AI News
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
  • Tema:
  • Belinda Balluku
  • Erion Veliaj
  • Veting
    • KPK
    • KP
    • KPA
  • SPAK
  • Mjedisi
  • Edi Rama
  • Sali Berisha
  • Donald Trump
  • Zgjedhje 2025
    • Zgjedhje të pjesshme
AI News
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
AI News
Kryefaqja Kultura

Pas kuintave në muze: Panik në Athinë dhe Beograd

Fotini BarkangaFotini Barka
10 years më parë
në Kultura, Në Fokus, Reportazhe
Koha e leximit: 14 min lexim
A A
0
Ndaj në FacebookNdaj në Twitter

Saga pas platformës së shumëvonuar për art bashkëkohor reflekton shumë nga shqetësimet moderne të Greqisë – dhe ka ngjashmëri me një projekt tjetër plot telashe në Serbi.

Muzeu Kombëtar i Artit Bashkëkohor në Athinë, i cili nuk është hapur ende për publikun, fotografuar natën. Foto: Muzeu Kombëtar i Artit Bashkëkohor
Muzeu Kombëtar i Artit Bashkëkohor në Athinë, i cili nuk është hapur ende për publikun, fotografuar natën. Foto: Muzeu Kombëtar i Artit Bashkëkohor

Athinasit u zunë në befasi një ditë me diell në shtator 2013. Skelat u hoqën duke zbuluar fasadën e muzeut të ri të artit bashkëkohor të Greqisë. Rinovimi i shumëpritur i ndërtesës së një fabrike birre të viteve 1950 ofroi një frymë optimizmi në një vend që po vuante vitin e tretë të masave të ashpra të kursimit.

Megjithatë, jo për herë të parë, shpresat që muzeu do të hapej shpejt përfunduan me zhgënjim. Fillimisht qe parashikuar që projekti do të përfundonte në vitin 2004, vitin e Lojërave Olimpike të Athinës. Afati i përfundimit është shtyrë sërish dhe sërish që nga ajo kohë. Rreth 35 milionë euro fonde nga BE-ja dhe Greqia janë shpenzuar, megjithatë nuk ka ende vepra arti në brendësi të hapësirave të bollshme dhe të pastra që gjenden përtej mureve prej betoni të veshur me gur dhe xham.

Saga e Muzeut Kombëtar të Artit Bashkëkohor mbart shumë tipare të krizës aktuale ekonomike dhe politike të Greqisë – menaxhimin kaotik të parave të publikut dhe të BE-së, ecejake dhe kthesa politike, personalitete kryeneçe, beteja ligjore dhe marrëveshje të debatueshme mes sektorit publik dhe atij privat.

Vangelis Stylianidis, arkitekti përgjegjës për projektin, thotë se “paaftësia e shtetit të Greqisë për të përfunduar gjërat” ka krijuar problemet. Në zyrën e tij në qendër të Athinës, ai ndez një cigare dhe përshkruan ndërtesën bosh si një “fantazëm në qytet”.

Së shpejti ajo do të ketë nevojë për mirëmbajtje serioze për shkak se është lënë e boshatisur për kaq shumë kohë, thotë Stylianidis. Mbi të gjitha ai akuzon anëtarët e bordit të muzeut dhe politikanët. Përgjatë viteve, tetë qeveri të Greqisë dhe më shumë se një dyzinë ministra kulture janë përfshirë në këtë projekt.
“Nëse do të kishte vullnet politik të fortë, muzeu do të qe hapur sakaq,” thotë ai.
Unë e kam ndjekur këtë dramë si nga brenda ashtu edhe nga jashtë. Si gazetare kulture për një nga gazetat kryesore të Greqisë, kam shkruar shumë lajme përgjatë më shumë se një dekade. Më pas, në nëntor 2012, fillova të punoj për muzeun për të përgatitur strategjinë e komunikimit për hapjen e tij. Kur kontrata ime skadoi në fund të vitit 2014, ende nuk kishte shpresa që muzeu do të hapej.

Arsyeja zyrtare se pse muzeu vijon të qëndrojë i mbyllur, gati dy vjet pasi përfundoi rinovimi i ndërtesës, është mungesa e fondeve. Gjithsesi, Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative, BIRN, mund të zbulojë se miliona euro kanë qenë të disponueshme për muzeun – por nuk u përdorën për shkak të pengesave ligjore, politike dhe burrokratike.

