Teksa kryeministri Rama po viziton Serbinë, ekspertët argumentojnë se përmirësimi i marrëdhënieve Beograd-Tiranë lëkundet mes diplomacisë ‘tolerante’ të Perëndimit dhe gjuhës nacionaliste në vend.
Kryeministri shqiptar Edi Rama po viziton Beogradin, ku pritet të mbajë takime me zyrtarët serbë përpara se të shkojë në qytetin jugor Nis për të shpallur lançimin e Dhomës Tregtare Shqiptaro-Serbe të nesërmen.
Megjithëse Serbia dhe Shqipëria po përpiqen shumë në dy dekadat e fundit të përmirësojnë marrëdhënien e tyre, ekspertët thonë se dy vendet mund të kenë lehtësuar tensionet historike, por marrëdhëniet mbeten të brishta.
Analistët sugjerojnë se përmirësimi i lidhjeve Beograd-Tiranë erdhi ngaqë liderët e të dyja vendeve e panë si përfitim për marrëdhëniet e tyre me BE-në.
Por për të filluar ndërtimi i urave me themele të forta mes dy vendeve, politikanët nga të dyja palët duhet të distancohen nga populizmi, pasi mesazhet e ndryshme që ata japin te elektorati i tyre në shtëpi dhe te njerëzit jashtë vendit vazhdimisht çojnë në zhbërje të përmirësimeve.
Marrëdhëniet mes Serbisë dhe Shqipërisë kanë qenë prej kohësh të varfra dhe u përkeqësuan ndjeshëm gjatë konfliktit të vitit 1999 në Kosovë, atëherë një krahinë e Serbisë me popullsi kryesisht shqiptare. Në vitin 2008, Kosova shpalli pavarësinë, të cilën Serbia nuk e njeh.
Beogradi dhe Tirana janë përpjekur të hedhin pas krahëve dallimet dhe të përmirësojnë bashkëpunimin rajonal në kuadër të nxitjeve diplomatike të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës.
Kohë të trazuara
Në nëntor 2014, Edi Rama u bë i pari kryeministër shqiptar që vizitoi Beogradin në thuajse 70 vite. Vizita e tij erdhi një muaj më pasi tensionet u rritën gjatë ndeshjes kualifikuese të futbollit Euro 2016 mes Serbisë dhe Shqipërisë në Beograd.
Ndeshja e futbollit u braktis kur shpërthyen përplasje pasi një dron me hartën e “Shqipërisë Etnike” u valëvit në stadium.
Pas ndeshjes, kryeministrat e dy vendeve shkëmbyen pikëpamje të ndryshme në Tëitter.
Vizita në vetvete nuk shkoi siç u planifikua, pasi Rama vlerësoi pavarësinë e Kosovës në një deklaratë të përbashkët për shtyp me homologun Aleksandër Vuçiç.
Vuçiç i denoncoi fjalët e Ramës dhe këmbënguli se Kosova mbetet pjesë e Serbisë.
“Nuk e pres një provokim të tillë nga Rama dhe nuk pres të flasim rreth Kosovës… Është puna ime të mos lejoj askënd të turpërojë Serbinë,” tha ai.
Disa muaj më pas, në mars 2015, një sesion i përbashkët i qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë u mbajt nën sloganin “një tokë, një popull, një ëndërr” dhe kjo zemëroi Beogradin, që e nxiti BE-në të reagojë ndaj deklaratave “nacionaliste të Ramës”.
Ajo qër Serbia pa si shkak për t’u zemëruar ishte fjalimi i Ramës “ëndrra jonë, bashkimi kombëtar përmes Bashkimit Europian”, që ai e quajti një “aspiratë të përhershme” dhe të përbashkët.
Menjëherë pas kësaj, Vuçiç vizitoi Tiranën. Në maj 2015, ai u bë i pari zyrtar i lartë serb që viziton Tiranën me synimin për të përmirësuar bashkëpunimin rajonal të bisedimeve Beograd-Prishtinë të ndërmjetësuar nga BE në Bruksel.
Që atëherë, të dyja vendet, me mbështetjen e fuqishme të Bashkimit Europian, kanë marrë pjesë në takimet multilaterale brenda dhe jashtë rajonit.
Në korrik të këtij viti u ra gjithashtu dakord për themelimit e fondit të Ballkanit Perëndimor, që do të përfshijë Shqipërinë, Bosnje-Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë dhe Serbinë, si mënyrë për të rritur bashkëpunimin rajonal dhe për të forcuar marrëdhëniet ndërmjet anëtarëve të saj.
Manipulimi i nacionalizmit
Albert Rakipi, drejtori i Institutit Shqiptar për Studime Ndërkombëtare dhe ish-zv.ministër i jashtëm i Shqipërisë i tha BIRN se ai kishte shumë shpresa kur u lançuan fluturimet direkte Tiranë-Beograd në shtator 2014.
