Pasi kanë kaluar nëpër një procedurë rraspakitëse të mjekimit të kancerit të gjirit, shumë të mbijetuara serbe hezitojnë të ndërmarrin procedurën e tatuazhit të thimthave, por kur e bëjnë, kjo i rikthen atyre vetëbesimin për trupin.
Një piktore për nga shkollimi dhe një artiste e makijazhit të përhershëm me profesion, Sanja Grbiç nga Beogradi ka ofruar prej dy vitesh ekspertizën e vet në tatuazhet e thimthave për të mbijetuarat e kancerit të gjirit.
E ndjeshme ndaj problemit të grave që kalojnë masektomi, Grbiç është një nga pak serbët që janë trajnuar për të krijuar thimtha artificiale me bojë tatuazhi – dhe me gjasa e vetmja që e bën falas.
E gjitha kjo filloi gjatë studimeve universitare, thotë Grbiç, kur një mik i saji ishte lidhur me një grua që kishte bërë mastektomi.
“Ai më tha se ajo nuk ndihej aspak mirë me trupin e saj,” Grbiç kujton. “Ajo nuk kishte pasur një operacion rikonstruktimi dhe nuk donte që ai ta shihte të zhveshur”.
Këtu i erdhi frymëzimi. “Në atë çast kuptova se sa i madh ishte problemi për gratë që bëjnë mastektomi,” thotë Grbiç. “Atëherë kuptova shtrirjen e pasigurive të tyre”.
Por ndërsa tatuazhi terapeutik i thimthave është një trend në rritje në Europë dhe Amerikën e Veriut, nuk është aspak i zakonshëm në Serbi. Grbiç thotë se në dy vite ajo ka bërë tatuazh vetëm pesë gra – të gjitha të njohura të miqve. Në traditën e vërtetë serbe, praktika e saj po rritet ngadalë përmes fjalës së gojës. “Nuk kam dëgjuar ende për ndokënd që të ketë mësuar për mua në ndonjë mënyrë tjetër”, thotë ajo.
Grbiç beson se gratë në Serbi nuk kanë vullnet të bëjnë tatuazh të thimthave sepse ngurrojnë të kalojnë nëpër procedura të tjera si pjesë e përvojës rraskapitëse të kancerit të gjirit. Gjithashtu, ajo thotë se ato janë pektike sepse procedura është e rrallë dhe nuk ka shumë artistë tatuazhesh në Serbi të cilët janë të trajnuar ta bëjnë siç duhet.
Përveç kësaj, ajo shton, se sigurimi shëndetësor shtetëror në Serbi nuk e mbulon shpenzimin e tatuazheve kozmetike të thimthave – ndaj për këtë arsye ajo synon të vazhdojë ta bëjë procedurën pa marrë shpërblim monetar.
Jasmina Lukiç është një përfaqësuese e shoqatës “Le të Bashkohemi”, që ka për synim të mbështesë gratë që janë diagnostikuar me kancer si dhe ato që po kalojnë nëpër mjekim. Ajo thotë se gratë janë të njohura me tatuazhin rikonstruktiv të thimthave, por procedura “nuk është aq e përhapur sa jashtë”.
“Asnjë nga gratë në shoqatën tonë nuk e ka bërë tatuazhin. Kjo është diçka shumë intime dhe i takon secilës grua ta marrë vetë vendimin,” tha ajo për BIRN.
Ndjehem më mirë
“Jane” është një artiste 40-vjeçare që ra dakord të flasë me BIRN nën kushtin e anonimitetit. Ajo vetëm së fundmi vendosi të bëjë tatuazh të thimthave. Pasi kaloi një mjekim me tetë seanca, ku bëri dy mastektomi, një seri kimioterapish dhe operacion plastik, ajo thotë se do të jetë gati të bëjë tatuazh të thimthave në vjeshtë.
“Nuk ishte e vështirë të merrje një vendim të tillë,” thotë ajo për BIRN.
“Mendoj se bërja tatuazh e thimthave është diçka e mrekullueshme, sepse gratë mund të ndihen më mirë – unë do të ndihem më mirë – kur shihen në pasqyrë,” thotë Jane.