Një koncept merr formë konkrete

Ideja e një muzeu kombëtar për artin bashkëkohor është diskutuar në Greqi që prej shumë dekadash.

Muzeu – tashmë më së shumti i njohur nga akronimi EMST, nga emri në greqisht – u themelua më në fund me ligj në vitin 1997 por ekzistoi vetëm në letër deri sa drejtoresha e parë, Anna Kafetsi, u emërua në janar 2000.

Kafetsi, një kuratore e mirënjohur që pati punuar në Galerinë Kombëtare të Greqisë që nga viti 1983, qe nga të parat që organizoi ekspozita të mëdha të artit bashkëkohor grek dhe ndërkombëtar në Athinë gjatë viteve 1990.

STYLIANIDIS-KAFETSI-EDIT
Arkitekti Vangelis Stylianidis dhe Anna Kafetsi, drejtoresha themeluese e Muzeut Kombëtar të Artit Bashkëkohor të Greqisë, në taracën e muzeut në prill 2013. Foto: Fotini Barka

Guximtare dhe e pakompromis, kjo grua 60 vjeçare qe forca udhëheqëse pas vendimit për t’i gjetur shtëpi muzeut në ndërtesën prestigjoze por të amortizuar Fix, që mban emrin e markës së birrës që u prodhua dikur aty. Shpejt pas emërimit të saj, Kafetsi, e cila përdor një karrige me rrota për shkak se vuan nga një sëmundje muskulare, u dërgua në ndërtesë dhe ‘pushtoi’ një pjesë të katit të parë pa kërkuar ende autorizim.

“Unë nuk kisha asgjë. Thjesht një zyrë brenda një ndërtese gjysmë të rrënuar. Një ishull rregulli në mes të kaosit. Sa herë që binte shi, më dridhej zemra për shkak se tavani pikonte dhe veprat e artit mund të dëmtoheshin,” rikujton ajo në shtëpinë e saj anës detit në periferi të Athinës, me një tingull nostalgjie në zë. Kjo nuk është surprizë, për shkak se këto fillesa të ashpra qenë aktualisht në një kohë pafajësie. Kafetsi nuk ia kishte idenë se si do të rridhnin ngjarjet.

Ndërtesa, pak minuta larg Akropolit, pati qëndruar e braktisur dhe drejt rrënimit në Bulevardin Andrea Sygrou për më shumë se dy dekada – një plagë e hapur në zemër të qytetit. Me vijat e saj të pastra të gjata dhe me kat të parë me vetrata xhami, ndërtesa prej betoni e vitit 1957 qe vepër e arkitektit të njohur Takis Zenetos dhe një nga shembujt më të mirë të arkitekturës industriale të Greqisë së pasluftës.

Ndërtesa ikonë e fabrikës së birrës Fix e ndërtuar në vitin 1957 në ditët e saj më të mira. Gjysma e ndërtesës u shemb më pas. Foto: Muzeu Kombëtar për Artin Bashkëkohor
Ndërtesa ikonë e fabrikës së birrës Fix e ndërtuar në vitin 1957 në ditët e saj më të mira. Gjysma e ndërtesës u shemb më pas. Foto: Muzeu Kombëtar për Artin Bashkëkohor

Me një rrënojë për ndërtesë, pa staf dhe pa koleksion të vetin, hapja e muzeut dukej si një ëndërr e largët. Por Kafetsi nuk u dorëzua. Ajo filloi menjëherë të ekspozojë art bashkëkohor grek dhe ndërkombëtar, pasi krijoi një hapësirë ekspozimi prej 1800 metrash katrore në katin e parë.

Ajo filloi të krijojë një koleksion të përhershëm duke e nisur nga zero si dhe të organizojë programe edukuese. Koleksioni tashmë përbëhet nga më shumë se 1 mijë vepra nga artistë grekë dhe të huaj, përfshirë Bill Viola, Mona Hatoum, Wolfgang Laib, Kendell Geers, Shirin Neshat, Gary Hill, Nan Goldin, dhe Spencer Tunick. Megjithatë, deri më sot, muzeu nuk i ka ekspozuar kurrë ato në tërësi.

