Një propozim i ri nga qeveria synon të zgjidhë problemin e “kriminalizimit” të jetës politike në vend. Gjithsesi, propozimi vjen me kosto të rëndë morale për qeverinë e majtë të Edi Ramës dhe mund të mos jetë i mjaftueshëm për të zgjidhur problemin.
Qeveria e prezantoi propozimin e vet të mërkurën për të ndryshuar kushtetutën dhe kodin penal të vendit për të vendosur ndalime më të gjata nga mbajtja e posteve publike të njerëzve të dënuar më parë për disa lloje krimesh si dhe, për të ndaluar njerëzit në kërkim ndërkombëtar si dhe ata që janë të arrestuar në pritje të gjyqit.
Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin Ermonela Felaj tha në një deklaratë për shtyp se ndryshimet do të prekin edhe zyrtarët aktualë, të cilët do të përballen me kontrollimin e të shkuarës së vet.
Qeveria dhe maxhoranca do të paraqesë në parlament këtë projektligj bashkë me draftin për ndryshimet kushtetuese që reflektojnë parimet e kësaj nisme për t’i dhënë zgjidhje përfundimtare,” tha ajo.
Propozimi është një ndryshim i madh për qeverinë dyvjeçare të majtë të Shqipërisë, e cila pa imazhin e saj të njollosej nga ekspozimi publik i të shkuarës kriminale të deputetëve dhe të disa zyrtarëve të administratës publike.
Partia Demokratike në opozitë filloi në vitin 2014 të kritikojë qeverinë se kishte një numër të lartë deputetësh me të shkuar të dyshuar kriminale dhe zbuloi njërin prej tyre, si person të dënuar për trafik të qenieve njerëzore.
Opozita, e cila akuzohet nga qeveria se ka gjithashtu kriminelë nërradhët e veta, bojkotoi parlamentin për shumicën e vitit të kaluar pasi një nga deputetët e saj u rrah nga kolegët e vet socialistë.
Ndërmjetësimi ndërkombëtar ndihmoi për të arritur një marrëveshje në dhjetor 2014, ku partitë parlamentare firmosën një rezolutë që bënte thirrje për dekriminalizimin e jetës politike në vend.
Gjithsesi procesi u ndalua kur koalicioni qeverisës refuzoi të tërheqë disa nga kandidatët për kryebashkiakë në zgjedhjet vendore të 21 qershorit pavarësisht presionit të lartë ndërkombëtar për të mos i kandiduar të dyshuarit për të shkuar kriminale. Partia Demokratike tërhoqi një nga kandidatët e vet për shkak të një dënimi të mëparshëm për trafik droge në Itali. Partia Socialiste ndërkohë mohoi të kishte ndonjë problem me infiltrimin e kriminelëve të dyshuar apo të dënuar në radhët e veta.
Situata u përkeqësua për koalicionin qeverisës më herët këtë vit pasi një nga deputetët e saj, Tom Doshi, akuzoi kryeministrin Edi Rama për korrupsion dhe kryetarin e parlamentit Ilir Meta për tentativë vrasjeje ndaj tij. Doshi u përjashtua nga Partia Socialiste dhe aktualisht është në pritje të gjyqit nën akuzën për kallëzim të rremë kundër Metës.
Në të njëjtën kohë, Mark Frroku, udhëheqës i një partie kristian demokrate, në koalicionin e Ramës, u arrestua dhe aktualisht po pret gjyqin në një gjykatë në Bruksel, Belgjikë, akuzuar për një vrasje të lidhur me trafikun e qenieve njerëzore në vitin 1999.
Javën e kaluar, situata për Ramën u bë e rëndë kur ai humbi një deputet tjetër, Armando Prengën, i arrestuar se hapi zjarr dhe plagosi së paku një person në një sherr të lidhur me të drejtat e peshkimit në zonën e Kurbinit, pjesë e Prefekturës Lezhë.
Arben Ndoka, i cili u ekspozua më herët se kishte një dënim për trafik njerëzish në Itali, dha dorëheqjen si deputet javën e kaluar.
Ngjarjet e javës së kaluar zbuluan jo vetëm përfshirjen e kriminelëve nërradhët e socialistëve por edhe përmasat e kësaj përfshirjeje.
Sipas sistemit elektoral aktual të Shqipërisë, partitë garojnë me aq kandidatë sa ka vende deputetësh të dhëna në rajonin përkatës në një listë të mbyllur në garë proporcionale. Prefektura e Lezhës, ku janë zgjedhur Ndoka dhe Prenga, ka shtatë deputetë. Pas dorëheqjes së Ndokës dhe një dënimi të mundshëm të Prengës, dy kandidatë të tjerë socialistë duhet t’i zëvendësojnë. Problemi është se socialistët duket se kanë mbetur pa kandidatë të mundshëm në Lezhë. Dy kandidate gra u dorëhoqën që në vitin 2013, dukshëm nën presion nga të fortët që deshën postet e tyre.
