Vendimi i Kenias për të djegur një sasi fildishi të konfiskuar me vlerë 110 milionë dollarë është një vendim shumë i mirë nga pikëpamja ekonomike. Ai i dërgon një mesazh të qartë konsumatorëve në Azinë Lindore dhe gjithkund tjetër: fildishi i përket elefantëve dhe askujt tjetër.
Kenia shkatërroi të gjithë rezervën e vet me fildish elefantësh të shtunën. Më shumë se 100 tonë “e bardhë e artë” – qoftë e siguruar në mënyrë ilegale dhe e konfiskuar nga gjuetarët dhe tregtarët, ashtu edhe e mbledhur në mënyrë të ligjshme (nga vdekjet natyrore të elefantëve) – u dogj e u bë tym të shtunën (30 prill). Në Kinë – ku shumica e fildishit të botës konsumohet apo grumbullohet – çmimi i raportuar së fundmi është 1,100 dollarë për kilogram, gjë që do të thotë se vlera totale e materjalit të shkatërruar është afërsisht 110 milionë dollarë.
Për shumicën e ekonomistëve, shkatërrimi i diçkaje të tillë me kaq shumë vlerë është mëkat. Por ka arsye shumë të mira për një vend, – qoftë edhe për një vend të varfër si Kenia – që t’ia dorëzojë fildishin e vet flakëve.
Për fillestarët, shkatërrimi i rezervave përforcon kredibilitetin e fushatave që synojnë të reduktojnë kërkesën për fildish në Azinë Lindore pa të cilën, problemi i gjuetisë së paligjshme nuk do të mund të zgjidhet kurrë. Reduktimi i kërkesës synon të dobësojë tregun për produktin duke ndryshuar shijen e konsumatorëve. Ndërsa çmimi bie, po kështu bie edhe incentiva e gjuetarëve të paligjshëm për të vrarë elefantë.
Por nga ana tjetër, kur vendet i ruajnë rezervat e tyre të fildishit, ata sinjalizojnë se po presin një kohë kur do të mund të jenë në gjendje të shesin fildish në të ardhmen. Kjo e minon besueshmërinë e përpjekjeve për reduktimin e kërkesës; nëse tregtia e fildishit do të legalizohet ndonjëherë, çdo stigmë e lidhur me konsumimin e fildishit do të zhduket.
Promovuesit e një tregtie të ligjshme dhe të rregulluar ndërkombëtare të fildishit argumentojnë se përpjekjet për reduktimin e kërkesës mund të bashkëjetojnë me një furnizim të kufizuar të paktë. Por kjo linjë arsyetimi ka dobësi të rrezikshme: ajo supozon se një kartel ligjor – një nga modelet e propozurara për rregullimin e ofertës – do të nxjerrë jashtë tregut furnizuesit e paligjshëm duke ofruar fildish në treg me kosto më të ulët.
Ky supozim është i dyshimtë në rastin më të mirë. Sasitë e tregtuara përmes mekanizmave të ligjshëm do të jenë të pamjaftueshëm për të ngopur tregun dhe ulur çmimet. Në të vërtetë, legalizimi i tregtisë do të minojë përpjekjet për reduktimin e kërkesës, gjë që do ta mbajë të lartë çmimin e fildishit, duke siguruar vijimin e gjuetisë së paligjshme.
Disa vende në jug të Afrikës argumentojnë se ato duhet të lejohen të shesin fildishin e tyre në CITES, – shitje të lejuara vetëm një herë, të ardhurat e të cilës shërbejnë për të financuar përpjekjet e ruajtjes së natyrës dhe mbrojtjes së popullsisë së elefantëve. Por, me përjashtim të një probabiliteti të vogël në disa vende, gjasat janë që të ardhurat nuk do të përfundojnë në mbrojtjen e mjedisit ndërkohë që nuk dihet se sa para mund të fitohen nga kjo gjë.
Sipas rregullave të CITES, qeveritë lejohet të shesin vetëm te qeveritë e tjera. Por ajo që qeveritë mund të jenë të gatshme të paguajnë mund të jetë dhjetë herë më e ulët se sa vlera në tregun e paligjshëm. Dhe edhe pas kësaj, qeveritë mund të shesin vetëm fildishin e grumbulluar nga vdekjet natyrale, jo fildishin që është konfiskuar nga gjuetarët apo tregtarët e paligjshëm.