Më 2003, muzeu u largua nga ndërtesa Fix në mënyrë që të rifillonte rikonstruksioni. Për 11 vitet që pasuan, muzeu u zhvendos nga një ndërtesë në një tjetër, por edhe këto ekspozita të përkohshme u ndërprenë në dhjetor 2014.

“Unë krijova një muze dhe mblodha një koleksion të artit bashkëkohor. Dëshmova se e pamundura bëhet e mundur. Qe si të ofrosh diçka kur nuk ke asgjë. Ai (muzeu) nuk e meriton këtë fund,” thotë Kafetsi, ndërsa zëri saj rritet.

Vonesë pas vonese

Të paktën rikonstruksioni nisi menjëherë. U zgjodh një menaxher projekti dhe arkitektët, nën udhëheqjen e 3SK Stylianidis, një nga kompanitë më të mëdha të arkitektëve në Athinë, u përzgjodhën me konkurs ndërkombëtar.

Pastaj erdhi një vonesë. Greqia zgjodhi një qeveri të re në pranverën e vitit 2004, gjë që solli ndryshim të personelit në majë të Ministrisë së Kulturës. U deshën edhe 18 muaj të tjerë para se tenderi ndërkombëtar për sipërmarrësin e punimeve të njoftohej.

Në qershor 2006, muzeu ia dha kontratën Bioter SA, një kompanie ndërtimi, përgjegjëse në atë kohë për projekte të mëdha, përfshirë një aneks në muzeun privat Benaki në Athinë. Ajo dorëzoi ofertën më të ulët prej 24.43 milionë euro – 31 për qind më të ulët se sa kostoja e vlerësuar nga menaxheri i projektit.

Më shumë vonesa pasuan kur një konkurrent tjetër, Aktor SA, një nga kompanitë më të mëdha të ndërtimit në Greqi dhe oferta e tretë më e lirë në procesin e tenderimit, apeloi kundër vendimit në gjykatat greke dhe në Komisionin Europian.

Kundërshtimet e saj më në fund u hodhën poshtë në qershor 2007 dhe kontrata me Bioter u firmos në një ceremoni në ndërtesën Fix. Kontrata sanksiononte që punimet të kryheshin brenda dy vjetësh – deri në qershor 2009.

Muzeu i varfër me miliona euro

Por dy vjet më pas, më pak se 10 për qind e punimeve qenë kryer sipas bordit të muzeut. Bordi e shpalli kontratën të pavlefshme – diçka tepër e rrallë në sektorin publik të Greqisë.
Kur Bioter fitoi kontratën, ajo ofroi garanci nga banka të ndryshme – në praktikë, siguri se bankat do të paguanin shuma të mëdha në rast se kontraktori nuk kryente punën e tij.

Sipas një padie gjyqësore të dorëzuar nga Bioter me synimin e rrëzimit të vendimit të muzeut, garancitë më të mëdha qenë dhënë nga Piraeus Bank – për një total prej gati 9.16 milionë eurosh.

Këto fonde u transferuan në një llogari në emër të muzeut, thuhet në aktpadi. Në fund të vitit 2014, shuma totale e garancive dhe interesave të mbledhur qenë plot 13 milionë euro, sipas zyrtarëve të muzeut.

Por muzeu nuk i ka përdorur këto para për shkak të mosmarrëveshjes ligjore me Bioter. Kompania pretendon se ajo punoi në kushte të pafavorshme për shkak se studimet e muzeut mbi volumin e punës nuk kishin përshkruar realitetin siç duhet. Për shembull, kompanisë iu desh të punojë papritur për 14 muaj për të pastruar asbestin.

Në maj 2015, gjykata hodhi poshtë pretendimin e Bioter por kompania pritet të apelojë vendimin në Gjykatën e Lartë.
Nikos Kalogeras, ish-president në bordin e muzeut, i cili është gjithashtu profesor i arkitekturës, e përmbledh në këtë mënyrë ironinë e situatës: “Ne kemi një muze të varfër me miliona”.

Kalogeras shpreh gjithashtu pakënaqësi me kontratën që iu dha kompanisë që menaxhon projektin, Hellinotechniki SA, për të cilën ai thotë se nuk ka një çmim fiks.
Kalogeras këmbëngul se kompania është e kualifikuar për të kryer punimet por shton se “pati një mungesë qartësie mbi kostot”.

