Këta janë artistët e rinj që po sfidojnë status quo-në duke promovuar talentet e reja dhe duke rigjallëruar skenën artistike vendase në Nikshiç të Malit të Zi.
Shtëpia e Ushtrisë Jugosllave në qytezën e Nikshiçit, në perëndim të Malit të Zi, ka pësuar të njëjtin fat si shumë ndërtesa të kohës së Jugosllavisë socialiste: dritare të thyera, hapësira të mbushura me plehra dhe dysheme përplot me shiringa të përdorura dhe lugë heroine të hedhura.
Dikur qendra kulturore dhe shoqërore për qytetin, ndërtesa që dikur përdorej për koncerte, organizime dhe festa të të gjitha llojeve u rrënua gradualisht pas kolapsit të ish-Jugosllavisë.
Në fillim të vitit 2015, ndërtesa dukej pak a shumë si e gjithë jeta kulturore në Nikshiç. Qyteza me 60 mijë banorë kishte nevojë urgjente për ekspozimin dhe organizimin e aktiviteteve. Nga pikëpamja kulturore, Nikshiqi po vdiste.
E vjetruar, e rrënuar dhe e harruar, e gjendur në qendër të qytetet, vetëm pak qindra metra larg selisë së komunës, ish qendra e kulturës qe për të ardhur keq. Por Zdravko Delibasic, një 30 vjeçar dizajner grafik që punon në Fakultetin e Arteve të Bukura në qytezën e Cetinës, e pa atë si një hapësirë ideale për ekspozita.
Bashkë me shokë e kolegë, Delibasic e pastroi ndërtesën dhe e ktheu atë në qëllimin fillestar, duke bërë shumë organizime që patën shumë ndikim në qytezë.
Delibasic, i cili pati lindur në Nikshiç, dhe miqtë e tij krijuan grupin PUNKT në fillim të vitit, një grup arti që synon të krijojë hapësira për gjeneratën e më të rinjve që të promovojnë punët e tyre. PUNKT vendosi gjithashtu të luftojë problemet e tjera që patën goditur skenën kulturore të vendit: dominimin e artistëve të vjetër të njohur, mungesën e interesit publik për artin dhe dominimin e përmbajtjes komerciale dhe të masmedias.
Hapja e një ekspozite në Shtëpinë e Ushtrisë Jugosllave qe projekti i tyre i parë. Synimi qe që të ndihmonin artistët e rinj të zhvillonin karrierën e tyre dhe, duke e bërë këtë, të fuqizojnë skenën kulturore vendore e cila qe, sipas Delibasic, pothuajse inekzistente në Nikshiç.
Duke përdorur qendrën kulturore të braktisur të ushtrisë, PUNKT ka rigjallëruar njëkohësisht në mënyrë simbolike jetën kulturore të qytetit e cila kishte pësuar rënie të vazhdueshme që pas kolapsit të ish-Jugosllavisë. Projekti u prit mirë nga autoritetet dhe publiku.
Aktivitetet e organizuara nga Shtëpia e Ushtrisë së Jugosllavisë u vizituan nga presidenti i komunës dhe përfaqësues të tjerë, zyrtarë nga ministritë e kulturës dhe të shkencës si dhe njerëz të rëndësishëm të kulturës në Malin e Zi.
Shtëpia e pionierëve të Titos
Skulptori Marko Petrovic Njegos, një 35 vjeçar nga Nikshiqi rikujton herën e parë kur ai vizitoi Shtëpinë e Ushtrisë së Jugosllavisë. Ajo vizitë pati ndodhur kur ai qe ende një nga ‘Pionjerët e Titos’, dhe thotë se ndërtesa i risjell atij në mendje gjithmonë fëmijërinë e vet.
Në ish-Jugosllavi, fëmijët e shkollave bëheshin pionjerë të Totos në moshën shtatë vjeç – pajiseshin me një shall të kuq dhe me një kapele me yll të kuq – rruga zyrtare e të bërit një qytetar model në Jugosllavi.
Në atë kohë, ndërtesa qe një sallë multifunksionale, ku zhvilloheshin shfaqje teatrale, aktivitete dhe mbrëmje poetike, dhe qe simboli i jetës kulturore të Nikshiqit, në atë kohë shumëngjyrëshe dhe e pasur.
“Unë luaja me flaut këtu me orkestrën e shkollës sime. Ajo më motivoi mua për të krijuar instalacione arti që prezantojnë një orkestër këtu,” thotë Petrovic Njegos, duke rikujtuar punën që bëri në ekspozitën e parë të organizuar nga PUNKT.
