Vullnetarët që punojnë në kampin e refugjatëve pranë qytetit kufitar të Gevgelijës thonë se ata janë të organizuar më mirë sesa në verë, por dimri në prag i shqetëson.
Disa qindra metra rrugë e pashtruar ndan kampin e refugjatëve në kufirin jugor të Maqedonisë nga periferitë e qytetit Gevgelija.
Lëvizja këtu është e kufizuar dhe vetëm personat me leje të posaçme nga qeveria lejohen të hyjnë brenda apo t’i afrohen kampit, që drejtohet nga policia dhe organizatat humanitare.
“Ky është vetëm për regjistrim dhe tranzit të atyre që mbërrijnë. Ne nuk mund të fusim brenda 3000 njerëz nëse ata të gjithë qëndrojnë,” tha Aleksandër, një punonjës humanitar i UNICEF të cilin e takuam brenda.
Në samitin e javës së shkuar në Bruksel, BE-ja prezantoi një plan për të lehtësuar barrën e refugjatëve që vijnë nga Siria në luftë, Afganistani dhe Iraku. plani parashikon strehimin e rreth 50,000 refugjatëve në Greqi dhe 50,000 të tjerëve në vendet e Ballkanit që shtrihet në rrugën tranzit për në Gjermani.
Megjithatë, presidenti maqedonas Gjorge Ivanov e paralajmëroi samitin se vendi i tij mund të pranojë vetëm 2000 refugjatë për një periudhë të gjatë.
Në kampin pranë Gevgelijës, po punohet për të zgjeruar kapacitetet e higjienës, por askush nuk flet për mundësinë e zgjerimit të kampit.
Ndërkohë policia po mbledh dhe udhëzon refugjatët e sapoardhur në kufirin drejt pikës hyrëse të kampit.
Nga atje, formohen grupe me rreth 50 refugjatë dhe prezantohen një nga një në tendën e parë që shërben si një post informacioni ku përkthyesit farsi dhe urdu i drejtohen njerëzve.
Grupet përbëhen kryesisht nga të rinj dhe familje të tëra. Aty këtu të kap syri ndonjë të moshuar.
Pasi qëndrojnë atje për disa minuta, grupi transferohet në një tendë tjetër ku ata kontrollohen nga policia dhe i lëshohet një vizë tre-ditore tranziti me të cilën mund të vazhdojnë udhëtimin e tyre drejt kufirit serb.
“Sot presim nga 3000 deri në 5000 refugjatë. Por kemi pasur ditë me më shumë se 20,000. Ata janë të gjithë afganë sot,” tha një oficer policie me syze që ruan rendin në vend.
Gushti ishte kaotik, kur policia u përpoq të paranda
lojë mijëra refugjatë që të mos hynin në Maqedoni. Ata përdorën granata tymuese dhe forcë ndaj refugjatëve që u përpoqën të kalonin barrikadat. Raportimet e gazetarëve për incidentin e vunë Maqedoninë nën kritikën botërore.
“Këto ditë nuk ka asgjë për ju gazetarët këtu,” tha oficeri i policisë duke buzëqeshur. Ai po i referohej mungesës së pamjeve shokuese që dolën në titujt e lajmeve botërore.
Brenda tendës së parë takohemi me Ramazanin, 16 vjeç nga Herati i Afganistanit. Ai duket i lodhur.
“Qyteti im u shkatërrua. Çdo gjë atje është e shkatërruar… Humba tim atë,” tha ai duke anuar kokën. Në një anglishte jo të mirë që ai thotë se e ka mësuar në shkollë, tregon se iu desh atij dhe familjes së të vëllait një muaj që të mbërrinin në Maqedoni.
Pas plotësimit të formaliteteve me autoritetet, refugjatët kanë disa orë kohë të marrin ushqim ose pije nga punonjësit humanitarë, të kujdesen për fëmijët në tendën e infermierisë, të bëjnë një dush ose thjesht të pushojnë.
Një tendë e drejtuar nga UNICEF i jep lodra fëmijëve dhe pelena e ushqim bebesh më të rinjve. Ajo është e dekoruar me vizatime fëmijësh.
Formohen përsëri grupe dhe dërgohen në stacionin e trenit që është pjesë e kampit tranzit.
Hekurudha maqedonase “shfrytëzon” refugjatët.
Bileta e trenit që i çon ata në kufirin serb në veri kushton 25 euro për person. Stafi i hekurudhës shtetërore ia merr paratë teksa hipin në trenat e papastër.
“Sa më shumë, aq më mirë!” i thotë një shitës biletash kolegut të tij, pa e ditur se po vëzhgohet nga një grup i vogël gazetarësh.
Duket se asgjë nuk ka ndryshuar që nga shtatori, kur autoritetet thanë se do tëhetonin përse kompania i ngriti tarifat nga pesë në25 euro për migrantët.
Qendra e Menaxhimit të Krizës tha për BIRN këtë pas akuzave nga grupet e të drejtave të njeriut se shteti po i shfrytëzon refugjatët duke i tarifuar ata shuma të larta për transport.
“Pesë trena largohen nga ky vend mesatarisht çdo ditë. Secili ka nga 200 vende por mbushen me 500 deri në 1000 njerëzv. Secili paguan 25 euro, bëni llogarinë,” tha një punonjës humanitar për BIRN.
“Ky vend praktikisht po paguhet nga refugjatët… Është e gjitha një gënjeshtër se Maqedonia po shpenzon një milionë euro në javë për ta,” shtoi ai.
Alternativa është të marrë një taksi apo një autobus, stacionuar disa qindra metra nga kampi, megjithëse çmimi për person mbetet i njëjtë, 25 euro.
Vullnetarët nga Habitati për Humanitetin, UNICEF, Legis dhe Kryqi i Kuq Maqedonas thonë se kushtet janë më të mira dhe se organizimi më i mirë se në verë dhe se teksa dimri afrohet, rrobat e ngrohta bëhen një prioritet.
“Por vendi nuk është i interesuar të investojë më shumë,” tha një punonjës nga Kryqi i Kuq.
“Nuk ka mjaftueshëm elektricitet. Ne kemi nevojë për një stacion të ri transformatori por askush nuk po ndihmon. Pa elektricitet nuk ka mjaftueshëm ngrohje”.
Ndërsa bisedimet e BE-së rreth strehimit të refugjatëve nëpër Ballkan vazhdojnë, UNiCEF së fundmi paralajmëroi se vendet e Ballkanit nuk janë gati të mbeten itinerari tranzit i refugjatëve në kushtet e dimrit.
Ndërsa refugjatët me qindra kalojnë me qetësi kufirin, kryebashkiaku i Gevgelija, Ivan Frangov, ankohet që telashi shkaktohet nga taksitë dhe autobusët që transportojnë refugjatët. Ai propozon një zgjidhje shtesë.
“Na duhet një pikë e dytë zyrtare e kalimit të kufirit në vend që tani shërben si një pikë hyrëse për refugjatët. Kjo do të lironte barrën e qytetit dhe do të shpejtonte gjërat,” tha Frangov.