Sulmet terroriste në Bruksel dhe kriza e refugjatëve në Ballkan kanë nxitur tensionet fetare të Bullgarisë, duke shkaktuar frikë për radikalizmin e minoritetit mysliman në vend.
Kreu i Komunitetit Mysliman të Bullgarisë, myftiu i madh Mustafa Hadji, dënoi shpejt sulmin e fundit terrorist në Bruksel.
“Ato akte ksenofobie të dhunës, provokuar nga zilia për pushtet kombinuar me një mungesë të diturisë për vlerat e larta morale islamike… përbëjnë një rrezik madhor për paqen në botë,” tha Myftiu i Madh.
Duke shprehur frikën e tij për harmoninë globale, myftiu gjithashtu iu drejtua në mënyrë të tërthortë tensionit në rritje mes shumicës ortodokse dhe pakicës myslimane në Bullgari.
Tensionet janë rritur në kryeqytetin, Sofje, pas raporteve të medias rreth radikalizimit të komunitetit mysliman lokal. Pas këtyre raporteve, grupe të vogla njerëzish organizuan protesta dhe kanë filluar një peticion kundër një xhamie lokale, ose vendeve islame të lutjeve, që protestuesit i kanë akuzuar për promovimin e Islamit radikal.
Kreu i komisionit parlamentar për sigurinë, Atanas Atanasov, thotë se sulmet e Brukselit mund të kenë ushqyer frikën në mesin e publikut, por nuk ka dëshmi për radikalizimin e myslimanëve lokalë. “Problemet janë thjesht psikologjike, ” tha ai për BIRN.
Zyrtarë të tjerë të qeverisë dhe të policisë janë përpjekur të qetësojnë shqetësimet, duke kujtuar se agjencitë e sigurisë ndjekin nga afër të gjitha pistat e mundshme në elementet radikalë islamikë.
“Nuk ka informacion se idetë radikale islamike po përhapen. Ky vend lutjesh është regjistruar me komunën e Sofjes dhe me myftiun e madh dhe aktiviteti i tij është nën kontroll të këtyre dy institucioneve,” tha për BIRN Georgi Krastev, sekretar i këshillit kombëtar të sigurisë.
Pavarësisht këtyre deklaratave qetësuese, shqetësimet mbeten të larta në lidhje me minoritetin mysliman, që përbën rreth 13 për qind të popullsisë. Ndërsa disa bullgarë – të cilët janë kryesisht të krishterë ortodokse – e shohin komunitetin mysliman si një rrezik potencial dhe anëtarët e tij gjithnjë e më shumë ndjehen nën sulm për shkak të etnisë dhe fesë së tyre.
Programi televiziv nxit tensione
Tensionet e fundit në Sofje u shkaktuan nga emisioni “Mjeshtra të Transmetimit”, që njoftoi më 10 mars se vendi i lutjeve në rrethin e Lulin të Sofjes, që është e regjistruar në regjistrat komunalë si depo këpucësh, ishte në pronësi të një kompanie të lidhur një fondacion radikal islamik.
Gazetarët e televizionit theksuan se emri i pronarit të ndërtesës, Hussein Odeh Abu Qalbain ishte shfaqur në ËikiLeaks në një raport konfidencial nga ish-ambasadori i SHBA në Bullgari, Xhon Bayrle, nga viti 2005.
Në raportin, që BIRN e ka, diplomati amerikan, duke cituar shërbimet bullgare të sigurisë, tha se Qalbain ishte kreu i fondacionit Taiba, objektivi i të cilit ishte të “radikalizojnë popullsinë myslimane të Bullgarisë, pjesërisht duke inkurajuar institucionet qendrore të tilla si myftiu, të bëhen financiarisht të varur nga kontributet e saj”.
I njëjti raport gjithashtu pohoi se Qalbain “ka qenë i lidhur me planifikimin e sulmeve kundër forcave të koalicionit në Irak”.
Programi televiziv njoftoi më tej se, kohët e fundit, makina me targa diplomatike nga Libani dhe Sudani ishte parë të parkoheshin përpara vendit fetar.
Një video shfaqte Hussein Hafazov, një deputet bullgar i njohur për lidhjet e tij politike në Turqi, që hyjnte në ndërtesë për një lutje të premten, pa datë të specifikuar.
Hafazov u bë i famshëm për agjitacion e tij politik midis shtetasve bullgarë që jetojnë në Turqi para zgjedhjeve të fundit parlamentare në vitin 2015, që shkaktoi zemërim të gjerë në Bullgari.
“Ne nuk kemi asgjë kundër myslimanëve të rregullt që ndjekin fenë e tyre. Por jemi të shqetësuar kur fondacionet dhe firmat e financuara ndërkombëtarisht blejnë prona, ndërtojnë xhami dhe madje hapin shkolla ku askush nuk e di fiks se çfarë predikohet,” përfundoi raportimi i TV, duke nxitur autoritetet policore të hetojnë.
