Monitorimi arkeologjik i punimeve për zbatimin e projektit “Veliera” në Durrës ka dhënë rezultatet e para.
Më shumë se arkeologët, të cilët e prisnin praninë e themeleve të godinës së periudhës osmane, dalja në dritë e mureve dhe veçanërisht e një topi dyshekullor ka entuziazmuar qytetarët e shumtë, që e shohin si një sfidë të fituar me ndërtuesit.
Mjaft prej tyre i afrohen gërmimeve dhe durrsakët e moshuar ndjejnë jo pak nostalgjinë e tregimeve më të hershme të prindërve të tyre. Megjithatë ata janë të ndarë në qëndrimet e tyre ndaj zbatimit të projektit. Arkeologu në pension Fatos Tartari shprehet se trekëndëshi pranë Torrës mesjetare është një hapësirë me elementë arkeologjikë dhe që nuk duhej prishur. Të tjerë si Flamur Mima duken më racionalë kur thonë se e gjithë nëntoka e qytetit është e mbushur me objekte antike, por projektet nuk mund të pengohen.
Arkeologët që ndjekin punimet, mbështeten në vëzhgimin e tyre nga punëtorët e firmës dhe ata të bashkisë, e cila vetëm para disa ditësh nënshkroi Kontratën me Agjencinë e Shpëtimit Arkeologjik dhe Institutin e Arkeologjisë në Tiranë për vëzhgimin e realizimit të projektit.
Ndërtesa e zbuluar të dielën mbështetej në murin fortifikues bizantin 1500-vjeçar, i cili njëlloj si godinat pranë janë dëmtuar në mënyrë të pariparueshme në kohën kur qyteti morri pak a shumë pamjen që ka sot. Fillimisht bombardimi nga deti në vitin 1918 dhe më pas tërmeti shkatërrues i vitit 1926 u bënë shkak për hartimin e një plani urbanistik, që u zbatua në këtë zonë të qytetit.
Dr. Ali Sula, 94 vjeç, me një kujtesë për t’u pasur zili, ka qenë shumë i vogël, por e kujton se si u drodh disa herë qyteti më 16 dhe 17 dhjetor 1926 dhe shkatërrimet e tij ishin të pariparueshme. Mjeku i moshuar tregon për BIRN se tamam në këtë kohë qeveria dhe bashkia morën përkatësisht vendimet për ngritjen e portit detar, punimet e së cilës i morri përsipër shoqëria italiane “Mazzorana”, ndërsa prishja e pallatit qeveritar mundësoi hapjen e bulevardit “Epidamn”, që deri vonë njihej si Rruga Tregtare.
Durrësi i fillimshekullit të kaluar, e ndryshoi pamjen falë këtyre dy investimeve-thotë dr. Aliu”.
Te durrsakët në atë kohë mbizotëronte fataliteti për jetën dhe të ardhmen-shprehet studiuesi Kristaq Xhimitiku. Familjet autoktone të Durrësit panë dhe hoqën shumë keq nga bombardimet, malarja dhe tërmeti. Disa prej tyre u larguan përkohësisht për t’u kthyer përsëri, duke vlerësuar dhe dashur edhe më fort Durrësin, qytetin e tyre-nënvizon Xhimitiku. Plani i ri urbanistik dhe gjallërimi i tregtisë shërbyen për të ardhmen e Durrësit.
Godina e zbuluar këto ditë e që i shërbente administratës osmane në shekujt 18-19-të ishte ende në këmbë, kur në vitin 1913 u shfrytëzua si pallati, ku princi Wilhelm Wied u përpoq pa sukses të bëhej drejtuesi i shtetit modern shqiptar. Ndërtesa u shkatërrua përfundimisht pas tërmetit të vitit 1926, kur u hap bulevardi. Themelet e zbuluara shihen në krahun e lulishtes, ku deri disa muaj më parë ishin instaluar monumentet e artistëve të muzikës pop dhe rock, Bob Dylan, Tina Turner, John Lennon dhe Mick Jagger.
Dr. Ali Sula shprehet se vendosja e një tabele që kujton godinën dhe veprimtarinë e kryer në të gjatë fillimshekullit të 20-të do ta sillte edhe më pranë situatën e qytetit 100 vjet më parë. Fatmirësisht ekzistojnë edhe foto të asaj periudhe-nënvizon mjeku i njohur.
Ndërkaq vizitorët e gërmimeve janë më të interesuar për fatin e topit që u gjet gjatë gërmimeve.
Arkeologët thonë se topi i zbuluar i përket periudhës turke dhe duhet të jetë hedhur vonë pranë godinës. Ai ka karakteristikat e tre topave që zbukurojnë lulishten trekëndore me monumentin e Mujo Ulqinakut, heroit që drejtoi rezistencën në ditën e parë të pushtimit fashist.
Gjithsesi, përfundime më të sakta do të dalin kur gryka e zjarrit të dërgohet në muze për analizat kimike të materialit të përdorur.
Ndërkaq Ministria e Kulturës ka kërkuar pastrimin e fragmentit të murit bizantin nëntokësor që bashkon Torrën mesjetare dhe kompleksin “Fly”. Disa dhjetëra metra mur i shekullit të 5-të pritet të jenë pjesë e vizitueshme e zonës pedonale që do të krijohet nga zbatimi i projektit “Veliera”.