Në fshatin e refugjatëve në Busije, njerëzit ende gëzojnë kujtimet e shtëpive në Kroaci, prej nga ata u arratisën për shkak të ofensivës ushtarake të Operacionit “Stuhia” në gusht 1995.
Zivko, tani 60 vjeç, e mban mend herën e parë që erdhi në Busije, një vendbanim pranë Beogradit të ngritur nga dhe për refugjatët, pas përfundimit të luftës.
“Nuk kishte absolutisht asgjë, vetëm fusha të pafundme, të punuara dhe gati për mbjellje. Por ne ndërtuam vendbanimin që sot strehon 7000 ose 8000 persona dhe shumica e banorëve janë refugjatë nga Kroacia,” tha ai.
Serbia do të organizojë një përkujtimore të Ditës së përvitshme të Përkujtimit të Vuajtjes dhe Persekutimit të Serbëve për herë të parë në fshatin Busije të enjten.
Çdo vit, vendi mban zi për të gjitha viktimat e serbë të luftërave ballkanike, por data shënon fillimin e Operacionit “Stuhia” në Kroaci, i cili filloi më 5 gusht 1995.
Forcat e Kroacisë me sukses rimorën përsëri territoret e mbajtura nga serbët rebel, por gjatë dhe pas ofensivës ushtarake, qindra serbë u vranë dhe rreth 200,000 u bënë refugjatë.
Busije është fshati më i madh i refugjatëve në Serbi dhe shumica e njerëzve që jetojnë këtu u larguan nga Kroacia për shkak të Operacionit “Stuhia”.
Zivko shpjegoi se tokat në Busije mund të bliheshin vetëm nga njerëz me kartë identiteti refugjatë. Pushteti lokal në atë kohë drejtohej nga Partia Radikale Serbe, e cila donte të sigurohej që vetëm refugjatët të mund të blinin tokë duke qenë se çmimi ishte nën nivelin e tregut.
Zivko kërkoi që emri i tij i plotë të mos publikohej pasi ai po mendon ende të kthehet në fshatin e tij në komunën Kistanje të Kroacisë një ditë dhe dëshiron t’i hapë vetes probleme.
“Babai im është ende në Kroaci dhe unë po mendoj të kthehem përsëri atje. Fëmijët dhe nipërit dua të qëndrojnë këtu,” tha ai.
Të moshuarit në Busije, të cilët po mendojnë ende të kthehen në Kroaci thanë për BIRN se ata nuk duan që emrat e tyre të përmenden nga frika e persekutimit, ndërsa brezi i ri dëshironte të mbetej anonim sepse s’duan të identifikohen si “refugjatë”.
Zivko tha se ai kishte sjellë një grimcë të vogël kulture nga atdheu i tij Kroacia, që ishte krenar ta tregonte.
“Shtëpia jonë nuk ishte përfunduar ende, por i kërkova babait të më dërgonte fidanë hardhie, kështu që i kam mbjellë. Është një variete që gjendet vetëm në Dalmaci, por ne nuk mund të prodhojmë verë të të njëjtës cilësi duke qenë se toka dhe dielli këtu janë ndryshe,” tha Zivko.
Ai ka mbjellë edhe bajame dhe fiq që shpesh kultivohen në rajonin e Dalmacisë në Kroaci.
“Të moshuarit kanë mall për vendin e tyre, kështu që ne kemi vazhduar të njëjtin stil jetese si në Kroaci para “Stuhisë”. Tymosim proshutë dhe bëjmë verë njësoj si në Dalmaci, luajmë balote për rekreacion,” tha ai, duke treguar se ku e luajnë lojën fshatarët, e cila është e ngjashme me lojën britanike me birila dhe njihet edhe si bocanje.
Problemi më i madh në fshat, sipas Zivkos, është mungesa e infrastrukturës. Por vështirësia e ardhjes së zyrtarëve të lartë për përkujtimoren e ditës së premte, të paktën do të thotë se disa rrugë janë përmirësuar.
“Disa rrugë u përfunduan para zgjedhjeve që u mbajtën në Prill. Tani ata po shtrojnë rrugë të tjera duke qenë se kryeministri serb Vuçiç dhe presidenti Milorad Dodik do të vijnë këtu të enjten. Kjo është gjë e mirë, sepse ato rrugë do të na mbeten neve,” tha Zivko me një buzëqeshje.
Por ai tha se fakti që nuk ka asnjë kopsht apo shkollë në fshat është një nga problemet më urgjente.
“Tani në fshat ka një brez më të ri, të cilët janë bërë edhe vetë me fëmijë, kështu që ata kanë nevojë për shkolla, në mënyrë që fëmijët të mos bëjnë rrugë të gjata për të shkuar atje,” shpjegoi ai.
“Ku do të shkoja?”
Dragan, i cili është me origjinë nga Knini në Kroaci dhe punon në tavernën vendase, tha se ai nuk kishte ndërmend të kthehej.
“Ku të shkoja? Isha një fëmijë i vogël kur u arratisëm nga Kroacia. Kështu që e gjithë jeta ime është në Serbi,” shpjegoi ai.
Dragani tha se prindërit e tij ëndërrojnë ende që një ditë të kthehen atje, por ai ka dyshime nëse kjo do të ndodhë ndonjëherë.
“Nuk kemi asgjë atje që kthehemi. Shtëpitë u shkatërruan dhe edhe nëse riparohen, për ne nuk ka punë. Pa përmendur lindjen e nacionalizmit të ri në Kroaci. Ne nuk jemi të mirëpritur,” tha ai.
