E ashtuquajtura politikë e rrugës së tretë ka qenë gjithmonë më shumë katolike nga sa e kanë kuptuar votuesit – dhe ka ecur përpara me një qeveri të drejtuar nga HDZ dhe kisha.
“Këto zgjedhje parlamentare nuk u fituan as nga partia MOST (Ura) as nga Bashkimi Demokratik i Kroacisë, (HDZ parti e djathtë), por nga Kisha Katolike. Tashmë që ata kanë ardhur në pushtet falë kishës, MOST dhe HDZ do të duhet të ripaguajnë borxhet.”
Kështu tha një zyrtar i lartë në koalicionin e majtë të Kroacisë, Kroacia Rritet, i cili humbi zgjedhjet, dy ditë pas Krishtlindjeve, kur Kroacia më në fund mori një kandidat për kryeministër, pas gjashtë javësh bllokimi politik.
Por sido që këto fjalë mund të tingëllojnë si justifikim për humbjen apo dështimin elektoral, ato janë të vërteta në një farë mënyre.
Lista e Urës së të Pavarurve, MOST, e cila fitoi 19 nga 151 deputetët në zgjedhjet e 8 nëntorit – dhe pa mbështetjen e së cilës as e majta dhe as e djathta nuk mund të krijojë një qeveri – është në një farë mënyre një projekt i Kishës.
Figurat kryesore në MOST, të mbledhura përreth Bozo Petrov i cili, pasi përfundoi studimet në psikiatri ndoqi një seminar katolik dhe përreth Nikola Grmoja, janë në fakt që të gjithë të lidhur ngushtë me kishën.
Si Petrov ashtu edhe Grmoja janë besimtarë praktikanë dhe janë nën ndikimin e intelektualëve katolikë, nga të cilët, Ivica Relkovis është më dominuesi, dhe nga persona që mbështetën Shoqatën Grozd dhe partinë Hrast (Lisi).
Ata të gjithë janë të lidhur me lobistët konservatorë të shoqatës Në Emër të Familjes, një shoqatë që bëri fushatë të suksesshme për një referendum kundër martesave gej, të mbështetur nga Kisha.
Kjo ka sjellë ndryshime në kushtetutë për ta ripërkufizuar martesën si bashkim ekskluziv mes një burri dhe një gruaje dhe për rrjedhojë ka bllokuar çdo lloj lëvizjeje për të lejuar martesat gej në të ardhmen.
Referendimi qe ajo që i ndihmoi të ngrihen më tej. Përmes Hrast dhe Grozd, ata u përpoqën të zgjerojnë aksionin politik duke krijuar një lëvizje konservatore të krahut të djathtë. Gjithsesi, këto përpjekje dështuan dhe Grozd, Hrast dhe shoqata Në Emër të Familjes u bënë që të gjitha të margjinalizuara politikisht.
Gjithsesi, MOST ia doli. Si një projekt i intelektualëve katolikë të mbështetur nga Kisha, para zgjedhjeve parlamentare ajo doli me disa ide joshëse, fillimisht duke e prezantuar veten përmes një grupi politikanësh që fituan pushtet me një listë të pavarur në bashkësitë vendore si Metkovic, zona nga ku lindi kjo ide.
Pjesëmarrja e tyre në zgjedhje dhe oferta e tyre për një rrugë të tretë, tërhoqi shumë votues që u ndjenë të pakënaqur me politikën e dy partive të mëdha, Bashkimit Demokratik të Kroacisë dhe Socialdemokratët.
MOST jo vetëm që ofroi një rrugë të tretë por premtoi edhe reforma serioze shoqërore dhe politike. Udhëheqësi i saj Petrov, duke synuar që të fuqizojë politikën e tij të barazlargimit nga e majta dhe e djathta, depozitoi një deklaratë me shkrim te një noter publik, duke refuzuar mundësinë që MOST të krijonte një koalicion post-elektoral me secilin nga këto grupe.
Një pjesë e madhe e publikut e pëlqeu këtë ide dhe kjo është arsyea se pse 12 për qind e votuesve mbështetën MOST. Të nëntëmbëdhjetë postet e deputetëve janë një sukses që as vetë MOST nuk e priste dhe i dha asaj pushtetin që në praktikë të bëhej forca përcaktuese për qeverinë e ardhshme.
Gjithsesi, MOST kishte një objektiv krejtësisht të ndryshëm, atë të ndihmës për të rikthyer në pushtet partinë HDZ, partinë që Kisha e ka mbrojtur gjithmonë. Për t’ia dalë kësaj, MOST kreu një seri manovrash.
