Një raport i Bankës Botërore i publikuar së fundmi, ngre disa pyetje të rëndësishme mbi pabarazinë ekonomike në Shqipëri, duke filluar nga pabarazia në të ardhura te pabarazia në arsim apo në shëndet, megjithëse duket se ngurron të japë përgjigjet me të njejtën forcë që ngre problemet.
Banka Botërore organizoi një aktivitet të shkurtër në qendrën Për Hapje dhe Dialog ku para disa drejtuesve të shtetit shqiptar shtroi disa pyetje të rëndësishme të cilat kanë kohë që shqetësojnë shoqërinë shqiptare, pavarësisht se përgjigjet për to mbeten jashtëzakonisht të vagullta.
Konkluzioni i përgjithshëm është që problemi fillon te aksesi i dobët i shqiptarëve te tregu i punës ku një pjesë shumë e lartë e popullsisë rezulton inaktive ose e papunë, veçanërisht te gratë. Problemi i papunësisë, sipas raportit duket se i ka rrënjët te pabarazia në arsim, gjë që nga ana e vet, shkakton pabarazi në të ardhura dhe shëndetësi. Probleme të tjera të identifikuara janë dobësia e titujve të pronësisë, korrupsioni i gjithëpërhapur në sektorin publik, funksionimi shumë i keq i programeve të ndihmës ekonomike për të varfërit, etj.
Si të bëhet që rritja ekonomike të ndihmojë në reduktimin e varfërisë duke qenë gjithëpërfshirëse?
Prezantimet dhe një raport nga Banka Botërore (kliko këtu për të parë raportin), na japin një panoramë të hidhur të gjendjes ekonomike dhe shoqërore aktuale. Raporti thekson se pabarazia është rritur gjatë viteve të fundit në drejtim të përfitimit nga rritja ekonomike, në drejtim të aksesit në arsim apo në shëndetësi, ndërsa i rekomandon qeverisë të rrisë aksesin e popullsisë te shërbimet publike si ilaç kundër pabarazisë.
Gjithsesi, raporti mbart një kontradiktë mes thellësisë së problemeve të identifikuara dhe butësisë së zgjidhjeve të propozuara.
Pabarazi në rritje nga viti 2009
E para, raporti thekson se rritja ekonomike e viteve 1992-2008 qe e fuqishme dhe në shkallë të gjerë, gjithëpërfshirëse. Ajo ndihmoi një numër të madh familjesh të varfra të dalin nga zgripi i varfërisë ekstreme. Ky qe lajmi i mirë, pavarësisht se dikush mund të argumentojë se rritja ekonomike 1992-2008 është përkthyer vetëm pjesërisht në “mirëqenie” për të gjithë qytetarët.
Lajmi i keq, që në raport thuhet me gjysmë zëri, është që nga viti 2008 deri më sot, Shqipëria ka pasur sërish rritje ekonomike, sado që shumë më të ngadaltë se sa në periudhën e mëparshme, por kjo rritje nuk është konvertuar fare në mirëqenie, pasi nuk ka sjellë rritje të konsumit për të gjithë popullsinë dhe për më tepër, është shoqëruar me një rritje të konsiderueshme të varfërisë ekstreme.
“Si pasojë e krizës globale, ritmi i rritjes ekonomike u ul, ulja e varfërisë u ndalua dhe konvergjimi i të ardhurave me BE-në u ndal,” thuhet në raport. Nga ana tjetër, shifrat tregojnë një situatë dhe më të zymtë. Ndërsa konvergjimi i të ardhurave me BE-në për të gjithë popullsinë u ndal, ulja e varfërisë jo vetëm nuk ndaloi, ajo u thellua. Numri i familjeve shqiptare në kushte ekstreme me konsum për frymë më të ulët se 2.5 USD në ditë u rrit nga 12 në 14.3 për qind mes viteve 2008 dhe 2012.
“Për shkak të lidhjes së ngushtë ndërmjet rritjes ekonomike dhe uljes së varfërisë në Shqipëri, vendi duhet të përshpejtojë rritjen për të tjetërsuar tendencën e fundit të varfërisë në vend dhe për të rritur prosperitetin”, vijon më tej raporti.
Ky është një diskutim që duket teorik.
