Duke argumentuar përse Britania duhet të qëndrojë në BE, Robert Skidelsky shpjegon faktorët që kanë çoroditur Bashkimin Europian dhe thotë se një Britani e vetëdijshme është e nevojshme të zgjojë nga makthi Europën ose t’i mbyllë asaj sytë pas vdekjes.
Bashkimi Europian nuk ka qenë kurrë shumë popullor në Britani. Ky shtet iu bashkua vonë dhe më 23 qershor votuesit do të pyeten nëse duan të largohen herët. Rezultati i referendumit nuk do të jetë i detyrueshëm nga ana ligjore për qeverinë, por është e pamendueshme që Britania të qëndrojë nëse vendimi i publikut është për t’u larguar.
Përgjatë viteve, fokusi i debatit britanik rreth Europën ka ndryshuar. Në vitet 1960 dhe 1970, pyetja ishte nëse Britania mund ta përballonte mospërfshirjen në atë që ishte atëherë Komuniteti Ekonomik Europian. Frika qe se Mbretëria e Bashkuar do të lihej jashtë tregut botëror në zhvillim të shpejtë dhe se partneriteti i saj me Shtetet e Bashkuara do të ishte gjithashtu në rrezik: aleanca perëndimore do të konsistonte në dy shtylla dhe Europa, jo një Britani e tkurrur, do të ishte një prej tyre.
Sot, është dobësimi, mungesa e fuqisë nga ana e Europës që e çon Britaninë në këtë debat. Britanikët e perceptojnë veten se po ecin mirë ndërsa Europa po del keq. Në fakt, që nga kriza e vitit 2008, BE-ja është identifikuar me dështimin. Përveç Britanisë dhe Gjermanisë, nuk ka pasur zhvillim ekonomik. Nuk mund t’i mbrojë kufijtë kundër terroristëve (“Europa nuk është e sigurt,” shpall Donald Trump). Institucioneve të saj i mungon legjitimiteti. E përbërë nga 28 anëtare thuajse sovrane, nuk mund të veprojë, por vetëm të tregojë synimet e veprimit. Nuk është çudi që ka një lëvizje për t’i rikthyer sovranitetin shteteve, ku gjendet fuqia e vendimmarrjes.
Fati i BE-së është lidhur në mënyrë të pashpresë me atë të tiparit të vet më të dobët: eurozona me 19 anëtarë, stanjacioni ekonomik i monedhës së vetme. Për zyrtarët në Bruksel, eurozona është BE-ja. Vetëm Britania dhe Danimarka janë lejuar të veçohen. Shtetet e tjera, përfshirë Suedinë, pritet të bashkohen kur të përmbushin këtë kriter. Eurozona dikur ishte motori i bashkimit politik. Por motori ka ngecur.
Kriza e vitit 2008 filloi me kolapsin bankar në SHBA. Por shumica e pjesës tjetër të botës e ka rimarrë veten, ndërsa shumica e Europës ende jo. Për të vlerësuar përse, një simpozium i fundit mbi këtë çështje në Kolegjin Nuffield, Oksford, u përqendrua në mungesën e një autoriteti sovran që do të mund të mbrojë ekonominë europiane si një e tërë nga krizat ngjitëse që fillojnë gjetkë. Pjesët që mungojnë nga sovraniteti përfshijnë një sistem transferimi fiskal për t’iu përgjigjur lëkundjeve asimetrike; një aset pa rreziqe (eurobonde) në të cilin do të lihen paratë e tepërta; një sistem i vetëm për supervizimin e bankave dhe tregjeve të kapitalit; një bankë qendrore që do të mundësojë veprimin si një huadhënëse emergjence dhe aftësinë për të organizuar një program stabilizimi/rikuperimi që përfshinë të gjithë BE-në.
Eurozona ka dobësuar shtetet që e përbëjnë atë, pa krijuar një shtet superkombëtar që do të zëvendësojë pushtetet që humbën anëtarët. Legjitimiteti kështu qëndron në një nivel të autoritetit politik që i ka humbur ato atribute të sovranitetit (si aftësia për të rregulluar normat e këmbimit) nga ku derivon legjitimiteti.
Ndërkohë, premtimet për veprim vazhdojnë të rriten. I ashtuquajturi Raporti i Pesë Presidentëve bën thirrje për “kompletim të bashkimit ekonomik dhe monetar të Euroës” si një prelud i “bashkimit politik”. Por është ky hapi i duhur i radhës? Historikisht, bashkimi politik pason atë ekonomik dhe monetar. Por Otmar Issing, një ish-krye ekonomist i BQE, nuk lodhet kurrë së theksuari se pa një sovran, procesi i transferimit të kompetencave – përfshirë politikat monetare – do të krijojë në deficit të madh legjitimiteti.
BE-ja nuk është përpjekur kurrë të arrijë bashkimin politik gradualisht, sepse ishte e pamundur t’ia nisje. Në fakt, në “projektin europian” qe fshehur pritshmëria se krizat pasuese do të shtynin përpara integrimin politik. Kjo ishte dukshëm shpresa e Jean Monnet. Alternativa – që krizat do të kishin efekt të kundërt, që do të çonin në ndarjen e bashkimit ekonomik dhe monetar – nuk u mor kurrë seriozisht.
Pak njerëz në Britani do të mirëprisnin një lëvizje direkte drejt një bashkimi politik, duke supozuar që do të thotë mbushje të hendeqeve në sovranitetin e eurozonës së gjymtuar. Në fakt, në marrëveshjen e negociuar nga kryeministri Cameron me krerët e qeverive europiane si kusht i qëndrimit në BE, Britania është përjashtuar veçanërisht nga zotimi i “një bashkimi politik më të ngushtë”. Megjithatë, pa një bashkim politik, është e vështirë të shihet si do të funksionojë eurozona.
Eurozona ka kështu gjasa të ndahet në pjesë më të vogla, pas përpjekjeve të mëtejshme për të mbijetuar. Mund të imagjinohet një zonë veriore e monedhës së përbashkët, me mjaftueshëm sovranitet që e bën atë të funksionojë, lidhur nga tregtia e lirë me një zonë jugore që nuk është subjekt i rregullave monetare dhe fiskale të bllokut verior. Veçanërisht, anëtarët e bllokut jugor do të kishin norma këmbimi fikse, por të përshtatshme, me njëri-tjetrin dhe me bashkimin verior.
Blloku jugor, megjithatë, nuk do të ishte një anëtar me peshë dhe prestigj për të kundërbalancuar Gjermaninë. Ky anëtar do të ishte Britania. Dhe ky është argumenti kryesor kundër daljes nga BE-ja: duke qëndruar, Britania do të sigurohej se nëse dhe kur të ndodhë ndarja e eurozonës, procesi të mos jetë shumë i ngatërruar dhe të ruhet shpirti i themeluesve të BE-së. Britania ka përse të frikësohet nga një divorc i hidhur, por gjithsesi do të përfshihet në telashet që do të sjellë ai.
Ka qenë gjithnjë pjesë e rolit britanik të veprojë si një urë mes botëve të ndryshme. Britania mund ta luajë këtë rol në dy Europat e së ardhmes, por vetëm duke mos u shkëputuar nga Europa aktuale.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. A British Bridge for a Divided Europe