Ndryshimet ligjore që ndalojnë shfaqjen në publik të simboleve komuniste kanë zemëruar komunistët në Europë dhe kanë zgjuar mosmarrëveshjet e vjetra në atdhe.
Teksa bota i hedh sytë nga funerali i Fidel Castros, liderit të hershëm komunist të Kubës, kujtimet – dhe diskutimet rreth – regjimit të vjetër komunist që ra 27 vite më parë janë ende gjallë në Bullgari.
Duke ndryshuar një ligj të kaluar në vitet 2000 mbi “Natyrën kriminale të Regjimit Komunist” për të ndaluar shfaqen e simboleve komuniste në publik dhe për të futur historinë e periudhës komuniste në shkolla, deputetët bullgarë provokuan debate të nxehta në atdhe si dhe reagime dënuese nga komunistët në Europë.
Iniciativa Komuniste Europiane, e cila bashkon rreth 30 parti komuniste në Europë të premten tha se dënonte ligjin e ri anti-komunist, “i cili në mënyrë provokuese pretendon se regjimi komunist është kriminal dhe kërkon heqjen e simboleve dhe mesazheve komuniste dhe e bën propagandën anti-komuniste në universitet dhe libra shkollorë të detyrueshme”.
Në të shtohej: “Kjo shkelje e re anti-komuniste është integruar në synimin e qeverive borgjeze të BE-së për të falsifikuar dhe rishkruar historinë, duke fuqizuar persekutimin e partive komuniste dhe komunistëve, duke kriminalizuar aktivitetin e tyre dhe duke ndaluar ideologjinë komuniste”.
Pas disa orësh mosmarrëveshje në parlament, ku u recitua edhe poezi komuniste dhe pati konfrontime mes deputetëve të ndryshëm, një shumicë në parlament miratoi në parim projektligjin më 24 nëntor.
Ligji i ri detyron të gjitha institucionet shtetërore dhe bashkiake të heqin çdo shenjë, simbol, monument dhe objekte të tjera që lavdërojnë regjimin ose ish-Partinë Komuniste të Bullgarisë, BCP.
Monumentet e larguara mund të vendosen në Muzeun e Artit Socialist, krijuar në 2011 në kryeqytetin Sofje.
Komunat mund të mbajnë memorialet vetëm nëse përfshijnë një tabelë ose shenjë që i referohet karakterit kriminal të regjimit. Shkelësit përballen me gjobë nga 100 deri në 1000 euro.
Ndryshimet e reja gjithashtu kërkojnë që programi shkollor dhe universitar të përfshijë periudhën komuniste në programin studimor.
Ligji i Deklarimit të Natyrës Kriminale të Regjimit Komunist në Bullgari u miratua në fillim në vitin 2000.
Ai e përshkruante sundimin e BCP si një “katastrofë kombëtare” dhe e cilësonte partinë si një organizatë kriminale. Megjithatë, ishte thjesht deklarues dhe nuk përmbante penalitete.
Të gjitha qeveritë bullgare që nga fillimi i viteve 1990 janë përballur me kritika për dështimin e zbatimit të procesit efektiv të dekomunizimit dhe lustracionit, që shkencëtari politik me bazë në SHBA Eric Brahm e cilëson si “diskualifikim masiv të atyre që lidhen me abuzimet e regjimit të mëparshëm”.
Si rezultat, shumë disidentë, aktivistë anti-komunistë dhe familje të njerëzve që vuajtën apo vdiqën nga regjimi në Bullgari ndjejnë se ata që i përndoqën ia hodhën pa u lagur.
Lachezar Angelov, një deputet nga partia GERB e qendrës së djathtë të Boyko Borissov, që mbështeti ndryshimet në “ligjin anti-komunist”, tha në debatin e 24 nëntorit se ndryshimet duhet të mbështeten, “që bullgarët të mos harrojnë dhe që të mos ketë më përçarje në shoqëri”.
Metodi Andreev, gjithashtu nga GERB dhe një nga ata që çuan përpara ndryshimet ligjore, akuzoi ish-komunistët për përçarje të shoqërisë bullgare dhe për vrasje të patriotizmit.
“Partia juaj gjithnjë e më shumë i ngjan një klani sicilian; ju vini lidhjet tuaja familjare përpara interesave të shtetit,” u tha ai deputetëve nga Partia Socialiste Bullgare, pasardhëse e BCP dhe një nga kundërshtarët e fortë të ligjit.
Deputetët socialistë e quajtën ndryshimin “një turp” dhe “një njollë në punën e këtij parlamenti” dhe lanë sallën pas miratimit.
