Raporti tregon se si korporatat e mëdha, drejtuar nga super të pasurit, po shmangin taksat, po ulin pagat, po pakësojnë çmimet që paguajnë te prodhuesit dhe po investojnë më pak në bizneset e tyre për të maksimizuar përfitimet që marrin aksionerët e pasur.
Në vitin 2015, 62 njerëzit më të pasur në botë kishin më shumë pasuri se 3.6 miliardë më të varfrit dhe të pambrojturit. Në 2016, vetëm tetë persona ndanin këtë pasuri, të gjithë burra.
Si drejtore e përgjithshme e Oxfam International, nuk e cilësoj këtë si bombastike; por si të dhëna të reja mbi pabarazinë globale që zbulojnë se gjysma më e varfër e botës ka më pak pasuri nga sa e kishim menduar më parë. Kur i aplikojmë shifrat më të detajuara që kemi pasur këtë vit te vlerësimi i vjetshëm, zbulojmë se nëntë burra, jo 62 burra dhe gra, mbajnë po aq pasuri sa 3.6 miliardë më të varfrit në vitin 2015.
Efektet e këtij hendeku mes të paktëve fatlumë dhe pjesës tjetër ndihen kudo, por ato rëndojnë më shumë te më të varfrit e harruar; ku gratë zënë një pjesë joproporcionale.
Një në nëntë njerëz shkojnë në shtrat të uritur çdo natë dhe 10% e popullatës së botës ende fiton më pak se 2 dollarë në ditë. Ndërkohë, super të pasurit po mbledhin pasuri aq shpejt saqë bota mund të shohi trilionerin e parë në 25 vitet e ardhshme. Kjo është më tepër se një lojë numrash: këto shifra reflektojnë një sistem ekonomik që ka lënë qindra miliona njerëz mbrapa dhe po përjashton një të ardhme më të mirë, më të drejtë dhe më të begatë.
Raporti më i fundit i pabarazisë të Oxfam, që rastis me Takimin Vjetor të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, ekspozon funksionimin e brendshëm të ekonomisë sonë shumë të padrejtë dhe ofron zgjidhje për rebalancim. Raporti tregon se si korporatat e mëdha, kryesuar nga super të pasurit, po shmangin taksat, po ulin pagat, po pakësojnë çmimet që paguajnë te prodhuesit dhe po investojnë më pak në bizneset e tyre për të maksimizuar përfitimet që marrin aksionerët e pasur. Ka shembuj të shumtë sesi elitat shumë të pasura – të cilët duket se ndikojnë te liderët politikë – ndjekin interesin vetjak dhe përfitimet e tyre me çdo kusht.
Pasuria nuk shkon poshtë te të varfrit. Oxfam, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore të gjithë e dinë këtë tani; të varfrit e kanë ditur gjithnjë. Ndaj, kur qeveritë përpiqen të rrisin PBB me çdo kosto, ato po mbështesin një sistem ekonomik përjashtues që dëmton qindra miliona njerëz të cilët janë tashmë të varfër, të sëmurë, të shfrytëzuar dhe në mjerim.
Meritokracia është gjithashtu një mit. Më të pasurit e botës nuk i fituan paratë e tyre përmes punës së palodhur të vet. Më shumë se gjysma e miliarderëve të botës ose e kanë trashëguar pasurinë ose e kanë mbledhur atë përmes industrive të lidhura me korrupsionin dhe nepotizmin.
Lajmi i mirë është se këto gabime mund të ndreqen. Zgjidhje të guximshme, të ndjeshme dhe praktike janë tashmë të disponueshme. Ndërtimi i një ekonomie që funksionon për 99% është një synim që mund të arrihet. Është gjithashtu i vonuar, siç kanë treguar trazirat politike të vitit të shkuar, përfshirë referendumin Brexit të Mbretërisë së Bashkuar, fitoret e Donald Trump dhe Rodrigo Dutertes në SHBA dhe Filipine dhe rënia e mbështetjes për Kongresin Kombëtar Afrikan në Afrikën e Jugut. Në të gjitha këto raste, masat kanë shprehur zemërimin e tyre.
Ne jetojmë në një botë vazhdimisht të paqëndrueshme dhe të dhunshme, ku të varfrit – dhe gratë në veçanti – shihen si më pak të vlefshëm se të tjerët. Por është në interes të kujtdo që ne ta përmbysim këtë trend drejt thellimit të pabarazisë. Do të ishte shumë mirë të krijonim një ekonomi që funksionon për këdo, në vend të disave fatlumë. Por nëse vazhdojmë rrugën e tanishme, mund të pengojmë punën që kemi bërë tashmë për të luftuar varfërinë.
Tema e Takimit Vjetor të Forumit Ekonomik Botëror është “lidershipi i përgjegjshëm”. Dhe ndërsa qeveritë kanë një rol shumë të rëndësishëm për të luajtur në krijimin e një bote ku të gjithë mund të shijojmë frutat e begatisë, siç bëjnë superpasanikët – shumë prej të cilëve janë këtu në Davos.
Mesazhi për ta duhet të jetë i qartë: ndërtimi i një ekonomie më gjithëpërfshirëse kërkon rishpërndarje. Për t’i dhënë fund pabarazisë, qeveritë duhet të luftojnë përqendrimin ekstrem të pasurisë, jo vetëm të luftojnë evazionin fiskal, por gjithashtu të rrisin taksat për të pasurit dhe ata me të ardhura të larta. Kjo do të nivelojë fushën e lojës, ndërsa do të gjenerojë gjithashtu miliarda dollarë për t’u investuar në kujdes shëndetësor, arsim dhe krijim të vendeve të punës.
Por vetëm rishpërndarja nuk mjafton. Për të arritur begatinë për të gjithë, ne duhet të ndryshojmë modelin tonë ekonomik. Qeveritë duhet të ndalojnë së përdoruri forcat e tregut dhe ndryshimin teknologjik si justifikime për dështimet e tyre. Ata duhet t’i nxisin bizneset të konsiderojnë ndikimin social të vendimeve të tyre, të caktojnë drejtimin për zhvillimin teknologjik dhe të rregullojnë tregjet për të parandaluar një garë për pagat më të ulëta dhe taksimin më të ulët të korporatave.
Njerëzimi ka talentin dhe zgjuarsinë për të vepruar më mirë. Ne nuk kemi përse pranojmë një ekonomi që nuk funksionon, thjesht sepse disa njerëz kanë përfituar nga situata aktuale. Kjo nuk është demokraci. Ka kuptim si politikisht dhe ekonomikisht të vihen njerëzit të parët dhe të krijohet një botë ku kushdo është me fat dhe askush nuk është i harruar.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2017. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. The Fortunate Few and the Forgotten Many