar-maj 2015. Këtu do të veçohej kredia. Pas një kontraktimi të ndodhur në periudhën korrik 2013 – qershor 2014 në terma vjetor, ky tregues në vijim ka njohur rritje pozitive, ndonëse ende në nivele të ulëta.”
Fraza duket paksa e paqartë. Relatori, dmth Ministria e Financave, flet për ecuri më dinamike, por të përmbajtur. Ka pasur një kontraktim dhe ka njohur një rritje më pozitive, ndonëse jo shumë rritje.
Banka e Shqipërisë publikon çdo muaj shifra për kreditimin, gjë që mund të na japë një ide më të qartë.
Përgjatë pesëmbëdhjetë viteve të fundit bankierët kanë thënë gjithmonë se një ekonomi e re si Shqipëria, do të përjetojë rritje të kreditimit me dhjetë apo 15 për qind në vit, për shkak se volumi i kredisë në duart e biznesit dhe konsumatorit ka pasur pikën fillestare pothuajse zero.
Kreditimi i ekonomisë shqiptare u rrit për rrjedhojë me shpejtësi gjatë viteve 2000-2008, por sërish, në kulmin e vet qe ende në nivele të ulëta nëse shihet treguesi i kreditimit si përqindje e PBB-së.
Pavarësisht se vendi ishte në krizë efektivisht që nga viti 2009, me rritje të PBB-së shumë më të ulët se sa më parë, sërish kreditimi vijoi të rritej. Mes viteve 2009 dhe 2012, kreditimi u rrit me mesatarisht 4.8 për qind në vit. Por nga viti 2013 deri më sot, rritja e kredisë ka qenë praktikisht zero. Në korrik të këtij viti, totali i kredisë së dhënë për ekonominë shqiptare qe 540 miliardë lekë, në të njëjtin nivel me fundin e vitit 2012 kur portofoli i kredisë së bankave për bizneset dhe konsumatorët familjarë qe 544 miliardë lekë. Këto shifra nuk e japin të vërtetën në tërësi.

Përgjatë muajve të fundi, bankat janë detyruar të nxjerrin nga bilancet e veta një pjesë të kredive të këqija, të detyruara nga një rregullore e re e Bankës së Shqipërisë, e cila synon të heqë nga bilancet ato kredi që efektivisht nuk janë shlyer prej më shumë se tri vjetësh. Kjo gjë ka bërë që portofoli i kredive të deklaruar nga bankat në muajt e fundit të pësojë një rënie të pazakontë.
Ekspertët sugjerojnë që të shikohen shifrat e kredisë së re të dhënë gjatë një periudhe të caktuar për të parë nëse me të vërtetë kreditimi po rritet apo po ulet, pa marrë parasysh efektin e shkaktuar nga fshirja e kredive të vjetra të pakthyera.
Banka e Shqipërisë i publikon këto shifra çdo muaj. Kredia e re e dhënë për periudhën janar-korrik 2015 ka qenë mesatarisht 19.4 miliardë lekë në muaj. Në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kredia e re kishte një volum mesatar mujor prej 21.2 miliardë lekësh. Në vitin 2013 mesatarja mujore e kredisë së re qe 18 miliardë lekë ndërsa në vitin 2012, 21.2 miliardë lekë. Shkurt, sido që t’i shohësh, fakti është që bankat nuk po japin më shumë kredi nga sasia e kredisë që shlyhet apo nga ajo që fshihet nga bilancet si kredi e humbur. Volumi shumë i paktë i kredisë është reflektuar edhe në rënien e shpejtë të interesave të kredive të reja. Interesat e kredive janë sot në nivelin më të ulët ndonjëherë në Shqipëri dhe interesat e depozitave janë efektivisht më të ulëta se sa inflacioni.

Një tregues tjetër i ecurisë së kreditimit është edhe volumi i kredisë i pjesëruar si përqindje e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Banka Botërore jep disa statistika për këtë punë. Në Shqipëri, portofoli i kredive përbën rreth 37 për qind të PBB-së. Në Bosnjë, një vend me të njëjtin nivel ekonomik si Shqipëria, përbën 55 për qind. Në Maqedoni, gati 49 për qind. Në vendet e zhvilluara, si Gjermania, kredia është sa 80 për qind e PBB-së.
Gjithsesi, problemi më i madh është që volumi i kredisë si përqindje e PBB-së në ekonominë shqiptare është në përkeqësim, nga gati 40 për qind që qe në vitin 2012, në 37 për qind në vitin 2014. Zakonisht, ecuria e ngadaltë e treguesve ekonomikë quhet stanjacion.