Refugjatët nga luftërat e viteve 1990 në Ballkan tani po ndajnë vendstrehimin e tyre të përkohshëm në Beograd me njerëzit që po i largohen konflikteve më të fundit në Lindjen e Mesme dhe Afrikë.
Gjysmë orë me makinë nga qendra e kryeqytetit serb Beogradit, një grup i rrënuar të barakash në lagjen Krnjaca ka qenë që në vitin 1993 shtëpi për refugjatët të cilët i ikën konflikteve në ish-Jugosllavi.
Autoritetet kanë premtuar ta mbyllin qendrën e refugjatëve në fund të vitit 2016 dhe t’i ristrehojnë 36 familjet serbe nëpër apartamente shtetërore në Beograd, por që kur filloi fluksi masiv i emigrantëve, refugjatëve të mbetur të Ballkanit tani u janë bashkuar fqinjë të rinj nga matanë detit.
Krnjaca është renditur për të shërbyer si një nga pesë qendrat e përkohshme të Serbisë për akomodimin e azilkërkuesve nga Lindja e Mesme dhe Afrika, dhe sipas Komisariatit të vendit për Refugjatët, në kamp vijnë çdo ditë rreth 100 të ardhur.
Shumica e refugjatëve nga Lindja e Mesme shkojnë në stacionin kryesor hekurudhor në Beograd, ku bashkatdhetarët e tyre mblidhen gjatë ditës, dhe kthehen në mbrëmje vetëm për të ngrënë dhe fjetur, duke e lënë qendrën në Krnjaca të duket si e braktisur gjatë ditës.
Por një prej tyre, Nur Nurri, një 33-vjeçar i cili u largua nga Afganistani, ishte ende në kasollen e tij, sepse ishte sëmurë, dhe tregoi një histori të njohur frike, dëshpërimi dhe pasigurie për të dashurit që ai la pas, kur u largua
“Afganistani është shkatërruar, tha Nurri për BIRN. “Jetoja pranë zonave të konfliktit, kështu që duhej të largohesha. Familja ime vendosi të rrijë në Afganistan. Nuk e di se çfarë po ndodh me ta, ose se si ata janë.”
M’Pak, një nigerian 25 vjeçar, u largua nga vendi i tij në mes të një kryengritje brutale të udhëhequr nga grupi islamik militant Boko Haram, i cili vrau me mijëra njerëz në verilindje të vendit.
“Boko Haram më mori krahun e djathtë, kështu që duhej të largohesha,” shpjegoi ai.
Ai tha se ishte trajtuar mirë në Krnjaca, dhe se i kanë premtuar se do ta ndihmojnë të kontaktojë të afërmit e tij në Afrikën e Jugut që mund ti dërgojnë atij para.
“Kam dy ditë këtu, por mendoj se do të kaloj disa muaj këtu dhe më pas do të kthehem në Nigeri. Nuk e di vërtet se çfarë do të ndodhë me mua,” tha ai.
Fqinji i M’Pakut, Dragan Radojeviç, një serb 70 vjeçar i cili u largua nga Kosova pas luftës në vitin 1999, tha se ai ka vite që pret një mundësi për të lëvizur nga Krnjaca dhe shpreson ende se autoritetet do t’i japin atij një apartament në Beograd.
Edhe pse mijëra refugjatë “të rinj” nga Lindja e Mesme dhe Afrika kanë kaluar përmes Krnjacas në rrugën e tyre për në Europën Perëndimore në muajt e fundit, Radojeviç thotë se ata nuk kanë shkaktuar ndonjë përçarje.
“Nuk kemi pasur ndonjë problem me ta. Ata nuk vijnë në numër të madh dhe tani nuk qëndrojnë për një kohë të gjatë,” shpjegoi ai.
“Sigurisht, ndonjëherë ka disa fërkime, por kjo nuk është asgjë jo e zakonshme kur ke njerëz që i ikin luftës dhe varfërisë dhe vendosen në kampe të tilla,” shtoi ai.
Siç tha edhe Radojeviçi, shumica e refugjatëve që i ikin konflikteve të huaja dhe varfërisë, e përdorin Serbinë thjesht si një pikë tranziti dhe nuk qëndrojnë për një kohë të gjatë në vend.
Një përjashtim mund të jetë Fehim Muday, një somalez 19-vjeçar i cili ishte drejtuar për në Europën Perëndimore, por ndryshoi mendjen kur mbërriti në Beograd.
“Erdha këtu dhe zura miq. Kam filluar të mësoj gjuhën serbe dhe jam shumë i zoti në të,” tha ai me serbishten e tij pothuajse të rrjedhshme.
“Më pëlqejnë njerëzit dhe stili i jetesës këtu, kështu që do të doja të qëndroja dhe të shkoja në ndonjë universitet.”