Lina Mendoni, një ish-zyrtare e lartë në Ministrinë e Kulturës e cila qe përfshirë nga afër në sagën e muzeut, përshkruan kontratën me Hellinotechniki “fyese”.
Kompania, sipas Mendonit, i faturon shtetit çdo punë që ajo thotë se është e nevojshme për procesin e rikonstruksionit.

“Ka kërkesa të vazhdueshme. Është në tërësi shumë problematike që kontata lejon menaxherin e projektit, Hellinotechniki, të kërkojë para ekstra,” thotë ajo.
Nga ana e saj, Hellinotechniki i tha BIRN se kontrata e ndalon kompaninë të flasë mbi punën e saj te muzeu, por shtoi: “Të gjitha kontratat e kompanisë sonë me EMST janë miratuar nga të gjitha entet ligjore të Shtetit të Greqisë (Gjykata Supreme e Auditimit të Greqisë etj.) dhe janë tërësisht të ligjshme.”

A mund të rregullohet?

Përgjatë viteve, shumë personazhe të forta janë shfaqur në historinë e muzeut. Njëra prej tyre është Sophia Staikou, anëtare bordi nga viti 2006 deri më 2014, e cila shërbeu dy herë si zëvendëspresidente për gjithsej tre vjet.

Staikou është drejtoresha e fondacionit kulturor të Piraeus Bank. Ajo është gjithashtu edhe bashkëshortja e presidentit të bankës Michael Sallas.

Disa ish anëtarë të bordit dhe zyrtarë më muzeut kanë sugjeruar se Staikoi kishte potencialisht një konflikt interesi, duke marrë parasysh mosmarrëveshjen ligjore të muzeut me Bioter në lidhje me paratë e garantuara nga Piraeus dhe banka të tjera.

Në një seancë gjyqësore në janar 2010, një përfaqësues i bankës argumentoi në mbrojtje të veprimeve të Bioter dhe kundër muzeut, duke vërejtur se banka kishte një interes të ligjshëm në këtë çështje për shkak se do t’i duhej të paguante nëse kompania e ndërtimit humbiste, sipas vendimit të shkruar të gjykatës.

Pyetur për të komentuar mbi çështjen, Piraeus tha: “Banka nuk mund të ofrojë informacion mbi aktivitetet bankare, për shkak se është e kushtëzuar nga sekreti bankar.”
Staikou refuzoi të intervistohet për këtë artikull. Por Mendoni, e cila shërbeu për dy mandate pesëvjeçare si Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Kulturës, hedh poshtë dyshimet mbi rolin e saj.

“Nuk mendoj se ka një problem moral apo një konflikt këtu. Z. Sallas nuk e ka bankën nën pronësi, Banka ka aksionerë. Z. Sallas nuk bën thjesht çfarë t’i pëlqejë, nuk ka lidhje znj. Saikou,” thotë Mendoni.

“Mendoj se ajo ka qenë tepër aktive në arte – si presidente e fondacionit kulturor të bankës – sa ka ngritur dyshime mbi sinqeritetin e saj në interes të muzeve të Greqisë.”
Gjithsesi, Staikoi ka qenë hapur në armiqësi me anëtarë të tjerë të bordit të muzeut.
Në tetor 2011, ndërsa ajo qe zëvendëspresidente, ajo publikoi një artikull në gazetën Kathimerini ku sugjeronte që muzeu duhet të strehohet në një nga mjediset që kanë mbetur nga Lojërat Olimpike të vitit 2004.

“Athina nuk ka nevojë për ndërtesa të reja, ka nevojë për hapësira publike,” shkroi ajo.
Ndoshta shumë janë dakord me këtë, por sugjerimi erdhi kur shumica e bordit po përpiqej të shtynte përpara projektin FIX duke kërkuar një sipërmarrës të ri për punimet.

Muzeu vijoi në këtë rrugë. Në muajin pas ndërhyrjes së saj, muzeu nënshkroi kontratën e re për rikonstruksionin e ndërtesës së fabrikës së birrës me kompaninë Aktor SA, ajo që qe renditur e treta në procesin fillestar të tenderit.
Këtë herë, punimet shkuan shumë më mirë dhe Aktor i përfundoi punimet në shkurt 2014. Por ky nuk qe fundi i ngjarjes.