Sipas kodit zgjedhor të Shqipërisë, gratë kanë precedencë në procedurën e zënies së vakancave në parlament. Kur një vakancë krijohet, posti i shkon gruas më të afërt në radhë. Dorëheqja e të dy grave të mbetura në listën e kandidatëve socialistë në Lezhë tregon gjithashtu realitetin e hidhur të pjesëmarrjes së grave në jetën politike të vendit.
Një kandidat tjetër socialist, EduardNdocaj, një biznesmen, ndërkohë ka akuzuar Ramën se nuk e ka shpërblyer për paratë që pati shpenzuar gjatë fushatës elektorale të vitit 2013. Media po i referohet atij si “kaubojsi”. Megjithëse Ndocaj është vetëdeklaruar i larguar nga socialistët dhe mbështetës i një partie tjetër në faqen e vet në Facebook, ai pretendon se posti i deputetit i takon.
Ka edhe një deputet tjetër në listë, Kastriot Piroli, por ai qe arrestuar në marsin e shkuar nga akuzat për falsifikim dokumentesh në kohën kur qe emëruar drejtor hipoteke. “Unë kam qenë në burg për vetëm dy muaj kështu që posti i deputetit më takon,” deklaroi ai së fundmi në media.
Përballur me këtë realitet, disa socialistë pretendojnë se iu desh të garonin “të fortë” në listat e tyre më 2013 si mënyra e vetme për të fituar ndaj Sali Berishës. Disa të tjerë u ankuan se deri tani, vetëm “të fortët” socialistë janë ekspozuar për lidhjet e tyre kriminale ndërsa ata të opozitës kanë shpëtuar.
Ndërkohë, disa sugjerojnë se, megjithëse projektligji kundër pjesëmarrjes së njerëzve të dënuar në politikëështë një hap përpara, dukshëm ky propozim nuk mjafton për të zgjidhur problemin. Për shkak të institucioneve të dobëta, është e logjikshme të supozohet se shumica e kriminelëve nuk janë dënuar dhe rrjedhimisht ligji nuk mund të zbatohet ndaj tyre.
Vetë fakti që të paktit të ekspozuar kriminelë të politikës janë dënuar nga gjykatat e huaja tregon se është e vështirë të supozosh se të gjithë kriminelët pjesëmarrës aktualisht në politikë do të kenë një dënim dhe rrjedhimisht do të përjashtohen.
Gangsterët kanë qenë pjesë thelbësore të të bërit politikë në Shqipëri në të gjitha kohërat. Është gjerësisht e pranuar se gangsterët ndihmojnë partitë politike të “mbrojnë votat.” Dhuna dhe vrasjet gjatë ditës së zgjedhjeve janë, për rrjedhojë, të zakonshme. Dallimi është që më 2013, ndryshe nga zgjedhjet e mëparshme, pjesëmarrja e të fortëve nëpër listat e kandidatëve është dukshëm shumë më e lartë se më parë.
Në ditën e zgjedhjeve 2013, pikërisht në betejën politike për qarkun Lezhë, një militant nga partia Lëvizja Socialiste për Integrim u vra në një shkëmbim zjarri me mbështetësit e Partisë Demokratike. Shkëmbimi i zjarrit që la të vdekur Gjon Gjonin, la gjithashtu të plagosur Mhill Fufin, aktualisht deputet i Partisë Demokratike. Policia dhe prokuroria nuk ka qenë në gjendje deri tani të identifikojë autorin dhe vrasja e Gjonit, dy vjet më vonë, mbetet e pazgjidhur. Mungesa e dukshme e dëshirës nga autoritetet për të qartësuar rrethanat e vrasjes sugjeron se dhuna gjatë zgjedhjeve është në përgjithësi e pranuar si normale nga partitë politike në vend dhe vrasjet konsiderohen thjeshtë si një teprim i dhunës “së pranueshme”.
Duke folur për projektligjin kundër zgjedhjes së kriminelëve, Felaj, ministrja tha: “Përmes këtij ligji hapet një faqe e re në historinë e demokracisë shqiptare. Asnjë individ që në të kaluarën e tij është dënuar në gjykatat vendase apo të huaja nuk do të ketë mundësi të emërohet”.
Për fat të keq, projektligji, sado i ashpër të jetë, nuk mund të zhbëjë idenë se një nivel i caktuar dhune në proceset politike është tërësisht “normale” në Shqipëri.