Nuk është çudi që raporti tërhoqi reagime të menjëhershme politike. Dimiter Delchev, sekretar i një prej partive në koalicionin qeverisës, kërkoi që Agjencia Shtetërore për Sigurinë Kombëtare, Dans, të hetonte vendin.
“Ka një rrezik nëse vende të tilla përdoren për qëllime të çrregullta, që mund të çojë në krime,” tha për BIND Delchev, duke shtuar “se autoritetet duhet të kontrollojnë situatën në vend dhe të mos lejojnë fenë të përzihet me politikën”.
Delchev pohoi se ka pasur sinjale të shumta që imamët kishin bërë propagandë për partitë politike në zgjedhjet e fundit komunale në vitin 2015, në kundërshtim me themelet laike të shtetit.
Në përgjigje të këtyre ankesave, një seancë me dyer të mbyllura është mbajtur në parlament më 13 mars.
Kreu i komisionit parlamentar për sigurinë, Atanas Atanasov, megjithatë, tha për BIRN se autoritetet nuk kishin zbuluar asnjë shkelje ligjore në lidhje me xhaminë.
“Është shumë joetike dhe deri diku e rrezikshme të spekulosh me idenë se vendet fetare, myslimane apo jo, janë një kërcënim për shoqërinë dhe sigurinë kombëtare,” tha për BIRN Hussein Hafazov, deputeti i ekspozuar ndërsa vizitonte teqenë.
Ai tha se si një mysliman, ai vizitoi objektet fetare për t’u lutur, dhe nuk ishte i interesuar në pronësinë e ndërtesës.
Ish-depo e këpucëve është në pronësi të vërtetë të një personi të quajtur Hussein Qalbain, por dokumentet e marra nga BIRN tregojnë se është dhënë me qira në mënyrë të ligjshme në zyrën e myftiut rajonal. Përveç kësaj, ajo është regjistruar në mënyrë të ligjshme nga ana e Bashkisë së Sofjes, në vitit 2013 si “nën kujdestarinë myslimane – Lulin”.
Në fjalën e saj në parlament më 1 prill, ministrja e brendshme e Bullgarisë, Rumjana Bachvarova, tha se fondacioni Taiba Qalbain ka pezulluar aktivitetet e vet në Bullgari që nga viti 2012 dhe nuk është konsideruar më si një kërcënim për sigurinë kombëtare.
Ajoi shtoi se policia ka shtuar kontrollet mbi teqenë kontroverse.
“Nuk ka prova se islami radikal apo idetë ekstremiste po predikohen në këtë vend fqinj të Sofjes, Lulin,” përfundoi ajo.
Bashkë-ekzistenca tradicionale nën presion
Pavarësisht traditës së tolerancës fetare të Bullgarisë, i ashtuquajturi “Procesi i Rigjallërimit” në vitet 1970 dhe 1980 ka lënë një mbresë të thellë në marrëdhëniet e komunitetit të vendit, pasi Partia Komuniste atëherë në pushtet, u përpoq të nënshtrojë pakicën myslimane të asimilohej forcërisht. Në verën e vitit 1989, rreth 360,000 turq etnikë u detyruan të largohen nga vendi dhe të kërkojnë strehim në Turqi.
Pesë vjet më parë, tensione etnike të një lloji tjetër shpërthyen kur bullgarët dhe etnikë romë u përleshën në fshatin jugor të Katunitsës, duke marrë jetën e dy të rinjve dhe duke provokuar protesta të dhunshme anti-rome.
Ndërkohë, islami po fiton ndikim në mesin e pakicës rome që formon pothuajse dhjetë për qind të popullsisë, më e larta në BE. Disa komunitete rome, si ajo në geton rome të Iztok në Pazarxhik, janë mes disa myslimanëve në Bullgari që ndjekin lëvizjen ultra-konservatore Selefi.
Në korrik të vitit 2015, prokurorët akuzuan 14 myslimanë nga Pazarxhik, Plovdiv, Asenovgrad dhe Startsevo për nxitje të urrejtjes fetare me anë të predikimit të tyre dhe të promovimit të luftës duke përhapur propagandë të ISIS. Gjykimi është ende në vazhdim.
Megjithatë, ekspertët thonë se provat e lëvizjeve radikale dhe xhihadiste në Bullgari janë të pakëta. “Në këtë fazë në Bullgari nuk ka as qeliza, as organizata të fshehta”, tha për BIRN Antonina Zhelyazkova, drejtore e Qendrës Ndërkombëtare për Minoritetet dhe Bashkëveprim të Kulturës.
Georgi Krastev tha se pavarësisht gjykimit të Pazarxhikut, nuk ka rrezik të drejtpërdrejtë për radikalizimin e myslimanëve bullgarë, por paralajmëroi: “Në asnjë mënyrë nuk do të thotë kjo se problemi nuk ekziston”.
Myslimanët ndihen nën sulm
Sulmet terroriste të intensifikuara në Europë në vitin 2015 dhe 2016, si dhe kriza e vazhdueshme e refugjatëve, kanë çuar ndërkohë në një rritje të retorikës raciste dhe anti-myslimane në Bullgari.