Ai tha se jeta në Busije ishte e mirë, por ka ende shumë probleme që duhet të zgjidhen.
“Sistemi i kullimit duhet të zgjidhet, sepse kur bie shi, shumë vende përmbyten. Sigurisht që na nevojiten shkolla. Kjo është gjëja më e rëndësishme. Së shpejti do të më duhet një kopsht për fëmijët e mi,” tha ai.
Dragani shpjegoi se për burrat në fshat ka mjaftueshëm punë dhe, edhe pse s’janë të kualifikuar, mund të fillojnë punë në ndërtim.
“Njerëzit këtu në përgjithësi janë punëtorë. Problemi është me gratë. Zakonisht, ato punojnë për një pagë minimale, duke qenë se s’mund të bëjnë punë të vështira si burra. Ato punojnë nëpër supermarkete ose gjëra të tilla dhe rrogat janë vërtet të ulëta,” tha ai.
Në fshat organizohen festa që njerëzit të mund të vazhdojnë të kujtojnë rrënjët e tyre në Kroaci. Për shembull, festimet e ditëve të shenjtorëve dhe festivali i përvitshëm i kositjes së barit Krajiski Otkos që organizohet çdo qershor.
“Sigurisht që është edhe përkujtimorja e 5 gushtit, dita e “Stuhisë,” tha Dragan.
Këtë vit përkujtimorja e Operacionit “Stuhia”, në të cilën do të marrin pjesë edhe Vuçiç dhe Dodik, do të organizohet një ditë para Ditës së Përkujtimit të Vuajtjes dhe Persekutimit të Serbëve.
“Do të doja të mund të shkoja në bregdet”
Jasna, familja e të cilës vjen nga Sarajeva, refugjatë nga Bosnja dhe Hercegovina, tha gjithashtu se ajo nuk mendon të rikthehet.
“Unë kam lindur në Serbi, një vit pas prindërit e mi erdhën në Serbi si refugjatë. Nuk kam ndonjë kujtim të Sarajevës. Thjesht kam qenë disa herë në Bosnje,” tha ajo.
Pavarësisht nga disa dallime kulturore, refugjatët nga Kroacia dhe Bosnja të gjithë festojnë ose vajtojnë së bashku – dhe i merr malli për të gjtiha gjërat që ata kanë humbur.
“Do të doja të shkoja në det në Kroaci. Megjithatë, prindërit e mi kanë disa dyshime në lidhje me këtë. Shpresoj që një ditë gjërat të qetësohen në mënyrë që të mund të shkoj atje,” tha Jasna.
Megjithatë, disa refugjatë janë ende të pastrehë. Sipas Ivan Miskoviç nga Komisariati i Serbisë për Refugjatët dhe Migracionin, ka ende disa dhjetëra njerëz që u zhvendosën nga Kroacia që jetojnë në strehime të përkohshme në të ashtuquajturat “qendra kolektive” në të gjithë vendin.
“Qendrat kolektive do të mbyllen deri në fund të vitit, kështu që refugjatët nga Kroacia do të kenë vende ku të jetojnë,” tha Miskoviç për BIRN.
Në vitet e para pas Operacionit “Stuhia”, shumica e 200,000 refugjatëve nga Kroacia jetuan në qendra kolektive dhe kampe refugjatësh.
Sipas Miskoviç, BE-ja i ka dhënë Serbisë më shumë se 12 milionë euro për të siguruar shtëpitë për refugjatët të cilët janë ende në kampe dhe qendra kolektive në mënyrë që pas 21 vitesh, ato më në fund të mund të mbyllen.
Por Savo Strbaç nga OJQ-ja serbe Veritas, tha se ka pa mundësi që refugjatët serbë nga Kroacia të mund të rimarrin përsëri shtëpitë e tyre.
“Pozita e pakicës serbe në Kroaci po përkeqësohet. Kemi pothuajse çdo ditë ankesa për trajtimin e serbëve në Kroaci,” tha Strbaç për BIRN.
Ai tha se pas Operacionit “Stuhia”, serbët e mbetur vazhduan të largoheshin nga Kroacia.
“E kam ndjekur migracionin në Kroaci që nga viti 2002. Gjatë viteve të para, kishte një rikthim më të madh të serbëve në Kroaci, por për një dekadë, ka pasur shumë largime nga Kroacia sesa rikthime,” shpjegoi ai.
Ai tha gjithashtu se në censusin e Kroacisë në vitin 2011, popullsia serbe arriti në vetëm 4,36 për qind, ndërsa në censusin e vitit 1991 ishte 12.2 për qind.
Në Busije, Zivko po mendonte ende për vendin që ai e quan zavicaji i tij – një fjalë që do të thotë “atdheu”, por në gjuhën e tij ka konotacione më të thella emocionale.
“Po mendoj ende të rikthehem në atdhe, prandaj e kam mbajtur kartën e refugjatit dhe nuk kam shtetësi serbe,” tha ai.
“Babai im është ende atje dhe do të kthehesha, por kam probleme sigurie për shkak të nacionalizmit në Kroaci. Nga ana tjetër, fëmijët dhe nipat e mi janë këtu dhe ata janë integruar në Serbi. Praktikisht, kam 20 vjet që jam i ndarë midis idesë së rikthimit dhe të ndenjurit këtu.”