 

Pamje nga brenda dhe jashtë ndërtesës së Muzeut Kombëtar të Artit Bashkëkohor. Foto: Muzeu Kombëtar i Artit Bashkëkohor
Pamje nga brenda dhe jashtë ndërtesës së Muzeut Kombëtar të Artit Bashkëkohor. Foto: Muzeu Kombëtar i Artit Bashkëkohor

Ndërtesa është gati, por muzeu jo

Për të krijuar një muze të artit bashkëkohor funksional, kërkohet një infrastrukturë e madhe – nga pajisjet e sofistikuara teknike dhe audio-vizuale për hapësirën e ekspozimit me sipërfaqe 7 mijë metra katrorë deri te mjetet e zakonshme si sistemi për biletat.
Për shkak të kushteve të mjera në të cilat gjenden financat publike në Greqi, shteti thotë se nuk është në gjendje të paguajë për fazën finale.

Një zgjidhje u duk se u gjet kur Fondacioni Stavros Niarchos, një nga organizatat kryesore filantropike të Greqisë, njoftoi në prill 2014 se ka miratuar një grant prej 3 milionë eurosh për “përfundimin e menjëhershëm” të punimeve të mbetura.

Por pati një problem të vogël. Fondacioni kërkoi që muzeu të krijojë një organizatë jofitimprurëse për të marrë grantin dhe që shteti duhej të garantonte buxhet të mjaftueshëm dhe staf të mjaftueshëm që muzeu të funksiononte për së paku tre vjet.
Kërkesat sollën shumë vonesa, mosmarrëveshje dhe burokraci. Bordi i muzeut e shmangu krijimin e organizatës jofitimprurëse. Kjo u bë përfundimisht në prill 2015.

Konfuzion ka pasur edhe mbi planin për krijimin e stafit. Ka të dhëna konfliktuale se kur dhe çfarë planesh janë dërguar dhe nga kush. Nikos Xydakis, ministër kulture deri në gusht të vitit 2015, i tha BIRN në korrik se ministria e tij qe ende në pritje të planit, i cili kërkonte më pas miratimin nga disa institucione shtetërore.

Dhe pastaj vinte problemi i buxhetit. Xydakis pranoi se do të kërkohen nga 400 mijë deri në miliona euro për të mundësuar hapjen e muzeut. Por politikanët ngurrojnë të angazhojnë shuma të tilla për një muze në një klimë të tillë të vështirë financiare.

Si pasojë e këtyre vonesave, Fondacioni Stavros Niarchos njoftoi më 19 nëntor 2015 se do ta tërheqë grantin. Drejtoresha aktuale e muzeut, Katerina Koskina, u përpoq ta ulë rëndësinë e kësaj lëvizjeje, duke deklaruar se muzeu është ende në kohë për të kërkuar paratë duke dorëzuar një kërkesë të re.

Por e vërteta e pashmangshme është se sërish është humbur kohë e çmuar.
Kaq shumë gjëra kanë ndryshuar që kur muzeu u themelua sa edhe drejtoresha e parë e muzeut, Anna Kafetsi, nuk është më në postin e saj. Ajo u hoq nga puna në nëntor 2014, e akuzuar nga ministri i kohës se nuk kishte bashkëpunuar me bordin e muzeut. Ky vendim është aktualisht temë e një mosmarrëveshjeje tjetër, për shkak se Kafetsi ka apeluar në Gjykatën e Lartë.

“Mbetet për t’u parë nëse ndërtimi i muzeut do të rezultojë një fazë më e lehtë se sa vetë hapja e muzeut,” pëshpërit Kafetsi ndërsa po dilja nga shtëpia e saj pas një interviste të gjatë.

Ajo më ndalon dhe më thotë: “Çdo gjë në lidhje me këtë muze ka ndodhur në një mënyrë joorthodokse. Çdo gjë. Dhe ne duhet të merremi me pasojat e kësaj sërish dhe sërish. Por pastaj, nëse nuk qe joorthodokse, muzeu thjesht nuk do të ekzistonte fare…”