Me 63 për qind e bullgarëve që e konsiderojnë fluksin e refugjatëve një kërcënim për sigurinë kombëtare, sipas një sondazhi nga agjencisë së votimit Alpha Research, protestat kundër hapjes së planifikuar të kampeve të refugjatëve janë bërë të rregullta në shumë qytete, qyteza dhe fshatra.
Lajmi i fundit për teqenë në Sofje shkaktoi dy protesta përpara ndërtesës vetëm ditë pas raportimit.
“Ata [që përdorin teqenë] janë njerëz të këqinj dhe ne ndjejmë se janë një kërcënim”, tha për BIRN një nga dhjetëra pjesëmarrësit e protestës më 13 mars. “Ka një tension këtu. Ne që kemi jetuar në Lulin për 30 vitet e fundit jemi të sigurt se diçka nuk shkon,” tha një tjetër protestues.
Tubimi i parë u pasua nga një tubim i madh një javë më vonë. Përveç protestave, kjo çështje i ka preokupuar rrjetet sociale në Sofje, ku shumë njerëz shfaqin pozicionet më radikale.
“Ata duhet të vdesin” shkruan një postimi në rrjetet sociale, ndërsa një tjetër sugjeroi se xhamisë duhet t’i vihet flaka.
Megjithatë, policët që ruanin protestën thanë se kurrë nuk kishte pasur ndonjë problem në lidhje me vendin dhe se ata nuk kishin marrë ankesa paraprake nga banorët vendas.
“Nëse ndodh gjë, do ta dinim. Ne kontrollojmë rregullisht vendin dhe njohim gjysmën e njerëzve që e vizitojnë,” tha një oficer i policisë që donte të mbetej anonim.
Myslimanët vendas, megjithatë, janë të bindur se po përjashtohen.
Duke folur për tensionet që rrethojnë xhaminë, Myftiu Mustafa Izbishtali – i cili është në krye të shtëpive të lutjes myslimane në rajon – i tha BIRN se protestat ishin “një sulm në shënjestër kundër zyrës së myftiut dhe kundër fesë myslimane në përgjithësi”.
“Jam një shtetas bullgar, ky është vendi im,” tha Ahmed, imami i teqesë në fjalë. Ai ishte kthyer në qytetin e tij pasi mbaroi studimet fetare në Jordani dhe përfundoi i izoluar në teqe me myslimanë të tjerë gjatë protestave.
“Ata nuk mendojnë se mund të lëndohen të pafajshëm. Media është përgjegjëse për këtë – ata do t’i bëjnë njerëzit të urrejnë njëri-tjetrin”, tha Sulejman, një mësues që vjen rregullisht në teqe.
Nuk ka mjaftueshëm vend për lutje
Myslimanët në Sofje janë të shqetësuar se trazira mund të çojë në mbylljen e xhamisë, e cila do të lërë rreth 70.000 myslimanët në Sofje me vetëm xhaminë kryesore të Banya Bashi në qendër të qytetit, që mund të presë jo më shumë se 700 njerëz.
“Ne e hapëm këtë teqe sepse xhamia e Sofjes është e pamjaftueshme për të gjithë njerëzit që duan të performojnë lutjet e tyre të së premtes. Çdo të premte dhe gjatë pushimeve myslimane më shumë se 400 njerëz janë detyruar të luten në oborrin e xhamisë,” tha Mustafa Izbishtali. “Kjo është e drejta që na e jep kushtetuta”, shtoi ai.
Rajoni i Sofjes së Madhe, shtëpi e 93,000 myslimanëve, ka vetëm nëntë vende të lutjes, numrin më të vogël në mesin e të gjitha 22 rajoneve të Myftiut të Madh. Vetëm dy prej tyre janë në kryeqytet.
Zyra e Myftiut të Madh ka kërkuar leje për të ndërtuar një xhami të dytë dhe një qendër kulturore dhe arsimore islamike në Sofje për vite me radhë, por nuk ka arritur të fitojë mbështetje nga shteti dhe autoritetet komunale të kryeqytetit.
Kjo është arsyeja pse myftiu i rajonit të Sofjes sheh një zgjidhje në hapjen e më shumë vendeve të lutjes. Një tjetër është planifikuar për rrethin e qytetit Studenti, ku jetojnë më shumë se 5.000 myslimanë.
Por shumë qytetarë të Sofjes nuk e kanë marrë me qejf këtë lajm. Ndërsa myslimanët brenda xhamisë i thanë BIRN se ata kanë nevojë për një vend “për t’u mbledhur dhe që të ndjehen të qetë” shumë nga ata që protestojnë jashtë xhamisë e kanë bërë të qartë se duan që myslimanët të largohen nga lagjja e tyre.
Mustafa Izbishtali mendon se problemi është që komunitetet nuk e njohim apo nuk i besojnë njëri-tjetrit. “Mjaftojnë vetëm pak rreshta në media për promovimin e islamit radikal në Lulin dhe se njerëzit që po e vizitojnë vijnë nga ISIS… nëse do të isha në vendin e atyre njerëzve, me gjasa do të kisha frikë gjithashtu,” përfundoi myftiu.