
Vendimi nga Ministria e Kulturës për të rivendosur një pllakë 5-shekullore që përkujton rindërtimin e kalasë së Lezhës në vitin 1522, solli protesta të zemëruara nga një grup i njohur si “Fronti Kristiandemokrat”, nën udhëheqjen e kandidatit për deputet Eduart Ndocaj, të cilët thonë se pllaka fyen ndjenjat e tyre.

Dedë Margjoni ka 33 vjet që punon me monumentet e kulturës. Ai është përgjegjësi i Kalasë së Lezhës, bën ciceronin për vizitorët dhe njëkohësisht biletashitësin për shkak të fondeve të kufizuara.
Ai e prezanton veten si besimtar katolik, por pavarësisht kësaj, u gjend në mes të një sherri të papritur këtë muaj me disa njerëz që duket se e konsiderojnë veten edhe më shumë katolikë. Atij iu desh të përballej me disa të rinj që protestonin si dhe të kujdesej për pastrimin e shkrimeve vandalizuese të protestuesve mbi muret e lashta.
Mëngjesin e 3 tetorit, Margjoni u përball me një numër vizitash të pazakonta në kala. Ai u vizitua nga zëvendësministri i Kulturës Zef Çuni dhe deputeti Gjovalin Kadeli mes të tjerëve. Një ditë më parë, kishte fituar “betejën” me disa djelmosha që donin të protestonin në hyrje të klasë.
Udhëtimi i pllakës
Mëngjesin e 22 shtatorit, Deda, së bashku me skulptorin vendas Petrit Bilali dhe dy mjeshtër të punimit të gurit, rikthyen në kalanë e Lezhës një artefakt të çmuar, një pllakë të shkruajtur në Osmanisht, si pjesë e një projekti më të gjerë për mirëmbajtjen e kalasë.
Objekti në fjalë ka një histori të gjatë, të cilën Deda e njeh me detaje.

Sipas tij, në vitin e largët 1522, kalaja e Lezhës u rindërtua nga osmanët pasi qe pushtuar prej tyre disa dekada më herët. Osmanët lanë një pllakë në nder të Sulltanit Sulejman. Pllaka me mbishkrimin u zbulua më vonë nga një mision austriakësh, i drejtuar nga albanologu i famshëm kroat Milan Shuflaj. Misioni nuk arriti ta lexojë se çfarë shkruhej në të. Më pas, pllaka humbi, por në vitin 1968, Frano Prendi, një arkeolog i njohur, gjithashtu katolik, e gjeti atë në muret e një fshatari. Prendi e hoqi pllakën nga muri i fshatarit dhe e dërgoi në depon e bibliotekës së qytetit, ku mbeti deri këtë shtator, kur u vendos që të rikthehej te hyrja e kalasë.
Por ajo që për Dedën qe një punë e vlefshme restauruese për trashëgiminë kulturore të qytetit, për disa bashkëqytetarë të tij është fyerja më e madhe e mundshme.
Që nga dita e vendosjes së pllakës, ai është përballur me agresionin verbal dhe vandalizimin e Kalasë së Lezhës nga një grup njerëzish që thonë se pllaka në fjalë fyen ndjenjat e tyre si shqiptarë.
Luftëtarëve të krishtërimit, si dhe u pëlqen ta quajnë veten, u prin Eduart Ndocaj, president i Frontit Demokristian Shqiptar.
Ndocaj, i cili garoi për deputet me listën e Partisë Socialiste në zgjedhjet e vitit 2013, është aktualisht në kërkim të mandatit të deputetit pas vakancës së krijuar në parlament për qarkun Lezhë për shkak të dorëheqjes së deputetit Arben Ndoka.