Mjerimi i muzeut të Beogradit: rrugëtimi pa fund

Muzeu i Athinës nuk është i vetmi në rajon që qëndron me dyer të mbyllura për shumë më tepër kohë nga sa pritej për shkak të telasheve të projektit të rinovimit.
Muzeu i Artit Bashkëkohor në Beograd u mbyll në verën e vitit 2007 për atë që pritej të qe një riparim i shkurtër për ta bërë të përshtatshëm për shekullin e 21. Por ai ka mbetur i mbyllur përgjatë tetë viteve të fundit.
Ndërtesa moderniste, me trekëndësha dhe trapezoidë të dukshëm në fasadën me mermer të bardhë dhe xham, gjendet në një park pranë pikëtakimit të lumenjve Sava dhe Danub. Për muaj, një orë elektronike jashtë muzeut shënoi afatin e humbur të rihapjes sërish dhe sërish – afati i fundit qe 20 tetori 2015, pesëdhjetëvjetori i muzeut. Por të gjithë e dinin sakaq prej kohësh se ky afat do të shkelej sërish.

Muzeu i Artit Bashkëkohor në Beograd në korrik 2015, me orën dixhitale duke shënuar një afat tjetër të paracaktuar për përfundimin e rinovimit. Foto: Fotini Barka
Muzeu i Artit Bashkëkohor në Beograd në korrik 2015, me orën dixhitale duke shënuar një afat tjetër të paracaktuar për përfundimin e rinovimit. Foto: Fotini Barka

Muzeu qe dizenjuar nga arkitektët e Beogradit Ivan Antic dhe Ivanka Raspopovic. Megjithëse ai tërhoqi kritika të ashpra gjatë ndërtimit (ai u krahasua me një hangar apo ‘kasolle mbi kënetë”), më vonë ai u konsiderua si vepra më e rëndësishme arkitekturore e qytetit për atë periudhë.

Vetë muzeu luajti një rol të madh në kulturën bashkëkohore. Në ditët e lavdisë, ai mbajti ekspozita të Picasso, Miro dhe Klee dhe shërbeu si platformë për promovimin ndërkombëtar të artit të Jugosllavisë.

“Askush në Ballkan nuk e kishte këtë lloj muzeu me 5,500 metra katrorë për ekspozita të artit bashkëkohor,” thotë drejtori ekzekutiv i muzeut, Slobodan Nakarada, me krenari.
Muzeu ka një koleksion të madh të artit modern jugosllav, por pothuajse i gjithë koleksioni me 8 mijë objekte aktualisht është strehuar në kasafortat e Bankës Kombëtare të Serbisë.
Muzeu filloi të rrënohet gjatë sundimit të Sllobodan Millosheviçit në vitet 1990. Regjimi i tij e fshehu artin jo-serb në bodrum.

Muzeu ndaloi organizimin e ekspozitave me artistë të huaj dhe numri i vizitorëve ra deri në mesataren e vetëm dy personave në ditë. Ai pësoi dëme të rënda kur një raketë e NATO-s goditi një ndërtesë aty pranë gjatë Luftës së Kosovës të vitit 1999. Nuk qe më e mundur që të kontrollohej temperatura dhe lagështia nëpër galeri.

Në fund qeveria e Serbisë dha 8 milionë euro për punime rikonstruksioni, të cilat pritej të zgjasnin vetëm një vit, rikujton Nakarada. Nga viti 2009, gati një e treta e punimeve të planifikuara qe përfunduar. Çatia dhe themelet qenë rregulluar dhe një nënstacion elektrik qe lëvizur në një ndërtesë të veçuar. Kostoja totale qe 2 milionë euro.

Pastaj papritur punimet u ndërprenë. Ministria e kulturës njoftoi se nuk kishte 6 milionë për të përfunduar rikonstruksionin. Pjesët e brendshme, fasada dhe teknika e muzeut qenë ende për t’u rinovuar.

Unë hyra në brendësi të ndërtesës së braktisur në korrik këtë vit. Vetëm një rrjetë binarësh të hollë mbetej në tavan. Muret qenë zbukuruar me riinterpretime fantastike në të zezë dhe të kuqe të krijesave mitologjike greke, të cilat kishin mbetur aty nga ekspozita të mëparshme. Përshtypja që pata qe ajo e një ndërtese që kërkon vëmendje por jo ndonjë gjë të madhe si rinovimi masiv në muzeun e Athinës.

Muzeu i zbrazur i Artit Bashkëkohor në Beograd. Foto: Fotini Barka
Muzeu i zbrazur i Artit Bashkëkohor në Beograd. Foto: Fotini Barka

Mungesa e gjatë e muzeut është veçanërisht e ndjeshme për shkak se edhe hapësira tjetër kryesore e artit të këtij vendi, Muzeu Kombëtar i Serbisë, i është nënshtruar rinovimit, gjithashtu përplot vonesa, përgjatë 12 viteve të fundit.