Megjithatë, Rakipi tha se më pak se një muaj më vonë, trazira e shkaktuar nga ndeshja e futbollit në Beograd dhe reagimi i zemëruar i politikanëve nga të dyja anët krijoi një atmosferë si të luftës së ftohtë mes Serbisë dhe Shqipërisë.
Ai tha se tendencat populiste mund të vëzhgohen në të dyja vendet dhe se ato mund të dëmtojnë përpjekjet për të krijuar marrëdhënie të mira pasi i bëjnë këto përpjekje të dyanshme të duken jo të sinqerta.
“Tendencat populiste ekzistojnë në Serbi dhe Shqipëri dhe unë i shoh si faktor që nuk e inkurajojnë apo vënë në fuqi krijimin e marrëdhënieve të mira mes dy vendeve,” tha Rakipi.
Analisti politik Fatos Lubonja beson se të dy kryeministrat përdorin gjuhë të ndryshme brenda dhe jashtë vendeve për të ruajtur pushtetin e tyre dhe për të shmangur fajin rreth dështimit të zgjidhjes së problemeve thelbësore të brendshme.
Lubonja argumentoi se liderët politikë si Rama dhe Vuçiç duhet të fillojnë të ndryshojnë situatën në rajon duke e filluar nga atdheu – përmes përmirësimit të standardeve të jetesës së njerëzve dhe përmes alternimit të diskursit të tyre në vend.
“Ata [punojnë për marrëdhënie më të mira] për të legjitimuar veten përballë perëndimorëve, për të pasur legjitimitet perëndimor që të mbajnë pushtetin në Serbi dhe Shqipëri,” tha Lubonja për BIRN.
Rakipi thotë se vendet duhet ta shohin bashkëpunimin si lëvizje strategjike drejt paqes, stabilitetit dhe begatisë, por për të filuar ndërtimin e partneriteteve më të forta në rajon, politikanët “së pari duhet të braktisin populizmin”.
Jovo Bakiç, një analist i politikave të jashtme nga Beogradi, thotë se takimet mes liderëve politikë si Rama dhe Vuçiç ishin një gjë e mirë, por ngjanin më tepër si lëvizje politike sesa si ndryshim real në marrëdhëniet mes dy vendeve.
“Jemi larg nga përmirësimi historik i marrëdhënieve,” tha Bakiç për BIRN.
Ai tha se pavarësisht përpjekjeve të bëra, marrëdhëniet mes Beogradit dhe Tiranës mund të bëhen lehtësisht problematike.
“Është përgjegjësia e Vuçiç të mos lejojë përshkallëzimin. Loja me nacionalizmin është e zakonshme dhe politikanët shpesh e bëjnë për interes vetjak, pavarësisht shkallës së rrezikut që kjo situatë mund të shkaktojë,” tha Bakiç.
Një përpjekje e ndershme nga Serbia për të përmirësuar marrëdhëniet me Shqipërinë do të sillte përfitime reale, argumentoi ai.
“Shqipëria ka rritjen më të madhe në rajon, vendi ofron bashkëpunim në shumë nivele dhe është i suksesshëm në rritjen e rankimit ndërkombëtar,” tha Bakiç.
Çështja e Kosovës
Ndërsa marrëdhëniet e mira Shqipëri dhe Serbi shihen nga shumë si një shans i mirë për të lehtësuar tensionet mes Kosovës dhe Serbisë, analistët paralajmërojnë se një rezultat i tillë nuk do të jetë i lehtë për t’u arritur.
Bakiç tha se megjithëse Shqipëria mund të luajë një rol në mundësinë e çtensionimit të marrëdhënieve, ndikimi i Tiranës mbi politikën e brendshme të Kosovës nuk duhet nënvlerësuar.
“Ne duhet të kemi parasysh se Shqipëria nuk e ka këtë pushtet, siç e imagjinojnë shumë njerëz në Beograd, pra për të influencuar politikanët në Prishtinë,” paralajmëroi ai.
Rakipi ra dakord: “Askush në Shqipëri nuk ka mandat për të përfaqësuar Kosovën,” tha ai.
Por Lubonja sugjeron se marrëdhëniet e mira të Shqipërisë me Serbinë mund të shihen si kërcënim për Kosovën.
“Një marrëdhënie e mirë Shqipëri-Serbi shihet nga shumë persona në Kosovë si një tradhti e çështjes së Kosovës; ata mendojnë se marrëdhëniet e mira Serbi-Shqipëri mund të dëmtojnë Kosovën,” argumentoi ai.
Lubonja gjithashtu theksoi se përpjekjet e Shqipërisë për të kënaqur publikun e Kosovës ndërsa anon nga BE-ja dhe Serbia mund të dëmtojnë të tria vendet.
“Përdorimi i gjuhës nacionaliste për Kosovën dhe i gjuhës tjetër për serbët dhe ndërkombëtarët është diçka e keqe,” tha ai.
Konsistenca e politikave të brendshme dhe të jashtme do të ishte më e mirë, jo vetëm për Serbinë dhe Shqipërinë, por edhe për Kosovën, argumentoi ai.