Kina dhe Shtetet e Bashkuara janë në procesin e formulimit të ndalimit në tregtinë vendëse të fildishit, kështu që nuk është e qartë se cilat qeveri mund të jenë të interesuara të blejnë stoqet e Afrikës. Vietnami dhe Laosi kanë kandidatë të mundshëm, por ato janë gjithashtu pjesë e famëkeqes “trekëndëshi i artë,” ku tregtia ilegale e jetës së egët dhe produkteve të jetës së egër vijon të lulëzojë. Mundësia që tregtia e ligjshme e fildishit të kalojë në tregjet e parregulluara kërkon një përgjigje të koordinuar ndërkombëtare, të udhëhequr nga qeveritë e Afrikës përmes koalicioneve të tilla si Iniciativa për Mbrojtjen e Elefantëve, në bashkëpunim me vende të tilla si Kina.
Ruajtja – në vend të djegies – së rezervave është një zgjedhje e pamjaftueshme. Ruajtja e rezervave është e kushtueshme nga pikëpamja administrative dhe operacionale – dhe shpesh, pa kurrfarë kuptimi. Menaxhimi i inventarëve kërkon shumë punë dhe teknologji. Fildishi duhet të ruhet në ajër të kondicionuar për të shmangur të çarat dhe thërmimet (faktorë të rëndësishëm në përcaktimin e çmimit).
Duke marrë parasysh probabilitetin e ulët të mundësisë së legalizimit të tregtisë në të ardhmen, kostoja e magazinimit dhe ruajtjes ka pak gjasa që të rikuperohet. Ndërkohë, organizatat kriminale kanë nevojë thjeshtë të korruptojnë disa zyrtarë vendorë për të grabitur fildishin në ruajtje.
Ka gjithashtu kosto të mëdha oportune të investimit të ruajtjes së rezervave. Burimet e pakta financiare dhe njerëzore që duhet të vendosen në menaxhimin e rezervave mund të përdoren me më shumë vlerë në ruajtjen e panoramës (gjë që mund të bëhet me kalimin e kohës e vetëfinancueshme përmes pagesave për shërbimin në ekosistem).
Në fund, djegia e fildishit me vlerë miliona dollarë ka një ndikim të pamohueshëm simbolik. Kjo dërgon një mesazh të qartë: fildishi i takon elefantëve dhe askujt tjetër. Dhe e bën të qartë se elefantët kanë më shumë vlerë të gjallë se sa të vdekur.
Në të vërtetë, vlera e elefantëve është aspak simbolike. Elefantët janë specie kyç për ruajtjen e ekosistemeve të rëndësishme. Megjithatë gjuetia e gjithëpërhapur po shkatërron popullsitë e elefantëve në të gjithë Afrikën, duke vrarë rreth 30 mijë syresh në vit.
Gjuetia ka gjithashtu ndikim negativ te bashkësitë, pasi i jep përfitime disave në kurriz të të shumtëve. Studime të kohëve të fundit tregojnë se kujdesi i treguar nga bashkësitë që jetojnë brenda zonave të mbrojtura në Kenian e veriut janë një formë shumë efektive në ruajtjen e mjedisit (dhe rrjedhimisht elefantëve), nëse kanë incentivat e duhura për ta bërë këtë. Kjo është shumë e rëndësishme për shkak se në vende si Kenia dhe Tanzania, shumica e jetës së egër ekziston jashtë zonave të shpallura si të mbrojtura.
Kenia duhet të lavdërohet për vendimin e mençur – dhe efikas. Fqinjët e saj, si dhe vendet shumë më në jug, duhet të ndjekin shembullin e saj. Në mënyrë ideale, të gjitha shtetet që kanë rezerva të tilla mund t’i shkatërrojnë ato duke kapërcyer edhe problemin e mungesës së veprimit kolektiv në këtë rajon. Duke bërë diçka të tillë, mesazhi për tregjet botërore do të jetë i presë: fildishi nuk është për shitje, as sot dhe as në të ardhmen.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. The Case for Burning Ivory