Ashtu si edhe në Athinë, artistët e skenës bashkëkohore të Beogradit ndjejnë se nuk janë prioritet për zyrtarët publikë të cilët shpesh janë të fiksuar me historinë antike dhe trashëgiminë kulturore.

“Artet vizuale këtu konsiderohen si diçka problematike, diçka që nuk e josh publikun e gjerë,” thotë artisti 49 vjeçar Ivan Grubanov, i cili së fundmi përfaqësoi vendin e tij në Bienalen e Venecias.

Politikanët thonë se kriza ekonomike ndërkombëtare është fajtori për shtyrjen pa fund të kryerjes së punimeve.
Por Branislava Andjelkovic, drejtoreshë e muzeut nga viti 2001 deri më 2013, thotë se sasia e parave të kërkuara është relativisht e vogël.
“Kostoja e ndërtimit të një kilometri autostradë është e barabartë me koston e përfundimit të Muzeut të Artit Bashkëkohor,” thotë ajo.

“Është problem prioritetesh, jo parash,” deklaron Branislav Dimitrijevic, një historian arti dhe mbështetës i muzeut, i cili është gjithashtu edhe bashkëshort i Andjelkovic.
Në fund, mbështetësit e muzeut duket se kanë gjetur një vesh simpatizues në qeveri. Ivan

Tasovac, i cili u bë ministër kulture më 2013, është më i prirur ndaj artit se shumica e politikanëve, pasi ka qenë pianist koncertesh dhe drejtor i Orkestrës Filarmonike të Beogradit.

Tasovac luftoi për të siguruar financimet për përfundimin e rinovimit dhe ka vendosur orën mbrapsht për të treguar se ai me të vërtetë synon ta përfundojë këtë punë.
Por, në një jehonë tjetër të sagës së Athinës, menjëherë pas përpjekjeve të tij erdhi një procedurë e debatuar tenderimi.
Personalitete të larta të përfshira në projekt kanë akuzuar njëri-tjetrin se janë përpjekur të ndikojnë te procesi i tenderimit në mbrojtje të interesave të tyre ekonomike dhe të aleatëve të tyre.

“Unë nuk isha kurrë i dashur me politikanët për shkak se unë po përsërisja vazhdimisht të njëjtën gjë: janë paratë tona, nuk bëj pazare,” thotë Andjelkovic.
Për t’i shtuar telashet, pasardhësi i Andjelkovic si drejtor i muzeut, Jovan Despotovic, ka përplasje me drejtorin ekzekutiv Slobodan Nakarada.

Slobodan Nakarada, drejtor ekzekutiv i Muzeut të Artit Bashkëkohor në Beograd, para një vepre arti. Foto: Sasa Reljic
Slobodan Nakarada, drejtor ekzekutiv i Muzeut të Artit Bashkëkohor në Beograd, para një vepre arti. Foto: Sasa Reljic

Por në shtator 2015, Despotovic u pushua nga puna dhe Nakarada ka rënë dakord t’i bëjë të dyja punët. Tani, thotë ai, një tender i ri do të shpallet në janar 2016 me synim hapjen e muzeut në verën e po atij viti.

Narakada ka propozuar që tashmë ora mbrapsht që ka mbaruar së ecuri të bëhet pjesë e koleksionit të muzeut.

Mbetet për t’u parë nëse afati i ri i përcaktuar do të respektohet. Këtë verë, Narakada pranoi se sakaq i kishte parashikuar gjërat gabim. “Mendoja se jeta në muze do të qe e mërzitshme.”

Si në Greqi ashtu edhe në Serbi, gjatë viteve të fundit, muzetë nuk kanë qenë të mërzitshëm. Këto saga kanë përfshirë gjithçka, nga përplasjet e personaliteteve te sherret politike dhe proceset gjyqësore. Vetëm pak gjëra kanë munguar gjatë kësaj kohe: muze funksionalë, të hapur për publikun.

