Bashkia e Tiranës mori masa për përshtatjen e një ish-reparti ushtarak për familjet rome të përmbytura nga lumi i Tiranës, por ata kërkojnë një zgjidhje afatgjatë për strehimin e tyre.
Janari ka qenë një muaj i vështirë për 92 anëtarë të komunitetit rom, të cilët kaluan një sërë peripecish pas përmbytjes së barrakave të tyre në afërsi të urës së Babrrusë. Megjithatë, çështja e strehimit të tyre duket se po merr një zgjidhje të pjesshme nga Bashkia e Tiranës, e cila vendosi t’i strehojë në një ish-repart ushtarak në Tufinë.
Pasi qëndruan për disa ditë në palestrën e shkollës “Misto Mame”, familjet e komunitetit rom u zhvendosën në disa çadra të lidhura me energji elektrike në Tufinë, por kushtet e këqija dhe ulja e temperaturave e detyroi bashkinë të bënte ndërhyrje urgjente në godinën e vjetër, që dikur shërbente si repart ushtarak.
Lirie Rruqa, njëra prej banoreve të përmbytura tregoi për BIRN se në fillim kushtet ishin të papërballueshme, ndërsa bashkëshorti i saj, i cili vuan nga sëmundja kronike e mushkërive u përkeqësua edhe më tej.
“Kur na sollën, nuk kishim asgjë tjetër përveç çadrave. Era fryente nga të katër anët dhe natën nuk flinim nga i ftohti,” thotë ajo.
Pakënaqësitë për kushtet e jetesës duket se detyruan drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit Social në Bashkinë e Tiranës, të marrë masa për përmirësimin e gjëndjes në ish repartin ushtarak. Ata izoluan fillimisht të çarat nga hynte era dhe vendosën soba për ngrohje.
“Duke qenë se kushtet e repartit nuk ishin të përshtatshme për përballimin e motit të ftohtë, mundësuam krijimin e kushteve të përshtatshme, izolimin e repartit. Janë marrë masa edhe për të ofruar ngrohje,” i tha BIRN Besjona Deda, drejtoreshë e Përgjithshme e Shërbimit Social.
Ish-reparti ushtarak ndodhet vetëm pak metra larg Qendrës Tranzitore të Emergjencave në Tufinë, ku aktualisht strehohen 53 familje. Dy godinat dallojnë megjithatë si nata me ditën nga njëra tjetra, sa u përket kushteve që ofrojnë për anëtarët e komunitetit rom.
Ndërhyrjet e Bashkisë në ish-repartin ushtarak ofruan një mundësi në kushtet e emergjencës, por jo një zgjidhje afatgjatë. E izoluar në pjesën e përparme, godina rrihet megjithatë nga era në tre faqet e tjera të murit, ndërsa vendosja e 4 sobave me dru nuk e mund të ftohtin e acartë të janarit.
Qendra Tranzitore e Emergjencave ofron një tjetër panoramë, me mure të pikturuara nga vizatime gazmore dhe një kënd lojërash për fëmijë në oborrin e jashtëm.
Drejtoresha e Qendrës thotë se kushtet janë mjaft të mira, falë edhe donatorëve. Megjithatë, qendra është mbi kapacitet, çka përbën edhe shqetësimin e vetëm të saj.
Përveç familjeve të strehuara aty që prej vitit 2013, qendra Tranzitore e Emergjencave u popullua edhe nga 20 familje të përmbytura në fillim të janarit. Ndërsa fqinjët e tyre në ish-repartin ushtarak nuk ëndërrojnë gjë tjetër veçse të kenë kushte të barabarta strehimi.
Mes 92 banorëve të strehuar aty pas përmbytjeve në lumin e Tiranës, 47 janë fëmijë. Asnjëri prej tyre nuk ka shkuar në shkollë përgjatë janarit, ndërsa ditët i kalojnë duke mbledhur rroba të përdorura dhe kanoçe në kazanët e plehrave.
Prindërit e tyre e kanë të paqartë se përsa kohë do të qëndrojnë në ambientet e ish-repartit ushtarak, ndërsa kërkojnë një zgjidhje përfundimtare për strehimin e tyre nga bashkia e Tiranës.
Qeveria shqiptare ka të miratuar një plan veprimi, të quajtur “Dekada e Përfshirjes së Romëve 2010 – 2015”. Ky është një dokument, i cili synon integrimin e këtij komuniteti, kyesisht nëpërmjet punësimit dhe strehimit. Në realitet, asnjë prej këtyre objektivave nuk është përmbushur.