Ndocaj e quan vendosjen e pllakës së Sulejmanit një “xhest të osmanizimit radikal islamik të historisë, kulturës, dhe traditave etnike shqiptare”.
Eduart Ndocaj nuk e mohon se përkrah aktet që mund të çojnë në shkatërrimin e mbishkrimit 500 vjeçar dhe kërcënon autoritetet se duhet ta heqin atë ose të përballen me pasojat.
Pal Trashaj është një kundërshtar tjetër i paepur i pllakës. Para se të flasë, i ulur në një lokal në Lezhë, ai porosit një pije të fortë dhe thotë më pas me krenari se ka arritur të ndezë fitilin e “nacionalizmës shqiptare”.
“Ajo pllakë është një turp dhe ne do ta heqim atë deri më datë 28 nëntor. Pasardhësit e Skënderbeut, që mposhti turqit për 25 vjet, nuk do e lejojnë që t’i bëhen lavde gjakatarit që e quajnë të madhërishëm”, thotë Trashaj, i cili prezantohet si historian.
“Jam i sigurtë që këtë e kanë bërë ose injorantë të historisë ose persona me ndjenja filo-turke dhe të paguar për të ndezur debatin ndërfetar në vend,” – thotë ai.
Më 24 shtator, disa ditë pasi u rikthye pllaka, njerëz të paidentifikuar vandalizuan kalanë duke shkruar mbi të: “Albania. Mos u shitni te osmanët”.
Më vonë, vandalizime u dalluan edhe te vetë pllaka e debatuar. Autoritetet u detyruan ta heqin atë më 6 tetor për të shmangur dëmtimet e mëtejshme. Kalaja e Lezhës nuk ka roje 24 orëshe dhe rrjedhimisht, dëmtimet janë të lehta për t’u kryer gjatë natës.
Heqja e pllakës u konsiderua nga kandidati për deputet Ndocaj si një “çlirim i dytë”.
“E çliruam përsëri Lezhën,” shkroi ai në Facebook. “Kjo s’ka qenë betejë për fe, por për shqiptarizëm,” shtoi ai.

Pllaka e Sulltanit Sulejman shkaktoi gjatë javëve të fundit një debat më të gjerë; lidhur me mënyrën se si duhet të trajtohen artefaktet historike të kohës së Perandorisë Osmane, si dhe të vetë marrëdhënies së shqiptarëve me këtë pjesë të historisë, debat ku morën pjesë komentatorë dhe historianë.
Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, dënoi vandalizimin e Kalasë së Lezhës dhe pllakës si barbari dhe primitivizëm.
Auron Tare, drejtor i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, e quajti sulmin një “barbari e cila në emrin e antiosmanizmit dëmton trashëgiminë kulturore dhe historinë e këtyre trojeve”.
Profesor Aurel Plasari u shpreh i shqetësuar për rikthimin e pllakës duke e konsideruar atë si një orvatje për ta paraqitur Sulltanin Sulejman si “rindërtues”.
Për Plasarin dhe shumë kritikë të tjerë, përmbajtja e shkrimit në osmanisht te pllaka në fjalë ka rëndësi vendimtare.
E përkthyer nga ekspertët e Ministrisë së Kulturës, pllaka në fjalë thotë:
“Sulltan Sulejmani ka rikonstruktuar këtë kështjellë të bekuar, Zoti e përjetësoftë mbretërimin e tij dhe i dhëntë jetë të gjatë. Me ndihmën e Dervish Muhamedit, i biri i Uzgur. Kryelarta, kështjellë e fortë e Sulejmanit. Viti 928 ose me kalendarin Gregorian, viti 1522”.
Ministria e Kulturës thotë se bëhet fjalë thjesht për një artefakt që vlerësohet vetëm si i tillë dhe se prania e artefaktit në Kalanë e Lezhës nuk ndikon në mënyrën se si lexohet historia.
Por për specialistin përgjegjës të kalasë, Dedë Margjoni, debati mbi pllakën është i tepërt.
“Do të doja që këta njerëzit që janë prekur në ndjenjat fetare të flisnin pse qyteti i Lezhës nuk ka një muze, pse Kalaja është e vizitueshme vetëm për 1 Maj dhe Ditës së Verës, pse nuk ka një muze arkeologjik me tërë atë fond që ndodhet nëpër depo. Ja, këto do të ishin debate që do i shkonin një atdhetari të flaktë dhe jo t’i shpallnin luftë një pllake pse ka emrin e një Sulltani,” thotë Margjoni.