“Unë përdora binarë me dru të staxhionuar, të cilat qenë përdorur për vinç ndërtimi dhe qenë magazinuar në bodrumin e Shtëpisë së Ushtrisë së Jugosllavisë. Ato qenë të vjetruar dhe të krisur, por idealë për t’u përdorur në mjediset e vjetruara të shtëpisë. Me shumë pak korrektime, unë bërë figura për secilin nga anëtarët e orkestrës, përfshirë dirigjentin. Instalacioni u plotësua me një fotografi të vjetër të Titos të cilën gjithashtu e gjetëm në bodrum,” thotë ai me krenari duke përshkruar punën e tij.
Para ekspozitës së tij të parë, të mbajtur më 20 shkurt, organizatorët e PUNKT ftuan piktorë të rinj, skulptorë dhe muzikantë nga Nikshiqi për t’u bashkuar me ta dhe për të treguar se çfarë mund të bëjë një qytezë kur ka vullnet. Për rrjedhojë, nëntë artistë u zgjidhën për të ekspozuar punën e tyre – pa pagesë – në qendrën kulturore të ringjallur.
Piktorja Marija Vemić, 24 vjeç, mori pjesë në ekspozitën e parë. Ajo zgjodhi një dhomë gri, i dha asaj një pamje të re me ngjyrë të kuqe dhe pastaj pikturoi sy nëpër të gjitha muret.
“Bashkë me kolegët e mi, unë leva muret në të kuqe dhe pastaj i shtova sy të zinj të shumtë. Gjatë hapjes së ekspozitës, shtëpia po shikohej dhe ajo po shikonte! Unë desha që vizitorët të ndjeheshin të shikuar dhe i bëra të mendojnë mbi këtë,” shpjegon Marija.
“Me mjedise të mrekullueshme dhe me audiencë fantastike, unë nuk pata ndjesinë se isha në Nikshiq. Unë pata përshtypjen se po luaja në Berlin ose në ndonjë vend të ngjashëm,” thotë Janjusevic.
Pavarësisht faktit se qindra vizitorë erdhën në këtë aktivitet thjeshtë nga kurioziteti dhe dashuria për artin, vandalët sulmuan ndërtesën vetëm dy ditë pas ceremonisë së hapjes dhe shkatërruan veprat e tyre të artit.
“Ata shprehën ‘krijueshmërinë’ e tyre dhe shkatërruan instilacionin tim,” rikujton me trishtim Petrovic Njegos. “Por ata nuk na diskurajuan ne. Kjo thjeshtë na motivoi më shumë për të vijuar me misionin tonë.”
Aktiviteti në Shtëpinë e Ushtrisë së Jugosllavisë qe i pari, por jo i fundit nga projektet e PUNKT. Ata organizuan gjithashtu një ekspozitë më 8 mars në bashkëpunim me një galeri vendëse, ku nëntë piktore prezantuan punët e tyre si dhe shfaqje muzikore teatrale në prill dhe një Pazar tradicional në qershor, gjatë së cilës një nga shtëpitë më të vjetra në Nikshiq mori një murale të re.
Pas këtyre aktiviteteve fillestare, PUNKT la selinë në shtëpinë e ushtrisë. Ata thonë se projekti i tyre qe i përkohshëm dhe pati shërmbyer qëllimin e vet për ngritjen e problemeve përreth jetës kulturore në Malin e Zi. Qyteza tashmë po planifikon ndërtimin e një lloj qendre biznesi dhe shkence të quajtur Technopolis aty.
Duke i dhënë shpresë artistëve të rinj
Themeluesit thonë se PUNKT prezanton një energji të re kulturore në Nikshiq, gjë që ka mbledhur shumë artistë vendës që ndajnë të njëjtin vizion – të mbështesin jetën kulturore dhe shoqërore në bashkësinë e tyre.
“PUNKT është një bazë për promovimin e talentit, punës krijuese dhe përqasjeve origjinale ndaj artit. PUNKT nuk është thjeshtë një organizatë, është më shumë një mënyrë se si ne i trajtojmë problemet dhe sfidat e kulturës së sotme vendore,” shpjegon me krenari Delibasic, duke shtuar se organizata ka, që nga fillimi, marrë mbështetjen nga sponsorë të tillë si Fondi për Qytetari Aktive (FAKT) dhe kompanitë e donatorët privatë, gjë që i ka ndihmuar ata të arrijnë objektivat e tyre.
Pas ekspozitës së parë në ndërtesën e ushtrisë, Bashkësia e Artit Europian Dukley i ofroi dy artistëve të rinj të përdornin një studio arti në qytezën malazeze bregdetare të Kotorit pa pagesë për dy vjet, gjë që i ka dhënë Delibasic një motiv shtesë që PUNKT të vijojë misionin e vet.
“Kur ne ia dalim të prezantojmë dhe të ngremë me sukses së paku një artist për shfaqje, ne jemi shumë të lumtur. Kjo është esenca e ekzistencës së organizatës sonë,” thotë ai.
