Synimet e Zhvillimit të Qëndrueshëm parashikojnë që deri në vitin 2030 çdo fëmijë në botë të ketë akses në arsim cilësor dhe gjithëpërfshirës. Helle Thorning-Schmidt shpjegon rrugën që shtetet duhet të ndjekin për ta përmbushur këtë synim.
Kur vizitova kampin e refugjatëve Zaatari në Jordani në fillim të këtij viti, u takova me fëmijë të cilët më treguan se çfarë nënkupton arsimi për ta. Për të rinjtë sirianë që janë detyruar të largohen nga shtëpitë dhe të humbasin gjithçka, arsimi është më tepër sesa kualifikime apo rezultate në teste; ai personifikon shpresën për të ardhmen.
Fëmijët si ata në Zaatari dhe miliona të tjerë kudo në botë, janë thelbi i punës së Komisionit Ndërkombëtar për Financimin e Mundësisë Globale të Arsimit, të cilit iu bashkova në shtator. Ky komision është i angazhuar për Synimin e katërt të Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB, që synon që deri më 2030 të sigurojë “arsim cilësor, gjithëpërfshirës dhe të barabartë dhe të promovojë mundësi të arsimimit për të gjithë”.
Ky synim është ende një perspektivë e largët për shumë fëmijë. Me kaq shumë çështje të zhvillimit që kërkojnë vëmendjen tonë, politikëbërësit duhet të kenë parasysh se arsimi nuk është vetëm një e mirë në vetvete; është gjithashtu një katalizator për shumë përfitime të tjera zhvillimi.
Siç thotë një proverb i vjetër afrikan, nëse arsimon një vajzë, ke arsimuar një komb të tërë. Ofrimi i aksesit në arsim cilësor për fëmijët, veçanërisht vajzat, do të çojë në më pak martesa fëmijësh dhe më pak shfrytëzim për fëmijëve në punë. Dhe arsimimi ka përfitime shoqërore afatgjata: përveç një angazhimi më të madh politik, fëmijët e arsimuar kontribuojnë në kapitalin intelektual dhe ndjekin mundësi sipërmarrjeje kur rriten, duke nxitur zhvillimin ekonomik.
Zgjidhja e sfidave të arsimit duhet të fillojë nga dy parime të theksuara te synimi.
Së pari, “për të gjithë” nënkupton se ne duhet të përendrohemi te fëmijët që janë lënë pas. Miliona fëmijë janë jashtë shkollës ose po marrin një arsim nënstadardin për shkak të identitetit apo vendit ku jetojnë. Sipas komisionerit të OKB për Refugjatët, fëmijët refugjatë kanë pesë herë më tepër gjasa të mos ndjekin shkollën sesa fëmijët në vendet ku ata zhvendosen. Dhe në të gjitha vendet afrikane përveç dy shteteve, vajzat kanë më pak gjasa se djemtë të përfundojnë arsimin 9-vjeçar. Futja e këtyre fëmijëve në shkollë do të kërkojë qasje të reja që adresojnë në mënyrë direkte përjashtimin e tyre dhe e bëjnë shkollën më të aksesueshme dhe më të rëndësishme.
Së dyti, “cilësia”: arsimi duhet të jetë efektiv që fëmijët të mësojnë realisht. Për 61 milionë fëmijë që janë jashtë shkollës fillore, arsimi formal është larg aksesimit. Por, po aq urgjent është fakti se më shumë se një e treta e fëmijëve në shkollë fillore – 250 milionë – nuk po mësojnë njohuritë bazë, sipas Raportit të Monitorimit Global të Arsimit të UNESCO. Gjysma e këtyre fëmijëve kanë qenë në shkollë për të paktën katër vite. Ne duhet të zgjidhim pengesat e mësimit, si në klasë dhe në shtëpi, duke përmirësuar cilësinë e mësimdhënies dhe kushtet në klasë, si dhe t’u mësojmë prindërve se çfarë mund të bëjnë për të mbështetur arsimin e fëmijëve të tyre.
Respektimi i këtyre dy parimeve do të kërkojë rritje të investimit. Vitin e shkuar, UNESCO përllogariti se qeveritë duhet të dyfishojnë shpenzimet e tyre për arsimin në kuadër të të ardhurave kombëtare për të arritur synimet e vitit 2030. Kjo do të kërkojë rritje të të ardhurave nga taksimi dhe përpjekje më të mëdha për të mbledhur atë që është dhënë borxh. Donatorët gjithashtu duhet të shtojnë zotimet e tyre të ndihmës dhe t’i orientojnë ato më efektivisht. Për shembull, më pak se një e treta e ndihmës së arsimit shkon për Afrikën, pavarësisht se rajoni llogaritet se ka afërsisht dy të tretat e fëmijëve që nuk shkojnë në shkollë. Për më tepër, aktualisht buxhetet e arsimit janë shpesh regresive ku thuajse gjysma e shpenzimeve në vendet më të varfra shkojnë për 10 për qindëshin e popullatës më të arsimuar.
Zgjidhja e investimit në arsim kërkon veprim në dy zona kyçe.
Së pari, ne kemi nevojë për financim të barabartë, me më shumë investim në kujdesin dhe zhvillimin e hershëm në fëmijëri, ku ekziston potenciali më i madh për kthim të përfitimeve. Buxhetet duhet të përqendrohet te fëmijët më të përjashtuar dhe arsimi fillestar duhet të jetë i lirë, në mënyrë që çdo fëmijë të mund të mësojë. Ne gjithashtu kemi nevojë për më tepër transparencë dhe llogaridhënie, që buxhetet të jenë të dukshme dhe komunitetet të kenë të drejtë fjale në drejtimin e shkollave.
Së dyti, duhet të forcojmë sistemet vendase të arsimit që qeveritë ta shohin veten si garantues të shkollave të aksesueshme dhe cilësore për shtetasit e tyre, në vend që t’ia japin këtë rol agjencive të jashtme të zhvillimit. Në veçanti, ne duhet të nxitim për partneritet mes qeverisë dhe bizneseve për të shtuar burimet e brendshme të arsimit dhe të eliminojmë rrjedhën e paligjshme të kapitalit që pengon qeveritë nga mënyrat për ta financuar atë, si evazioni fiskal dhe pastrimi i parave jashtë kufijve të vendit.
Me këto prioritete në mendje, komisioni i arsimit do të japë rekomandimet e veta në Asamblenë e Përgjithshme të OKB më 18 shtator, kur Sekretari i Përgjithshëm do t’i marrë dhe do të fillojë t’i zbatojë. Komisioni i Arsimit do të ketë sukses nëse ne mund të barazojmë financimit dhe vullnetin politik për të siguruar që çdo fëmijë të mësojë, pavarësisht të ardhurave, vendit apo statusit social. Puna jonë nuk do të jetë e përmbushur derisa kjo të ndodhë.