MOST arriti fitoren elektorale në bazë të tre premtimeve kuçe: reformim të qeverisë duke furut ekspertë, një kryeministër jopartiak dhe reforma të thella të cilat gërryen elektorat nga e majta dhe e djathta por që qenë thelbësore për të ndihmuar vendin të kapërcejë krizën.
Në bisedimet pas zgjedhjeve me HDZ dhe SDP, MOST këmbënguli për një qeveri tripalëshe të së majtës dhe të djathtës, në të cilën do të merrte pjesë edhe MOST. Të dyja partitë e mëdha e hodhën poshtë këtë ide që nga fillimi.
Kur SDP refuzoi formalisht ofertën, MOST tha se në këtë rast do të vijonte bisedimet vetëm me HDZ. SDP pas kësaj ndryshoi mendim dhe bisedimet vijuan mes të trija partive.
HDZ pas kësaj hodhi poshtë propozimin e MOST për një koalicion të madh dhe rrjedhimisht, MOST filloi bisedimet vetëm me SDP. Dukej se një marrëveshje po arrihej: një ditë më pas, MOST dhe SDP shkuan te presidentja me një numër të mjaftueshëm firmash për një shumicë parlamentare.
Ajo që pasoi qe një reagim i fortë i Kishës, si pas skenave ashtu edhe publikisht. Në Facebook, Peshkopi Vlado Kosic kritikoi Petrov, duke e akuzuar të se po “shtynte MOST në dhëmbët e komunistëve”, dhe e etiketoi atë si tradhëtar dhe një person të pavlerë.
Menjëherë më pas Petrov pezulloi të gjithë bashkëpunimin me SDP, i akuzoi ata se po përpiqeshin të blinin deputetët e MOST dhe, në të njëjtën mbrëmje, shkoi te presidentja me HDZ për ta informuar se sëbashku kanë arritur një maxhorancë. Presidentja emëroi për kryeministër një figurë jopartiake, Tihomir Oreskovic, për të cilin kishin rënë dakord HDZ dhe MOST.
Megjithëse MOST – e cila, ndërkohë ka rënë në 15 deputetë për shkak se katër prej tyre u larguan nga partia – është ideologjikisht dhe politikisht heterogjene, figurat e saj kyçe, përfshirë Petrov dhe intelektualët katolikë, e kanë çuar tashmë partinë në drejtimin e planifikuar.
Ideja dhe qëllimi i tyre i vërtetë, që të ndihmonin HDZ-në të kthehej në pushtet – gjë që qe edhe dëshirë e kishës – u kamuflua me kujdes në fushatën elektorale, gjë që tregon se pse kaq shumë njerëz nuk qenë shumë mirë të informuar mbi atë që është MOST dhe e votuan atë. Gjithsesi, që nga zgjedhjet, maska është hequr dhe MOST e ka përmbushur detyrën.
Kisha Katolike në Kroaci i konsideron shumë të rëndësishme traktatet me Vatikanin të cilat i ka nënshkruar me Selinë e Shenjtë Franjo Tudjman në vitin 1996, më së shumti në shenjë falënderimi për mbështetjen e Romës për njohjen ndërkombëtare të Kroacisë.
Këto traktate i japin Kishës rreth 300 milionë kuna (40 milionë euro) nga buxheti i shtetit çdo vit, bashkë me 200 milionë kuna në financime të tjera.
Në një kohë krize të gjatë dhe raskapitëse ekonomike, e majta ka ngritur çështjen e rishikimit të mundshëm të traktateve. Tashmë që HDZ është rikthyer në pushtet me ndihmën e MOST, kisha nuk ka pse të shqetësohet më për traktatet, të cilat i sigurojnë asaj jo vetëm përfitime financiare por edhe përfitime të tjera.
Një pjesë e rëndësishme e udhëheqësisë së Kishës Kroate e sheh rolin e Kishës shumë ndryshe nga Papa Françesk dhe po i ndjek idetë e tij me shumë ngurrim e madje, në një farë mase, i ka bojkotuar ato.
Falë Nuncit Apostolik në Kroaci, Kryepeshkopit Alessandro D’Errico Papa është i mirëinformuar mbi punët në Kishën Katolike, gjithsesi, gjë që mund të shihet nga lëvizjet e Papës për të zëvendësuar disa peshkopë të caktuar me të tjerë, të cilët do të duhet të zbatojnë mësimet e vërteta të tij.
Gjithsesi, siç tregojnë manovrat e kohëve të fundit, një pjesë më e madhe e udhëheqësisë së Kishës Katolike Kroate është ende e përfshirë më shumë në politikë se sa në çështje shpirtërore dhe fetare.