Radovan Karaxhiç ka pasur role të ndryshme në jetën e tij – psikiatër, poet, lider politik dhe i arratisur – por këtë javë ai mund të dënohet dhe ta kalojë në burg pjesën e mbetur të jetës së tij.
Radovan Karaxhiç lindi në fshatin Petnica, pranë Savnikut në Mal të Zi në qershor të vitit 1945 – rreth 2,000 kilometra larg nga Haga, ku gjykata e OKB-së këtë javë do të japë vendimin e saj nëse ai është fajtor për gjenocid dhe krime lufte.
Ai e kaloi fëmijërinë e tij në Mal të Zi, duke ndjekur shkollën në Niksic, para se të shpërngulej në kryeqytetin boshnjak, Sarajevë, për të studiuar mjekësi në shkollë të lartë. Ai vazhdoi studimet në Universitetin e Mjekësisë në Sarajevë dhe u specializua në psikiatri në spitalin e qytetit Kosevo.
Karaxhiçi pati dy fëmijë me gruan e tij mjeke, Liljanën – një djalë, Sasan, karriera e të cilit paslufte është e panjohur, dhe një vajzë, Sonja, e cila tani është nënkryetare e parlamentit serb të Bosnjës.
Bashkë me punën e tij si psikiatër, kryesisht me pacientë që vuanin nga depresioni, fillimisht në Sarajevë dhe më pas për një kohë në Beograd, Karaxhiçi shkruante gjithashtu poezi.
Ai botoi katër libra me vargje dhe arriti një famë modeste; gjatë viteve të luftës, ai mori një çmim për letërsi në Rusi. Ai madje botoi një vëllim me poezi kur ishte në arrati pas përfundimit të luftës. Në një poezi, “Sarajeva”, ai shkroi: “Qyteti digjet si një copë temjani/ në tym gjëmon ndërgjegjja jonë.”
Mbikëqyrësi i Karaxhiçit kur ai punonte në spitalin Kosevo në Sarajevë ishte Ismet Ceriç, i cili tha për PBS në një intervistë se Karaxhiçi kishte gjithmonë një “mendim tepër të lartë për veten e tij”.
“Ndonjëherë ishte absolutisht e pabesueshme,” tha Ceriç. “Ai tha, ‘Jam një poet i shkëlqyer, një psikoterapist i shkëlqyer. Jam një biznesmen i shkëlqyer në sistemin komunist.’ Gjatë asaj kohe, ne mendonim se ishte thjesht sensi i tij unik i humorit.”
I dënuar në vitet 1980
Në mes të viteve 1980, Karaxhiçi pati problemet e tij të para ligjore. Ai u arrestua nën dyshimin se kishte shpërdoruar fonde publike për të financuar ndërtimin e shtëpisë së tij verore në qytetin Pale, mbi Sarajevë.
Karaxhiçi u dënua, por për shkak të kohës që ndenji në paraburgim para daljes në gjyq, ai nuk shkoi në burg.
Ai kaloi muaj pas hekurave në pritje të gjykimit me të njohurin e tij Momcilo Krajisnik, i cili po mbahej gjithashtu aty nën dyshimin se kishte shpërdoruar fondet publike ndërsa punonte në një firmë energjetike.
Krajisnik, i cili më vonë do të bëhej kryetar i parlamentit serb të Bosnjës gjatë kohës së luftës, tha për BIRN se eksperienca i afroi edhe më shumë ata të dy.
“E konsideroj një mik dhe njeri të mirë. E kaluam bashkë atë situatë dhe nuk kam dëshirë ta kujtoj. U bëmë të afërt. E di që ai nuk ka urryer kurrë asnjë dhe nuk donte kurrë që askujt t’i ndodhnin gjëra të këqija,” tha Krajisnik.
Partia Nacionaliste Demokratike Serbe, SDS u themelua në Bosnjë dhe Hercegovinë në vitin 1990 dhe Karaxhiçi u emërua si president i saj i parë në korrik të atij viti. Partia ishte pjesë e një koalicioni antikomunist dhe fillimisht luftoi që vendi të mbetej pjesë e Jugosllavisë.
Në një intervistë me agjencinë boshnjake të lajmeve SRNA, Karaxhiç këmbënguli se ai në të vërtetë nuk e donte atë punë.
“Nuk doja të bëhesha një politikan aktiv,” tha ai. “Nuk doja as të udhëhiqja Republikën Srpska dhe nuk do ta kishte bërë po të mos kishte qenë për ngjarjet e luftës.”
Ai shpjegoi se po bënte thjesht punën e tij. “Arsyetimi im i fatit të njeriut është i tillë që besoj se njeriu duhet t’i nderojë detyrat e tij,” tha ai.
Thirrje për një “Serbi të madhe”
Zgjedhjet e para shumë partiake në Bosnjë dhe Hercegovinë u mbajtën në nëntor të vitit 1990. Së bashku me SDS-në e Karaxhiçit, fituesit më të mëdhenj ishin dy parti të tjera nacionaliste – Partia Boshnjake për Veprim Demokratik dhe Komuniteti Demokratik Kroat. Të tria këto parti krijuan një koalicion.
Politikani i Partisë Social Demokratike, Miro Lazoviç, risjell në kujtesë se si ai shpesh foli kundër axhendës politike agresive pro-serbe të Karaxhiçit në seancat parlamentare në fillim të viteve 1990.
“Karaxhiç propozoi krijimin e një Serbie të Madhe,” tha Lazoviç për BIRN.
“Për shkak të politikës së tij dhe sidomos për shkak të pretendimeve të tij se nëse Bosnja bëhej e pavarur, myslimanët dhe vendi do të zhdukeshin, ne në parlament duhet të mbanim një referendum që qytetarët të mund të shpreheshin nëse donin një Bosnje dhe Hercegovinë të pavarur,” tha ai.