Kjo e mbijetuar e kancerit të gjirit beson se rikonstruktimi kozmetik i thimthës është i rëndësishëm për çdo grua që ka kryer një mastektomi. Për të, ishte gjithashtu fundi i një rruge të gjatë dhe të dhimbshme që filloi kur u diagnostikua dhe i thanë se nuk kishte gjasa të mbijetonte.
Një sëmundje e përhapur
Kanceri i gjirit është tumori më i zakonshëm mes grave në Serbi. Një në tetë gra serbe diagnostikohen me kancer të gjirit gjatë jetës së tyre.
Sipas Institutit të Shëndetit Publik të Serbisë “Dr Milan Jovanovic Batut”, me bazë në Beograd, rreth 4100 gra diagnostikohen me një formë malinje të kancerit të gjirit në Serbi çdo vit. Rreth 1600 vdesin prej kësaj.
Për shkak të këtyre statistikave alarmante, Ministria Serbe e Shëndetit lançoi një program kombëtar për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit dhe krijoi Zyrën Kombëtare të Zbulimit të Kancerit në 2012. Zyra bën kontrolle falas për kancerin e gjirit kudo në Serbi.
Sipas të dhënave të zyrës, në ciklin e parë një total prej 78,600 grash janë ekzaminuar, 290 prej të cilave u diagnostikuan me sëmundjen. Gjatë ciklit të dytë në 2015, rreth 40,700 gra u skanuan ku 201 të tjera u diagnostikuan me kancer të gjirit. Programi falas vazhdon.
Askush nuk mbledh statistika në lidhje me numrin e grave që kryejnë mastektomi si pjesë e trajtimit mjekësor të kancerit, nuk dihet as numri i grave që kanë bërë rikonstruktim të gjirit, përfshirë thimthat.
Kliente speciale
Nuk janë vetëm pacientët që janë skeptikë për tatuazhet rindërtuese të thimthave, thotë Grbiç. Ajo hasur gjithashtu pak sukses në përpjekjet e saj për të gjetur kirurgë dhe klinika private.
“I kam dërguar emaile klinikave private, u kam telefonuar doktorëve që janë të specializuar në kancerit e gjirit. I pyeta nëse mund t’ua bëja tatuazhet falas pacientëve të tyre, por s’kam marrë asnjë përgjigje,” tha Grbiç.
Ndërkohë që këto institucione nuk e kanë pranuar dot idenë e tatuazheve, ka mundësi që pacientët e tyre t’i jenë nënshtruar një formë më invazive të rindërtimit të thimthave të gjirit: transplant lëkure ose nga thimtha tjetër ose nga ndonjë pjesë tjetër e trupit.
Realizimi është gjithashtu i mundur në disa klinika private dhe realizohet nga vetë doktorët.
Cilado qoftë mënyra e rindërtimit që zgjedh një femër, ajo duhet të presë gjashtë deri në 12 muaj pas ndërhyrjes kirurgjikale.
Grbiç thotë se rikthimi i thimthave është e një rëndësie shumë të madhe për çdo femër që ka kaluar makthin e diagnostikimit me kancer të gjirit. Pacientët i thonë se thimthat i ndihmojnë ato të ndihen përsëri femra. Ato kanë më shumë vetëbesim dhe nuk kanë frikë të shohin reflektimin e tyre në pasqyrë.
Puna me të mbijetuarit e kancerit të gjirit është shumë ndryshe nga puna kryesore e Grbiçit, që është makijazhi permanent. Ndërkohë që femrat që zgjedhin makijazhin permanent mund të jenë kërkuese, është shumë më e lehtë të punosh me të mbijetuarit e kancerit.
“Kam bërë lloje të ndryshme kozmetike te femrat, por asnjëra prej tyre s’është më e lumtur sesa ato që bëjnë tatuazh thimthat. Është e pabesueshme,” tha Grbiç.
“Ato të ndihmojnë shumë. Nuk janë kërkuese. Vjen një pikë madje që fillojnë të qajnë,” thotë ajo.
Ndërkohë që ai planifikon ta zgjerojë këtë gjë edhe përtej kufijve të Serbisë, Grbiç thotë se ajo do të vazhdojë t’i bëjë gratë serbe të lumtura pa pagesë. “Gratë tona nuk kanë para për këtë,” thotë ajo. “Nuk do t’u marr para kurrë.”
Ky artikull u botua në gazetën e BIRN që del çdo dy javë Belgrade Insight. Këtu mund të gjeni një kopje.