PUNKT është duke planifikuar projekte të reja por ata nuk duan të flasin ende për ta. Organizata dëshiron të zgjerohet dhe të ketë ndikim më të gjerë në shoqëri dhe në bashkësitë e tyre. Artistët e rinj që kanë qenë pjesë e fillesave të qendrës dëshirojnë gjithashtu më shumë.
“Unë shpresoj që PUNKT të sjellë së bashku sa më shumë artistë që të mundet. Së bashku ne mund të ndihmojmë shoqërinë të rrisë ndërgjegjësimin kulturore. Ne kemi vënë sakaq në lëvizje ndryshime domethënëse,” thotë Janjusevic.
Vemic, piktorja që mori pjesë në shfaqjen e parë, thekson se PUNKT është e vetmja organizatë e këtij lloji në Nikshiq, ndoshta edhe në të tërë Malin e Zi, republika më e vogël e dalë nga ish-Jugosllavia me një popullsi prej vetëm 600 mijë banorësh.
“PUNKT më ka dhënë mua një mundësi për të qenë pjesë e një projekti që ndryshe nuk do ta ndërmerrja me iniciativën time. Pati gjithmonë diçka të re, të ndryshme dhe frymëzuese. Unë besoj shumë se çdo qytet në Malin e Zi ka nevojë për një PUNKT,” thotë ajo.
‘Arti i mirë mbetet i padukshëm’
Me gjithë se të kënaqur me rezultatet e punës së tyre, anëtarët e PUNKT mbeten, gjithsesi, të palumtur me situatën e përgjithshme të artit dhe kulturës në vendin e tyre. Ajo që i zemëron ata më shumë është se shumica e artit të mirë zakonisht mbetet i padukshëm për publikun.
“Unë besoj se Mali i Zi ka artistë të shumtë të rinj që meritojnë vëmendje. Disa prej tyre janë aty ku supozohej se duhej të ishin, por shumë marrin kurrë një mundësi. Arsyet janë të panumërta,” thotë Vemic.
Ajo është nën përshtypjen se të njëjtët artistë janë zakonisht në qendër të vëmendjes.
“Kolegët më të moshuar apo të vetëshpallur artistë shpesh nuk lënë shanse për të rinjtë që të prezantohen. Unë pranon se çdokush duhet të mbrojë artin e vet, por jo çdokush ka të njëjtat mundësi për ta bërë këtë,” thotë ajo.
Janjusevic kritikon sistemin. Me pasion rebeli, ai beson se sistemi miraton vetëm intelektualë dhe artistë shpirtërisht të kufizuar, të cilët jo gjithmonë janë të shumëkërkuar.
“Artistët e rinj do të marrin mundësi të mira vetëm nëse binden të bëjnë atë që shoqëria mediokre kërkon. Nëse një artist dëshiron të bëjë diçka të ndryshme, për të ndikuar të rinjtë, sistemi bëhet pengesa më e madhe. PUNKT, në anën tjetër, ndihmon këta artistë për ta sjellë veprën e tyre në jetë,” thotë Janjusevic.
Petrovic Njegos ka një mendim më pragmatik, duke thënë se artistët përballen me të njëjtat probleme si të gjithë njerëzit e tjerë – mungesën e parave.
“Pas diplomimit, realiteti i rreh shpatullat e artistit. Shumica e tyre fillojnë të punojnë në vende pune krejt të ndryshme, thjeshtë për të mbijetuar. Problemi është që kur ti fillon të dalësh nga “rruga e artit,” fillon të humbasësh krijueshmërinë dhe frymëzimin me kalimin e kohës,” shpjegon ai.
Për Delibasic, sfidat kryesore të artistëve sot sillen përreth dominimit të përmbajtjes komerciale, masmedias dhe mungesës së interesit të publikut për artin e vërtetë.
“Produktet artistike që krijuesit e rinj ofrojnë zakonisht nuk përshtaten me rutinën dhe vlerat e zakonshme; nuk është komerciale apo në modë,” thotë ai.
Situata e përgjithshme e shoqërisë nuk ndihmon shumë, sipas Delibasic.
“Një përqindje e madhe e popullsisë në Malin e Zi është e papunë, standardet e jetesës janë të ulëta dhe në një shoqëri si kjo, ti nuk mund të presësh që njerëzit të jenë të interesuar për art, apo që të blejnë piktura, ndërkohë që nuk kanë para të mjaftueshme për të plotësuar nevojat e tyre bazë,” thotë ai.
“Askund nuk është e lehtë për artistët e rinj, veçanërisht këtu. Por situata nuk është e pashpresë, gjë që dëshmohet edhe nga projektet tona këtu.”
Ky artikull financohet nga projekti Invisible Art mbështetur nga Fondi Prince Claus.