Karaxhiç i paralajmëroi boshnjakët për rreziqet e një lufte të afërt në një fjalim në tetor të vitit 1991 në parlamentin e Bosnjës, pasi Sllovenia dhe Kroacia tashmë kishin shpallur pavarësinë nga Jugosllavia. Ai tha se ndarja nga Jugosllavia do ta çonte Bosnjën dhe Hercegovinën në një “autostradë drejt ferrit”.
“Ju përgjërohem të kuptoni plotësisht se ajo që po bëni nuk është e mirë. Rruga që po zgjidhni për Bosnjën dhe Hercegovinën është e njëjta autostradë drejt ferrit dhe vuajtjet që Sllovenia dhe Kroacia tashmë i kanë provuar,” u tha ai ligjbërësve.
Ishte një fjalim që dukej se do të parashikonte brutalitetin e konfliktit që po afronte dhe masakrat që do ta pasonin.
“Nuk mendoj se nuk do ta çoni Bosnjën dhe Hercegovinën drejt ferrit dhe myslimanët ndoshta drejt zhdukjes, sepse nëse ndodh një luftë, myslimanët nuk do të jenë në gjendje të mbrohen,” tha Karaxhiçi.
Pasi Bosnja dhe Hercegovina u bë e pavarur në vitin 1992, pas një votimi që u kundërshtua nga serbët që donin të mbeteshin pjesë e Jugosllavisë, plasi lufta.
Gjatë konfliktit që zgjati tre vjet e gjysmë, Karaxhiçi ishte presidenti i Republikës Srpska dhe komandanti suprem i forcave të saj të armatosura.
Gjatë kohës së luftës, deklaratat e tij më famëkeqe ishin për Sarajevën, e cila u rrethua nga forcat serbe për tre vjet e gjysmë.
Karaxhiçi mohoi se njësitë nën komandën e tij ishin fajtore për sulmet vdekjeprurëse me mortajë në qytet. Në vitin 1994, pas masakrës në tregun “Markale”, në të cilën me dhjetëra civilë vdiqën, Karaxhiçi tha për gazetën “Borba”: “Ne kemi një ushtri të disiplinuar. Askush s’mund të qëllojë me armë pa u dhënë urdhër.”
Ai këmbënguli gjithashtu se “serbët nuk do të largohen kurrë nga Sarajeva dhe se qyteti do të jetë kryeqyteti i shtetit të ardhshëm serb”.
Në disa intervista, ai kundërshtoi ndërhyrjen ndërkombëtare në Bosnje, duke thënë se ky do të ishte “një precedent i rrezikshëm i cili do ta bënte çdo vend tjetër të pasigurt dhe do të prishte demokracinë”. Ai ka mohuar gjithashtu publikisht përgjegjësinë për masakrën e Srebrenicës.
Duke folur për atë periudhë, kryetari i parlamentit serb të Bosnjës gjatë kohës së luftës, Momcilo Krajisnik, këmbënguli se Karaxhiçi “luftoi gjithmonë kundër krimeve”.
“Ai nuk donte krime dhe nëse drejtësia ekziston ende, ai do të lirohet nga akuzat,” tha Krajisnik, i cili vetë u dënua nga gjykata e OKB-së në Hagë me 20 vjet burg për krime lufte.
Miro Lazoviç tha megjithatë se ai ishte i sigurt se Karaxhiçi do të dënohet.
“Gjykata e Hagës tashmë ka treguar se çfarë mendon për lidershipin e serbëve të Bosnjës dhe ka zbuluar se plani i tyre ishte të kryenin krime. Nuk kam asnjë dyshim se Karaxhiçi, si mishërim i këtyre politikave, do të dënohet,” tha ai.
Karaxhiçi fshihet
Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë u ngrit në Hagë pasi mijëra jo-serbë u izoluan në kampe përqendrimi dhe qindra të tjerë u vranë në Prijedor në 1992 dhe pas bombardimit të Sarajevës nga forcat serbe të Bosnjës.
Aktakuza e parë kundër Karaxhiçit u ngrit në 1995, disa muaj pas Gjenocidit të Srebrenicës.
Një mandat arrest u lëshua për Karaxhiçin në 1996, por në atë kohë, ai ishte tashmë në arrati. Sipas gazetarit britanik Julian Borger, që shkroi një libër rreth viteve në arrati dhe për arrestimin e Karaxhiç, ish-presidenti serb i Bonjës iu shmang kapjes për mbi një dekadë sepse forcat ndërkombëtare dhe autoritetet serbe në fillim nuk kishin dëshirë ta arrestonin, pasi besonin se kjo d të kërcënonte periudhën e brishtë të paqes pas luftës.
Në fillim, Borger thotë se Karaxhiçi po fshihej haptazi në Pale, por më vonë, pasi u shtua presioni për ta nxjerrë përpara drejtësisë, ai u largua në Serbi dhe filloi të fshihej.
SHBA-ja ofroi një shpërblim prej 5 milionë dollarë për informacion që do të çonte në kapjen e tij, por pavarësisht një kërkimi të gjatë nga forcat vendase dhe ndërkombëtare Karaxhiç u arrestua vetëm 12 vite më vonë në verën e vitit 2008 në Beograd, ku jetonte me emrin Dragan Dabiç, i fshehur si mistiku i Epokës së Re.
Pas një gjyqi maratonë prej gjashtë vitesh, gjatë të cilit më shumë se 500 dëshmitarë dhanë dëshmitë e tyre, vendimi pritet të enjten. Prokuroria ka kërkuar dënim të përjetshëm, ndërsa Karaxhiçi ka vazhduar të këmbëngulë te pafajësia e vet dhe ka thënë se duhet të lirohet.