Periudha 1992-2008, e parë thjesht nga treguesi i rritjes ekonomike për frymë të popullsisë, ka gjasa që do të hyjë në histori si periudha më e artë e ekonomisë shqiptare në histori. Ritmi i rritjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto për frymë gjatë kësaj periudhe qe, sipas BB-së, rreth 6 për qind në vit. Kjo është krejt e kundërt me periudhën pas vitit 2008, kur rritja ekonomike ka qenë anemike, 1, 2 apo 3 për qind në vit.
Mënyra se si ne do ta shohim rritjen e periudhës 1992-2008 do të përcaktojë edhe mënyrën se si ne do ta shohim të ardhmen, duke ndikuar në diskursin publik si dhe ndoshta në politikat që do të duhet të zbatohen nga qeveritë.
Ka një interpretim mes ekonomistëve që thotë se rritja 1-2 për qind në vit përfitohet vetëm nga të pasurit, rritja 2-4 për qind përfitohet pjesërisht edhe nga shtresa e mesme ndërsa rritja mbi 4 për qind përfitohet edhe nga të varfërit. Kjo është një formulë që nxit pabarazinë pasi të pasurit, që janë të paktë në numër, përfitojnë rritjen ekonomike të parët. Shtresa e mesme, që është më e shumtë, përfiton e dyta ndërsa të varfërit, që janë edhe më shumë, përfiton e treta.
Për këtë arsye, BB beson se rruga drejt uljes së varfërisë kalon nga “përshpejtimi i rritjes ekonomike”. Ky përshpejtim nuk ka gjasa të ndodhë, së paku tani shpejt. Projeksionet makroekonomike tregojnë se ekonomia përgjatë viteve të ardhëshme do të rritet me 3.5 deri në 4 për qind në vit, rritje kjo që, sipas anektodës, do të përfitohet gjysma nga të pasurit dhe gjysma nga shtresa e mesme. Për të varfërit nuk mbetet gjë. Përveç faktit që rritja ekonomike 2009-2014 ka qenë shumë e ulët, problemi tjetër i vërejtur është që kjo rritje është shkaktuar nga pak faktorë të kufizuar dhe me ndikim të ulët në mirëqënien e përgjithshme.
“Ndërsa eksportet kanë qenë shtysa e zgjerimit të kufizuar të ekonomisë pas vitit 2008, ato mbetën shumë të përqendruara tek tregu dhe produkti, me përmbajtje domethënëse të kapitalit fizik në sektorët intensivë jo të lidhura me punën, të tillë si mineralet dhe nafta e papërpunuar,” thuhet në raport. Kjo do të thotë se, ndërsa ka pasur rritje ekonomike, në fakt kjo rritje ka qenë në përfitim të shumë pak kompanive. Edhe në vitet në vijim, situata pritet të jetë e njëjtë. Ndërsa ekonomia do të rritet ngadalë, faktorët e rritjes janë të kufizuar në një numër minimal kompanish. P.sh, ndërtimi i gazsjellësit TransAdriatik do të krijojë PBB shtesë në Shqipëri përgjatë viteve të ardhëshme por kjo shtesë nuk i shërben asgjë popullsisë së gjerë.
Treguesi kryesor: Niveli i punësimit
Në këto kushte, Banka Botërore jep një seri këshillash, jo shumë specifike, të cilat, nëse zbatohen në formë politikash, mund të ndihmojnë që kjo rritje ekonomike, sado që e paktë, të përfitohet edhe nga të varfërit.
“Shqipëria e ka mundësinë të rianalizojë strategjinë e saj ekonomike jo vetëm për të rindezur dhe për të mbështetur rritjen, por edhe për të rritur mundësitë e punësimit dhe për të përmirësuar standardet e jetesës për të gjithë, për t’u siguruar që rritja të jetë e barabartë,” thuhet në raport.
Kjo është më e lehtë të thuhet se sa të bëhet.
BB analizon statistikat aktuale dhe sugjeron se problemi kryesor lidhet me pjesëmarrjen e ulët të popullsisë në forcat e punës. Ky është treguesi themelor. Ndërsa qeveritë mund të fshihen pas statistikave të rritjes së punësimit apo uljes së normës së papunësisë, treguesi i pjesëmarrjes në forcat e punës vështirë se mund të injorohet.
