Kur CIA rrënjosi te të rinjtë myslimanë idenë e xhihadit që do të mbronte tokën islamike nga të huajt, atëherë Bashkimi Sovjetik, ajo nuk e dinte që një ditë ata do ta shihnin SHBA-në dhe të gjithë perëndimin si të pafe, duke i kërcënuar me akte të tmerrshme terrori.
Sulmet terroriste mbi civilët, si rrëzimi mbi Sinai i një avioni rus ku u vranë 224 pasagjerë, si masakra tmerruese e Parisit që mori 129 jetë të pafajshme apo bombardimi tragjik në Ankara që vrau 102 aktivistë të paqes, janë krime kundër njerëzimit. Fajtorët, në këtë rast, Shteti Islamik (ISIS), duhet të ndalen. Suksesi do të kërkojë një kuptim të pastër të rrënjëve të këtij rrjeti të pamëshirshëm xhihadistësh.
Është e dhimbshme të pranohet, perëndimi, veçanërisht Shtetet e Bashkuara, mban një përgjegjësi për krijimin e kushteve në të cilat ISIS ka lulëzuar. Vetëm një ndryshim në politikën e jashtme vis-a-vis të SHBA dhe Europës në Lindjen e Mesme mund të pakësojë rrezikun e terrorizmit të mëtejshëm.
Sulmet e fundit duhet të kuptohen si “terrorizëm jehonë”: një rezultat i tmerrshëm i paplanifikuar i veprimeve ushtarake të SHBA dhe Europës në Lindjen e Mesme, Afrikën Veriore, Bririn e Afrikës dhe Azinë Qëndrore që synoi të përmbyste qeveritë dhe të instalonte regjime që i përshtateshin interesave perëndimore. Këto operacione jo vetëm që kanë destabilizuar rajonet shënjestër, duke shkaktuar vuajtje të mëdha, por gjithashtu kanë vënë popullatat në SHBA, BE, Rusi dhe Lindje të Mesme në rrezik të madh terrori.
Publikut nuk i është thënë kurrë historia e vërtetë e Osama bin Laden, Al Kaedës apo rritjes së ISIS në Irak dhe Siri. Duke filluar në vitin 1979, CIA mobilizoi, rekrutoi, trajnoi dhe armatosi të rinj suni për të luftuar Bashkimin Sovjetik në Afganistan. CIA rekrutoi kryesisht nga popullatat myslimane (përfshirë Europën) për të formuar muxhahidët, një forcë shumëkombshe luftëtarësh suni të mobilizuar për të përzënë sovjetët nga Afganistani.
Bin Laden, nga një familje e pasur saudite, u çua për të ndihmuar drejtimin dhe bashkëfinancimin e operacionit. Ky ishte lloji tipik i operacioneve të CIA-s: mbështetja në financimin e improvizuar përmes një familje të pasur saudite dhe të ardhurat nga kontrabanda lokale dhe tregtia e narkotikëve.
Duke promovuar pikëpamjen kyçe të një xhihadi që mbron tokën e islamit nga të huajt, CIA prodhoi një forcë të fortë luftimi prej mijëra të rinjsh të zhvendosur nga shtëpitë e tyre dhe gati për betejë. Është kjo forcë fillestare – dhe ideologjia që e motivoi atë – që sot formon ende bazën e kryengritësve xhihadist suni, përfshirë ISIS. Ndërsa shënjestra origjinale e xhihadistëve ishte Bashkimi Sovjetik, sot “të pafetë” përfshinë SHBA-në, Europën (kryesisht Francën dhe Britaninë) dhe Rusinë.
Në fund të viteve 1980, me tërheqjen e sovjetëve nga Afganistani, disa elementë të muxhahidëve morën formën e Al Kaedës, që në arabisht do të thotë “baza”, që i referohej ndërtesave ushtarake dhe objekteve të stërvitjes në Afganistan ndërtuar për muxhahidët nga Bin Laden dhe CIA. Pas tërheqjes së sovjetëve, termi Al Kaeda ndryshoi kuptim nga një bazë specifike ushtarake në një bazë organizative të aktiviteteve xhihadiste.
