
Një fenomen interesant po i kthen qytetet e vogla dhe të mëdha në qendra të testimit të teknologjisë më të fundit, që sipas ekspertëve do të ndryshojë një herë e përgjithmonë mënyrën tonë të jetës.

Gjatë dekadave të fundit të shekullit të 20, “Silicon Valley” ishte epiqendra e pakrahasueshme e inovacionit të teknologjisë së lartë. Rajone të tjera u përpoqën të imitonin suksesin e saj, por asnjë nuk ia doli.
“Sophia Antipolis” e Francës, një përpjekje nga lart poshtë nga qeveria për të krijuar një lagje inovacioni pranë Kanës, nuk evoluoi kurrë përtej origjinës si një park teknologjik relativisht i qetë – ndryshe nga emri mitologjik, moti si i Kalifornisë dhe zonës rrethuese me gastronomi të paçmuar.
Në shekulli e 21 megjithatë, konkurrenca ndaj “Silicon Valley” u bë më e ashpër – siç u reflektua nga numrat në rritje të lokacioneve që po përfshijnë elementë kimikë në emrat e tyre: “Silicon Alley” (Nju Jork), “Silicon Wadi” (Tel Aviv), “Silicon Sentier” (Paris), etj. Në Londër, për shembull, shfaqja e “Silicon Roundabout” në fund të viteve 2000 e kapi qeverinë britanike në befasi. Tani “Tech City” i rikthyer në qarkullim, qendra e inovacionit në lagjen e vjetër Shoreditch ka evoluar në një nga motorët kyç ekonomikë në Londër dhe në magnet talentesh.
Ngjarje të ngjashme po ndodhin nëpër botë. Në Berlin, një sipërmarrje e re themelohet çdo 20 minuta. Parisi është i zënë duke ndërtuar atë që do të jetë inkubatori më i madh i Europës në Halle Freyssinet. Dhe në Tel Aviv, fraza “komb sipërmarrjesh” ka shkuar nga një llogan politik në një realitet ekonomik.
Për herë të parë, “njëbrirëshit” (sipërmarrjet që arrijnë një vlerësim më shumë se 1 miliard dollarë) nuk janë më ekskluzivë për Shtetet e Bashkuara – një realitet që do të kishte qenë i paimagjinueshëm vetëm disa vite më parë. Një gjeneratë e ndritur e të rinjve globalë – nga Mumbai në Pragë në Kenia dhe Singapor – po mbështetet te inovacioni dhe fondet e kapitaleve amerikane, të mbështetur nga aksesi në financimin e lirë, po i ngopin orekset e tyre të investimit jashtë shtetit.
Dhe ka disa faktorë pas këtij fenomeni. Në një botë të globalizuar, rrjedhja e kapitalit ka përshpejtuar dhe zgjeruar shtrirjen e tyre. Inovatorët kudo në botë mund të marrin mbështetje nga kapitalistë tradicionalë ose nga platforma financuese si për shembull Kickstarter. Idetë lëvizin edhe më shpejt prej internetit. Dhe aftësia për t’i kthyer ato në realitet është gjithnjë e më e madhe teksa zinxhirët globalë të furnizimit dhe teknologjitë e reja si printimi 3D pakësojë kohën e zbatimit.
Ndërkohë, Recesioni i Madh që pasoi krizën financiare të vitit 2008 ka përçarë industritë tradicionale, duke krijuar një tepricë të madhe të talentit kreativ dhe të hapësirë së përballueshme të punës. Teksa një forcë punëtore shumë e lëvizshme, e edukuar mirë dhe e gatshme për ndërmarrje rreziqesh konvergon në qendrat urbane, entuziazmi i jetës së qytetit i bashkuar me aftësinë për hapësira të bashkëpunimit dhe një varietet i mekanizmave mbështetës, ndihmon në ruajtjen e vrullit inovativ.
Ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut Michael Bloomberg dha atë që është ndoshta përkufizimi më i saktë i tërheqjes së jetës urbane. Duke folur në hapjen e Universitetit të Stanfordit në vitin 2013 ai tha: ‘besoj se gjithnjë e më shumë të diplomuar të Stanfordit do ta gjejnë veten duke u zhvendosur në “Sicilon Alley”, jo vetëm sepse ne jemi skena e re teknologjike më e nxehtë në vend, por gjithashtu sepse ka më shumë gjëra për të bërë në një mbrëmje pasditeje sesa të shkoni te Pizza Hut në Sunnyvale. Dhe mund të keni mundësi të dilni në takim me një vajzë që nuk e ka emrin Siri”.
Bloomberg kryesisht ka marrë meritën si një nga forcat kryesore pas “Silicon Alley”. Gjatë mbajtjes së postit ai financoi kompani teknologjike në shkallë të hershme, punësoi shefin e parë dixhital të qytetit dhe lançoi një universitet të ri për të zhvilluar talentet e teknologjisë së lartë. Politika të ngjashme po zbatohen tani në shumë zona urbane, në mënyrë që të tërhiqet një masë kritike e njerëzve kreativë dhe të përkushtuar ndaj teknologjisë.
Qytetet, siç theksoi një raport i fundit nga Forumi Ekonomik Botëror po bëhen shpejt jo vetëm drejtues të inovacionit, por gjithashtu terrene testuese të teknologjive të reja, siç hapësira e riprogramueshme, makinat pa shoferë, bujqësia urbane dhe semaforët inteligjentë. Ndërkohë, aplikacionet e thirrjes së makinave si Uber dhe platformat e ndarjes së apartamenteve si Airbnb po tregojnë si qytetet janë bërë disa nga mjediset më pjellore për zhvillimin teknologjik. Kjo është një tjetër arsye përse shumë sipërmarrës të rinj po lëshojnë rrënjë në qendrat urbane.
Me shumë gjasa, ky shtim i inovacionit është vetëm fillimi. Teksa interneti vazhdon penetrimin e tij në të gjitha aspektet e jetës sonë, po hyjmë në atë që shkencëtari kompjuterik Mark Weiser e ka quajtur një periudhë të “informatikës së kudogjendur” – një kohë kur teknologjia është aq mbizotëruese saqë ndodhet në sfodin e jetës sonë”. Nuk do kalojë shumë kohë, derisa bota dixhitale dhe fizike do të jetë e padallueshme. Periudha e “Silicon Kudo” ndodhet përpara nesh dhe po merr formë në qytetet e botës.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2015. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. Silicon Valley Everywhere.