“Ngadalësimi i shpejtë në ekonomi pas 2008-ës shkaktoi rënien e kërkesës për punë,” thuhet në raportin e BB. “Punësimi u ul në të gjithë sektorët e ekonomisë, duke çuar në kontraktimin e të ardhurave të familjeve dhe në rritje të varfërisë”.
Zgjidhja: Akses më i mirë në shërbime
Politikat e rekomanduara për ta bërë rritjen ekonomike “gjithëpërfshirëse” konsistojnë në thelb në konvertimin e prodhimit të brendshëm bruto në shërbime që mundësojnë jetesë më të mirë për të gjithë popullsinë. Banka Botërore ngre pyetjen nëse Shqipëria i ka apo jo burimet ekonomike për një “rritje gjithëpërfshirëse” dhe del në konkluzionin se po, Shqipëria i ka burimet.
“Shqipëria ka burime të mira dhe se ka akumuluar një game asetesh, por përdorimi ineficent i këtyre aseteve e ka cenuar rritjen. Për më tepër, duke përjashtuar segmente të popullsisë nga akumulimi dhe përdorimi i këtyre aseteve, vendi po humb mundësinë për rritje më të shpejtë dhe më gjithëpërfshirëse”, thuhet në raport.
Problem te arsimi
Zgjidhja e problemit, sipas BB, kalon përmes arsimit gjithëpërfshirës, i cili duhet të krijojë punësim gjithëpërfshirës dhe rrjedhimisht, rritje ekonomike gjithëpërfshirëse. Raporti jep disa konkluzione shumë të rëndësishme në këtë drejtim. Të varfërit, thuhet në raport, kanë pjesëmarrje shumë më të ulët dhe rezultate shumë më të dobëta në arsimin bazë se sa të pasurit.
“Hendeku social-ekonomik në arsimin e lartë është po ashtu domethënës. Dy herë më shumë persona janë regjistruar në arsimin e lartë në kuantilet më të larta sesa në kuantilet më të varfëra”, thuhet në raport. Banka Botërore nuk ka opinion se çfarë mund të bëhet për të zgjidhur këtë problem, por ky lloj argumenti është mirë të shihet në kuadër të modelit aktual të zgjedhur nga qeveritë përgjatë dekadës së fundit për financimin e arsimit të lartë. Numri i studentëve në arsimin e lartë është rritur ndjeshëm përgjatë dekadës së fundit përmes liberalizimit të pranimeve në universitetet publike dhe licencimit të universiteteve private. Por kjo rritje e numrit të studentëve nuk është gjithëpërfshirëse, për shkak se modeli i financimit të arsimit të lartë i zgjedhur nga qeveritë është në themel përjashtues. Tendenca e përgjithshme ka qenë financimi përmes pagesave të drejtpërdrejta të studentëve. Tarifat e arsimit në universitetet publike janë shumëfishuar gjatë viteve të fundit ndërsa mekanizmat që duhet të ndihmojnë të varfërit të arsimohen thjeshtë nuk ekzistojnë ose janë inefikase.
Politika zyrtare e qeverisë aktuale është vijimi i rritjes së tarifave dhe deri më sot, ka refuzuar ta diskutojë qoftë edhe në parim problemin e aksesit të pabarabartë të të varfërve në arsim.
Problemi te shëndetësia
Është e kuptueshme që kur je i varfër, gjasat janë që të kesh kushte më të këqija jetese dhe rrjedhimisht, shëndet më të keq. Raporti thotë se vdekshmëria foshnjore, e cila ka pësuar rënie gjatë viteve të fundit, mbetet sërish në nivele të larta teksa foshnjat në zonat rurale kanë dy herë më shumë rrezik të vdesin brenda vitit të parë se sa në zonat urbane. Raporti nuk ka këshilla në këtë drejtim, por kuptohet se, kur je i varfër në kushtet kur korrupsioni në shëndetësi është i përhapur në masë, gjasat janë që të vuash më shumë. Çelësi i zgjidhjes së problemit të pabarazisë në akses në shërbimet shëndetësore dukshëm është lufta ndaj korrupsionit në menaxhimin e shëndetësisë dhe në shërbimet shëndetësore, çështje për të cilat raporti nuk ofron zgjidhje konkrete.