Pasojat negative kundër SHBA-së filluan në vitin 1990 me Luftën e Parë të Gjirit, kur SHBA krijoi dhe zgjeroi bazat ushtarake në tokën islame (Dar al-Islam) , kryesisht në Arabinë Saudite, shtëpi e financimit të islamit dhe vendeve të shenjta. Kjo prani e zgjeruar e ushtrisë amerikane ishte e kundërta e ideologjisë themelore të xhihadistëve që CIA kishte bërë aq shumë për ta ngjizur.
Lufta e paprovokuar e Amerikës në Iran në 2003 i lëshoi nga zinxhiri demonët. Jo vetëm që lufta u lançua në bazë të gënjeshtrave të CIA-s, gjithashtu synonte të krijonte një regjim shia të nënshtruar ndaj SHBA-së dhe kundër xhihadistëve suni dhe shumë sunive të tjerë irakianë që ishin gati të rroknin armët. Së fundmi, SHBA-ja, Franca dhe Britania rrëzuan nga pushteti Kadafin në Libi dhe SHBA punoi me gjeneralët egjiptianëpër të rrëzuar qeverinë e zgjedhur të Vëllazërisë Myslimane. Në Siri, pas shtypjes me dhunë të protestave paqësore të publikut nga ana e presidentit Bashar al-Assad në vitin 2011, SHBA-ja, Arabia Saudite, Turqia dhe aleatë të tjerë të rajonit ndihmuan në krijimin e një ushtrie kryengritësish që e ka çuar vendin në kaos dhe dhunë.
Operacione të tilla kanë dështuar – vazhdimisht dhe në mënyrë shkatërrimtare – të prodhojnë qeveri legjitime apo stabilitet. Përkundrazi, duke themeluar qeveri autoritare në Irak, Libi dhe Siri dhe duke stabilizuar Sudanin dhe pjesë të tjera të Afrikës që konsiderohen si armiqësore ndaj perëndimit, ata kanë bërë më shumë për të nxitur kaosin, gjakderdhjen dhe luftën civile. Është kjo trazirë që i dha mundësinë ISIS të marrë dhe të mbrojë territorin në Siri, Irak dhe pjesë të Afrikës Veriore.
Tre hapa janë të nevojshëm për të mposhtur ISIS dhe xhihadistë të tjerë të dhunshëm. Së pari, presidenti amerikan Barak Obama duhet të ndërpresë operacionet e mbuluara të CIA-s. Përdorimi i CIA-s si një ushtri sekrete për destabilizim ka një histori të gjatë dhe tragjike dështimi, të fshehur nga pamja e publikut nën mantelin e sekretit të agjencisë.
Së dyti, SHBA-ja, Rusia dhe anëtarë të tjerë të përhershëm të Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara duhet të ndalojnë menjëherë luftën e tyre të brendshme dhe të krijojnë një marrëveshje për paqen siriane. Ata kanë një përgjegjësi të përbashkët dhe urgjente në përballjen me ISIS; të gjitha janë viktima të terrorit. Për më tepër, veprimi ushtarak kundër ISIS mund të dalë me sukses vetëm me legjitimitetin dhe mbështetjen e Këshillit të Sigurimit të OKB.
Marrëveshja e OKB duhet të përfshijë një fund imediat ndaj kryengritjes kundër Assad që SHBA, Arabia Saudite dhe Turqia kanë ndjekur; një armëpushim sirian; një forcë ushtarake me mandat të OKB për t’u përballur me ISIS dhe një tranzicion politik në Siri diktuar jo nga SHBA, por nga një konsensus i OKB për të mbështetur rindërtimin politik jo të dhunshëm.
Së fundmi, zgjidhja afatgjatë për stabilitetin rajonal gjendet në zhvillimin e qëndrueshëm. E gjithë Lindja e Mesme është e rrethuar jo vetëm nga luftërat por edhe nga dështimet në thellim të zhvillimit: si shkretëtirëzimi, papunësia e lartë e të rinjve, sistemet e këqija të arsimit dhe bllokime të tjera serioze.
Më shumë lufëra – veçanërisht ato të mbështetura nga CIA dhe drejtuar nga perëndimi – nuk do të zgjidhin asgjë. Përkundrazi, një rritje e investimit në edukim, shëndetësi, energji të rinovueshme, bujqësi dhe infrastrukturë, financuar nga brenda rajonit dhe globalisht, është çelësi i ndërtimit të një të ardhme më të qëndrueshme për Lindjen e Mesme dhe botën.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2015. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. Ending Blowback Terrorism