Fotini Barka është një gazetare e lirë me bazë në Athinë, e cila ka punuar më herët për gazetën e përditshme Eleftherotypia. Ky artikull u realizua si pjesë e Bursës Ballkanike për Gazetari Cilësore, mbështetur nga Fondacioni ERSTE dhe Fondacioni për Shoqëri të Hapur, në bashkëpunim me Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Investigative.

Etiketa: autostradBallkanBankatBEBeogradBIRNcigareEmriEuroFinancatFondeGalerigazetareGazetatGjykataGjykatësGjyqGreqiGreqiakonfliktkonflikt interesiKosovëKrizaKulturelajmemarrëveshjeMillosheviçMinistria e KulturësMuzeuNATOParapresidentpresidenteQeveriarajonSerbishtatortenderVendimxhami
Tjetri
Mijëra refugjatë dynden në Maqedoni pas hapjes së kufirit (Foto)

Mijëra refugjatë dynden në Maqedoni pas hapjes së kufirit (Foto)

Presione dhe intimidim: Çifti Veliaj dhe Bushka akuzohen për pengim të drejtësisë

SPAK kërkon dënimin me 400 mijë lekë gjobë për ish-deputeten Klotilda Bushka

16:01 | 03/06/2026
protesta 1

Letër e hapur për arkitektët e huaj: Flisni për atë që po ndodh në Nartë!

13:32 | 03/06/2026
Favorizoi ndërtimet jashtë lejeve, prokuroria kërkon gjykimin e ish-drejtoreshës së ASHK Tiranë

Titullarët dhe 10 punonjës të një dege të UBA Bank akuzohen se vodhën klientët

10:34 | 03/06/2026
foto 02 (1)

‘Autor i projektit’: Pse Rama po përpiqet të manipulojë revoltën për Zvërnecin?

07:08 | 03/06/2026
I akuzuari për kontrabandën e cigareve fiton lirinë me 1 milion euro garanci

Apeli heq apartamentin e Ergys Agasit nga sekuestroja

17:19 | 02/06/2026
hjzltqvxcaa0cwg

Grupimi i Partive Ambjentaliste Europiane kundër resortit të ‘Kushner’ në Zvërnec

16:52 | 02/06/2026
  • Opinion
  • Reportazhe
  • Analiza
  • Investigime
  • Lajme
  • Blog
  • Rajoni
  • Rreth nesh
  • Stafi
  • Kontaktoni
  • Ankesa dhe Korrigjime
  • Politika e privatësisë dhe rregulla të tjera
  • Letra për redaktorin
Follow Us

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2014 - 2026 Reporter.al - BIRN
Dev by Sfida.PRO

Menaxho Pëlqimin

Për të ofruar përvojën më të mirë, ne përdorim teknologji si cookies për të ruajtur dhe/ose për të aksesuar informacionin e pajisjes. Pranimi i këtyre teknologjive do të na lejojë të përpunojmë të dhëna si sjellja e shfletimit ose ID-të unike në këtë faqe. Mos pranimi ose tërheqja e pëlqimit mund të ndikojë negativisht në disa veçori dhe funksione.

Funksionale Always active
Ruajtja ose aksesi teknik është rreptësisht i nevojshëm për qëllimin e ligjshëm të mundësimit të përdorimit të një shërbimi specifik të kërkuar shprehimisht nga abonenti ose përdoruesi, ose me qëllimin e vetëm të kryerjes së transmetimit të një komunikimi përmes një rrjeti komunikimi elektronik.
Preferences
The technical storage or access is necessary for the legitimate purpose of storing preferences that are not requested by the subscriber or user.
Statistika
Ruajtja ose aksesi teknik që përdoret ekskluzivisht për qëllime statistikore. The technical storage or access that is used exclusively for anonymous statistical purposes. Without a subpoena, voluntary compliance on the part of your Internet Service Provider, or additional records from a third party, information stored or retrieved for this purpose alone cannot usually be used to identify you.
Marketing
Ruajtja ose aksesi teknik është i nevojshëm për të krijuar profile përdoruesish me qëllim dërgimin e reklamave, ose për të ndjekur përdoruesin në një faqe interneti ose në disa faqe interneti për qëllime të ngjashme marketingu.
  • Manage options
  • Manage services
  • Manage {vendor_count} vendors
  • Read more about these purposes
Shiko preferencat
  • {title}
  • {title}
  • {title}
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista

© 2024 Reporter.al - Dev by aplikacione.com.