Por politikanët e krahut të majtë, shumë prej të cilëve janë të lidhur me ish-regjimin nuk janë të vetmit që kritikojnë ndryshimet e fundit, që presin dritën finale të gjelbër në mbledhjen e dytë.
“Në vend të përqendrimit të problemet e vërteta, ata [politikanët] preferojnë veprime abstrakte dhe nuk kanë lidhje me vështirësitë e njerëzve. Kjo është provë se elita politike është shumë e largët nga njerëzit e zakonshëm, tha Julia Vladimirova, një gazetare nga Sofja me pikëpamje të majta.
“Kur nuk ke mjaftueshëm për të ngrënë ose nuk përballon dot ngrohjen, nuk të intereson shumë se çfarë bëhet me shenjat e rrugës apo jo?” pyeti ajo.
Ajo shtoi se do të ndihej personalisht e shtypur nga një ndalim i shfaqjes së simboleve komuniste.
Asaj i pëlqen të veshë rroba me një yll të kuq, të cilin e sheh si provokim.
“Nuk i fsheh pikëpamjet e mia të majta, më pëlqen t’i tregoj – kjo është pjesë e identitetit tim. Ky ndalim do të prekë lirinë time të shprehjes dhe aftësinë time për të lëvizur lirshëm në rrugë,” shtoi Vladimirova.
Stanimir Panayotov, një student doktorature nga Universiteti Qendror Europian në Budapest, tha se përfitimet publike nga një ligj i tillë janë të diskutueshme pasi përfaqësojnë “një gjest shumë joestetik”.
“Idetë politike të komunizmit nuk mund të shkatërrohen nga kthimi në të jashtëligjshëm të trashëgimisë,” tha ai për BIRN.
Panayotov tha se ai shqetësohej rreth dëmtimit të mundshëm të trashëgimisë kulturore në Bullgari ku shumë monumente historike ishin tashmë në shkatërrim pas dekadash neglizhence.
“Nuk ka nevojë për histeri anti-komuniste për të shkatërruar të shkuarën. Inercia e heshtur po bën punën e saj, ngadalë por me efektivitet,” tha ai.
Asen Genov, një bloger dhe aktivist i shoqërisë civile, megjithatë, tha se memorialet propagandistike të regjimit komunist nuk meritojnë më një vend në rrugë.
“Monumentet e Ushtrisë së Kuqe në Sofje dhe toteme të tjera të ngjashme kanë kuptim vetëm propagandistik. Ato kanë një funksion – të dominojnë dhe shtypin njerëzit dhe të imponojnë ideologjinë e vet mbi ta,” tha ai.
Ndërsa argumentoi kundër histerisë anti-komuniste, ai këmbënguli se ish-regjimi nuk duhet të romantizohet dhe të cilësohet si “i hatashëm”.
“Komunizmi nuk ishte i hatashëm, ishte një regjim çnjerëzor që kufizoi njerëzit nga liria dhe identiteti dhe mori jetën e qindra mijëra bullgarëve,” këmbënguli Genov.
Përdorimi i simboleve komuniste si ikona komerciale nga shitësit duhet penalizuar, shtoi ai.
Pavarësisht kriticizmit që kanë ndaj ligjit të ndryshuar, Vladimirova dhe Panayotov mbështesin fort prezantimin e studimeve të regjimit komunist në shkolla.
“Refuzimi për ta studiuar atë do të nënkuptonte se po përpiqemi të harrojmë diçka, të largohemi nga diçka që na përndjek. Ne duhet të jetojmë nëpër të shkuarën mënyrë që të jetojmë të tashmen,” tha Vladimirova.
“Regjimi duhet të hyjë në librat shkollor. Është tashmë atje. Por beteja është se kush do të thotë historinë përfundimtare,” theksoi Panaytov.
Ai shpjegoi se ndërsa historia e socializmit shtetëror është shkruar kryesisht nga intelektualë të huaj dhe emigrantë bullgarë, në atdhe është kryesisht në duart e historianëve të lidhur me BSP që shesin konceptin e nacionalizmit komunist ose të revizionistëve radikalë që e cilësojnë komunizmin krejtësisht negativisht.
Zornitsa Semkova, kreu i Departamentit të arteve të bukura dhe librale në Kolegjin Amerikan në Sofje ra dakord që periudha komuniste duhet të studiohet në shkolla.
“Por duhet të distancohemi nga ideja se librat shkollorë duhet të përmbajnë një version të historisë,” tha ajo.
“Nuk ka tabu në histori – fëmijët duhet të marrin lirinë e të diturit të pikëpamjeve të ndryshme dhe të vlerësojnë dhe t’i interpretojnë ato,” përfundoi ajo.