Rezultati i referendumit britanik për të qëndruar apo për t’u larguar nga BE-ja do të ofrojë një rast interesant studimi për politikbërësit. A do të zgjedhin njerëzit përmes arsyetimit apo do të udhëhiqen nga pasioni populist?
Nëse votuesit e Mbretërisë së Bashkuar vendosin në referendumin e vendit më 23 qershor që të largohen nga Bashkimi Europian, nuk do të jetë për arsye ekonomike. Ata mund ta zgjedhin Brexit sepse duan sovranitet të plotë, sepse urrejnë Brukselin ose sepse duan që emigrantët të kthehen në vendin e tyre, por jo sepse presin ndonjë përfitim të madh ekonomik.
Kampi pro-Brexit fillimisht dukej se kishte dy arsye të forta ekonomike. E para ishte reagimi i ashpër i britanikëve që refuzonin transfertën fiskale të vendit të tyre te pjesa tjetër e BE-së, që llogaritet aktualisht në 0.4 për qind të PBB. Që kur kryeministrja Margaret Thatcher kërkoi në fillim “t’i ktheheshin paratë” në vitin 1979, kostot buxhetore të anëtarësisë në BE janë errësuar plotësisht nga përfitimet e saj ekonomike në sytë e publikut.
Arsyeja e dytë ishte gjendja e mjerueshme e ekonomisë të Europës. Në terma të rritjes së PBB, punësimit apo inovacionit, vende të tjera të BE-së, përgjithësisht janë mbrapa krahasuar me Mbretërinë e Bashkuar (ose edhe më tej me Shtetet e Bashkuara). Ndërsa dikur anëtarësimi në BE konsiderohej si një rrugë drejt begatisë, sot shihet gjithnjë e më shumë si një zvarritje e procesit.
Por së fundmi, siç e tha edhe John Van Reenen nga Shkolla e Ekonomiksit të Londrës, argumentimi ekonomik për Brexitin nuk ka qenë i duhuri. Mbështetësit e Brexit nuk arrijnë të shpjegojnë se në çfarë lloj marrëveshjesh tregtare dhe partneriteti mund të përfshihet Britania me BE-në, jo më të argumentojnë se si ato do të sjellin më tepër përfitime nga marrëveshja aktuale. Si rezultat, është e vështirë të argumentohet se Mbretëria e Bashkuar do të marrë një rritje ekonomike – edhe nëse nuk vuan fuqishëm – nga largimi prej BE-së.
Nga tetë vlerësime ekonomike të bëra së fundmi nga Instituti për Kërkime Fiskale, një institut kërkimor i respektuar dhe i pavarur, vetëm një prej tyre pretendon se largimi nga BE do të çonte në fitime të përfillshme ekonomike. Dhe ai studim – i prodhuar jo çuditërisht nga Ekonomistët për Brexitin – është kritikuar ashpër nga pjesa tjetër e ekonomistëve sepse i mungon baza e duhur analitike.
Shumica e studimeve zbulojnë se Britania do të vuante ndjeshëm nga largimi prej BE-së. Eksportuesit britanikë do të përfundonin duke marrë më pak pjesë në tregun e madh të BE. Ndërsa Mbretëria e Bashkuar mund të negociojë marrëveshje të reja me këta partnerë, do të duhej dhe duke vepruar e vetme fuqia negociuese do të mund të ishte më e dobët.
Kjo nënkupton se Mbretëria e Bashkuar do të bënte më pak tregti me BE-në dhe po ashtu me partnerët që nuk janë të anëtarësuar. Do të paguante çmime më të larta për produktet dhe mallrat e konsumit dhe integrimi i pakësuar i firmave britanike në zinxhirët globalë do të pengonte produktivitetin. Kostot në kuptimin e PBB do të ishin 5-20 herë më të larta sesa kursimet e ardhura nga mos-kontribuimi në buxhetin e BE-së. Nuk është një rezultat i mirë.
E gjitha analiza moderne e ndërkombëtarizimit ekonomik tregon se tregtia është një mekanizëm i fuqishëm përzgjedhjeje. Ai ofron mundësi zhvillimi për firmat produktive dhe ato inovative, ndërsa i jep atyre mundësinë të mësojnë nga konkurrentët jashtë vendit. Nuk është rastësi që të gjitha firmat më të mira në botë, që kanë përfitimet, produktivitetin dhe pagat më të larta dhe që investojnë në fuqizimin e kapitalit njerëzor janë kampione në tregti. Ndikimi negativ që do të kishte Brexit mbi mundësinë e firmave britanike për t’u zhvilluar do të rriste edhe më tepër koston ekonomike.
Këta argumente janë imponuar te publiku përpara referendumit. Megjithatë ato nuk e kanë thjeshtësuar debatin mbi kostot dhe përfitimet e Brexit. Kjo mund të ndodhë pjesërisht sepse debati nuk është luajtur në vija partiake. Konservatorët e kryeministrit David Cameron janë thellësisht të përçarë mbi këtë çështje, ndërsa partia Laburiste e Jeremy Corbyn është pasive rreth BE-së. Për shkak se zgjedhja nuk është mes të majtës dhe të djathtës, pikëpamjet e pavarura kanë fituar më shumë peshë.
Referendumi i 23 qershorit është i rëndësishëm në vetvete, kryesisht prej pasojave të gjera që do të ketë në marrëdhënien e Mbretërisë së Bashkuar me Europën. Por gjithashtu ofron mësime më të mëdha.
Nëse votuesit britanikë vendosin të largohen nga BE-ja, kjo do të nënkuptojë se argumentet racionalë të ekonomisë kanë më pak peshë sesa emocionet. Një rezultat i tillë do të nxiste forcat populiste kudo – nga Italia në Francë dhe SHBA – në mbrojtje të politikave të tyre izolacioniste që shumica e ekspertëve i konsiderojnë si të pakuptimta ekonomikisht. Për të kundërshtuar forca dhe politika të tilla, partitë politike tradicionale duhet të zgjidhin dështimin e tyre, edhe me faktet që mund t’i favorizojnë, për të ofruar një pikëpamje që do t’i bindë votuesit për të zgjedhur hapjen ekonomike.
Një votim nga shumica e britanikëve për të qëndruar në BE do të kishte një ndikim të kundërt, duke nënvijëzuar se, pavarësisht ndjenjave negative rreth një politike apo entitet, arsyeja dhe logjika nuk mund të anashkalohen. Po kaq e rëndësishme është, fakti që një rezultat i tillë do të inkurajonte një analizë më të thellë të pasojave ekonomike të programeve populiste në SHBA dhe në Europë.
Ajo që vihet në lojë në referendumin e 23 qershorit nuk është vetëm marrëdhënia mes Britanisë dhe BE-së – apo e ardhmja e projektit Europian. Mënyra se si votuesit do të vendosin do të jetë një test i rëndësishëm nëse zgjedhjet demokratike në vendet e përparuara europiane drejtohen nga racionaliteti ekonomik apo pasionet popullore.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. A British Test of Reason